…deri në vetëvendosje!

Postuar në 22 Tetor, 2014 17:53
Enis Sulstarova

Sërish Lëvizja Vetëvendosje! është vënë në qendër të zhvillimeve të fundit politike në Republikën e Kosovës. Si edhe herë të tjera, është dëshmuar se pesha e saj në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës është më e madhe se sa numri i anëtarësisë së kësaj organizate dhe më e madhe se sa numri i votave që ka arritur të mbledhë ajo në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo ka ndodhur sepse Lëvizja ajo ka ditur që të mbrujë një subjekt politik të veçantë – dhe kjo vlen jo vetëm për Kosovën, por edhe për trevat shqiptare në tërësi – duke këmbëngulur në një parim të drejtë historik e universal e duke e zbërthyer këtë parim në të gjithë veprimtarinë e saj, statutin, demokracinë e brendshme dhe programin qeverisës që u ka paraqitur qytetarëve në votime. Parimin e vetëvendosjes popullore e ka mbrojtur me ngulm, që nga kundërshtimi i negociatave të Vjenës me Serbinë, mospranimi i administratës UNMIK-ut, planin “Ahtisari” e deri, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me kundërshtimin ndaj EULEX-it, bisedimeve të paparimta e të dëmshme që po zhvillohen më ndërmjetësinë e Brukselit dhe që po e minojnë edhe më shumë sovranitetin e Kosovës, si edhe kundër privatizimeve të egra neo-liberale të pasurive publike të vendit. Si nga brenda, po ashtu edhe nga jashtë institucioneve shtetërore, Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar se është mbrojtësja më e madhe e tyre prej kapjes nga interesat private.

Edhe taktika e fundit politike që Lëvizja Vetëvendosje! ndërmori për të penguar vazhdimin e qëndrimit në pushtet të kryeministrit Thaçi i shërben parimit të vetëvendosjes popullore. Lëvizja Vetëvendosje! manovroi së bashku me partitë e tjera për ta bllokuar PDK-në e mbajtur në pakicë numerike e, së fundi, për ta nxjerrë në opozitë, si ndëshkim për qeverisjen e saj të papërgjegjshme. Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje! për t’ia vënë bllokadën politike Thaçit e PDK-së nuk do të thotë aspak se në gjykimin e Lëvizjes, LDK e AAK e meritojnë të qeverisin dhe se ata nuk janë të rrezikshëm në pushtet për interesat e Kosovës. Përkundrazi, edhe Mustafa e Haradinaj janë përgjegjës për situatën e rëndë të krijuar në Kosovë, si me veprimet e tyre, po ashtu edhe me mosveprimet e tyre në Kuvend. Është e qartë për këdo që i ka ndjekur votimet e çështjeve me rëndësi të posaçme shtetërore të Kosovës, për të cilat edhe trysnia ndërkombëtare ka qenë e madhe, që LDK-ja dhe AAK-ja për interesat dhe llogaritë e veta ose edhe për mungesën e guximit të udhëheqjes dhe të deputetëve të tyre, ia kanë hapur dritën e gjelbër qeverisë Thaçi, duke ia zgjatur jetën dhe zullumin. Prandaj për të minimizuar rrezikun që këto dy subjekte paraqesin dhe për të vënë në binarët e duhur qeverisjen e ardhshme të vendit, Lëvizja Vetëvendosje! nënshkroi me ta një marrëveshje për parimet mbi të cilat do të bazohet bashkëpunimi mes saj dhe koalicionit LDK-AAK-Nisma për Kosovën (LAN), në fillim për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe që më tutje i hap rrugën një marrëveshjeje për programin me të njëjtën frymë të qeverisë së re. Edhe me miratimin e këtij programi të ardhshëm midis LAN-it e Lëvizjes, pjesëmarrja e kësaj të fundit në qeverinë e re të Kosovës do të vendoset nga e gjithë anëtarësia e saj me të votës, sikurse e parashikon statuti i organizatës.

Teksti i marrëveshjes për parimet vendos në qendër dialogun e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe me serbët e Kosovës për integrimin shoqëror të këtyre të fundit në institucionet republikane, përkundër dialogut pa kushte dhe pa një plan serioz pune e objektiva për të vlerësuar rezultatin që deri dje Thaçi ndërmerrte me Daçiqin. Është e vërtetë që dialogu me Serbinë do të vazhdojë dhe në këtë pikë Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë lëshime partive të LAN-it, që janë deklaruar edhe më parë për vazhdimin e tij, mirëpo në këtë rast Lëvizja angazhohet drejtpërdrejt që dialogu të përmbajtësohet me kërkesat legjitime të Kosovës dhe t’i shërbejë shtet-ndërtimit të Kosovës, ndryshe nga sa ka ndodhur deri tani. Në lidhje me këtë, dokumenti i nënshkruar nga palët specifikon se procesi do të vihet në kontrollin e Kuvendit dhe se drejtimin konkret do ta ketë Lëvizja Vetëvendosje! Për më tepër kërkohet vlerësimi i zbatimit dhe i zbatueshmërisë së marrëveshjeve të deritanishme, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Përmendet në funksion të kësaj çështjeje edhe ndihmesa që do t’i kërkohet Komisionit të Venecias, i specializuar në fushën e së drejtës kushtetuese. Me sa duket me këshillimin e marrë nga Komisioni i Venecias, Lëvizja Vetëvendosje! synon të vendosë një prag juridik për dialogun, për t’i paraprirë trysnisë politike që ushtrohet mbi palën kosovare nga Brukseli dhe për të mos bërë hapa mbrapa pragut ligjor që ka vendosur kushtetuta ahtisariane, e cila është në fuqi në Kosovë. Gjithashtu dokumenti i rezervon Lëvizjes Vetëvendosje! të drejtë vetoje në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha publike.

