Shkrime të Alketa Spahiut e të Agron Gjekmarkajt (në vijim të polemikës Azizi-Plasari)

Postuar në 19 Mars, 2014 07:49
Nga shtypi

Polemika mes Orgest Azizit dhe Aurel Plasarit është ndjekur me interes, dhe ka provokuar reagime të shumta në botën online. Në këtë polemikë janë përfshirë dhe emra të tjerë, të njohur e të panjohur për publikun. Ne kemi veçuar dy shkrime nga dy autorë të ndryshëm, një i Alketa Spahiut që shkruan nga Franca (publikuar nga Shqipi) dhe tjetri i Agron Gjekmarkaj (publikuar nga Panorama). I kemi veçuar, ngaqë në to mbrohen pozicione të kundërta, e në këtë kuptim është si vijim i polemikës Azizi-Plasari. Po i publikojmë të dy njëri pas tjetrit:

 

Alketa Spahiu

Kurbetçi të qofshim falë, tregona! (këngë popullore)

Na duhej të përballeshim me “lumturimin” e At Zef Pllumit nga z. Berlusconi për të parë dy gjëra sa të dhimbshme aq edhe të padrejta, domethënë: racizmin shqiptar dhe narcisizmin po aq shqiptar sa edhe të vokët.

Drejtori i Bibliotekës kombëtare shqiptare, nëpërmjet një artikulli të hartuar si prej një nxënësi gjimnazi të zellshëm të viteve ’80, që do t’i pëlqejë sekretarit të partisë së rrethit për një bursë në filoqyl, etiketon shqiptarët që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë si “kurbetçinj”. Pak kohë më parë një ish-zv-kryeministër i pat etiketuar protestuesit e 21 janarit si “kokëpalarë”.

Etimologjikisht, fjala kurbetçi shenjon një individ që i është dashur të ikë e të gjejë strehë në kurbet.

Atëherë kurbetçiu më i madh i kombit tonë i bie të jetë Kadare (si kërkues, dikur, i statusit të azilit politik në Francë). Por, me sa shohim, z. Aurel Plasari nuk nxitohet ta fusë edhe atë në një thes me shqiptarët e tjerë. Është ndoshta finesë diplomatike për të mos u ndërndeshur me autor të mMadh!

Disa epitete klishe, si mbetje e kohëve të lashta epike, kanë pushtuar fjalorin e disa intelektualëve shqiptarë, që flasin ende si dikur, me qëllim që të mbajnë gjallë disa lidhje, sepse u duhen për komisione, mësimdhënie apo etiketa të radhës. Në të njëjtin prizëm, përdoren në shqip fjalë ofenduese nëpërmjet antonimeve të tyre.

Kurbetçia tjetër e famshme i bie të jetë e lumturuara Nënë Tereza, një ish-emigrante ekonomike që i ka dhënë: sheshit para universitetit, aeroportit dhe një dite të vitit emrin e vet të “lumturuar”, me të cilin mburren “kurbetçinjtë” e tjerë, ashtu sikurse edhe me figurën Kadare.

“Kurbetçi” është edhe autori i artikullit që lexova: “Vdis vetëm për me u tradhtue”. Autori Orgest Azizi nuk është as azilant politik, as emigrant ekonomik. Ai është një shqiptar me nënshtetësi franceze, baba i dy fëmijëve, master 2 në filozofi në Paris, dhe aktualisht doktorant në Universitetin Paris 8 në Francë. Publiku mund ta verifikojë kaq gjë.

Lexuesi shqiptar e njeh po ashtu shkruesin e artikullit, O. Azizi, si përkthyesin e filozofëve të rëndësishëm të shekullit të 20-të: Foucault, Agamben e Deleuze. Ai ka marrë edhe çmimin për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja në Panairin e Librit 2012, me librin e Michel Foucault,Vullneti për dije: Historia e seksualitetit 1 [(UET Press) – Si është e mundur që drejtori i Bibliotekës kombëtare nuk i njeh këta autorë (dhe përkthyesin e tyre), ndërkohë që çdo ISBN paguan detyrimin prej 5 librash në BKSh?].

