Kupa dorë poshtë kokës së madhe
Një miku im më shkruan nga Tirana për një politikan që ka festuar ditëlindjen. Është ndër ngjarjet e fundit që ka përjetuar kryeqyteti ynë, apo dhe Atdheu ynë, sa kohë që ajo që përjetohet në kryeqytet ndjehet me forcë në çdo cep të Atdheut. Falë Mass Medias dhe mjeteve të komunikimit, falë dhe vetinteresimit të madh që kanë votuesit për politikanët e zgjedhur prej tyre. Festimi i ditëlindjes është në fakt një e drejtë elementare njerëzore. Ngaqë përgjithësisht besohet se dhe politikanët janë njerëz, është një e drejtë dhe e tyre për t’ua kujtuar se një ditë edhe ata kanë ardhur në këtë jetë, si të gjithë qeniet e tjera të gjalla, përmes ca qarjesh jo aq të lavdishme për një politikan të lavdishëm të së ardhmes. Por e papritura e lajmit të festimit të ditëlindjes së këtij politikani qëndron tek të ftuarit, apo më saktë, tek numri i të ftuarve në ditëlindjen e tij. Plot 600 vetë kanë marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së politikanit shqiptar, më shkruan miku im, i cili për një koincidencë, ka patur dhe ai vetë ditëlindjen po atë ditë (në ndryshim me politikanin, miku im e ka festuar ditëlindjen me vetminë e vet të mjaftueshme për një festë të madhe si ajo e ditëlindjes. Sepse miku im është ndër ata njerëz të rrallë që u mjafton vetvetja). 600 vetë të ftuar. E përfytyroj festën me 600 vetë, në një vend ku dhe vetëm tre vetë bëjnë zhurmën e 600 vetëve. I obsesionuar nga magjia e shifrave, mendja më sillet te 600-shi. Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta e Dytë, fton në ditëlindjen e saj zakonisht 30 vetë, një të dhjetën e politikanit shqiptar. 600 të ftuar janë dyfishi i atyre njerëzve që iu deshën Leonidhës së Spartës për të mbetur përjetë në historinë botërore. Apo është dhe trefishi i shifrës 200, i dyqindëshit të famshëm që iu desh diktatorit shqiptar për të krijuar Partinë e tij jo aq të famshme (…me dyqind petrita…). Diktatori, aq shumë i adhuruar nga politikani i sotëm shqiptar që feston ditëlindjen e vet me 600 të ftuar! Ashtu si në tragjeditë greke dhe ato shakespeariane, në fakt të ftuar kanë qenë 601. Duke mos harruar dhe fantazmën e gjithëpranishme të Diktatorit. Madje në krye të tryezës, mu atje ku rrinte dhe politikani shqiptar i 601-shit.
2.