Nënshkrimi i marrëveshjes LAN-LVV më 10 shtator shkaktoi reagime të ndryshme dhe të menjëhershme, epiqendra e të cilave ishte qëndrimi i mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje! në lidhje me bisedimet Beograd-Prishtinë. Disa aktivistë të saj nuk u rezervuan aspak, por folën menjëherë për braktisje apo tradhti parimesh. Këta zëra u amplifikuan nga mediat, që përfshinë edhe plot “analistë” që i shërbejnë Thaçit, për të nisur një fushatë denigruese ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! e Albin Kurtit, gjithnjë duke i akuzuar për heqjen dorë nga parimi i vetëvendosjes dhe nga qëndrimi i mëparshëm kundër çdo lloj bisedimi pa kushte me Serbinë. Shpjegimi që jepet për gjoja ndryshimin që paska pësuar Kurti e, bashkë me të, edhe Lëvizja, është etja për pushtet, para së cilës parimet janë hedhur tutje. 

Tek-tuk vihet re ndonjë shqetësim i sinqertë nga aktivistët ose përkrahësit e Lëvizjes, por më së shumti kemi të bëjmë me një orkestrim të shëmtuar të korit të mercenarëve të qeverisë në ikje. Po këto gazeta, që Lëvizjen Vetëvendosje! sot po e quajnë tradhtare të vetëvendosjes, sepse qenka pajtuar me bisedimet me Beogradin, dje e sulmonin për fashizëm, maoizëm, enverizëm, anarkizëm, minim të pavarësisë dhe institucioneve të Kosovës etj. Gishtin duhet drejtuar të gjithë atyre që deri tani kanë qenë dhe janë për dialog pa kushte me Serbinë, atyre që me paturpësinë më të madhe gënjenin se po kryenin bisedime teknike, që pretenduan se e kishin mandatin për bisedime teknike e më pas thanë po vetë: “Po pse vërtet kujtonit se nuk do të kishte bisedime politike?!” Gishti u duhet drejtuar atyre politikanëve të Kosovës që me anë të dialogut pa kushte e rehabilituan dhe e avantazhuan Beogradin në planin ndërkombëtar. Edhe atyre politikanëve që brenda e jashtë Kuvendit u bënë paterica të qeverisë dhe vepruan kundër interesave madhore të vendit të tyre.

Në vend që të japin llogari, këta njerëz po përhapin duhmën mediatike se Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në po atë batak ku qëndrojnë edhe vetë. Si qëndron e vërteta me marrëveshjen e 10 shtatorit? Sikurse e thamë më sipër, teksti i hartuar është në pajtim me parimin e mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës dhe kjo është arritje e Lëvizjes Vetëvendosje! Vazhdimi i bisedimeve me Beogradin është një kërkesë që ka ardhur nga LAN-i dhe që Lëvizja e ka pranuar me kushtet e saj, duke e marrë përsipër ajo përgatitjen dhe procesin e bisedimeve. Po të mos pranonte këtë pikë, Lëvizja Vetëvendosje! do të qëndronte në pozicionin e saj të mëhershëm dhe do të shikonte se si qeveria e ardhshme, pavarësisht nga përbërja e saj, do të vazhdonte bisedimet pa parime e pa kushte. Edhe në këtë mandat parlamentar Lëvizja Vetëvendosje! nuk i ka numrat për të penguar procesin dhe e vetmja rrugë që mbetej për t’u ndjekur do të ishin sërish protestat, brenda dhe jashtë Kuvendit. Përvoja tregoi se veshët e politikanëve janë të shurdhët ndaj kërkesave popullore, ndërkohë që kanë ndjeshmërinë më të lartë ndaj mesazheve që lëshojnë ambasadorët e disa shteteve të huaja. Prandaj, duke e pranuar dialogun, por me kushtet e saj, shansi është që Lëvizja Vetëvendosje! t’ia ndryshojë kahun atij bisedimeve dhe ta përmbajtësojë atë, sipas interesave të Kosovës. Çështjet e biseduara do të bëhen transparente dhe do të debatohen në Kuvend e jashtë tij dhe jo si ka ndodhur më parë me Thaçin. Sigurisht që kjo të realizohet duhet që LAN-i t’i qëndrojë besnik marrëveshjes së 10 shtatorit. Gjithçka do të provohet në të ardhmen e afërt.