Racizmi brenda racës është një veti shqiptare që ka infektuar fjalorin tonë. Termat dashakeqë si “malok”, “është çam”, “është lab”, “është jevg”, “është gaxhie”… “është kurbetçi”, “kokëpalarë” gëlojnë gjithë këto vite. Ca shajnë, ca bëjnë shaka. Njëra apo tjetra dallohen vetëm nëse i drejtohen njëri-tjetrit, apo vetëm Tjetrit. Kur labi i thotë labit lab, e çami çam, gajasen njerëzit. Mirëpo kur labi i drejtohet çamit ose çami labit, aty lindin problemet.

Emigrantët, azilantët politikë, studentët, d.m.th shqiptarët që vendi “la” jashtë në momentin kur ai u lirua nga një zgjedhë (që persekutoi ata që mendonin ndryshe, ose përpiqeshin të paktën) për t’iu nënshtruar një tjetre (asaj të demokracisë së paftilluar) nuk kanë pasur tjetër alternativë. Sigurisht që Sokrati piu helmin për të evituar ekzilin, por Sokrati s’pati fëmijë, prindër apo borxhe, apo ëndrra për të zbuluar botën.

Zoti A. Plasari, në emër të racizmit elitist, i lejon vetes të fyejë e të etiketojë miliona shqiptarë të diasporës, për të çorientuar lexuesin tashmë të çorientuar nga moria e informacionit që mbyt informacionin.

Nuk arrita të kuptoj ngenë e zotit Plasari për t’iu kundërpërgjigjur një “kurbetçiu të cilit s’ia vlen t’ia përmendësh as emrin”! Vërtet s’paska punë për të bërë? Por më kryesorja: Përse ai i shmang krejtësisht argumentet e artikullshkruesit O. Azizi? A mund të injorojë një intelektual ose përkthyes argumentet e një kolegu të tij? Apo thjesht sepse nuk i kupton ato? Apo sepse do të shmangë thelbin e argumenteve, drejt një përplasjeje personale të kotë? Sepse gjithë sa lexova në përgjigjen e zotit Plasari ishte një raportim narcisist e riciklues, për të treguar bëmat e Belulit. Mirëpo, “Unë, unë thotë thiu”, themi ne në Veri, në veriun e At Zef Pllumit.

Sa herë në tekstin e vet Aurel Plasari përmend emrin e tij? Sa herë ripërmend ai këmbimet më kot justifikuese mes tij dhe At Zef Pllumbit, i cili dukshëm e ka respektuar?

Sakaq, nuk vura re asnjë fyerje të O. Azizit ndaj figurës së At Zefit, madje as dhe sulm personal ndaj Aurel Plasarit. Përkundrazi, në artikullin e z. Plasari nuk lexova asnjë ide, objeksion, opozitë  apo interpretim lidhur me pistat konceptuale që është munduar të shtrojë O. Azizi në artikullin e fillimit. Jo vetëm kaq, por z. Plasari ka bërë çka bërë dhe prapë ka rënë në batakun biopolitik, pra të trajtimit të njerëzve nga mbiemri. Ashtu si regjimi i mëparshëm monist, edhe ai hamendet se mos artikullshkruesi (Orgest Azizi) ndihet i “mjerë” nga mbiemri (jo i famshëm) që ka trashëguar! Leksion i mjerë ky nga një drejtor postkomunist e katolik, pas 23 vitesh shoqërie të lirë!

Ne, intelektualët shqiptarë jemi shpesh konsensualë ose oportunistë. Nuk e prishim me njeri, aq më pak kur bëhet fjalë për një të mirë që na vjen nga të huajt si “bamirësia post-mortem” ndaj At Zef Pllumit. Mirëpo, intelektuali i mirëfilltë është ai që mban një qëndrim kritik ndaj akteve që ndjellin revoltë, neveri, padrejtësi. M’u duk se shkrimi i z. A. Plasari haptazi ofendon shqiptarët, duke anashkaluar argumentet thelbësore e të mirëfillta që trajton O. Azizi në artikullin e vet, me referenca filozofike, të cilat i ka sjellë edhe në shqip nëpërmjet publikimeve të tija të regjistruara edhe në Bibliotekën kombëtare.

Ndryshe nga sa mendoja, nuk hasa në debatim (qoftë edhe të nxehtë) idesh e pikëpamjesh. Por vetëm një estradë të zotit Plasari me vetë atë në majë të shkallës, duke nxjerrë kartën e At Zefit si përkujdesës, si autor i lëvdatave për figurën e Plasarit. Seria e pafund e doni-më-për-Belulin!

