Covid-19 dhe mosbesimi kinezo-amerikan si terren i favorshëm për teoritë e konspiracionit
Frika është ajo që po përhapet më shpejt se virusi. Fabrikat janë mbyllur. Rrugët janë bllokuar. Fshatra të tëra janë izoluar. Qytete janë kthyer në karantinë. Përhapja e COVID-19 është kriza më e rëndë sociopolitike me të cilën liderët kinezë janë përballur që nga protesta e Tiananmen e vitit 1989. Kriza i ka kaluar kufijtë e Kinës. Përhapja e virusit përtej kufijve - dhe reagimi në panik ndaj kësaj përhapjeje - do të ketë efekte të thella në ekonominë globale, politikën, sigurinë dhe qeverisjen.
Ky virus lë shumë të panjohura. Ende nuk kemi një ide të qartë për transmetueshmërinë dhe virulencën e tij. Ne nuk kemi një ide të qartë për periudhën e inkubacionit, e cila mund të zgjasë deri në 24 ditë. Ne gjithashtu nuk e dimë se sa është mundësia që të prekurit t’i infektojnë të tjerët përpara se t’u shfaqen simptomat për vete dhe pse disa raste befas bëhen të rënda. Ne gjithashtu nuk e kuptojmë pse disa pacientë rezultuan pozitivë për herë të dytë edhe pasi në dukje ishin shëruar.
Thashethemet nxisin frikën dhe pasigurinë. Brenda disa javësh nga shfaqja e patogjenit, mediat sociale u mbushën me hipotezat se virusi ishte një armë biologjike - ose virus që kishte dalë nga një laborator në Vuhan ose një i tillë amerikan. Ndërsa thashetheme të tilla nuk janë të besueshme, duke pasur parasysh që as Shtetet e Bashkuara dhe as Kina nuk kanë motiv për të zhvilluar armë biologjike, ato janë të vështira për t'u shpërndarë, sepse zyrtarët ushtarakë nga të dy palët ende i shohin me dyshim motivet e njëri-tjetrit në krijimin e programeve të biosigurisë. Dobësitë në rregulloret e biosigurisë në Kinës u lënë vend më shumë thashethemeve për besueshmëri. Dhe mungesa e besimit midis dy kombeve - siç dëshmohet nga refuzimi fillestar i Kinës për të lejuar ekspertë të sëmundjes amerikane të vizitojnë Vuhanin - po minon përpjekjet për të përmirësuar përhapjen globale të virusit.
Teoria
Që nga fillimi i shpërthimit, publiku u informua se sëmundja nisi me ekspozimin e njeriut ndaj një virusi që e kishte origjinën te kafshët e egra. Por misteri se shfaqja e virusit krijoi terren për spekulime, dhe shumë shpejt, burime të ndryshme në internet filluan të çojnë përpara pretendimin se virusi ishte inxhinierizuar gjenetikisht. Një studiom i pabotuar, i hartuar nga shkencëtarët indianë, sugjeron se sekuenca e proteinave të virusit përfshinte elemente të virusit HIV, virus që shkakton SIDA. Edhe pseshumë shpejt, autorët e tërhoqën vullnetarisht studimin, kjo mori vëmendjen e faqeve të internetit si Zero Hedge, i cili pretendoi se Covid2019 ishte “farkëtuar” nga shkencëtarët kinezë. Duke folur në Fox News, Tom Cotton, senatori republikan nga Arkansasi, sugjeroi që nuk mund të përjashtohej mundësia që virusi ta kishte origjinën në një laborator në Vuhan që përdoret për të trajtuar patogjenët më të rrezikshëm.
Zero Hedge është ndaluar në Twitter, por mediat sociale kineze gëlojnë nga hamendësimet se virusi është krijuar nga Shtetet e Bashkuara si agjent i luftës biologjike kundër Kinës. Një teori konspirative e shpërndarë gjerësisht sugjeron se ushtarët amerikanë që morën pjesë në Lojërat Botërore Ushtarake 2019 në Vuhan qëllimisht e shpërndanë virusin në Tregun e Ushqimeve të Detit në Hunan. Duke pretenduar se "po vjen një lloj i ri i luftës biologjike", një gjeneral në pension i Ushtrisë Çlirimtare të Popullit bëri thirrje për ndërtimin e një force të përhershme biombrojtëse në Kinë.