Çfarë e shtyn politikanin shqiptar që të ftojë 600 vetë (të mos harrojmë, 601-shi ka ardhur pa ftesë, si njeriu më i afërt i politikanit, aq i afërt, sa ftesa formale vetëm sa do ta kishte fyer. Pastaj, fantazmat vetë nuk kanë nevojë për ftesë). Kallaballëku është njëri ndër tiparet e politikanit shqiptar. Bashkëjetesa e tij në turmë, frika dhe pasiguria ndaj vetvetes. Klani, shpura e servilëve, shpura e të ngjashmëve të vet, shumëfishimi i vetvetes. A ju kujtohet “Anti Darvin-i” i famshëm i Friedrich Nietzsche-s? Që na kujton se gënjeshtra më e madhe është ajo me të cilën përpiqet të na e mbushë mendjen Darvini, seleksionimi natyral, sipas të cilit më i fuqishmi mbijeton, ndërsa më i dobëti zhduket, eliminohet, avullohet. Krejt e kundërta, diametralisht e kundërta me atë që na thotë Darvini, ndodh në natyrë dhe në shoqërinë njerëzore, na siguron Nietzsche. Qeniet më të forta dhe që janë më fit janë dhe të parët që zhduken a rrezikohen të zhduken. Shih në natyrë: elefantët, balenat, luanët, tigrat janë specie në zhdukje e sipër. Në të kundërt, qeniet që janë në shkallaren më të ulët të evolucionit, pleshtat, morrat, insektet, barishtet e këqija, shkurret, gjembaçët janë dhe më të fuqishmet dhe më të gjithgjendshmet në natyrë, pa u shqetësuar aspak nga rreziku i zhdukjes. Ku qëndron forca e mbijetesës së qenieve të ulëta evolutive? Te kallaballëku, te shumëfishimi i tyre në mijëra e mijëra kopje, te fakti se ato jetojnë në turmë, të shumëfishuar e të shumëfishuar pafundësisht. Dhe te solidariteti i së keqes. Te mirëkuptimi harmonik që kanë qeniet e ulëta mes tyre…Tek lexon Anti Darvin-in e Nietzsche-s, nuk ke se si të mos kujtohesh për atë aftësi të mrekullueshme e të rrallë të politikanit shqiptar që të mbijetojë pikërisht ngase është në nivelin më të ulët evolutiv, falë mungesës së admirueshme të ndjeshmërisë ndaj të tjerëve, falë egocentrizmit banal, falë arrogancës dhe instinktit të shëndoshtë të zhvatjes, falë narcizizmit të sëmurë dhe injorancës mbrojtëse…
3.
Festimi me pompozitet i ditëlindjes së një politikani, në një vend ku njerëzit e zakonshëm numërojnë qindarkat e fundit për të blerë bukën a për të paguar faturat e fryra, në një vend ku njerëzit flaken nga puna në mënyrën më të pambrojtur nga ligji, vetëm e vetëm për t’u bërë vend votuesve të politikanëve a miqve të tij, është njëra ndër shfaqjet e arrogancës së politikës shqiptare, është mospërfillja e hapur dhe tallëse e politikës ndaj njeriut shqiptar. Mendoni se si, po atë natë kur politikani me 601 të ftuarit e vet, feston madhërishëm faktin fatlum se ai ka ardhur në këtë botë, njeriu i zakonshëm i lagjeve dhe i mëhallave tona përpiqet të gjejë një punë të çfarëdoshme për të marrë një rrogë thjeshtë për të mbijetuar. Për të paguar faturat. Për të paguar mjekun dhe infermieren e spitalit kur të shtrohet në spital. Për të paguar ilaçet kur të sëmuret. Për të paguar gjykatësin e korruptuar dhe nëpunësin e korruptuar … Kujtoj Tit Mukën, mikun tim të Rrugës së Durrësit, të cilit ia hoqën të shoqen nga puna, (punonte kuzhiniere në burgun e Tiranës), duke e lënë familjen e tyre prej 6 vetësh me rrogën e vetme të një elektricisti të Bashkisë, diçka rreth 20,000 lek në muaj. Kujtoj fqinjin tim, Spartakun, të cilit ia hoqën nga puna të shoqen, Yllkën, e cila punonte prej 32 vitesh në Postën Qendrore, vetëm e vetëm për t’ia dhënë vendin e saj të punës një vajze të re dhe të paeksperiencë, për arsyen e thjeshtë se ajo është mike e rrethit të politikanit që feston ditëlindjen e vet me 601 të ftuarit e madhërishëm…Dhe gjëja tjetër fyese, tepër fyese, është se varfëria e njerëzve është një temë e përjashtuar, madje dhe nga gazetat a nga televizionet shqiptare. “Njerëz të varfër” -është titulli i njërit prej romaneve të Dostojevskit. “Pandjeshmëri”-është titulli i poezisë më të njohur të poetit anglez Wilfred Owen. Të dyja këto, varfëria dhe pandjeshmëria, quhen tema të padenja për Median shqiptare. Për atë Media që i shkon pas politikanëve shqiptarë dhe ambasadorëve të huaj në mënyrën më pak dinjitoze, atë Media që është shpesh herë servile, snobe, e pakulturuar, dhe sidomos e pandjeshme ndaj halleve të njeriut të përkambur brutalisht.