Atëherë më lejoni të flas edhe unë pak për Belulin, kurbetçien.

Pasi kalova 17 vitet e para të jetës në kampet e internimit të diktaturës (në Gradishtë), u largova nga Shqipëria në vitin 1990 drejt Francës. Aty kreva të gjithë arsimin e mesëm dhe të lartë, derisa përfundova gradën Doktor në letrat moderne në Universitetin e Sorbonës (edhe kjo verifikohet kollaj). U ktheva në atdhe në vitin 2006, pas thirrjes që lëshoi asokohe Kryeministri S. Berisha, për të thithur kontributin e të rinjve shqiptarë “kurbetçinj”. Me gjasë u pranova si pedagoge e jashtme në departamentin e frëngjishtes në UT.

Pedagoget shqiptare dhe studentët po aq, që kishin studiuar frëngjishten në Tiranë, më përsërisnin që kisha fat e shumë ndërhyrje që më morën para ish-studenteve, që zakonisht i mbajnë në fakultet si nxënës të mirë. Sigurisht që ky diskriminim vjen nga fakti që gjuha frënge studiohet më mirë në Tiranë sesa në Francë! Duhet t’i shtoj kësaj edhe vështirësitë për të “njohur” diplomat e huaja në Shqipëri, para atyre që lëshojnë universitet private të mbira si kërpudhat pas shiut.

U ktheva në Francë pas disa muajsh, sepse nuk ia lejoja ndërgjegjes të kryeja detyrat e studenteve të mia, sigurisht kundrejt një shume të hollash “të trasha”. Madje, nuk mora as rrogën që më takonte për t’u kthyer në “kurbetin” tim.

Ky diskriminim racist mes shqiptarësh vendalinj e kurbetçinj thellon hendekun e luftës së klasave të hapur gjatë diktaturës e krijon viktima të reja ose të reja-vjetra, si puna e At Zef Pllumit, që u bë shkak i kësaj polemike revoltuese. Të ish-persekutuarit janë gjithashtu kurbetçinj, d.m.th sipas kategorizimit të zotit A. Plasari (e habitshme kjo nga një humanist!), njerëz të kategorisë së dytë, të pa zë e të paemërt, që edhe pse ndodheshin brenda kufijve të vendit ishin të përdhosur e të nëpërkëmbur, njerëz që s’vlen t’ua përmendësh emrin.

Lexuesi të më ndiejë për këtë anekdotë personale. Por m’u bë e detyrueshme ta tregoja, para “fatit” të dikujt tjetër që mund të ishte i imi. Domethënë se, ne që jetojmë, studiojmë e rrobëtohemi jashtë vendit, nuk paskemi të drejtën e emrit, të imazhit, të dijes?! Dhe se ne do mbetemi kurbetçinj sa kohë që nuk jemi drejtorë apo deputetë në Tiranë? Dhe se monopolin e dijes, argumentimit e të emancipimit e paskan disa nëpërkëmbës biopolitikë, si zoti Plasari në këtë rast? A është i sigurt ai për gjithçka që tregon? A nuk mendon se ka ende njerëz që dinë se At Zefi nuk ka thënë tamam kështu? Me çfarë të drejte persekutuese zoti drejtor hedh romuze të flashkëta, vetëm se jeton e punon në një shoqëri fatkeqësisht të nëpërkëmbur?

Nëse unë do t’i tregoja zotit drejtor që gjyshi im ka qenë ndoshta më antiregjim se At Zefi i nderuar, mos vallë duhet të filloj luftën e klasave brenda vetë të persekutuarve të regjimit të mëparshëm?

