Për çfarë flasim, kur flasim për neve*

Postuar në 23 Janar, 2014 04:24
Beqë Cufaj

Më lejoni që qysh në fillim, paksa i zënë ngusht, për të mos thënë i turpëruar, ta pranoj që titulli i kësaj trajtese nuk është më origjinali. Ose thënë edhe më saktë, aludon në dy tituj librash të dy autorëve që shumica prej jush me siguri i keni lexuar apo së paku keni dëgjuar për ta. Së pari, fjala është për tregimtarin amerikan, ndoshta më të madhin që njerëzimi ka patur pas Çehovit, Raymond Carverin, i cili në librin e tij “Për çfarë flasim, kur flasim për dashurinë“, përmes një gjuhe krejt të thjeshtë, në një jetë bashkëshortore, lagje, familje, shtrat vdekjeje, ëmbëltore, katedrale, autobus, kazino, tren, autobus, ekzil, atdhe e ku jo tjetër kap dramat njerëzore të shekullit të kaluar. Aludimi i dytë ka të bëjë me mikun dhe përkthyesin e tij nga anglishtja amerikane në japonishte, sot po një nga autorët më të lexuar të njerëzimit, japonezin Haruki Murakami dhe librin e tij me ese: “Për çfarë flasim, kur flasim për vrapimin“. Bazuar në këta dy tituj të këtyre dy librave të këtyre dy autorëve në mënyrë gadi se spontane, por për për këtë në një situatë jetësore krejt të veçantë, vendosa që moto të kësaj fjale, këtij teksti ta titulloj kështu siç e kam titulluar. E pranoj, sërish, paksa i turpëruar dhe zënë ngusht, e kisha bërë pa patur as më të voglën ide se çfarë do t’ju tregoj këtu. Për veten time dhe me këtë edhe neve. Sepse, siç portugezi Fernando Pessoa na mëson, secili prej nesh, nuk është vetëm një. Por brenda nesh ekzistojnë disa unë-a. Jo domosdoshmërisht më të mirët. Apo anasjelltas.

Duke provuar që menjëherë të heqi dorë nga teorizimet e aq më tepër moralizimet do provoj që të bëj punën, e cila ndoshta është e vetmja që mund ta bëj: të rrëfej. Gjithnjë i vetëdijshëm që do të dështoj. E dini edhe vet: e tëra varet nga ajo se në çfarë mase njeriu dështon. Sa më shumë aq më mirë. Sa më pak aq më keq.

Nëse do të lija anash disa lexime nga romani im i fundit që kam mbajtur vitin e kaluar në Gjermani, Austri e Zvicër, është kjo hera e parë pas plot një viti që shkruaj dhe që atë e prezantoj para një publiku të gjerë. Dhe kjo vlen si në gjermanisht- gjuhën time të dytë, ashtu edhe shqip- gjuhën time të parë, gjuhën amtare. Kjo s’don të thotë që nuk kam shkruar. Përkundrazi. Duke u tërhequr tërësisht nga jeta publike, qoftë në Gjermani ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri dhe përgjithësisht, Ballkan, dhe me këtë edhe duke hyrë në rreziqe që kanë të bëjnë me përgjegjësinë që për një prind dhe bashkëshort janë të vetkuptushme, ulur në tavolinën e punës në Stuttgart nuk jam ndalur për muaj e muaj të tërë. Duke dështuar në çdo drejtim të mundshëm. Pa një rezultat të kënaqshëm dhe me këtë edhe me rrezikun e vazhdimit të sprovës së mëtejshme të po të njejtës mënyrë të jetesës. Ajo që dua të them: të jesh artist, dhe sidomos të jesh shkrimtar, duhet të jetë një çmenduri e sojit të vet. Sidomos në kohën që po e jetojmë. E di që edhe shumë kolege e kolegë e kanë thënë po të njejtën gjë. Në kohëra e rrethana të ndryshme. Por ja që kjo vlen sidomos në kohën që po e jetojmë. E dini edhe vet, para jo më pak se një dekade, si shekuj e shekuj më parë, të jesh krijues, ka qenë përpos një mallkimi, edhe një privilegj. Sot, secili prej nesh këtu është një artist dhe shkrimtar. Piktor e muzikant. Duke iu falenderuar kohës që e jetojmë, në tryeza pune, nga smartphone-ët dhe laptopët tuaj, mund ta shkruani një poezi, tregim a roman... mund të fotografoni, dizajnoni, këndoni, pikturoni e krijoni. Dhe atë ta hedhni në rrjetin virtual- facebook, twitter, youtube a dikund tjetër ku pos të afërmve e miqve edhe mijëra e mijëra tjerë mund të jenë të interesuar për atë punë e cila mund të mbetet në suaza të rrethit të ngushtë. Por nganjëherë në mënyrë krejt të papritur mund të shkaktojë sukses me të cilin askush më parë nuk do të kishte mundur të llogariste. Thënë ndryshe, nëse Max Brod nuk dogji manuskriptet e Franz Kafkës apo nëse arkat e mbushura me dorëshkrime të Fernando Pessoa-s pritën disa dekada për t’u zbuluar dhe me këtë edhe përjetësuar, sot, koha në të cilën jetojmë jo vetëm që ka hapur një etapë të re të mënyrës së të jetuarit, por është gati se frikësuese mosdija, dilema se çfarë do të vije prej saj. Jetohet shpejt. Harrohet edhe më shpejt. Dhe shpikjet e teknologjisë së re, me të gjithë përparimin që sjellin në të njejtën kohë bartin edhe rrezikun e të papriturave, të cilat mëpas do të jenë lehtë të kontrollueshme. Mirëpo, për këtë më vonë. Sepse dua t’ju tregoj për një përvojë që për rrafsh një muaj- dhe atë muajin e fundit të jetës sime, kam përjetuar.