Ta kemi të qartë se Lëvizja Vetëvendosje! nuk është entuziaste me këtë marrëveshje. Ajo i ruan rezervat që ka shprehur më parë ndaj partive të LAN-it. Pas 10 shtatorit, Lëvizja Vetëvendosje! i ka hyrë një procesi të vështirë të korrigjimit të LAN-it dhe të përballimit me Serbinë, ndërkombëtarët dhe me PDK-në e rrjetin e saj klientelist. Këtë po e bën që të shmanget më e keqja për Kosovën, nisur nga efektet e dëmshme që ka prodhuar deri tani dialogu i Thaçit me Daçiçin. Duam apo nuk duam ne, kaq është hapësira institucionale që i është lënë Lëvizjes Vetëvendosje! dhe ajo po e shfrytëzon në mënyrë maksimale. Po të kishte marrë shumicën e votës popullore në zgjedhjet e fundit, do të kishim pasur strategji tjetër politike të saj, gjithmonë në funksion të parimeve të njëjta. Neve mund të na pëlqejë loja e tenisit, mund të pajisemi me veshjet, topat, raketat përkatëse, por nuk mund ta luajmë nëse kemi vetëm një tryezë ping pongu për ta luajtur. Duke i mbetur besnike parimeve të shpallura, Lëvizja Vetëvendosje! Kjo nismë e Lëvizjes mund të sabotohet rrugës dhe mund të dështojë për shkak të partnerëve të pasigurt të saj, të cilët do të bëjnë çmos që fajin t’ia faturojnë Lëvizjes Vetëvendosje!, mirëpo ajo po e merr në sy këtë rrezik dhe prandaj meriton mbështetje.

Ata që sot e pyesin Lëvizjen Vetëvendosje! se ku i ka parimet, nëse janë të sinqertë në këtë pyetje, bëjnë mirë të kujtojnë se parimet nuk vlejnë për sa kohë që nuk përpiqesh t’i realizosh në politikën konkrete. Ata, nëse janë të sinqertë, bëjnë të mirë të kujtojnë se në radhë të parë është merita e Lëvizjes që parimet po diskutohen në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti politik që ka prodhuar më shumë dokumente politikë se çdo subjekt tjetër, se parimet e saj i gjen të botuara në format e artikujve, deklaratave, fjalimeve, intervistave e, së fundi, edhe në programin qeverisës të propozuar në votimet vendore dhe shtetërore. Parimet i gjen në punën e përditshme të ekipit drejtues të Komunës së Prishtinës etj. Po të ishte pranuar me kohë parimi i vetëvendosjes popullore e të ishte bërë qëndrim i të gjithë spektrit politik kosovar, si një bllok i vetëm, gjërat do te kishin shkuar shume me mirë për Kosovën, por të tjerët janë ata që zgjodhën rrugën më të lehtë të kompromiseve për pushtet, që nga negociatat e Vjenës e deri tani. Prandaj ata që flasin sot për tradhti parimesh, nëse janë vërtet të sinqertë, ta mendojnë edhe një herë fjalën se fjala është e rëndë. Kush e ka lejuar deri tani formimin e një Republika Srpska brenda Kosovës dhe kush e ka paralajmëuar se kjo do të ndodhte? 

Zhvillimi i politikës në Kosovë do ta tregojë jetëgjatësinë dhe vlerën e marrëveshjes së 10 shtatorit. Veprimet e partive të LAN-it dhe të PDK-së nuk mund t’i parashikojmë, sepse mungesa e parimeve ka dëshmuar se u jep më shumë fleksibilitet atyre sesa Lëvizjes Vetëvendosje! Sidoqoftë, për diçka të jemi të sigurt, se Lëvizja Vetëvendosje! do të jetë aty për të mbrojtur, siç ka bërë gjithmonë, interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Lëvizja Vetëvendosje! është një organizatë politike demokratike, por të mos harrojmë se është edhe më shumë se kaq. Ajo është edhe një betim që kanë bërë me veten dhe me njëri-tjetrin shumë mijëra djem e vajza, burra e gra të Kosovës, që me plot gojë mund ta themi se janë ndër më të mirët e këtij vendi. Dhe, ky betim nuk mbaron sot ose nesër, por vlen “deri në vetëvendosje”. Për këtë duhet të meritojnë respektin dhe mbështetjen e të gjithë atyre shqiptarëve që besojnë se ideja e bashkimit kombëtar është e drejtë dhe e realizueshme. 

"Shenja"

Comments

Submitted by Fina, Kacanik (not verified) on

<p>Nje shkrim me shume te verteta. LVV ua ka hapur syte shume shqiptareve, natyrisht atyre qe duan te shohin. Nje Levizje e tille eshte me se e domosdoshme ne te gjitha trojet etnike shqiptare, e sidomos ne Maqedoni, ku populli shqiptar duket se ka rene ne nje gjume te thelle dhe gati gati edhe eshte duke e humbur dinjitetin e vet e me kete edhe identitetin kombetar. &nbsp;LVV eshte e vetmja shprese per shpetimin e kombit nga inferioriteti dhe perulesia. &nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.