Kapitali më i madh politik i Ramës: Berisha

Postuar në 09 Nëntor, 2014 10:11
Eduard Zaloshnja

“Përse Rama u mor me 4 të vrarët e Berishës para Kryeministrisë dhe me 26 të vrarët e birit të Berishës në Gërdec, kur i duhej të fliste për 4 të vrarët e birit të Luiza Xhuvanit?” – më pyeti në mënyrë retorike një mik i im tek po diskutonim për deklaratat që bënë Rama e Xhuvani në hollin e Kryeministrisë ditën e vrasjes së katërfishtë për të cilën akuzohet biri i kësaj të fundit. “Sepse kapitali më i madh politik i Ramës është Berisha - ripërmendja e hërëpashershme e bëmave të tij e rifreskon këtë kapital,” iu përgjigja mikut tim dhe i bëra pak a shumë shpiegimin e mëposhtëm.

Përkrahja elektorale për koalicionin e drejtuar nga Rama ka rënë pas një viti e ca qeverisje të tij. Sipas dy sondazheve të kryera nga unë para disa javësh, vetëm 2/3 e elektoratit të majtë kryeqytetas është gati ta rivotojë sot këtë koalicion, ndërsa në rang vendi, vetëm treçereku i elektoratit të majtë urban është gati ta rivotojë. Diçka të ngjashme tregonte edhe një sondazh i kryer në maj nga Ridvan Peshkëpia (prezantuar në emisionin “Opinion” të Fevziut), i cili mbulonte gjithë territorin e Shqipërisë.

Por për një koalicion që vjen rishtas në pushtet, rënia e përkrahjes elektorale, sidomos në zonat urbane, nuk është një fenomen i jashtëzakonshëm. Kështu, në zgjedhjet bashkiake të vitit 2007, koalicioni i drejtuar nga Berisha pësoi një rrudhje të ndjeshme elektorale në zonat urbane. Olldashi, për shembull, mori në kryeqytet vetëm treçerekun e votave që kishin marrë dy vjet më parë të gjithë kandidatët e djathtë për deputetë, të marrë së bashku (të PD-së, PR-së, LZHK-së, PDK-së etj.). Të njëjtin nivel votash patën edhe garuesit e djathtë për kryebashkiakë në minibashkitë e Tiranës, të marrë së bashku. Në 20 qytetet më të mëdha, garuesit e djathtë për kryebashkiakë morën vetëm 85% të votave të elektoratit të djathtë të dy viteve më parë.

Kjo rrudhje nuk do të kishte qenë problem, në qoftë se do të ishte shoqëruar edhe me një rrudhje të elektoratit të majtë. Por në fakt, në zonat urbane, e majta nuk u rrudh. Rama, për shembull, mori në 2007-ën në kryeqytet ekzaktësisht po aq vota sa ç’kishin marrë dy vjet më parë të gjithë kandidatët e majtë për deputetë, të marrë së bashku (të PS-së, LSI-së, PSD-së, PDS-së, etj.) Të njëjtin nivel votash patën edhe garuesit e majtë për kryebashkiakë në minibashkitë e Tiranës, të marrë së bashku. Në 20 qytetet më të mëdha, garuesit e majtë për kryebashkiakë morën 95% të votave të elektoratit të majtë të dy viteve më parë.

Dhe a do të përsëritet i njëjti skenar në 2015-ën? Sondazhet e para disa javëve që citova më sipër sugjerojnë të kundërtën – koalicioni opozitar nuk e ka ruajtur dot përkrahjen, edhe ashtu të vogël, të qershorit 2013. Kështu vetëm 2/3 e elktoratit të djathtë kryeqytetas është gati ta rivotojë sot këtë koalicion, ndërsa në rang vendi, vetëm treçereku i elektoratit të djathtë urban është gati ta rivotojë. Ndërkohë, që të jetë konkurues, atij do t’i duhet jo vetëm të ruajë votat që kishte, por edhe t’i shtojë ndjeshëm ato.

Por si shpiegohet rrudhja e elektoratit të djathtë, kur PD-ja, partia kryesore e djathtë, po e rinovon pothuaj krejtësisht ekipin drejtues të saj, siç e rinovoi PS-ja pas humbjes së 2005-ës?  Një përgjigje të tërthortë kësaj pyetjeje ia japin përsëri sondazhet e sipërcituara. Si në sondazhin e Ridvan Peshkëpisë, edhe në timin, kuotat e opinionit pozitiv për kryedemokratin Basha ishin 16 pikë më të larta se të ish-kryedemokratit Berisha.

Kjo kuptohet që nuk do të përbënte problem në qoftë se Berisha do të kishte bërë një tërheqje të ngjashme me atë që bëri dikur Sabri Godo nga Partia Republikane. Por Berisha s’bëhet dot Sabri Godo – çdo mëngjes ai ulet para FaceBook-ut dhe jep direktivat e ditës për PD-në. Dhe pasi komentet e tij në FaceBook bëjnë xhiron e mediave shqiptare, në selinë e PD-së del një deputet, ose kryetari Basha, për të bërë një deklaratë për shtyp, që thjesht zbërthen direktivat e publikuara nga ish-kryetari në mëngjes (Madje edhe shpalljen e 22 nëntorit si ditë proteste, Berisha e bëri i pari në FaceBook).

Ky ritual pothuaj i përditshëm, pa dyshim, është vënë re nga elektorati i djathtë. Dhe kuptohet që atyre të djathtëve që kanë opinion pozitiv për Bashën, por jo për Berishën, nuk u pëlqen fakti që ish-kryetari, praktikisht, përcakton vijën politike të partisë kryesore të djathtë. Jo rastësisht, shumica e këtyre lloj të djathtëve thonë në sondazh se nuk janë gati ta rivotojnë sot koalicionin opozitar.

Duke përmbledhur sa më sipër, mund të thuhet se kostot elektorale të betejave të mëdha që ka nisur qeveria Rama për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike, gjobitjen e drejtuesve të automjeteve, rritjen e të ardhurave shtetërore etj., balancohen nga kostot elektorale të opozitës prej “daljeve” të përditshme të Berishës në FaceBook. Kosto këto që vetëm mund të shtohen pas një rikthimi në Parlament të superaktivit Berisha…

Comments

Submitted by Ilir (not verified) on

<p>Jo jem Gabim, Nuk eshte Berisha Kapitali me i Madh, Rama e permendi ate per ti mbyllur Gojen Berishes sepse nuk ka te drejte Morale te Flase por edhe Opozites per te mos Personifikuar Luizen me Poziten(d.m.th) Ramen prandaj Rama si Kopil qe eshte e&nbsp;Hoqi nga vetja cibanin dhe &quot;I kam Miq por Djali ka nje rruge te gjate per ne Shtepi&quot; medemek mor kerkoni te nderhyje ne Punet e Gjykates per Djalin tuaj dhe nga Kjo Histori(Kurth), Rama del i Lare..........</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.