 

 

Liliputë kamikazë kundër françeskanit të madh

Agron Gjekmarkaj

Detraktimi i elitës kombëtare në këta 101 vjet shtet shqiptar është shndërruar në karakteristikë kombëtare. Liliputë, muhaxhirë të armatosur me mllefe të të gjitha kategorive, muxhahedinë anonimë u janë vërsulur njerëzve të mëdhenj të çdo epoke, të gjallë a të vdekur, jo vetëm veprave, por edhe jetës së tyre, ideve, gjesteve, deri edhe varreve të tyre: sa Konicës aq edhe Fishtës, jo më pak Harapit sa Kutelit, në një varg të gjatë që – nuk ka qenë e papritur – të mbërrinte në ditët e sotme deri te Ismail Kadareja, nga njëra anë, dhe At Zef Pllumi, nga tjetra. 
Kur njeriu ka fatin të gjendet pranë njerëzish, emra të mëdhenj e vepra të mëdha ose të ketë lidhje gjaku me ta, kjo për liliputët shndërrohet në mëkat, madje në faj. Shfaqet haptas atëherë kompleksi i inferioritetit i atyre që nuk e kanë këtë fat ndaj atyre që e patën dhe e kanë atë. Të mospasurit e këtij fati i verbon, ua lëbyr sytë, madhështia e të tjerëve u duket si një privim nga aspiratat e tyre të parealizuara për emër, famë, lavdi. Në një kontekst të tillë, i përndjekuri e i përbuzuri sa ishte gjallë, At Zef Pllumi me sanksionimin e për ditë më shumë të primatit intelektual të rezistentit në këtë shoqëri dhe njëherësh si simbiozë e një fenomeni kulturor që tashmë po troket në metropolet europiane të kulturës, nuk mund të mos i joshë liliputët si pré e lakmueshme.
Duke ditur sa e madhe është mundësia e keqkuptimit dhe e konsiderimit si rrahagjoksës, u jam shmangur deri më sot tregimeve mbi marrëdhëniet vetjake me Zef Pllumin. Por edhe ngase ai vetë, me inteligjencën e rrallë të shtuar nga përvoja e madhe e një jete gjithë travajë, ka ngulmuar gjatë jo vetëm në letërkëmbime shumëvjeçare me miq e bashkëpunëtorë, por edhe në intervista të regjistruara, të linte dëshmitë e veta duke iu druajtur pikërisht gjithnjë së mundshmes në një shoqëri si jona: manipulimit pas vdekjes. Me mënyrën e tij të të thënit të gjërave një cope, ka folur për veten dhe për të tjerët, për fëmijërinë dhe gjithë jetën e tij të mëtejshme, për origjinën dhe fisin, për klerin dhe shoqërinë, për ata që e braktisën dhe ata që i ndenjën pranë në orët më të rënda të fatit të tij. Përse ma la mua, mes të tjerësh, këtë kujtesë ose përse më bëri edhe pjesë të  miqësive të tij? 
Përgjigjen e saktë ai e ka marrë me vete. Unë vetëm kam të tregoj disa pak të vërteta nga të vërtetat e shumta që kam mësuar prej tij. Duke e pasur At Zef Pllumin dhe veprën e tij të objekt të tezës së doktoraturës, si dhe duke përfituar nga mundësitë e shfrytëzimit edhe pothuajse të të gjitha arkivave shtetërore e private, mendoj që jam njëri nga njerëzit më të informuar në këtë vend për të dhe veprën e tij.
At Zef Pllumin e kam kushëri, dhe për këtë fakt nuk kam as edhe një meritë. Thjesht për të ndihem krenar. Me të jam identifikuar shpirtërisht e intelektualisht si zgjedhje në moshë të pjekur. Por ngjashëm do të kisha vepruar edhe nëse në dejet tona nuk do të rridhte i njëjti gjak, si shumë e shumë miq të mi. Emri i tij i vërtetë ishte Prekë Gjekmarkaj. U shugurua meshtar para Koncilit të Dytë dhe atëherë rregullat kishtare të kohës kërkonin, në shenjë devocioni ndaj Hyut, një identitet të ri. Ai atëherë zgjodhi emrin Zef Pllumi, si Fishta që nga Zef Ndoka e quajti veten Gjergj Fishta etj. Në veprën “Saga e fëmijërisë” ai flet gjatë për Gjekmarkajt. Shtëpia e tij në Malin e Rrencit ishte kund 700 metra larg sonës dhe në fëmijëri dëgjoja gjyshen që fliste për “fratin”, për “petkat e fratit”, për “librat e fratit”, por pak gjë kuptoja. Sikur ishte fjala për një personazh mistik të një tjetër bote për ne fëmijë që rriteshim e edukoheshim nën propagandën komuniste, për të cilën frati ishte “reaksionari”, “armiku”, “prapambetja” dhe e ndryja brenda vetes atë herezi të gjyshes. Të tjerët pothuajse nuk ia shqiptonin kurrë emrin. 