Para rrafsh një muaji, me 21 Dhjetor të vitit 2013, duke iu falenderuar josuksesit për të shkruar dhe prodhuar nga tryeza e punës, më duket të ketë qenë e shtunë apo e dielë, s’më kujtohet saktësisht, mora valixhen dhe me tren lash Stuttgartin. Për të provuar të shoh ato për të cilat shkruaja dhe nuk i kisha parë. Ose që më duheshin t’i shihja..... me TGV u nisa drejt Parisit dhe prej aty, pa ndaluar fare, pash veten në Normandi. Kalova një natë dhe një ditë në atë vend ku mijëra e mijëra, të rinj, prindër, djemë e vajza kombesh të mëdha të Evropës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa patur nevojë t’i përmendi këtu me dhe si nacionalitete, apo pa patur nevojë këtu të tregoj se kush ishin pushtuesit dhe kush çlirimtarët, para gati 60 vitesh për vetëm disa muaj, vranë njëri- tjetrin në mënyrën më mizore të mundshme duke bërë kështu bregdetin e njërës prej pjesëve më të bukura të Evropës në një varr të madh masiv, ku njeriu nuk ka si të mos kërkojë arsyen e cila nuk ka arsye, logjikën e cila nuk ka logjikë, ideologjinë e cila nuk ka ideologji por edhe ndjenjën e mbushur plot frikë e keqardhje, trishtim e mallkim, për atë varr të madh i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore bëri që miliona e miliona njerëz të përfundojnë në varreza anëkënd Evropës. Pa gjetur një shpjegim të shëndoshë për marrëzitë kolektive të cilat njeriun e bëjnë që të duket shumë më shumë dhe shumë më keq sesa kafsha. Me logjikë milionash. Me matematikë rrënqethëse. Të jetë vallë njeriu dhe të jetë vallë njerëzimi i predestinuar për potencialin e madh vetshkatërrues duke tejkaluar çdo logjikë ideologjie e manipulimi të masave? Për të gjitha këto e pyesja veten derisa nga Normandia udhëtoja drejt Waterloo-s në Belgjikë. Kur shihja atë shtëpizë, ku Napoleoni, ende shpresonte në fitore? Cilën fitore? Atë që edhe sot e kësaj dite mund të quhet si një prej humbjeve më të mëdha të njerëzimit. Ku edhe sot e kësaj dite fshatarët belgë, kur duan të ngrejnë themelet e një shtëpie gjejnë eshtra ushtarësh të vrarë para një shekulli e gjysmë. Dhe përkundër përparimit të shkencave forenzike, vështirë se mund të bëhet një deshifrim i saktë nëse ata njerëz ishin francezë, gjermanë, belgë, rusë, austriakë apo ndoshta edhe mercenarë ballkanikë! E njejta gjë mund të thuhet edhe për masakrën e madhe të Leipzigut... prej nga me mund të madh arrita të shkoja në Austri. Duke anashkaluar Stuttgartin! Nuk e di as vet pse. Ose e di pse. Doja që thjesht, pa virtualitet (internet) dhe mobilitet (dhe me këtë edhe kontakte mëse të reduktuara) të prekesha me të kaluarën. Shtegu i udhëtimit tim më solli në Varrezat Qendrore të Vjenës. Papritmas lexova emrin e një mikeshe prominente e cila duhet t’i ketë mbërritur të 80-tat dhe të cilën s’e kam parë tash disa vjet. Kur lexova emrin e saj mendova që kishte vdekur. Por jo. Zonja në fjalë, një hebraike e njohur, e cila edhe pse e gjallë, i kishte bërë vendin vetes- me shënimin e datës së lindjes. Vdekja do t’i vie dhe në çastin kur do të pushojë pranë bashkëshortitit të saj, njërit prej figurave më prominente të publicistikës e politikës austriake, edhe asaj do t’i shtohet edhe data e vdekjes së saj. Këso radhe dhe për dallim nga prindërit, motrat e vëllezërit e saj, ajo do të pushojë e qetë dhe nuk do të bëhet shkrumb e hi për hir të një ideologjie çmendurake. T’i kenë parashikuar Brahms-i me kolegët e tjerë që pushonin aty, me tingujt e tyre gjithë dramat që njerëzimin do ta prisnin në shekullin e fundit? Nga varrezat qendrore përmes atyre të të panjohurve, herë me tren e herë me autobus, herë me këmbë e herë me autostop pashë veten në Bosnje e Hercegovinë. Sarajevë. Aty ku para 100 vitesh filloi Lufta e Parë Botërore- Masakra e parë e shekullit të kaluar. Dhe ku po në të njejtin vend, këso radhe në suaza “rajonale” u mbyll çdo gjë po me masakër ndëretnike. Në njërën prej njollave të mëdha të Europës së re. Ku para vetëm 19 vitesh, e përsëris, vetëm 19 vitesh, me “bekimin dhe lejen” e helmetave blu holandeze, dhe me këtë edhe evropiane, brenda 48 orësh, u vranë dhe masakruan as më pak e as më shumë se 8000 fëmijë, burra dhe pleq. Vetëm pse ishin të një nacionaliteti i cili ishte më i ligësht sesa tjetri. Pra, serbët e komanduar nga Milosheviqi, Karaxhiqi e Mladiqi masakruan muslimanët e paarmatosur dhe civilë dhe mëpas i varrosën së bashku që të fshihnin gjurmët e krimit të tyre. Srebrenica e fundvitit të trishtë i ngjante një vendi ku vdekja ndjehet në tokë, qiell, lisa, shkurre, shtëpi, rrugë, sheshe të vogla, fusha e male. Dhe sidomos në fytyrat e vrenjtura, thellësisht të palumtura- edhe të serbëve edhe të muslimanëve. Prej atij vendi nuk është larg Serbia në të cilën u futa aq lehtë. Dhe këtu duhet të bëj një digresion. Falë nënshtetësisë dhe pasaportës gjermane, me një fjalë, falë të qenurit gjerman (edhe pse me emër e mbiemër shqiptar nga Kosova) njeriu mund të lëvizë lirshëm pa pasur frikën që do të mund ndalohet apo keqtrajtohet si një armik i cili gjatë luftës së fundit të Kosovës në vitin 1999 do të mund të konsiderohej një „terrorist“, i cili kishte luftuar forcat serbe të regjimit të Milosheviqit, regjim ky i cili ishte përgjegjës për luftën më të përgjakshme në Evropën  e pasluftës së Dytë Botërore për një dekadë me radhë. Luftë kjo plagët e së cilës ende nuk janë mbyllur.

