Zgjimi
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2867_baxhaku_0.jpg?itok=b_RgLYZ1)
Vendimi i djeshëm i UEFA-s në lidhje me ndeshjen e Beogradit shkaktoi një rrëmet të pafund kudo ku njëri prej nesh mund të shprehej: ndër shtëpi, kafene, qendra pune, në media e rrjete sociale. Ky vendim u komentua dhe u diskutua mbase edhe më shumë e më gjatë se sa vetë ndeshja Serbi-Shqipëri. Në njëfarë kuptimi ishte një nga ato ngjarje ku njerëzia provon veten, një nga ato gjëra që mbahen mend gjatë dhe ku secili kërkon të jetë edhe vetë protagonist dhe jo askushi anonim, një si lloj prove e vetive të tua personale patriotike dhe një si tribunë ku secili kërkon t’u thotë të tjerëve, por edhe t’i mbushë mendjen vetes, se është edhe ai një shqiptar shembullor, nga ata që duron çdo gjë, por vetëm t’i preket sedra kombëtare jo.
Se ç’do të thotë “shqiptar shembullor” për shumë vetë prej nesh, këtë do ta diskutojmë ca më tutje, sepse në të vërtetë ndeshja e cunguar e Beogradit dhe më pas vendimi i djeshëm ishte në njëfarë kuptimi një katalizator që shkaktoi– sa për të përdorur një term që nacionalistët e të gjitha llojeve e kanë fort për zemër – një lloj zgjimi emocional, një lloj rikthimi te Shqipëria romantike e trimave “me dyfek e me pendë”, një lloj kujtese e atyre burrave të qëmotit, që “ah, për dreq nuk janë më”. Vendimi i djeshëm u komentua në shumë raste si një vijim i padrejtësive, që jetë e mot i janë bërë Shqipërisë, si një komplot i qarqeve të caktuara proserbe, madje prosllave fare. Befas shumë prej nesh, në mënyrë instiktive, nisën të përdorin fjalorin e një shekulli më parë. I vetmi qëndrim i arsyeshëm në lumin e qëndrimeve patetike ishte ai i Kryeministrit Rama dhe njerëzve të tij, të cilët, duke frenuar ndjenjat personale, që burojnë natyrshëm në kësi rastesh, problemin u munduan ta reduktojnë, sikurse i takon, në një problem mes UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit dhe bënë thirrje për qetësim të gjakrave.
Është më se e qartë, dhe jo vetëm për ne, se shkaktarët e trazirave në stadiumin e Beogradit ishin huliganët nacionalistë serbë. Këto ngjarje, sikurse shumë të tjera edhe më të rënda para tyre, do të harrohen, ato do të mbeten ndër faqet e arkivave si shembull i nacionalizmit të shekullit XXI. Jeta do të bëjë të veten dhe shoqëritë do të ecin përpara. Problemi që duhet të na shqetësojë tani – ndonëse, me thënë të drejtën, duke pritur me ankth vendimet e mëtejshme të gjykatës sportive – është se si duhet t’i përgjigjemi nacionalizmit, jo vetëm në ndeshje futbolli, por sa herë që ai na del përpara. Ato që pamë e lexuam dje pas vendimit na lanë të kuptojmë se shumë prej nesh ende janë të prirur t’i përgjigjen nacionalizmit primitiv serb me të njëjtën monedhë dhe kjo sigurisht nuk është përgjigje që na bën nder.
Më e para nga të gjitha duhet të heqim dorë nga përgjithësimet injorante, sipas të cilave popujt na u ndakan në të mirë dhe në të këqij. Sipas kësaj mënyre të foluri, apo të menduari, në botë po se po, por veçanërisht në Ballkan, disa popuj janë të prirur të bëjnë keq dhe vazhdimisht keq, ndërsa disa të tjerë, të bëjnë vetëm dhe vetëm mirë. Në këtë grupin e fundit vendin e parë e zëmë ne sigurisht. Ky pohim është konkluzion logjik i faktit historik që shqiptarët kurrë nuk kanë pushtuar një shtet tjetër! Kjo mënyrë skandaloze të menduari duhet të hiqet njëherë e mirë nga skemat e shqipes kudo që ajo flitet. Do jetë e vështirë, sepse problemi veç të tjerash është edhe kulturor, por ama, të paktën ata që besojnë se kanë dy fije mend në kokë, duhet të bëjnë të pamundurën.
