Lajme?
Eshtë ora ime e peferuar. Ora kur gjithë njerëzia mblidhet përpara kutisë së vogël (dikur e tillë se tani është pothuaj sa gjysma e murit) dhe dëgjon e shikon se çfarë ka ndodhur sot në këtë vendin tonë po sa një kutizë (ky ka ngelur kaq që në 1913; disa zëra të liq thonë që edhe mund të jetë tkurrur pakëz). Me buzëqeshje shikoj sesi folësi i lajmeve, i veshur me një kostum të zi që i rri pas trupit, hap gojën dhe nis të flasë. Unë pothuajse e di përmendësh sesi do të jenë lajmet edhe sot. Ai do të fillojë lajmin e parë për kryeministrin, domosdo. Në rastin më të mirë do të jetë një status ( jo ai i BE-së, atë ende s’e kemi bërë tonin) që ky i fundit ka shkruar në facebook. Lajmi i dytë do të vijojë me një status të një ish-kryeministri, ku i kthen përgjigje të parit. Në këtë lajmin e dytë do ketë disa nota ironie më të theksuara, dhe gazetari sikur e lexon më me qejf. Lajmi i tretë është disi më neutral, për një takim që kryetari i parlamentit ka bërë me të rinjtë e Universitetit X2 për disa çështje të etikës (po ky a nuk ishte ai që….shhhhhh). Mbyllet kapitulli i politikës së këtij vendi ku dhe sot mësova një HIÇ të madh nga lajmet. Nuk e di pse gjithnjë më gënjen mendja që kësaj here do të mësoj edhe gjëra pa vlerë nga lajmet. Të mësoj përshembull se për sa nga ato premtimet që na kanë dhënë gjatë fushatave partitë politike, po punohet ose janë plotësuar. A po pastrohet ajri në Tiranë apo më keq? A do jetë në rregull nesër transporti urban, apo trafik si gjithmonë? Këto gjërat e “vogla” politike do më interesonin më shumë se disa statuse facebook-u (unë nuk kam as facebook, mbrapa bote unë!).
Fillojmë me lajmet e një tjetër lloji, kronika, që mua më duket se po shoh një film të Hitchcock-ut. Lajmi është për një aksident automobilistik, por si gjithmonë përshkruar me detaje që vetëm gazetarët tanë dinë t’i gjejnë. Unë ua qaj hallin gazetarëve tanë të kronikës së zezë(emri duhet riparë: kronika dramë, aksion, thriller?), sepse ata janë më të zënët me punë. Ka një lajm çdo ditë, dy, tre. Gjithkush prej tyre mund të kishte shkruar libra pa fund, me histori vrasjesh e therjesh, dhe këtë e kuptoj nga mënyra sesi i shkruajnë edhe lajmet. Raportimi nuk është etik, objektiv, por atij gjithmonë i shtohet një tis tmerri, ku gazetarët nuk harrojnë të përshkruajnë sesi i ndjeri (një në rastin tonë, sepse ndodh shpesh të jenë edhe më shumë) në momentin e fundit kishte përshpëritur diçka, sesi kishte kthyer kokën majtas, se cili ishte mesazhi i fundit në facebook a telefon, sesi familja e vet e mori lajmin nga media (dhe kjo na thotë diçka me vlerë ). Shpesh harrojnë të përmendin ato që duhet, emrin, që është pothuajse gjithmonë një inicial (kjo, jo për arsye etike, por sepse nuk e kanë gjetur dot), shkakun e aksidentit që është pothuajse gjithmonë i njëjti (dyshja famëkeqe shpejtësi-alkool). Mendoj po pse e japin lajmin me kaq ngut, çfarë gëzimi kanë të thonë se dikush ka humbur jetën? Nuk presin dot dhe pak, të verifikojnë, të kontrrollojnë? Jo, se ndryshe e japin më parë stacionet e tjera me titra, bela! (Edhe pyetjet, edhe përgjigjet i bëj po unë me veten time, kurse këtë “bela”, e them se më kujton gjyshen).
Largohen dhe sekondat e fundit të lajmit të kronikës, ku gjithmonë është pamja e një njeriu të shtrirë përtokë dhe disa policë që flasin me radio -marrëse përreth tij. Unë kapërdihem, mendoj iku tmerri edhe për sot. Lajmi i radhës është nje lajm social. Sa mire, them me vete, se këta janë të rrallë. Zhgënjehem shpejt, sepse pjesa sociale e lajmit është vetëm termi “një takim për fëmijët në nevojë”. Gjithë pjesa tjetër tregon sesi një politikan i njohur, shkon në takim, iu buzëqesh fëmijëve, sigurohet që të jetë përpara kamerave duke përqafuar njërin prej tyre dhe kur merr miratimin e reporterit se e kapi pamjen që duhet, del po aty, në mes të sallës, në një konferencë për shtyp. Nuk shmang dot të shoh, sesi edhe fëmijët pas tij zihen kush të dalë më shumë në kamera. Fëmijët për të cilët nuk mora vesh asgjë, as cilët janë, as pse janë aty ku janë, as…asgjë. Pashë vetëm këtë politikanin që po hap gojën e flet, por që unë s’i dëgjoj dot asnjë fjalë, sepse s’më lënë ata fëmijët mbrapa, gjithmonë mbrapa.
Vijmë tek lajmet nga bota. Kjo pjesa është qejf, sepse këtu presim gjithmonë të konfirmojmë atë që mendojmë se dimë për vendin tonë: Me keq se tek ne nuk ka! Lajmi fillon me një luftë që duket se po plas diku në veri- lindje të kontinentit tonë. Paska edhe më keq? Çfarë zhgënjimi! Nuk le dot pa vëzhguar sesi kur flitet për shtetin që po sulmon, pamjet janë shumë të bukura, një varkë në një lum të madh (Moska?) e duket më tepër sikur lajmi është për një ftesë turistike, ndoshta gazetari ka marrë pamjet e gabuara nga interneti. Pastaj del për të dhënë një deklaratë sekretari amerikan i shtetit. Pamja që kanë gjetur është nga një foltore e cila mban datën Paris, 2004! M’u bë mendja lëmsh, nga lufta në Moskën me varka(!!!), pastaj në Amerikë e në fund në Parisin e para dhjetë vjetëve…
Ndërkohë që kam menduar të gjitha këto më sipër në një fraksion minuti,(sepse lajmet në të vërtetë sapo filluan) dëgjoj folësin të thotë: “Të nderuar teleshikues. Na vjen keq t’ju njoftojmë se për sot edicioni i lajmeve është anulluar. Gazetarët tanë në terren dhe në rrethe, nuk gjetën asnjë lajm interesant për të transmetuar ditën e sotme. Shpresoj që të rikthehemi sërish nesër, nëse arrijmë të gjejmë diçka me vlerë për t’ju informuar”. I paskam rënë në qafë me mendimet e mia të mbrapshta, këta janë profesionistë, nëse nuk ka informacione me vlerë për t’u transmetuar, nuk do të na stresonin kot, vetëm sepse duhet të mbushin një edicion lajmesh. E ndërsa bëhem gati të fik televizorin në një gjendje pothuajse të lumtur, dëgjoj folësin që në të vërtetë, ka filluar lajmet dhe përmend fjalët status, kryeministër, përgjigje, facebook.
E fik televizorin sepse këto lajmet sapo i pashë, në fakt i shoh çdo ditë, njësoj, asgjë nuk ndryshon!
Comments
Haha, e bukur! Por po më bën