Sidomos Serbia është vendi ku nuk kam si të mos ndalem. Në Novi Sad dhe Novi Becej të Vojvodinës por edhe Beograd dhe Rashkë. Dua ta shoh vendin ku edhe sot e kësaj dite nuk e di ku janë eshtrat e gjyshit tim të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai im dhe dy vëllezërit e tij tashmë nuk jetojnë. Kurrë nuk kishin mundur ta sqaronin nëse vrasja e tij ishte kryer gjatë ofansivës së fundit të partizanëve kundër nazistëve dhe kolaboratorëve të tyre (në mesin e të cilëve thuhej të kishte qenë edhe gjyshi im). Dhe kurrë nuk kishin mundur t’ia gjejnë varrin. Doja që më në fund, pas Luftës së Dytë dhe Luftës së Fundit të viteve 90-ta, tashmë i “veshur” me pasaportë gjermane, të shihja atë vend ku sipas gjasave duhej të ishin eshtrat e tij. Pa edhe shpresën më të vogël që do të mund të zbuloja diçka. Dhe me përsëritjen, për të mos i thënë ndryshe, që edhe pesëmbëdhjetë vjet më pas, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të zhdukur trupat e më shumë se 1000 shqiptarëve, civilë të Kosovës të cilët ashtu të masakruar u transportuan në Serbi dhe u futën në kamioneta e frigoriferë dhe u fundosën në lumin Sava, edhe u varrosën përfundi rrugëve mbi të cilat sot është asfalt dhe sot qarkullojnë makinat e udhëtarëve nga Serbia, Ballkani dhe Evropa. Rasti i fundit është ai i qytetit jugor të Serbisë, Rashka ku në dhjetor të vitit të kaluar u zbuluan trupat e dhjetëra shqiptarëve mbi të cilët çdo minutë kalon nga një makinë me shpejtësi prej 60 km në orë.

E marr me mend: në këtë çast dikush mund të pyes veten, çfarë e shtyen këtë njeri të tregojë këso historish të trishta të cilat e kanë katandisur të kalojë mes përmes Evropës! Nga Normandia e Francës përmes Belgjikës, Gjermanisë, Austrisë, Ballkanit dhe deri tek rrëfimi i trishtë për gjyshin e tij dhe trupat e mijëra të të zhdukurve të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë një brengë e madhe, e freskët, e paaimagjinueshme... për ta. Dhe para së gjithash ai apo ajo dikush mund të thotë çfarë ka të bëjë tërë kjo me Stuttgartin? Them që shumëçka. Derisa provoj të mbledh vetëm kujtimet e shpejta të këtij udhëtimi të gjatë, dërrmues deri në palcë, ulur në një apartament të rregulluar me stil evropian në katin e 10 të një ndërtese të re në mes të kryeqytetit të shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës, para vetes më dalin dy gjëra. Udhëtimi disa ditor në çdo cep të këtij vendi dhe Stuttgarti. Plagët ende të hapura nga lufta e fundit e Kosovës në të cilën vdiqën mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, marshimi i trupave ushtarake të NATO-s, ku për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore pjesë qoftë e sulmeve ushtarake kundër trupave të Milosheviqit ashtu edhe e marshimit të këmbësorisë pas dorëzimit të këtij të fundit ishte edhe Bundeswehr-i gjerman. Edhe pas „kurrë më!“ pra, ne gjermanët u futëm në një luftë të re- këso radhe si pjesë e një aleance të re, aleancës e cila në Luftën e Dytë Botërore ishte kundërshtare e nazizmit. Dhe kjo pas bashkimit të Gjermanisë, bashkim ky i cili vetëm 9 vite mëpas, pra në vitin 1999 me angazhimin e koalicionit të atëhershëm kuq- gjelbër, vinte në pah rritjen e përgjegjësisë së Bundesrepublik-ës në çdo fushë dhe në çdo drejtim. Bashkim ky i cili sot, dy dekada e gjysmë mëpas jo vetëm e bën Evropën Evropë por edhe të paimagjinueshme pa rolin dhe fuqinë gjermane. Sa e gëzueshme aq edhe e frikshme. Sepse në pah dalin sërish remineshencat e vjetra të fuqisë së tepërt gjermane në Kontinentin e vjetër dhe përtej tij. Imazhi i dytë që më del parasysh është ai i një Gjermanie, një Stuttgarti në vitet 50 të shekullit të kaluar. Të ketë patur të çmendur si vegjëlia ime të cilët kishin kohën dhe forcën, që nga dëshpërimi të kërkonin të pamundurën: gjetjen e arsyes për të keqen në njeriun dhe njerëzimin kur të rinjë të pafajshëm vdesin sepse dikush u thotë, i urdhëron të shëndërrohen në vrasës duke mbetur kështu fushave të pafundme të Evropës. Për shekuj me radhë.