E kam takuar së pari në vitin 1994, asokohe student i Aurel Plasarit, i cili kishte filluar bashkëpunimin me Pllumin si kryeredaktor i “Hyllit të Dritës”. Siç e pohon për të Rudolf Marku, që i ka njohur mirë të dy, ai “ishte shqiptari që Pllumi çmonte më shumë nga të gjithë ndër të gjallë”. Plasari e bëri me dije që kishte student pikërisht një Gjekmarkaj. Atëherë, me profesorin tim, e takova për herë të parë Fratin, atë Frat në shtëpinë e së cilit dikur fëmijë patëm kërkuar ndonjë thesar ose diçka armiqësore dhe, kur zhgënjeheshim nga kërkimet, luanim symbyllazi. Që nga ajo ditë e takimit me Fratin e vërtetë marrëdhëniet me të kanë qenë intensive.
Mjaft njerëz e dinin që Frati dërgonte shumë studentë në Europë duke u siguruar bursa e kushte studimi. Të mikluar nga kjo mundësi, nga ëndrra për të studiuar në Europë, unë dhe kushëriri im Lulzim Gjekmarkaj, student i Dhjetorit dhe grevist i urisë, një nga matematicienët më të talentuar të këtij vendi dhe tanimë i konfirmuar në SHBA si i tillë, deshëm të na ndihmonte edhe ne, deshëm me ngulm të na e jepte edhe ne atë shans si sa e sa të tjerëve. Nuk na e dha. Me gjithë ndërhyrjet e vazhdueshme të kushëririt tonë, Tonin Shpati, të cilin e kishte zgjedhur për “nip” të vetin dhe në shtëpinë e të cilit jetonte. Nuk na dërgoi askund, as mua, as Lulzimin. I varëm pak buzët për momentin, po me kohë hatërmbetja na kaloi. Të dyve na u desh të ndjekim të tjera rrugë për të realizuar shkollimin tonë jashtë Shqipërie. 
Vite më vonë, kur isha kthyer nga studimet jashtë, e kam pyetur Fratin: “Përse?”. Përgjigjja e tij ishte befasuese: “Mue moralisht nuk më lejohet me ndihmue njerëzit e mi. Por ma mirë kështu, ju i keni arritë gjanat në jetë me forcën tuej, pa ja rritë nderën askujt, ndaj ju çmoj”. Falë ndonjë xhihadisti gazetash që na merr nëpër gojë për “përfitime” nën hijen e At Zef Pllumit, po shtrëngohem të botoj një letër të tijën pak muaj para se të largohej prej nesh: “Shumë i dashtuni Agron,
Ti e din se un jam kenë gjithmonë ndërmjetës për me i ba mirë dyjasë, përveç tejet e Lulzimit.....”. 
Nga ana tjetër, më duhej ky rast fatlum që të pohoj se At Zef Pllumi më ka dhënë atë që askush tjetër nuk mund të ma jepte. Dhe ajo mbetet tejet personale. Prej At Zef Pllumit kam përfituar unë po që po, por edhe miqtë, fisi, katundi. Prej tij ka përfituar kombi dhe do të përfitojnë edhe breznitë që do të vijnë. Ky përfitim jetik më ka detyruar të kem qenë e të jem shërbëtor i imazhit të tij e i përhapjes së veprës së tij. Mbi përmbledhjen “Histori kurrë e shkrueme” ai lë këtë dedikim “Të Nderuemit Zotni Z. Agron Gjekmarkaj të cilit i dedikohen këto botime të mia me përkushti”.