4.
Jam i bindur se në ditëlindjen e atij politikanit 601-sh, asnjëri prej prindërve të vet nuk ka qenë i pranishëm. As dhe e ëma e tij. As dhe ata që e kanë sjellë në këtë botë. Që i kanë dhënë arsyen e thjeshtë biologjike për ta festuar këtë mbrëmje pompoze, madhështore, mbretërore, brukseliane, ceremoniale…Prindërit? Hëm. Ata duhet të mjaftohen me krenarinë që duhet të ndjejnë se i dhanë kombit politikanin e shquar. Të jenë krenarë që janë prindërit e tij. Në fakt, ai është babai i prindërve të vet. Diçka të ngjashme me këtë ka lexuar te Frojdi. Se nuk është krejt i palexuar. Madje në rininë e vet të hershme mund të ketë shkruar dhe poezi, dhe artikuj gazetash… E kanë akuzuar se ka miliona, e kanë akuzuar se ka vjedhur depot e arit të shtetit, e kanë akuzuar se ka marrë para në dorë dhe nën dorë dhe mbi dorë, e kanë akuzuar se është i paskrupullt në lakminë e vet –të gjitha këto akuza janë vetëm fjalë në erë, janë akuza të bëra nga ziliqarët, nga idealistët që nuk kanë bukë për të ngrënë, nga ata që nuk janë të zotë që të mbijetojnë në këtë kohë të tranzicionit shqiptar. Të 601 të ftuarit e ditëlindjes së tij tregojnë shkallën e jashtëzakonshme të popullaritetit të vet. Ka mes tyre dhe ambasadorë të shteteve më të fuqishme të kësaj bote, dhe politikanë të opozitës, dhe gazetarë dhe analistë dhe bankierë, dhe vrasës profesionistë, të gjithë të bashkuar në ditëlindjen e tij. Një ditë lindje që i bashkon të gjithë. Dhe i ftuari më i fuqishëm, ai, fantazmë e gjallë, i 601-ti.
5.
Qeniet e shkallares më të ulët të evolucionit janë dhe qeniet që ndodhen në shkallaren më të lartë të politikës shqiptare. Nuk është paradoks. Është një ligjshmëri e natyrës së shoqërisë shqiptare. Ligjshmëria e shkeljes së njeriut më të pambrojtur. Ligjshmëria e duartrokitjes së shkeljes së ligjit nga ligjvënësit. Ligjshmëria e grabitjes në mesin e ditës. Sa më shumë të grabisësh, aq më i respektuar. Aq më i fuqishëm. Sepse ke dhënë prova se qëndron përmbi ligjin. Sepse je prova e sfidës dhe e triumfit të saj. E triumfit të banalitetit grabitës të pangopur, e triumfit të padënueshmërisë së krimit, e triumfit të trashëgimisë legale të krimit në mesin e ditës, ditën për diell…Nuk është e papritur, në një vend ku opinioni publik i ka parë privatizimin dhe ekonominë e tregut si platforma të përfitimit dhe transfigurimit të elitës së vjetër politike në një elitë të re ekonomike. Hapësira politike është ende e mjegullt, ndërsa etiketat ideologjike më tepër i fshehin se sa i zbulojnë qëllimet e aktorëve. Vlerat politike janë akoma konfuze, programet politike të partive në më të shumtën e rasteve mbivendosen dhe korrupsioni është epidemik. Kjo ndodh dhe në vendet e tjera ish-komuniste. Por të paktën në Rumani, Kroaci, Slloveni mund të gjesh zyrtarë të lartë të shtetit, deri në rangun e ish-kryeministrave, të dënuar për korrupsion. Ndërsa këtu tek ne asnjë shtetar nuk është dënuar për korrupsion. Sikur vendi ynë të ishte Eldorado i drejtësisë dhe i ndershmërisë. E shumta, e shumta një politikan shqiptar mund të dënohet kur në ditëlindje i shkojnë 601 të ftuar, në vend të 800 a 1800 të ftuarve të mundshëm…
6.
