Berberi im
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8797_hqdefault_27.jpg?itok=Q-YVtx9r)
(Kundër paragjykimeve)
Unë zakonisht shkoj të qethem të shtunave. Kështu bëra edhe këtë fundjavë. Në këtë vendin ku unë jetoj një qethje për burra kushton 20 euro, çmimi mesatar. Por, ajo që vendasit nuk të thonë është se nëse lëviz pak më në periferi, gjen berberë tek të cilët paguan gjysmën e atij çmimi që thashë më lart, pra 10 euro. E këta pothuajse asnjëherë nuk janë vendas (kush është më vendas në botë?). Gjithsesi, këtë sekretin e vogël ekonomik mua ma thanë disa shqiptarë të tjerë që jetojnë këtu. Berberi ku unë shkoj, është një djalë sirian, rreth të 25-ave, që flet 4 gjuhë të huaja (arabisht, anglisht, frëngjisht dhe hollandisht) dhe që ka një diplomë në menaxhim biznesi përveç asaj të berberit. Kur ma tha këtë, mendova se sa herë kisha dëgjuar në Shqipëri për dikë që studionte për menaxhim biznesi, e mendoja gjithmonë si punonjës të firmave të biznesit, të koorporatave shtetërore ose private, po asnjëherë si një berber, ose si një parukiere. Pastaj ai më shpjegoi se këtu gjithkush që kishte një biznes, ishte i detyruar të kishte edhe një diplomë në menaxhim biznesi, ndryshe si do e menaxhonte? Kur shkova për t’u qethur herën e parë isha shumë në siklet. Nuk e di pse në mendjen time më ishte fiksuar që ky 10 euroshi kursim do m’i bënte flokët të më dukeshin aq keq, sa do rrija për 10 ditë pa dalë nga shtëpia (flokët e mi rriten shumë shpejt, punë leshi). Kështu që sapo hyra në dyqan, pas përshëndetjes së parë me berberin, që atëherë nuk ia dija emrin, për të krijuar një atmosferë miqësore me të, që të mos më qethte shëmtuar , mendova të bëj një koment për muzikën që dëgjova në sfond. Edhe mua më pëlqen shumë muzika turke - i thashë me krenari. Nuk është turke, është arabe - më tha Rami.
Nuk e di pse pas kësaj fillova menjëherë të imagjinoj se si do dukesha tullac. Prapë faji i stereotipeve idiote. “Të gjithë berberët e lirë këtu janë turq”- më kishin thënë, ndaj dhe unë as që e kisha dëgjuar mirë muzikën. Nuk kishte njerëz të tjerë në dyqan, për fatin tim të mirë, ndaj edhe Rami filloi menjëherë nga puna. Më pyeti sesi doja të qethesha dhe iu përgjigja thjesht të m’i shkurtonte pak. Fjalën e fundit, pak, e theksova. Kam vënë re se klientët dhe berberët, nuk kanë të njëjtin të kuptuar për fjalën “pak”. Për berberët është gjithmonë pak më shumë sesa ajo që ka klienti në mendje. Ndaj unë e përsërita: pak. Më pyeti nëse kisha ndonjë model të caktuar në mendje. Mua m’u kujtuan disa adoleshentë që kam parë kohët e fundit në palestër dhe që më kanë thënë se stili i tyre i flokëve u quaka sipas emrit të një futbollisti (nëse iu erdhi një emër në mendje, kontrrolloni flokët tuaj në pasqyrë). E unë ia bëra të qartë që nuk doja flokët e këtij futbollistit. Filloi nga puna, dhe unë mbylla sytë. Kështu më dukej se sikur të dilte keq, nuk do ishte faji im, sepse unë nuk po e shikoja. Më pyeti nga isha dhe sapo i thashë se jam shqiptar, më tha se ne qenkemi njerëz shumë të mirë. Ngjitur me dyqanin e tij ishte një lokal me emër shumë shqiptar, me një pronar shqiptar dhe ku shkonin vetëm shqiptarët të pinin kafe. Të gjithë vijnë këtu për t’u qethur- tha. Aaa, mendova, kjo na bëka ne shqiptarëve njerëz të mirë. I mbylla sytë prapë. Filloi të më tregonte sesa i vështirë kishte qënë fillimi për të. I ishte dashur të shkonte në Turqi, pastaj Greqi, pastaj Itali e pastaj të mbërrrinte këtu. Të gjitha këto i kishte bërë me autobus, traget, autobus, traget, autobus. Kur erdha këtu tha, e kuptova që duhet të mësoja gjuhën patjetër. Po ky vendi ka dy gjuhë zyrtare, e i kishte mësuar Rami që të dyja. E kishte marrë edhe diplomën që i duhej dhe kishte nisur punën.
Nuk e dija nëse duhet ta pyesja për situatën në Siri. Ishte lajmi i parë në çdo edicion të këtyre ditëve të fundit. Nuk durova dot, dhe e pyeta. Më tregoi sesi familja e tij e përbërë prej prindërve dhe katër vëllezërve, kishin humbur gjithçka kishin edhe shtëpinë 4-katëshe (pallat ishte fjala që përdori). Tani jetonin në klasat e një shkolle aty në qytet. Njërin prej vëllezërve ia kishin rrëmbyer në një postbllok policie dhe akush nuk e di ku është, tha. Ndërkohë mendova mos duhet të mos flasim më për këto gjëra se mos preket emocionalisht dhe më bën ndonjë prerje aty ku s’duhet. Hapa sytë ta shikoja, dukej shumë në rregull. Vazhdoi të me thoshte se për shumë netë me radhë ishte munduar të bindte të atin që të vinin këtu, por ai është kokëshkëmb, tha. Më thotë që nuk e le vendin e tij se është shumë krenar, do të vdesë aty ku ka lindur, nuk tradhëton. E ndërkohë tha, tani që i ka humbur të gjitha, nuk më flet as me gojë, sikur të ishte faji im që nuk doja të vdisja aty, po kërkova një jetë më të mirë. Më foli se e dinte pse njerëzit në Siri e mbronin Asadin. Nuk dinë gjë tjetër tha, vetëm shikojnë televizionin që komandon Asadi. Si ta marrin vesh ata, që ai i bën të gjitha këto, kur çdo moment dëgjojnë vetëm lavdërime për të. S’ke faj i thashë, kështu ka qënë edhe në Shqipëri (nuk më bëri zemra të them, ndonjëherë kështu është akoma). Pastaj më tregoi se si sa herë fliste me ata të shtëpisë në skype e pyesnin nëse ishte martuar. Akoma? Edhe këtu i thashë: mos u shqetëso, njësoj. Ishte bërë një gjullurdi e madhe në fisin e Ramit para dy vjetësh, sepse i shkreti, pasi kishte marrë diplomën, pas nja tre vitesh studimi intensiv, kishte vendosur të bënte një palë pushime, një javë, në Spanjë. Ika me autobus - tha, se ishte më lirë dhe se ato kohë nuk e kisha pasaportën për të ikur me avion. Por fisi i tij (mendova hallat dhe tezet më së shumti) kishin filluar të ankoheshin sesi ky në vend të dërgonte lekë në shtëpi, shkonte i prishte në pushime ekzotike. Më çanë veshët -tha, tre muaj pas pushimeve nuk kishin bisedë tjetër. E çuditshme, po më dukej sikur fisi i tij ishte shqiptar, sa të ngjashëm.
Nga fundi i bisedës, kur u sigurova se berberi im ishte një njeri i drejtë, shumë mendjehapur e me dëshirë të madhe për punën, e pyeta se cila ishte ëndrra e tij, çfarë donte të bëhej (kur të rritej). Badiguard, më tha. Më erdhi turp t’i thoja: po pse? Në fund të fundit dëshirat e askujt nuk gjykohen. Ndoshta do i hynin shumë në punë katër gjuhët e huaja edhe si badiguard, edhe diploma në menaxhim biznesi, ndoshta.
Kishim arritur drejt fundit, sepse ndjeva sesi më kalonte furçën për heqjen e qimeve të prera, nga balli e qafa. I hapa sytë dhe u çlirova. Të kuptohemi, nuk është se unë jam shumë i bukur, po nuk isha as tmerri që kisha menduar në netët përpara. Flokët dukeshin shumë mirë. Edhe po t’ia kisha përshkruar modelin, s’do e bënte dot më mirë.
Pasi mbaroi, më ofroi të pinim një çaj sirian, e përgatiste vetë aty. Pranova me kënaqësi. Vazhduam të flisnim për problemet që kanë të dy vendet tona por pavarësisht kësaj, se sa natyrë të bukur kanë. Dhe e kapa veten duke përsëritur gjithnjë e më shpesh fjalën, njësoj, njësoj…
Comments
Oh sa shkrim i bukur, i