Liliputët që marrin nëpër gojë shtresat intelektuale e sociale që rrethonin At Zef Pllumin kanë për objekt të vërtetë detraktimi atë vetë, veçanërisht suksesin e papërfytyrueshëm për ta – por jo për ne miqtë e tij – të veprës së tij në një superfuqi kulturore si Italia. E bluajnë detraktimin e tyre nëpër kafehanet e Tiranës, të cilat u ngjajnë tempuj nga lartësia e të cilave kanë të drejtë të lëshojnë mendimet e tyre në formë glasash e të ndyjnë kë të mundin. Së fundmi shqetësohen e ka apo nuk e ka Keida Kaceli të drejtën e autorit. Këtë çështje është kujdesur ta zgjidhë vetë At Zef Pllumi, i cili ia që paska vështruar larg, shumë më larg se meskiniteti i shakllabanëve gjysmanalfabetë. Keida Kaceli meriton një falënderim me shkronja të mëdha për shërbimin që i ka bërë kulturës shqiptare – njëherësh edhe asaj italiane - me përkthimin e veprës së At Zef Pllumit duke fituar mbi paragjykime e vështirësi.
Po kaq ngeshëm dhe nga “epërsi morale” gjykojnë Silvio Berluskonin, i cili në njëzet vitet e fundit 10 vjet ka qenë Kryeministër dhe 10 vjet shef i opozitës italiane, për faktin e lavdërueshëm që shkroi parathënien e botimit italisht të kësaj vepre kur ishte Kryeministër. Kujt duhej t’u merrte leje, shakllabanëve të kafeneve? Gjatë kohës kur ky personalitet i politikës italiane qeverisi vendin e tij Italia ishte një demokraci liberale e konsoliduar, në të cilën drejtësia kishte mundësi e liri të plotë ta akuzonte dhe ta procedonte kreun e qeverisë. Por edhe Berluskoni, në këtë rast, është një vjegëz: detraktorët i shqetëson libri i At Zef Pllumit dhe promovimi i tij në Senatin e Republikës Italiane, i bezdis sa s’thuhet fakti që njeriu më mediatik i vendit fqinj e merr në patronazh dhe e konsideron librin si “ungjill blu” për miliona italianë. Apo i alarmon fjala e dhënë për thirrjen e një regjisori të madh dhe realizimin e një filmi artistik bazuar te vepra “Rrno për me tregue”? Të mos harrojmë që filmi “La grande belleza”, i mbështetur nga Berluskoni, ka marrë çmimin “Oskar”. Dhëntë Zoti të ndodhë kështu edhe me filmin e premtuar dhe atëherë “moralistët” t’ia terezisin edhe SHBA-ve e ta bëjnë fërtele. Liliputët le të shqetësohen, të mërziten, të paken e të plaken kafeneve me vrerin e tyre: as do t’ia dijë Berluskoni nga kritikat e tyre, ndërsa vepra e At Zef Pllumit ka nisur tashmë udhën e vet mes miliona lexuesve, në fillim në SHBA, tani në Itali, nesër edhe në Francë. 
Më takon të them edhe disa fjalë për Kadarenë dhe miqësinë e tij me At Zef Pllumin. I përkëdhelur nga fati, kam qenë dëshmitar i asaj miqësie për të cilën kam shkruar. Meqenëse fama e konsoliduar e të parit në botë dhe fama që troket për të dytin po i bezdis liliputët e papunë, po i kthehem edhe një herë kësaj teme. As Pllumin dhe as Kadarenë në këtë Shqipërinë tonë nuk i njeh kush për naivë ose njerëz që bëhen miq duke trokitur ndonjë gotë nën aromë qoftesh pasi zalisen në komplimente e hoka. Jo. Ata ishin miq për kënaqësi njerëzore, por edhe për përputhje vizionesh të mëdha, njëkohësisht duke menduar e reaguar ndryshe. I bashkonte pikërisht “llogori” i betejës për kulturën europiane në Shqipëri, shënjestër e përzgjedhur kjo për xhihadistët. Për arsye etike ndoshta, Kadareja nuk mund t’i rrëfeje ato biseda të gjata. Mund t’i shkruajë në funksion të së ardhmes, kur të vendosë ai vetë, për një ditë kur distanca historike të jetë e mjaftueshme.
Sa për liliputë që i kanë vënë mision vetes t’u vërsulen figurave të kulturës kombëtare, atyre nuk mund veçse t’u rekomandosh të lexojnë edhe një herë “Udhëtimet e Guliverit” për ta identifikuar veten.