Një tjetër togfjalësh që është përdorur më së shumti këto ditë është “Shqipëria etnike”. Kjo parullë që u shfaq edhe mbi qiejt e Beogradit duke shkaktuar stuhinë, ka kohë që përdoret nga grupe tifozësh të rinj nga Kosova e Maqedonia, sidomos në ndeshjet e Kombëtares. Për ata që nuk e dinë “Shqipëria etnike” është një koncept, që u përdor nga aktivistët e Rilindjes Kombëtare, të cilët në hapat e parë të kërkesave për formimin e shtetit shqiptar, synuan që Shqipëria e së ardhmes të përfshinte katër vilajetet e Perandorisë Osmane ku banonte popullsia shqiptare. Kjo ëndërr e tyre, për shumë motive, nuk u realizua. Vetëm gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe Çamëria u bashkuan me trojet e “shtetit amë”, por kjo zgjati vetëm pak vjet. Sigurisht që parulla e brohoritur nga tifozët tanë ka arsyet e veta. Sigurisht që jeta që kanë bërë nën sundime mbytëse ka lënë vulën e vet, por ama ndokush duhet të kujtohet e t’u shpjegojë me durim se “Shqipëria etnike” nuk është më, nuk ka më katër vilajete. Ato kanë ikur bashkë me Perandorinë Osmane që me kohë. Kufij tërësisht të prerë me thikë nuk ka asgjëkundi dhe nuk ka se si të ketë, sidomos në kohë globalizmi kur kufijtë tentojnë të jenë vetëm barriera administrative dhe, sidomos, t’u thotë se vetëm përmendja e termave “nacionalizëm” apo “Shqipëri e Madhe” na largon edhe për shumë kohë nga ëndrra europiane. Duhet t’u themi këtyre të rinjve entuziastë se në Europë, atje ku na quajnë “vend kandidat”, vetëm përmendja e këtyre termave shkakton një irritim të madh. Është gati-gati njësoj si të brohorasësh për nazizmin.
U fol gjatë për trimërinë e atij djalit “ballist” që lartësoi “Shqipërinë e Madhe” mbi Beograd. Askush s’e vë në dyshim trimërinë e tij, kjo s’do mend, por pa shikoni pasojën që patëm! Le të imagjinojmë vetëm për një moment sikur në vend të “Shqipërisë së Madhe” të ishte flamuri ynë me shqipen dykrenore, ai që na përfaqëson të gjithëve, sigurisht që punët do të kishin shkuar ndryshe.
Nacionalizmi është një grackë e vjetër, sidomos për të rinj të pashpresë. Mungesa e dijeve të caktuara, apo, akoma më keq ekzistenca e dijeve të rrëfyera së prapthi, idiolatria e dhunës, jeta ndër vende ku ndihen qytetarë të dorës së dytë, horizonti i pashpresë që u del përpara, në shumë raste edhe jeta në varfëri, të gjitha këto i shtyjnë plot të rinj që të vetmin vend identifikimi ta gjejnë në ndeshjet e futbollit. Është njësoj sikur më në fund të kenë gjetur rastin për t’u thënë të tjerëve: Ju që nuk ma vini veshin, ju që nuk m’i hidhni sytë, ju që më quani thuajse “të padukshëm”, ja ku jam dhe unë! Madje shihni se si falë meje lartësohet emri i Atdheut. Jam apo s’jam një patriot i vërtetë?! Në fakt, ka plot rrugë për të qenë shqiptar i mirë. Më e para nga të gjitha është puna, pastaj vijnë kultura dhe zhveshja e vetes nga urrejtja që të errëson sytë e të mbyt zemrën. Nëse secili prej nesh të paktën do të synonte të bënte kështu, atëherë jo vetëm në futboll, por kudo, në çdo fushë, do të ishim ballëhapur. Vetëm atëherë horrat huliganë, që guxuan të ngrenë dorën mbi djemtë tanë, do ta ndiejnë veten vetëm. Vetëm, të harruar dhe të pafuqishëm njësoj si një qen stani i plakur e pa dhëmbë që nuk ka më fuqi as të lehë e që nuk i duhet më askujt.
"Shqip"
Comments
Z.Baxhaku, vazhdoni dhe ju me