Të gjitha këto i mendoj dhe para vetes kam një panoramë të kryqytetit të shtetit të Kosovës, Prishtinës, ku kam kaluar gjysmën e parë të jetës sime. Në fakt, jeta ime prej dy gjysmash, 24 vite  në Kosovë dhe gadi 20 vite në Gjermani më japin pothuajse të drejtën edhe kohore edhe fizike të ndjehem si një person i dyzuar. Njëra gjysmë i takon njërit vend gjysma tjetër vendit tjetër. Pa njërën nuk mundet tjetra. Peshë e dyfishtë e cila rëndon sa herë që njëra shkel mbi tjetrën. Në Gjermani dhe Evropë, jo rrallë provoj ta praktikoj edhe shprehjen që nuk jam vetëm shqiptar i Kosovës por edhe ballkanas. Ballkanas në kuptimin e plotë të fjalës i cili poaq ndjehet edhe gjerman. Koha të cilën e jetojmë nuk është edhe aq e vështirë saqë njeriu të ndjehet nga të dyjat ngapak. Dhe kjo ngjet duke iu falënderuar edukatës së vendit prej nga vij. Por edhe, dhe këtë duhet ta pranoj, traumave të luftërave të përjetuara në vitet 90-ta. Thënë edhe më ndryshe, sa herë që jam në Kosovë, nuk ka si të mos e ndjej veten si një gjerman i cili nuk e shikon këtë vend gjysmë të shkatërruar dhe gjysmë të ndërtuar, gjysmë të plagosur dhe gjysmë të shëruar, gjysmë të traumatizuar dhe gjysmë të stërtraumatizuar, gjysmë të varfër dhe gjysmë të stërvarfër, gjysmë të dekolonializuar dhe gjysmë të korruptuar, gjysmë me perspektivë evropiane dhe gjysmë me realitet turk, gjysmë mysliman dhe 20 përqind kristian... gjysmë të anëtarësuar në familjen e OKB-së dhe gjysmë me perspektivë për njohje të reja. Kosova, vendi prej nga vij, vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, një dekadë e gjysmë prej çlirimit një prej laboratoreve të çuditshëm të fuqive të mëdha ku bëhen projeksione nga më të çuditshmet. Amerikanët pas luftës kishin ndërtuar bazën më të madhe ushtarake prej pas Luftës së Dytë Botërore. OKB-ja kishte ndërtuar misionin më të madh të saj prej formimit- ekzistencës së saj dhe BE-ja sot ka sot misionin e saj më të madh ndërkombëtar prejse ekziston si BE. Asnjë prej tyre nuk kanë përmbushur qëllimet e punës së tyre. Sepse Kosova vazhdon të jetë vend me një shtrirje jo të plotë të sovranitetit në territorin e saj. Sepse Kosova vazhdon të jetë vend që nuk është anëtar i OKB-së. Sepse qytetarët e Kosovës edhe pse kanë misionin më të madh në historinë e BE-së, janë të vetmit në kontinent të cilët nuk munden, nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së. Detyrë kjo të cilën BE-ja tash 8 vite me praninë e saj do të duhej ta kishte përmbushur por çdo ditë e më tepër shihet që jo vetëm se është duke dështuar, por ne, si pagues të tatimit për këta njerëz nuk e kemi as idenë më të vogël se çfarë këta njerëz bëjnë në atë vend. Një version „light“ i neokolonializmit. Një marrëzi e cila nëse mëparë mund t’u mvishej francezëve në Algjeri, britanikëve në Indi apo edhe gjermanëve në Afrikë... në Kosovë... ka gjetur vend që në formë të një bashkimi të kombeve të mëdha, shprehet në mënyrën e saj më bizare. Një „bashkësi ndërkombëtare“ e cila nuk është për të zgjedhur probleme por është bërë pjesë e problemit. Duke provuar të ndërmjetësojë në konfliktet e pazgjidhura me Serbinë- nga pjesa veriore e Kosovës deri tek personat e zhdukur apo siç me zhargonin e tyre quhet „missing persons“.

Të mos keqkuptohemi: ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare, dhe me këtë edhe yni si tatimpagues, ka qenë i madh për të mos thënë jetik. Pa harruar këtu realitetin therës që rreth 70 përqind e ndihmave tona janë kthyer dhe kthehen në vendin e origjinës. Xhepat e ndihmaçarëve ndërkombëtarë. Kjo nuk vlen vetëm për vende të pasluftës si Kosova apo Bosnja e Hercegovina, por edhe për një Haiti e rajone të goditura nga katastrofa tjera natyrore. Kjo gjë duhet ndryshuar. Nuk guxojmë kurrë të mendojmë që si gjermanë dhe evropianë, si civilizim perëndimor, po ndihmojmë dhe me këtë bindemi që ndihma jonë ka arritur në vendin e duhur. Të kujtojmë këtu paksa për Evropën dhe konkretisht Gjermaninë e pasluftës. Fakt është që ishin gjermanët ata që humbën luftën por poaq është fakt që ishin gratë dhe burrat gjermanë ata që rindërtuan këtë vend dhe e bënë ky që është! Apo të kujtoj këtu gratë legjendare të këtij vendi ku po flas me të cilat jo vetëm që krenohemi ne por edhe janë model i organizimit të rrejeteve të organizatave botërore në tërë globin tokësor! Shërbejnë për studime historike e sociologjike dhe modele moderne të organizimit lagje për lagje, fshat për fshat, qytet për qytet!

Duke mos u ndalur të mendoj për dy vendet e mia, dy qeniet brenda një trupi, nuk kam si të mos ndjehem i trishtuar. Kur shikoj këtë vend- Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës: të betonuar, korruptuar, kriminalizuar dhe pa shpresën më të vogël që shpejt do të dilet nga kjo gjendje pothuajse depresive. Me një gri dimri të të cilit do t’i shkonin përshtati vetëm imazhet filmike të një polaku me emrin Krishtof Kishlovski.