 

 

Comments

Submitted by Bard (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>&quot;Gjatë kohës kur ky personalitet i politikës italiane qeverisi vendin e tij Italia ishte një demokraci liberale e konsoliduar, në të cilën drejtësia kishte mundësi e liri të plotë ta akuzonte dhe ta procedonte kreun e qeverisë&quot;--Flet per Berlusconin autori ketu, kushedi sa do te mallengjeheshin votuesit e tij e tifozet e Milanit dhe te bunga-bunges po te lexonin nje ditiramb te tille.</p><p>Sa per debatin per te cilin behet fjale, nuk ia vlen te hysh me thelle ne ujera kaq te ndotura, pas 23 vjet gjoja liri fjale e mendimi, mund te kuptosh qe nga censura e&nbsp;kohes&nbsp; se&nbsp;Dulles nuk paskemi humbur edhe aq sa thuhet.</p>

Submitted by Zapbone (not verified) on

<p>E keni idene se ca i bohet ullinit, kur thuhet me heq te zite e ullirit. E shtypin ullirin, e beshdaqin ullirin, i gjujne gurit me gur e ne mes eshte ulliri; e masakrojne, e presojn e i vene tonelata peshe per ti nxjerr ynyren, per ti marre esencen &ndash;vajin. Keshtu duan ta&nbsp; beshdaqin mendimin ndryshe ta mbajne ne trysni e ti marren erzin e ynyren &ndash; ta poshterojne e masakrojne. Njeriu e ka ndare kohen me sekonda, e ka ndare dhe me te qindat e sekondes, e ka ndare me minuta e ore, me dite e muaj e vite, ore me plot ulerime qiellore e kozmike e ka ndare kohen me epoke qe te beje zap jeten e kohen ne te cilen jeton! Shoqeria shqiptare ka qene dhe eshte e denuar dhe e programuar, e bere zap, e burgosur si borsite e ullirit qe akoma nuk ka dale nga epoka, nga principet dhe mendesia e provincializmit primitiv si autori i ketij shkrimi. Akoma jetojme ne kohe te percunduara horrorifike. Horrori e cinizmi e fakti qe gazetaret na &ldquo;ndricojne me lirine&ldquo; na ben te arratisemi ne nje dimension tjeter. Boll te lexosh shkrimet mega super egoiste provincialiste ne gazetat dhe perjeton shkalathitje e corjentim brutal, te dhunshem duke te shtypur si bersi ulliri e duke te marre erzin dhe ynyren, duke te tjetersuar. Dhe ankohen gazetaret bythe e trushpuar per komentuesit. I lejojne vetes pa dogane cdo lloj lirie ne domethenje e kuptim, cdo perdhosje e ofendim dhe censurojne komentet! Dhe koha jone eshte kohe gjakatare e shkatrrimtare, e shqyer, e grishur e caperluar, e shume genjeshtare, dhe pa dinjitet, dhe me paturpesi dhe me perdhosje e poshtersi. Shoqeri qe vrapon ethshem brenda bunkerit e me bunkerin ne krahe te nenshtrimit e poshterimit dhe po ethshem vret te ardhmen e saj nga frengjijt e pabesise e egos. Nje shoqeri si e jona eshte nje shoqeri gladiatoresh qe jeton ekstazen e ringut te gjakosjesjes&nbsp; te poshtrimit e perdhosjes para vdekjes dhe te ashtequajtura elita jane pergjegjes ne kete derexhe qe kemi rene. Dhe kjo eshte e pamohueshme: profilin tone agresiv dhe te dhunshem e kemi nga bunkeri qe jeton e trashgohet brenda nesh. Une lexoj, e ngado me derdhet ne tru materja e pa definuar e zgjyres dhe, llambushka e dinjitetit nuk ndizet e ndjehem i perdhosur kur lexoj shkrime te tilla provincialesh, egoistesh e te komplekesuarish nga Beluleria.</p>