Z.Baxhaku, vazhdoni dhe ju me teorite e servirura nga Brukseli, "bej si them une po jo si bej une". Nacionalizmit aktiv ti pergjigjemi me pasivitet? Kjo eshte rruga? Po kjo rruge na ka sjelle ketu.

Vendimi i njeanshem nuk vjen si pasoje e nacionalizmit shqiptar, se harta e Shqiperise etnike na i kujtoka Evropes nazizmin (e kupton cfare ke shkruar?!), po vjen si pasoje e mungeses se nacionalizmit atje ku duhet. Atje ku Shqiperia duhet te kete goje dhe muskuj, nuk ka. Ka vetem servilitet te peshtire. Nuk na mungon trimeria apo elokuenca, po na mungon institucionalizmi i trimerise dhe elokuences. (Pershendes Prof. Elvis Hoxhen per ato qe tha ne studion e Baton Haxhiut). Ndaj kur gazetarja Erisa Zykaj i pervesh "evropianeve" shqiptaret u ndjene krenare, u mallengjyen do thosha. Se shqiptaret u bene me goje, folen dhe kerkuan atje ku nuk kane folur kurre.

Jam shume dakord qe problemet duhen kerkuar se pari brenda nesh, po jo duke ia vene fajin nacionalizmit, po duke i kerkuar llogari vetes kur vemi dhe hedhim ate dreq vote ne rradhe te pare.

Sa per nacionalizmin dhe fqinjesine e mire, po te kujtoj se greket kthejne njerez prapa ne kufi sapo iu shohin mbiemrat ne pashaporte. A keni bere ndonje artikull per kete?

Nacionalizmi shqiptar qenka makthi i Evropes? Makthet i kane ata qe bejne krime. Kush eshte me te drejten fle gjume rehat.

Respekte redaksise!

Nuk ju duket se dhjete dite
Nuk ju duket se dhjete dite pas ngjarjes ne Beograd eshte koha ti rikthehemi seriozisisht problemit qe duhet te shqetesoje futbollin dhe bashke me te dhe prespektiven e fqinesise te mire ne Ballkan. Personalisht mua me duket se me teper se per trenjere te huaj dhe sponsore qe do mbeshtesin sportin tone, ne kemi nevoje per psikolloge te kualifikuar te ekipeve qe te punojne jo vetem individualisht por dhe ne grup me ekipin. Ti trajnojne jo vetem qe te perballojne tifozet dhe qendrimet jo miqesore ne stadiume por dhe situatat qe krijohen ne loje, ne fitore dhe humbje, ne sjelljet jo vetem me lojtaret kundershtare por dhe me lojtaret e ekipit, te dine te bejne nje figure te lavderueshme ne cdo stadium qe ata luajne. Kujtoni ne cdo moment thenien e urte qe kemi mesuar te vegjel, Sjellja e mire e zbukuron njeriun. Sjellja e lojtareve tane mund te gjeje mbeshtetje dhe mirekuptim tek te gjithe shqipetaret kudo qe jetojne, por vereni vehten ne poziten e nje shikuesi ne bote qe nuk kupton serbisht, nuk njeh flamuret dhe simbolet kombetare si do e gjykoje sjelljen e futbollisteve ne fushe. Emocionet jane te bukura dhe me vlere, por ato nuk duhen te na erresojne arsyen..dhe pergatitja psikollogjike per sportistet (ne raport me sjelljet jo sportive kudo qe ato ndodhin), duhet te shtrihet ne te gjithe ekipet ne se duam te jemi te konkurueshem sot ne bote....
Po na mbysin Dobrillat dhe
Po na mbysin Dobrillat dhe Nebojshet me tërrcifërrcërima mbi rëndësinë e nënështrimit ndaj fatit të përcaktuar prej fqinjve grabitqarë dhe fuqisë tyre lobinguese në botë (sepse ne, shqiptarët jemi të vegjël etj, etj)
Jeni ju baxheqër & kompani që I keni ndihmuar dhe vazhdoni ti ndihmoni lakmitarët e tokave të shqipes. Artikulli yt është I helmuar nga shumë të pavërteta.
Se pari nuk jam ai anonimi i

Se pari nuk jam ai anonimi i mesiperm qe mirekupton e mbeshtet sjelljen e lojtareve tane, por propozon te vihemi ne roline "Eropineve" qe nuk kuptokan gjuhen e Serbeve. Ketij bashkeatdhetari i kujtoj se me taksat qe paguajme ne, e qe me pas i paguan FSHF -ja tek UEFA, paguhen jo nje por disa njerez per te kuptuar e bere relacion me shkrim per ato qe thuhen ne stadium, per flamuret e smibolet qe shfaqen aty. Ne se nuk jane ne gjendje ta bejne kete, te pakten te mos disinformojne.