Përhapja e koronavirusit në Kinë nuk është rasti i parë që përflitet si sulm me armë biologjike. Gjatë epidemisë SARS 2002–3, një shkencëtar rus pretendoi se virusi ishte një përzierje e fruthit dhe shytave që mund të bëhen vetëm në laborator. Shumë kinezë e morën këtë nocion dhe spekuluan se SARS ishte një armë gjenetike e zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara, që i kishte ata në shënjestër. Gazeta “China Youth Daily” lidhi një studim gjenetik të Institutit Kombëtar të Studimit Gjenetik në Kinë me programin gjenetik të SHBA. Në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, një ekspert i Kinës sugjeroi që virusi ishte i lidhur me programin e armëve biologjike të Kinës. Megjithatë SARS nuk ishte aspak një armë gjenetike. Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga 166 pacientë të raportuar me SARS në Shtetet e Bashkuara në 2003, 58 për qind ishin të bardhë dhe 32 për qind ishin aziatikë.
Historia
Sa janë gjasat që SHBA-të ose Kina të kenë zhvilluar armë biologjike vdekjeprurëse me qëllimin për t’i përdorur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të zhvilluan të tilla, por ato nuk u përdorën kurrë. Kjo sepse atyre nuk mund t’u besohej në fushën e betejës: nuk kishin efekt të menjëhershëm, mund të preknin edhe forcat amerikane, ishin të ndjeshme ndaj mjediseve dhe kushteve meteorologjike të ndryshme dhe mund të kontaminonin zonën për një kohë më të gjatë sesa ishte e nevojshme. Por pavarësisht kësaj, sHBA akumuloi armë biologjike në epokën pas luftës.
Në vitin 1969, SHBA u tërhoq nga programi i luftës biologjike dhe luajti një rol kyç në negociatat e suksesshme në nivel ndërkombëtar, që u finalizuan me Konventëm e Armëve Biologjike. Ky traktat ndalon zhvillimin, prodhimin dhe akumulimin e agjentëve biologjikë dhe sistemet e posaçme për qëllime armiqësore.
Në raport me Amerikën, Kina hyri më vonë në këtë lojë. Ajo kishte qenë në rolin e pritësit në luftën bakteriologjike nga ana e ushtrisë japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si rezultat, Kina e ndjeu të domosdoshme të ndërtonte fabrika posaçërisht për mbrojtjen nga lufta biologjike. Në gusht 1951, kryeministri Zhou Enlai ngriti Akademinë Ushtarake të Shkencave Mjekësore për të kryer kërkime në këtë fushë.
Duke ditur që Kina nuk ka pasur armë bërthamore deri në mesin e viteve ’60, ka një bazë për të menduar se ka zhvilluar armë biologjike si mundësi për t’u kundërprëgjigjur në rast nevoje. Por që prej vitit 1982, Kina ka pasur një arsenal bërthamor. Dy vjet më vonë, Kina u anëtarësua në Konventën e Armëve Biologjike. Koha ka treguar se Kina, ashtu si Shtetet e Bashkuara, i kanë parë armët bërthamore si më të besueshme në rast se lindte nevoja për të parandaluar rreziqe.
Mesi i viteve 1980 solli një ndryshim në axhendën kombëtare të Kinës drejt zhvillimit ekonomik. Financimi për kërkimet në fushën e mbrojtjes nga armët biologjike u zvogëlua dhe ata filluan të zhvillojnë më shumë produkte për qëllime civile dhe jo ushtarake. AMMS u bë diçka analoge me Institutin Ushtarak të Kërkimeve Mjekësore për Sëmundjet Infektive. Ajo zhvilloi një ilaç pan-antimalarie të quajtur benflumentol dhe e pantentoi në më shumë se 50 vende. Gjatë shpërthimit të virusit Ebola në 2014, AMMS bashkëpunoi me kompanitë farmaceutike kineze për të zhvilluar dy ilaçe për trajtimin e sëmundjes vdekjeprurëse.