Submitted by toni (not verified) on

<p>Debati mediatik nuk eshte i nderuari At Zef Pllumi, qe u prehte i qete..., eshte shfrytezimi qe i behet vepres se tij...keshtu qe per kandidatin per doktor A.Gjekmarkaj, do i lutesha te na shtjellonta keta &#39;lilipute kamikaze&#39; opo pa emra por me shprehje, fjali a deklarata...Meqe eshte nip dhe nuk ka perfituar nga I Nderuari sa ishte gjalle...le t&#39;a mbroje nga &#39;profesori&#39; i tij, nga ish gazetari i ZP,nga...Kaq per &#39;supermenet&#39; qe veshin breket siper pantallonave !</p><p>Dhe ne repliken e pare direkte e dhashe nje mendim per &#39;kurbetciun&#39; dhe &#39;belulin&#39; (sa ngjiti kjo emertese ?!), dhe sot doja te shtoja qe , nuk eshte keq t&#39;a gelltitesh mendjemadhesine pa frike se mund te te krijoje obezitet, por te flatron te argumentosh mbi konceptet e hedhura nga nje mendim ndryshe (&#39;kurbetciu&#39;). Fatkeqesisht, &#39;beluli&#39; materializoi Nicen qe, njeriu te cilit i pelqen te turperoj te tjeret eshte i keq. I perkeq. Dhe tejfatkeqesisht t&#39;a presesh nga nje intelektual dhe kreu i magazines se fondit te librave...</p><p>S&#39;jemi aspak tolerant, edhe pse e dijme qe toleranca rrjedh nga dyshimi, dhe te gjithe kane te drejte te dyshojne per te gjitha, si e vetmja mundesi sitjeje e kthjellimi, perderisa nuk jepen argumenta sipas mendjes se vet, poe zbrazen koshat e plehrave ne deren e &#39;kurbetciut&#39; qe guxoi t&#39;a shoh,flase e argumentoj ndryshe, solo e jo iso. Keqardhje dhe dhimbje per profesionistet intelektuale qe na kelthasin &#39; qielli eshte i zogjve, juve larg, eshte i xanum !&#39;...sepse&nbsp; ne kemi patur miqesi e leterkembime...</p><p>Autorja A.Spahiu ka te drejte, zakonet e vjetra nuk vdesin kollaj, ato vdesin bashke me bartesin...(edhe pse grahma e kalbezimit po ndihet)...</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by Diferenca, pa Moral (not verified) on

<p>Po te shmangim emrat, mbase kuptohemi me lehte!</p><p>Perderisa pranojme se ne Tirane ligjin e ka bere dhe po e ben politika, merret vesh qe</p><p>edhe elitaret jane mbeshtetur e investuar prej saj.</p><p>Perderisa pranohet se Tranzicioni shqiptar vazhdon si deshtim, autoresise se ketij deshtimi</p><p>nuk i shpeton dota as elita, nese mund te quajme te tille ata qe ftoheshin papushim per opinione,</p><p>shkrime opinionberes, kandidime postesh te rendesishem publike.</p><p>Per fat, Shqiperia u hap, te rinjte qe iken dhe hapen syte neper bote, kthejne kryet pas dhe gjejne</p><p>te njejtet emra (ne politike dhe kudo), te njejten fryme, te njejten dhune (fjale dhe pushteterimi),</p><p>dhe asnje mundesi te verifikojne vemendje ndaj asaj qe besojne se mund ta bejne ndryshe.</p><p>Mos harroni: pa llogaritur Ramiz Aline qe ishte i &quot;zgjedhur&quot; prej Enver Hoxhes, kane ikur tashme edhe</p><p>te dekretuarit prej Ramizit: Nano, Berisha, dhe Rama ndihmoi te iknin edhe ca krejt me te rinj ne politike.</p><p>&quot;Pushtetaret e Letrave dhe Vemendjes se Imponuar Pubilke&quot;, nga qe prej kesaj politike u investuan dhe u&nbsp;</p><p>promovuan, do duhet te verifikohen nga gjenerata qe vjen me mecenat Europen...</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Nga gjithe ky debat doli edhe njehere ne drite te diellit se perse regjimi islamokomunist i enver hoxhes ishte i tille, por edhe ku bazohej ky regjim qe mbijetoi aq gjate....Fakti qe enver hoxha sundoi aq tregon qe ky sundim u bazua nga shfrytezimi me zgjuarsi i ndarjeve te thella qe edhe sot egzistojne qe jane ato jug-veri dhe ndarhet fetare brenda veriut dhe kjo e fundit eshte baze per qeverisjen e jugorve, dhe shihet edhe sot nga polemikat e nje artikulli te vetem se ai sundim bazohej pikerisht nga aleanca ne mes komunisteve te jugut dhe islamisteve te veriut te cilet vetem nga urrejtja per katoliket kane pranuar te qeverisen shpesh here nga pakicat e ketij vendi. Vini re edhe sot ata pra myslmanet pranojne te sundohen nga pakica jugore kristjane vetem qe te largojne katoliken jozefine...nderkohe qe shkojne per te luftuar dhe per te zgjidhur ceshtjen e pushtetit ne siri....</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.