Haha, e bukur! Por po më bën të mendohem a është faji i gazetarëve? Apo e kemi fajin ne publiku, që vdesim për lajme me statuse dhe me ironi idiote?

o zot sa aktual, shkrimi i

o zot sa aktual, shkrimi i pare qe me pelqen jashte mase per "lajmet" tona!

Shume i bukur

Shume i bukur materiali!realiteti i hidhur i vendit tone!

Shume i bukur materiali.

Shume i bukur materiali.

Une kam inat nje fakt tjeter:

Une kam inat nje fakt tjeter: psh kur ndodh nje aksident japin gjithmone targen (psh AA 123 xy).

Ketu ne evrope ku une jetoj asnje kronike se jep targen.

Material fantastik Emiljano.

Material fantastik Emiljano. Shume i goditur dhe mese real. Na duhen me shume materiale te tilla, nuk e di pse por ishte si zgjim por edhe si ngushellim deri diku. BRAVO :)

Pergezime Emiljano per kete

Pergezime Emiljano per kete shkrim kaq real e vezhgim te holle! Ndoshta nga qe te njoh, pata fatin te shijoj me shume sensin e humorit tend te natyrshem, por qe ne kete shkrim godet fort me ironi therrese fakte reale dhe ....me duket sikur degjoj thirrjen tende 'Presim Ndryshim'!!!

Pergezime Emiljano per kete

Pergezime Emiljano per kete shkrim real e vezhgim te holle! Ndoshta nga qe te njoh, pata fatin te shijoj me shume sensin e humorit tend te natyrshem, por qe ne kete shkrim godet fort me ironi therrese fakte reale dhe ....me duket sikur degjoj thirrjen tende 'Presim Ndryshim'!!!

Te lumte dora... :)

Te lumte dora... :)

Nje super bravo nga ana ime

Nje super bravo nga ana ime ! Shkrim i shkelqyer dhe shume realist.

Bravoooooo. Me pelqeu shume

Bravoooooo. Me pelqeu shume

Add new comment