Se dyti me Baxhakun. Nuk e di nga e nxjerr ai konkluzionin se :" Është më se e qartë, dhe jo vetëm për ne, se shkaktarët e trazirave në stadiumin e Beogradit ishin huliganët nacionalistë serbë." Ne fakt , te gjithe i pame me syte tane (pra nuk kemi nevoje per ata te Baxhakut) qe huliganet serbe ishin vegla per shkaktimine trazirave, orkestrimi ishte i plote dhe drejtohej nga politika shteterore serbe, policia serbe, dhe dyshoj shume edhe me pelqimin e UEFA-s (nisur kjo nga indiferenca e tyre dhe konkluzionet qe nxoren) e mbase edhe nga dikush tjeter ne BE. Nuk eshte e rastit qe BE qe sic thote edhe vete nuk komenton ndeshje futbolli, vrapoi ta komentonte , kur edhe UEFA vete nuk e kishte komentuar akoma. Dhe ceshte me e bukura, ne kater fjali qe tha zedhenesja, njera ishte nje konstatim(i saj, por edhe i BE qe nuk e pergenjeshtroi) se policia serbe, pra shteti serb, veproi me profesinalizem.

Nisur nga kjo qe Baxhaku e pranon si te jete nje aksiome, tegjitha refleksionet qe e ndjekin jane te gabuara. Ne duhet te rime urte se shqetesohet BE, na quajne naziste se permendim Shqiperine etnike etj. Nuk e di ku e pa Baxhaku hqierine etnike, ndoshta ka pare ndonje ndeshje tjeter, Banderola shkruante Autoknone. Nuk jemi valle ? Duhet te na vije turp nga kjo ? Ne fund te fundit ishte vetem nje pergjigje, ma banderole , e banderoles serbe Kosova eshte Serbi.

Dhe konkluzioni i fundit, ne formen e dhe te nje "bythe lepirjeje"eshte se : "I vetmi qëndrim i arsyeshëm në lumin e qëndrimeve patetike ishte ai i Kryeministrit Rama dhe njerëzve të tij." Ne fakt Rama e qeveria e tij u munduan shume te bejne pelivanlliqe qe te mos e prishin me BE por edhe me shqiptaret e irrituar nga kjo fyerje. Reagimi ityre ishte i vanuar dhe i vaket. Edhe kur komentonte vendimin e UEFA-s , Rama u kujdes te thoshte qe BE nuk ka gisht ne t. Po Be-se ai kerkoi ai llogari per deklaratat e saj.

Dhe zgjidhaj e Baxhakut, eshte te rime uret se ata do ta kuptojne vete se kane bere gabim e do te na kerkojne ndjese. I kujtoj Baxhakut se kane nbi 100 vjet qe na kane bere padrejtesi edhe me te medhaja se kjo e ndeshjes (pasoje e ketyre ishte edhe incidenti i ndeshjes) dhe ashush nuk na ka kerkuar falje, megjithese ne po u lepihemi qe te ma pranojne ne "gjirin" e tyre.

Ik ore Baxhak futi nja dy gota, mos u mer me keto tema se jane te thella per ty.

Nacionalizem pa buksish
Nacionalizem pa buksish nacinalizem lëtyrash e frikacakësh ikanakët i ka marrë malli të krenohen në boshllëk.. Shqipërin po e shqyejnë nga brenda kriminelat kusarét Iliri Saliu dhe Edi Rama
Te gjitha jane te lidhura. I

Te gjitha jane te lidhura. I fryjne "nacionalizmit" sa here ka ndeshje futbolli nderkohe qe i lepihen Evropes nga ana tjeter. Atje ku duhet te mbrohen interesat e shqiptareve nuk flasin. Nacionalizmi dhe bashkimi kombetar nuk jane thjesh romanticizem, hajde te grindemi me fqinjet, po duhen pare ne rradhe te pare si mjet ne interes te shqiptareve. Ne kete pikepamje Iliri, Saliu dhe Edi e bejne shume mire kolonen e peste, i fryjne flamureve neper bulevarde me garnitura me "torta" dhe ulerima, ndersa nga ana tjeter shesin detin, token, ajrin, Telekomin, AMC, KESH-in, minierat, etj, etj.

Edhe renditjen e kusareve e ke bere sic duhet, jam shume dakord me ty. Likja i pari, mbreti i pazareve, pastaj Saliu, pastaj Edi.

Add new comment