Sindroma e Münchhausenit në rrëfimin e Stefan Çipës!

Postuar në 04 Gusht, 2014 06:55
Astrit Salihu

Shumë keq! Ndihem edhe më keq pas përgjigjes së kryetarit të Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Ndihem keq që reagimi i kryebashkiakut i jep të drejtë artikullit tim dhe vlerësimeve të mia. Që ky qytet është në duar të fodullëkut dhe arbitraritetit. Që ky qytet, paralelisht me thurjen e vargjeve gati poetike, patetike e sentimentale për të, dhunohet çdo ditë nga ata që e drejtojnë. Teza kryesore e shkrimit tim për Sarandën ishte: vlerësimet për Sarandën duhet të rrisin përgjegjësinë e qeverisë lokale dhe asaj qendrore për këtë qytet dhe për turizmin në përgjithësi. Dhe ja, sërish, këtë vlerësim na fusin nën hundë, për të na dëshmuar se ato vlerësime qenkan, kinse rrjedhojë e punës së tyre të palodhshme. Kjo është logjikë e pervertuar potemkiniane që mendoj se duhet zhbërë në praktikat menaxheriale politike. Unë qëndroj ende prapa asaj që kam pohuar se edhe ministrja e Turizmit, e njëherit edhe e Zhvillimit Urban, sillet si kukull pa ide nëpër vizitat e saj, duke vëzhguar “shezlongët”. Shqetësimi i saj duhet të jetë i dyfishtë: hartimi i strategjisë afatgjatë për zhvillimin e turizmit, por edhe ai i zhvillimit urban të këtij qyteti “të dhunuar”, të përdorë termin e Çipës. Dy pika këto që i kam cilësuar si neuralgjike, jo vetëm për qytetin e Sarandës, por për ekonominë shqiptare në përgjithësi. Të dyja këto janë tregues të përgjegjësisë së lartë që ka edhe ministrja e Turizmit, edhe zoti Çipa. Kështu, në gjithë artikullin e Stefan Çipës kemi njëfarë presupozimi se prapa meje dhe shkrimit tim qëndrojnë motive të ulëta, dashakeqësi, përpjekje sabotimi të sezonit turistik të Sarandës. Askund nuk merr guximin që së paku një herë të shtrojë pyetjen se ndoshta artikulli im ka qenë shprehje e pakënaqësisë qytetare me bëmat dhe pabëmat e qeverisë lokale, sikurse edhe asaj qendrore. Edhe nga përgjigjja e Çipës nuk shihet gatishmëri e as vizion për atë se si do të zgjidhen problemet të cilat i kam potencuar. Me rëndësi është që ai vazhdon avazin e tij potemkinian, të na krijojë impresione të rrejshme për fshatin e tij. Me rrëfimin që shpreh qartë sindromën e Baronit Münchhausen (rrëfime imagjinare që sfidojnë çfarëdo logjike konkrete). Ai nuk është i gatshëm të vijë te lagjja “Turizmi” dhe të ballafaqohet me brengat e qytetarëve që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tij. Të shprehë, së paku, shqetësimin e tij më të vogël për atë që ndodh në këtë pjesë të Sarandës. Ai vazhdon, madje me krekosje, të flasë për të arriturat e qeverisjes lokale duke i numëruar ato që edhe vetë unë i kam përmendur në artikullin tim (investimet kozmetike te limani, një stadium të qytetit, ai po e quan kompleks sportiv!), i kërkoj falje se nuk e paskam përmendur një kënd fëmijësh në shëtitore. Por, zoti Çipa, si duket nuk e ka idenë e turizmit. Ato që ai radhit si të arritura i ka secili fshat normal, e lëre më një qytet me 40 mijë banorë, i cili trefishohet në periudhën e sezonit turistik. Në përgjigjen e tij sugjerohet gjithë kohën që shërbimet e munguara në Sarandë, t’i kërkosh si qytetar, edhe atë në mënyrë publike, është e papranueshme. Ato do të duhej të adresohen në zyrën e tij. Sa për informim të opinionit: reagimi im publik vjen pas dy takimeve në periudhë trevjeçare me nënkryetaren e Bashkisë, Rajmonda Gjoni, por edhe me takimin me ishdrejtorin e Ujësjellësit në Sarandë, që për mendimin tim ishte njeri me mungesë evidente në manire dhe mirësjellje. Në njërin takim i jam drejtuar nënkryetares me të njëjtat shqetësime dhe me idenë se Bashkia duhet të jetë më e mobilizuar në periudhën dymujore të turizmit, që ajo duhet të insistojë në buxhetin e emergjencës për këtë situatë të mungesës së ujit prej 24 orësh në ditë (kjo mungesë e ujit fillon më 1 qershor dhe përfundon më 1 shtator!!! Kjo pjesë e qytetit nuk është nën reduktime, sepse të gjitha hotelet dhe pallatet kanë depozitat që edhe me reduktime 20-orëshe do t’i mbushnin së paku një herë në ditë ato). Që, nëse nuk kanë mundësi dhe nëse kjo çështje është jashtë kompetencës së Bashkisë, së paku Bashkia të bëjë presion në nivelet qeveritare për të zgjidhur problemin e ujit, ndërkaq ajo të menaxhojë situatën ashtu që të kontraktojë vetë botet për të furnizuar lagjet e qytetit me ujë. Ky do të ishte lehtësim për bizneset edhe ashtu ende fillestare të turizmit në Sarandë. Paratë që u merren nga piratët e boteve do të