Oh sa shkrim i bukur, i thjeshtë e njerëzor! Falemnderit!

Shumee shkrim i bukur :),
Shumee shkrim i bukur :),
Pergezime autorit te

Pergezime autorit te shkrimit, me nje tematike ne dukje te thjeshte ka arritur te preke shume tema esenciale te realitetit te sotem, me te vertete nje shkrim i vecante shume ndryshe nga ato qe jemi mesuar te lexojme ne mediat shqiptare ku kryefjala e vetme eshte politika dhe asnje tematike sociale!

Ne Bruksel eshte bere kjo

Ne Bruksel eshte bere kjo bisede 100%

Se di pse me pelqeu kaq

Se di pse me pelqeu kaq shume... ndoshta ngaqe edhe une i pres gloket te shtunave! :P :)

Urime!!! Une pata nje bisede me nje vajze Ukrainase mbi familjen dhe nje pjese e e mire e saj percillej po nga fjalet "njesoj, njesoj..." :)

Shume shume bukur Emiljano!

Shume shume bukur Emiljano!

Shume lezetcem,na kenaqe

Shume lezetcem,na kenaqe Emiljano, mezi pres te lexoj shkrimin tend te rradhes.urime!★★★★★

Shume i kendshem, mezi po

Shume i kendshem, mezi po pres te lexoj shkrimin e radhes!urime Emiljano na kenaqe

Shume origjinal ne permbajtje

Shume origjinal ne permbajtje dhe sensin e humorit ....sa shume nevoje kemi te lexojme impresione te tilla, ku duke lexuar tundim koken ne shenje miratimi dhe konfirmojme me fjalen njesoj….. kjo eshte bota pa mure ….ato I ngrehim ne njerezit dhe jane me te larte ne mendjet tona se sa reale….Falemidnerit Emiljano, perseri kenaqesi…..nuk dua te humbas ansnje nga shkrimet e tua…me shlodhin dhe me bindin me vertetesine e tyre……dhe me japin gjithmone buzeqeshje apo te qeshur me ze……sa shume kemi nevoje per te gjitha keto.

E shijova kete shkrim , madje

E shijova kete shkrim , madje mu duk sikur isha dhe une duke pire ate cajin sirian aty, shume stil i sinqerte.Bravo

shkrim fantastik! me kenaqe!

shkrim fantastik! me kenaqe!

Add new comment