Vite e vite më parë, në kohën e komunizmit, përktheja poezi nga letërsia e huaj. Krahas T.S. Eliotit, E. Pound-it, Borhesit, Ungaretit, më ngjallnin kureshtjen ca tekste që tingëllonin të përngjashme me realitetin shqiptar. Autorët e këtyre poezive nuk qenë aq të njohur sa emrat që përmenda në krye, por tekstet e tyre sillnin një ngjashmëri të rrezikshme me atë që ndodhte në vendin tonë. Poezinë e mëposhtme e kam përkthyer dhe botuar në vitin 1986. Ironia është tek inercia e shoqërisë shqiptare. Kush e mendonte se kjo poezi mund të ngjallte kureshtje dhe pas gati 30 vitesh? (titulli është frëngjisht në origjinalin e shkruar anglisht).
Au Jardin Des Plantes
John Wain
Gorilla shtrihej në kurriz
Duke e bërë kupë dorën poshtë kokës,
Si një njeri.
Si një njeri i lodhur nga puna
Një njeri i fortë, me forcën e shprishur
Nga lodhja për të fituar bukën.
Veçse gorilla nuk qe rraskapitur nga puna,
Por nga mërzia; e gjithë forca e saj e tmerrshme
E shkuar dëm nga përtacia shprishëse.
Për 1000 ditë, e prapë 1000 ditë
Bjerradita e ka shprishur forcën e saj të tmerrshme
Ngaqë s’pati nevojë për të fituar bukën.
Çdo gjë iu dha gati, falas
Ne e mbajmë jo ngase bën gjë,
Por vetëm ngase është ajo që është.
Kështu, këtë të diel në mëngjes ajo shtrihej në kurriz
Si një njeri, si një njeri i lodhur nga puna
Duke bërë kupa me dorën poshtë kokës së madhe.
Si një njeri, si një njeri
Njëri prej atyre që i mbajmë jo se bëjnë gjë
Por vetëm ngase janë ata që janë.
Për mijëra ditë dhe prapë mijëra ditë
Të gjitha gjërat gati dhe falas
Për të bërë përtacisht kupën e dorës poshtë kokës së tyre të madhe.
Mapo
Comments
Lista e atyre 600 veteve
<p>Lista e atyre 600 veteve duhet botuar me germa te medha si ato qe shkruanin ENVER ne faqe te kodres, qe mos ta harroje njeri kurre kete skote te felliqur. Kokelopa s'do bente dot aq dem pa zagaret qe i vene pas.</p>
A thua qe jeta e shqiptareve
A thua qe jeta e shqiptareve ishte me e keqe ne kohen e Fantazmës 601 apo në kohën e Gorrillës Kokëmadhe, o Gandolf I merlinizuar?
Dardan, ti me siguri je
<p>Dardan, ti me siguri je kokelope per vete, per jeten e kujt e ke fjalen? Kokelopat kishin jete te mire si atehere edhe tani.</p>
Eshte bere zakon nder ne keto
<p>Eshte bere zakon nder ne keto 25 vjet qe cdo gje te keqe qe shohim ta lidhim doemos me te shkuaren. Ka shume te ngjare qe nje kategori njerezish fajesojne te kaluaren edhe kur gruaja iu ze ndonje jaran. Ata qe e kane jetuar periudhen para 1990 e dine shume mire se ai " i ftuari 601 " qe thote autori i shkrimit, po te ishte gjalle, do ta kishte varur per topesh ditelindjefestuesin ne mes te Tiranes. Apo jo Rudolf?</p>
Add new comment