Duke lënë anash rezignimin dhe për të treguar se çfarë don të thotë të jetosh në Prishtinë është kjo skenë: nëse në Stuttgart- Degerloch nevrikosem (sepse duhet të blej për shtëpi) kur një zonjë plakë (e cila me siguri ka një jetë tërë që jeton në Loewenstrasse dhe ka përjetuar të gjitha trishtimet e sipërpërmendura!) don të bisedojë pak me shitësen në një furrë buke (baeckerei) apo atë të Lidle-it, në Prishtinë, po një plakë, duhet të durojë qarjen e nipit të saj, sepse në xhepa ka vetëm pesë euro kurse shuma që duhet ta paguajë është 5 euro e 70 cent. 70 cent kushton një lëng portokalli të cilin ajo duhet ta sakrifikojë për qumështin që është më i nevojshëm. I duhet për tërë familjen! Të ndjehem i lumtur që me 70 centët që në atë çast jap për lëngun e  portokallit dhe me këtë edhe ndali vajin e një fëmiu? Aspak. Përkundrazi. Sepse ai fëmijë do qajë edhe mëtej dhe rritja e tij me ato vështirësi duhet të jetë dhe në fakt është paralajmërimi më i madh se në çfarë gjendjeje është ai vend. Të jemi, ne, si qytetarë të hemisferës së, ja po themi, pasanikëve, të lumtur që ndihmojmë në format më të mundshme të ndryshme pjesët e pazhvilluara jo vetëm të Ballkanit- i cili është në Europë dhe është porta e parë e Turqisë drejt Evropës, të jemi të lumtur pra që japim lëmoshë për vende në zhvillim apo në gjendje të vështirë. Po rrijmë tek Kosova. Është vendi i vetëm në Evropë, i cili pikërisht në pjesën veriore, ku vazhdon të ketë konflikt të ngrirë mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe ku të mëdhenjtë e Evropës dhe SHBA-të më në krye Qeverinë gjermane në mënyrë intensive vazhdojnë të ndërmjetësojnë për zgjidhje paqësore të këtij konflikti territorial? Të jetë vetëm urrejta ndëretnike mes serbëve e shqiptarëve ajo që po len si Serbinë ashtu edhe Kosovën në pat pozicion në rreth 15 përqind të territorit të saj? Natyrisht që jo. Kjo pjesë e Kosovës ka diçka që nuk e ka asnjë shtet i Evropës. E kanë vetëm Kina si dhe Rusia e Afrika pjesërisht. Të gjitha këto shtete të mëdha që po „ndërmjetësojnë“ në konfliktin ndëretnik flasin për paqen por në mendje kanë diçka tjetër. Pasurinë nëntokësore dhe sidomos xehen që e quajnë „Elementet (toka) e rrallë“. Ta precizojmë: toka e rrallë dhe pasuritë tjera të vendit më të varfër të Evropës, do t’i japin njërit prej shteteve të mëdha të Evropës monopolin në 200- 300 vitet që vijnë në prodhimin e teknologjisë moderne të chip—ëve dhe IT-së në kontinentin tonë!

Si një njeri dhe autor me predestinimin për stërzmadhim, me gjene ballkanike për teori konspiracioni por në të njejtën kohë edhe me qasjen e ftohtë, realiste dhe gjermane, marr guximin të them që: si suksese të mëdha të angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare – OKB-së, OSBE-së, BE-së, në vendin tim do t’i numëroja disa gjëra: sigurinë fizike. Me fjalë të tjera: Kosova është një vend i sigurtë, shumë më i sigurtë sesa Kreuzberg i Berlinit. Pastaj vie gastronomia. Ushqimi në këtë vend mund të krahasohet me Festle të Stuttgartit bile do të shkoja edhe më larg që me shumë më pak para restoranet dhe kuzhina e Kosovës plotësojnë dhe jo rrallë tejkalojnë vende me renome në Stuttgart e më gjerë. Dhe fare në fund vie interneti dhe telefonia. Sipas të dhënave të fundit të UNDP-së, në Kosovë shërbehen rreth 78 përqind e popullsisë me internet. Edhe në fshatrat më të thella të vendit, njerëzit kanë wireles dhe tv kabllor i cili për shumë më pak para, falë edhe pushtimit mediatik të Shqipërisë së ndikuar nga Italia, është pakrahasueshëm më argëtues sesa Dieter Bohlen-ët apo Stefan Raabët tanë në Gjermani! Futboll ka por duke iu falenderuar mosanëtarësimit në OKB, as reprezantcioni i Kosovës e lëre më klubet nuk mund të luajnë as me Stuttgart Kickers e lëre më me Vfb! Kultura në pjesët urbane është mëse e zhvilluar dhe sidomos ajo e underground-it, muzikës, arteve pamore dhe filmave të metrazhit të shkurtër, e cila në formën e saj të veçantë shpreh protestën e saj ndaj gjendjes së rëndë në çdo fushë të jetës. Ka edhe letërsi. Por për letërsinë e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi pra edhe në Shqipëri (puna e artit dhe letërsisë i ngjet asaj të Austrisë dhe Gjermanisë- kemi një gjuhë unike, vetëm se përmasat janë shumë të vogla) nuk shprehem kurrë. Nuk përzihem sepse kam përvetësuar thënien e mjeshtrit të madh Franz Kafkës: „Kulturat e vogla, kultura grindavece!“. Me një fjalë, si autor, kam provuar gjithnjë t’u iki prezantimeve dhe leximeve publike në vendin, në gjuhën e të cilit shkruaj sepse thjesht nuk ndjehem mirë dhe kam thjesht frikën, për të mos e quajtur ndryshe, që mund të turpërohem sepse njerëzit, kolegët, kanë halle dhe probleme tjera me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre e cila është sa intensive aq edhe e ngarkuar për t’u siguruar me sa më shumë punë dhe poaq më tepër para. Thënë edhe më ndryshe, nëse politika, qeveria por edhe opozita e Kosovës është e korruptuar, gjë kjo për të cilën raportohet gjithandej, poaq të korruptuara janë edhe elitat akademike, mediale, artistike e çka jo tjetër! Secili është në shërbim të tjetrit dhe njeriu nuk e merr vesh kush me kënd është apo kush kundër kujt. Shpresat për lëvizje të mëdha intelektuale, personalitete me profil të cilat do të mund të ngrisnin zërin për të ndalur zhvillimet e mbrapshta janë të barabarta pothuajse me zero. Sepse peshku jo vetëm që është kalbur në kokë (që i bie qeveria) por e njejta gjë vlen edhe për krejt trupin dhe situata është aq e keqe sa derisa shënoj këta rreshta dikush mund të pyetet: po çfarë bën ky njeri atje? Apo anasjelltas, po pse nuk provon ky njeri të ndihmojë më shumë që të ndryshojë gjendja? Them që të dyja pyetjet do të duhej të ishin me vend derisa ia parashtroj vetes. Por në të njejtën kohë them që është mëse logjike që duhet shumë më shumë kohë, mund, djersë, ballafaqim me realitetin dhe vetveten në mënyrë që ngjajnë ndryshimet e domosdoshme. Sepse nuk është vetëm Kosova e korruptuar, por tërë rajoni i cili dikur kishte mëse 22 milion banorë dhe vetëm 9 milion prej tyre (Sllovenia e Kroacia) kanë arritur të anëtarësohen në BE. Tjerat vende- Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia si dhe Shqipëria  duhet që para së gjithash të fillojnë ta ndalin dhe mëpas edhe luftojnë këtë të keqe të madhe, e cila do t’u hapte rrugën për të qenë pjesë e familjes sonë, familjes evropiane.