ishte mirë që të investohen në ngritje të cilësisë së shërbimeve. Secili hotel në lagjen “Turizmi” shpenzon deri në 3000 euro në sezon për ujë. Pra, ujin pushuesve, zoti Çipa, ua sigurojnë privatët e jo Bashkia e as Qeveria. Në takimin tjetër me nënkryetaren e Bashkisë së Sarandës kam qenë së bashku me një qytetare izraelite, e cila kishte ide të shumta për promovimin turistik të Sarandës, të cilat ia kemi shpalosur të gjitha nënkryetares me atë që nënkryetarja do t’i merrte me e-mail sugjerimet dhe propozimet e detajuara se si mundet Saranda të bëhet qytet i kulturës dhe aktiviteteve të cilat do ta promovonin nëpër botë. Po flasim për ide të pakushtueshme, ide që kërkojnë vetëm pak vullnet, përkushtim dhe dashuri për këtë qytet, që ato të jetësohen. Por, përveç fjalëve të mira, nuk është ndërmarrë asgjë. Prapë po them asgjë! Kështu që, zoti Çipa nuk ka të drejtë të më mbajë predikime morale për atë se, a duhet apo jo kritikuar qeverisja në Sarandë. Apo se si unë jam i ftuar publikisht të takohem me të për të biseduar rreth shqetësimeve të mia. Kjo ftesë vjen vetëm për të vazhduar kamuflimin e realitetit. Ai nuk do që realiteti të shfaqet publikisht. Çipa këto impresione, përveç në media, dëshiron që t’ua servojë edhe strukturave të larta partiake e shtetërore. Ta zëmë në pallatin ku jam unë i vendosur, në periudhën në të cilën pushon një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, e zoti Çipa e di se cili është ai, unë nuk do ta përmend sepse ai nuk është përgjegjës për këto truke mashtruesish, Bashkia sjell botet e ujit, por edhe e vendos kontejnerin para pallatit, i cili një ditë pas largimit të tij hiqet sërish. Kjo, sado e pabesueshme të duket, ka ndodhur verën e kaluar. Edhe fotot e vetëkënaqësisë së ministres së Turizmit, së bashku me zotin Çipa, me shëtitje formale nëpër pikat ku ai mendon se janë bërë ndryshime, janë pjesë e kësaj logjike të pervertuar. Këto foto gjenden edhe në faqen e Ministrisë si pjesë e aktiviteteve të ministres. Çipa vazhdon, po ashtu, të thirret në bashkëpunimin e munguar mes qeverisë qendrore dhe lokale si dhe për efektet e arritura të 300-ditëshit të qeverisë “Rama”. Kjo vetëm sa më përforcon bindjen se kriza në këtë vend është strukturore dhe se dikasteret e qeverisë “Rama” janë në mospërputhje me vizionin e tij për të bërë histori. Nëse Çipa, si përfaqësues i Partisë Socialiste, menaxhon në këtë mënyrë me qytetin, atëherë vërtet nuk na mbetet shumë shpresë për ndryshime në këtë vend. Unë prapë do t’i radhis edhe një herë të gjitha që kam thënë (për çka disponoj edhe fotografi të dokumentuara, e për të mos sabotuar sezonin, mund t’ia jap vetë atij), e zoti Çipa le të vijë e të më demantojë: Lagjja “Turizmi” ka mungesë 24-orëshe të ujit dhe botet sillen gjithandej. Ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen në kanalin e Çukës. Nëse ai mendon se këtë që po pohoj unë nuk është e vërtetë, do t’ia shtroj një drekë pikniku buzë lumit Bistrica, te kanali i Çukës, dhe ai le ta hajë atë aty, në natyrën përrallore të atij vendi. Nëse ai don të më demantojë, le të thërrasë edhe kanalet televizive dhe triumfalisht të dëshmojë se ka të drejtë. Në Sarandë, në mënyrë të pakuptueshme ikin dritat me nga gjysmë ore. Menaxhimi i plehrave është larg normave për një qytet turistik. Shkrimi im nuk ka pasur për qëllim nxirjen e Sarandës, siç pretendon zoti Çipa. Shkrimi im ka qenë i motivuar nga qëllimet më të mira, për t’u rikujtuar atyre që drejtojnë qytetin se përgjegjësitë e tyre janë në rritje me rritjen e vlerësimit për bukuritë natyrore të këtij vendi. Nëse Sarandën e cilëson si “shtëpi pushimi”, do të më vinte shumë keq nëse do ta trajtonte tekstualisht si shtëpi të vetën për pushim, e jo si vend pune. Andaj kryebashkiaku i Sarandës duhet të fillojë të bëjë një dallim elementar mes përgjigjes mediale dhe përgjegjësisë menaxheriale që ka për qytetin e Sarandës.

 

"Panorama"

Comments

Submitted by elona (not verified) on

<p>Nese keto qe zoteria thote se jane te verteta, cipa i hedh poshte atehere kjo eshte poshtersi me vete.</p>

Submitted by Lisi (not verified) on

<p>Te gjitha verejtjet qe ka bere z.Salihu qendrojne.</p><p>Menaxhimi me Saranden fatkeqesisht eshte jo-ekzistent.</p><p>Ky qytet qe shquhet si &#39;margaritar i rivieres Shqiptare&#39; sot vuan per gjerat elementare qe duhet t&#39;i kete nje vendbanim i thjeshte, e lere me nje qender turizmi si Saranda. &nbsp;&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.