Mbase pozita prej së cilës flas është shumë komode. Në shikim të parë. Por në thelb, ky komoditet ka një dhembje të madhe për gjendjen e rëndë të të gjitha këtyre shteteteve dhe sidomos Kosovës, sepse përgjegjësia jonë, si gjermanë dhe evropianë është e madhe pasi që këtë vend, në vitin 1999 rajon, dhe nga viti 2008 shtet e kemi ndihmuar të çlirohet, ndihmohet dhe shpallet shtet! Të gjithë ata që e kuptojnë se çfarë don të thotë të jesh pjestar i dy kombeve (me apo pa dyshtetësinë!) mund ta ndiejnë edhe peshën e përgjegjësisë në dhe për ndihmën e mëtejshme në demokratizim dhe ndërtim të shtetit të së drejtës për këtë bebe ende në inkubator. Apo laborator. Ta merr kush si të dojë.

E marr me mend që si pasojë e udhëtimit tim të gjatë, për të folur me Murakamin, vrapimit, nuk kam si të mos ndalem tek, për të folur me Carverin, dashurinë time. Dhe s’ka dyshim që dashuria ime është Stuttgarti. Çdo pjesë e tij dhe çdo e mirë apo e keqe e tij. Ajo çfarë në Stuttgart dhe në këtë pjesë të tij më pëlqen janë njerëzit. Të të secilit nacionalitet apo prejardhje. E di që nuk është e lehtë të duhen njerëzit që s’i njeh. Për këtë kam edhe një rrëfim origjinal. Menjëherë pas luftës, në një udhëtim të gjatë dhe mundimshëm me një koleg gjermnan me të cilin kishim punuar rreth 2 muaj për një dosje për revistën Die Zeit... mes tjerash, duke më dëgjuar sesi i flisja për shqiptarët... ai më tha: „Unë të kuptoj fare mirë që t‘i mund t’i duash 2 milion shqiptarët tu... por ma thuaj a nuk do të ishte paksa e mundimshme që unë t’i dua 80 milionët gjermanët e mi!“. Sot, 10 vite pas asaj pune të mundimshme në atë dosje, them e kam të vështirë t’i dua 80 milion gjermanët plus 2 milion shqiptarët e mi. Prandaj më mirë Stuttgartin. Kjo më sjell tek ideja, për të mos thënë edhe konkluza, që njeriu duhet ta dojë atë që ka pranë. Respekti, mirësjellja, kultura që ekziston mes bashkëqytarëve në një lagje, fshat a qytet në fakt pasqyron edhe kulturën dhe gjendjen e një shoqërie të tërë. Përkundër krejt streseve ditore dhe kontradiktave që koha që jetojmë është mëse e shpejtë, si gjermanë që jemi duhet të jemi mëse krenarë që sot jemi siç jemi. Që bota ka një respekt të jashtëzakonshëm për Gjermaninë dhe gjermanët. Vetëm fakti sesi modeli gjerman është një prej më të lakmuarve në rruzullin tokësor, përkundër paragjykimeve apo smirave me krejt keqkuptimet e mundshme apo pamundshme, dallimet e brendshme partiake (kush don ta vulos këtë sukses?!) them që është virtyti gjerman i punës, ballfaqimit me të kaluarën e tmerrshme dhe gatishmërisë për ndihmë në vende e kontinente tjera ai që ka bërë të jemi siç jemi. Natyrisht që kur flas prej kësaj pozite shumëkush mund ta tund kryet dhe vën në llupë këtë konstatim. Por ja që të gjithë parametrat e vendosin këtë shtet dhe sidomos rajonin tonë në parametrat e prej më të zhvilluarve, sigurtëve, arsimuarve, integruarve (sa i përket politikës me të huajt) etj. etj. E them këtë edhe për një fakt: sepse në gati 20 vjet që kam jetuar në Bundesrepublik-ë them ta kem parë këtë vend të madh dhe mrekullueshëm nga Meckplenburg Vorpomon (për fat të keq jo edhe Sylt-in!) deri në Berchtesgaden dhe Koenigsee! Dhe kjo gjendje kaq e mirë nuk më jep të drejtë të mendoj në mençurinë e nënave hebreje që „kur je më së miri fillo të qash sespe tash fillojnë të këqiat!“. Ka edhe shumë punë për t’u bërë dhe ka shumë rreziqe që jo vetëm ne këtu në Stuttgart na presin duke filluar nga ndryshimet klimatike si pasojë e zhvillimit të shpejtë industrial, përmes rreziqeve nga terrorizmi dhe deri tek kollapset e mundshme financiare, të cilat natyrisht që do të mund të shembnin çdo gjë si një piramidë kartoni! Kjo frikë mbretëron tek secili prej nesh dhe si qytetarë të këtij vendi jo vetëm që e kemi për detyrë por edhe duhet të punojmë të bëjmë presion tek çdo parti e qeveri që të përkujdesemi për ambientin, punojmë më shumë në parandalimin e terrorizmit- dhe atë duke ndihmuar shtetet që kalojnë procese të rënda transicioni si dhe që të kihet parasysh që fituesit e mëdha të parave të japin pak më shumë për shtetin dhe me këtë edhe shtresat e brishta sociale. Duke filluar të ndjej rrezikun e marrjes së rolit të predikuesit më duhet të ndalem këtu dhe të them që nderi që ky qytet, në të cilin me ndërprerje jetoj tashmë 20 vite, asnjëherë nuk më ka dëshpëruar. Edhe kur kam kaluar faza të vështira jetësore të cilat janë ndërlidhur me luftën e viteve 90-ta, apo edhe heshtjet e mëdha e gjata krijuese, mungesat si kjo e fundit prej mëse një muaji, Stuttgarti im asnjëherë nuk ma ka kthyer shpinën. Pa ditur as vet pse dhe si stacioni i fundit i çdo lëvizjeje apo edhe projeksioni se ku mund të shpëtoj a gjej prehjen: fizikisht, shpirtërisht, psiqikisht- gjëra a dilema këto mbase krejt të zakonshme për një krijues, dhe para së gjithash pjestar të këtij planeti të jashtëzakonshëm, më kanë kthyer në këtë vend, në këtë Stuttgart. Duhet të jetë ky edhe shkaku që asnjë vend në tërë krijmtarinë time të vockël nuk përmendet më shumë sesa Kosova dhe Stuttgarti. Kurse në librin tim të fundit Degerloch-u si i vetmi vend me emërtim të saktë.  Nëse më pyet dikush pse e bëj këtë gjë nuk kam idenë. Ajo që di është se nuk mund të shkruaj për gjëra që s’i njoh dhe shoh, ndjej dhe preki. Do të shkoja bile edhe më larg që as vet Kosova nuk më ka dhënë as mirënjohjen e as respektin që vendi im i tashëm më bën. Dhe kjo më bën edhe më të bindur pse duhet edhe më tej ta dua këtë vend. Mbase duhet të ketë qenë si ajo dashuria në shikim të parë. Dhe prej saj, siç e dijmë të gjithë këtu, nuk ka kthim prapa. E fituam apo humbëm.

Të ketë qenë ky udhëtim imi i gjatë prej një muaji një sprovë që të iki nga Stuttgarti për të gjetur diçka që kam humbur? Nuk e di. Ajo që di është se në tërë atë vrap që kam bërë mes përmes Evropës dhe deri në grykat më të thella të Ballkanit, çdo çast, çdo moment nuk kam hequr nga mendja takimin e sotëm këtu. Pra dashurinë. Për këtë vend dhe njerëzit e tij.

Njëkohësisht, më duhet ta pranoj, derisa jam këtu, fizikisht, më del vendi im i lindjes. Disa fshatëra në rrafshnaltën e Dukagjinit ku pas 19 vitesh kalova dhe fillova këtë vit të ri. Me një dhe të vetmen pyetje që i shtroja vetes dhe për të cilën dua mos t‘ju gënjej cila ishte: doja ta konfrontoja veten me atë thënien nëse atdheu i një njeriu është atje ku ai ndjehet mirë?! Ku pra? Them që kjo pyetje, sidomos në kohën që e jetojmë është e shtruar gabimisht. Sepse atdheu i një njeriu është aty ku ai don të pushojë përjetësisht dhe jo ku ndjehet mirë. Koha e shpejtë dhe lëvizjet transatlantike e lëre më ato brenda kontinentit tonë janë më të shpejta sesa nga Stuttgarti në Hamburg me makinë apo tren. Kjo asesi nuk don të thotë që kam marrë një vendim. Tekefundit, njëra gjysmë nuk ka plotësuar ende tjetrën. Duhet edhe pak kohë. Duhen edhe ca vite. Derisa Gjermania dhe Stuttgarti, edhe matematikisht ta mundin vendlindjen time. Ajo që dua të them, gjatë vizitës në fshatrat e mia prej nga më vijnë prindërit, pas vitesh e vitesh vizitova varrezën e babait tim. Pyesja veten nëse do kem një fat më të mirë sesa të gjyshit tim, emrin e të cilit edhe ashtu e mbaj, varri i të cilit edhe sot e kësaj dite nuk dihet!

Fakti që në këtë trajtesë e cila në fakt do të duhej ishte për neve, më shumë u fokusova tek unë-i, duhet të jetë i ndikuar në atë kërkim të gjatë dhe mundimshëm. Por për këtë mendoj që secili prej nesh, kur dëgjon apo lexon këto fjalë, mund ta merr me mend se sa e rëndësishme është kur njeriu din ku i ka rrënjët, prej nga është dhe çfarë don në jetë, profesion, të tashme dhe ardhme. Që secili prej nesh, në parim, nuk dallon shumë prej njëri-tjetrit. Me historinë familjare, apo atë të luftërave dhe paqes. Që secili prej nesh ka nga dy apo edhe më shumë unë-a. Që secili prej nesh bën mirë që sa më shpejt të vendosë se çfarë don të bëjë sa nuk është bërë vonë. Që secili prej nesh ka vetëm një jetë për të jetuar dhe për këtë nuk duhet bërë gabimi i të jetuarit të saj në mënyrën e gabuar. Që përgjegjësia dhe kujdesi për familjen, të afërmit, rrethin dhe vendin ku jeton don të thotë jo vetëm kulturë jetese por edhe trashëgimi.

E pranoj thënien e lexuar dikund që për një familje i ngjet një mallkimi të pasurit brenda gjirit të saj një artist. Pasiguria në përditshmëri, labiliteti në profesion,  frika nga dështimi, përgjegjësitë e papërmbushura... të gjitha këto, një njeriu racional dhe normal do të duhej t’i dukeshin si një ankth i madh dhe tmerrshëm kur përballë do kishte një krijues i cili vetes i vën prioritet qendror jetesën me dhe nga arti. Sepse dallimi mes suksesit dhe dështimit nuk është i madh. Suksesi është stuhia pas së cilës mbetet një shkretëtirë e cila me vete merr çdo gjë. Dështimi është një qëndrim gatitu për t’u hedhur në humnerë. Natyrisht që këto dhe këso dilemash nuk kanë vetëm krijuesit. Ato i ka pothuajse secili njeri që frymon dhe mendon në jetën e vdekjen. Dhe, megjithatë jeta vazhdon. Sepse, për të folur me mësuesin tonë të madh, William Faulkner, njeriu është njerëzimi dhe njerëzimi patjetër që do dhe duhet të mbijetojë para çdo të papriture, para çdo rreziku, përpara çdo katastrofe të cilësdo përmasë.

Derisa jam ulur në këtë vend e në këtë ndërtesë dhe para vetes kam këtë qytet të betonuar... mendja dhe shpirti janë në çdo kthinë të Stuttgartit, tek familja dhe të afërmit, fytyrat e njohura dhe panjohura. Dhe derisa lexoj këta rreshta, askush nuk mund të më heq nga mendja sesi prej kësaj pjese të qytetit tonë, Stuttgartit, para do më dalin fytyrat e qytetarëve të vendit tim tjetër, Kosovës, Prishtinës... dhe fshatrave rreth.

Para së gjithash para më dalin varrezat e njerëzve të rënë në luftën e fundit të Kosovës para 14 vitesh. E dini? Familjet e mëdha, familjet emblematike të Kosovës të cilët kanë dhënë fëmijët, gratë, djemtë, burrat dhe pleqtë e tyre... të varrosurit e tyre i kanë pranë shtëpive të tyre. Si asnjëherë më parë në historinë e re të Ballkanit, në Kosovë, të vdekurit e varrosur pranë të të gjallëve, jetojnë së bashku. Një akt ky i pashembullt në historinë më të re të njerëzimit. Nëse ky akt do t’i shërbejë paqes dhe të ardhmes më të sigurtë? Këtë gjë nuk e di dhe nuk mund ta dimë. Ajo që di është se sa herë flasim dhe e jetojmë jetën duhet ta duam njëri-tjetrin, edhe kur vrapojmë edhe kur pushojmë. Sepse ne, si njerëz, si njerëzim, jemi një dhe jemi ne!

 

*Këtë tekst autori e ka lexuar në pritjen solemne si mysafir nderi të organizuar nga Bashkia e Qytetit të Stuttgart-Degerloch, në Gjermani, me rastin e fillimvitit 2014.

Comments

Submitted by P.A.B (not verified) on

<p>Bukur, sidomos me pelqeu dyzimi i emigrantit me te tashmen e vendin e origjines.</p>

Submitted by sinan hibro (not verified) on

<p>Cudi, mua me lodhi ... jo qe nuk e cova deri ne fund ....por pas nje faqe ekrani e nderpreva leximin !</p>

Submitted by TALLAVABLUES (not verified) on

<p>Sa shkrim i lodhshem. Si gjithmone kapet pas dy tre emrave, dy tre ngjarjeve, &nbsp;i prek tmerreshem siperfaqesisht &nbsp;dhe portreton veten si ato pozimet &nbsp;bajate te artistit &nbsp;me cigare ne goje apo qe rri mendueshem te bindur qe kjo u mjafton per te qene gjithe cka enderrojne. Pozim banal.</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Ideja e mirë, por shkrimi i parealizuar. Autori nuk ka gusto shkrimtari. Do të arrijë lart por është tepër tartabiq. Ka shumë probleme frojdiane. Nuk arrita ta kryeja ngase shkrimi ishte shumë i mërzitshëm dhe mbueshtetej në çfarë kanë thënë autorë tjerë.</p>

Submitted by Lena (not verified) on

Ehe... Shqipove do tu kishte pelqyer me shume nese autori do ishte noj Sergio apo ORhan... E meqe eshte i yni... Hajdeni ti hidhemi pak...packa qe teksti eshte i mrekullueshem...

Submitted by BeqaRukac (not verified) on

<p>Beq a je normal ?<br />Besom qe kush te ka thane e kam lexu prej shoqeris tane tka rrejt.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.