Mosbesim dhe keqkuptime
Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë të dyja pjesë e traktatit BËC, por ato ende e shikojnë njëra-tjetrën me dyshim. Në të shkuarën është aluduar nga qeveritë amerikane se Kina ka vijuar të mbajë "një aftësi fyese luftarake biologjike bazuar në teknologjinë e zhvilluar para pranimit të saj në BËC." Sipas një ish-zyrtari nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së, deri në vitet 1990, Kina kishte zhvilluar një shumëllojshmëri mikroorganizmash që shkaktojnë infeksione dhe toksina dhe për t’i kthyer në armë kishte mjete si raketat e llojeve të ndryshme. Edhe pse këto raporte dhe akuza nuk janë vërtetuar asnjëherë, botimet zyrtare kineze sugjerojnë aktivitete kërkimore të qëndrueshme dhe të organizuara që lidhen me luftën biologjike. Burime zyrtare raportuan se në vitet 1990, shkencëtarët kinezë përdorën disa zona si terren në të cilin kultivohet me shpejtësi bruceloza (tradicionalisht i konsideruar si agjent biologjik i përshtatshëm për përdorim ushtarak).
Shumë njerëz në Kinë gjithashtu i perceptojnë Shtetet e Bashkuara si një kërcënim potencial për luftë biologjike. Pas shpërthimit të SARS 2002–2013, disa ekspertë ushtarakë kinezë folën për një skenar të armiqve që spërkatnin viruse të panjohura të ngjashme me SARS në Pekin gjatë sulmeve ajrore. Duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara kishin zhvilluar lloje të antraksit rezistent ndaj antibiotikëve, një ekspert i njohur kinez i mjekësisë ushtarake la të kuptohej se Uashingtoni kishte e kishte kthyer në armë SARS-in dhe virusin e gripit të shpendëve. Në vitin 2001, administrata e Presidentit George W.Bush refuzoi një protokoll të propozuar për Konventën e Armëve Biologjike me arsyetimin se ai nuk ishte i mjaftueshëm në qëllimet e tij. Ky refuzim i bindi disa ekspertë kinezë se Shtetet e Bashkuara ishin rikthyer te dëshira për të zhvilluar armë biologjike. Në vitin 2007, studiuesit ushtarakë kinezë publikuan një artikull duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për "përdorimin e teknologjive të reja për të zhvilluar agjentë të rinj të armëve biologjike" dhe duke pretenduar se ishte "jashtëzakonisht e mundshme" që sporet e antraksit në sulmet e kryera në 2001 në zyrat e senatorëve demokratë erdhën nga laboratorët e ushtrisë amerikane. Dyshime të tilla mund të shpjegojnë pse qeveria kineze më vonë shtrëngoi rregullat mbi të huajt që përdorin materialin gjenetik njerëzor dhe e bënë më të vështirë kalimin e materialit jashtë vendit.
Mosbesimi dhe keqkuptimet e ndërsjella janë emblema e çdo dileme që ka të bëjë me sigurinë, në të cilën veprimet e ndërmarra nga një shtet për të përmirësuar sigurinë e saj çojnë në reagime nga pala tjetër, e cila e bën gjendjen e mëparshme më pak të sigurt. Më keq, programet e mbrojtjes nga armët biologjike janë kaq të errëta, dhe provokojnë një antipati të tillë morale, saqë inkurajojnë supozime të frikshme: kur një shtet dyshohet se po krijon armë biologjike, rivalët e tij ka të ngjarë të kërkojnë t'i kenë ato gjithashtu. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe zhvilluan armë biologjike sepse menduan se Gjermania e Hitlerit do t'i zhvillonte ato (gjë që në fakt nuk ndodhi).
Është e vështirë të thuhet nëse një sëmundje është shfaqur vetë apo është shkaktuar qëllimisht, sepse shumë agjentë biologjikë janë në natyrë. Në kontekstin e marrëdhënieve bilaterale të tensionuara, një shpërthim i natyrshëm epidemie, i shkaktuar nga një patogjen i panjohur, mund të merret lehtësisht si sulm me armë biologjike. Historiani Alfred Crosby vë në dukje se pandemia e gripit spanjoll në vitin 1918 dyshohej se ishte nisur nga agjentët gjermanë. Në vitin 2004, qeveria indiane akuzoi "pakistanezët keqdashës" për kryerjen e "terrorizmit xhihadis" islamik duke përhapur qëllimisht HIV-in në Kashmir. Kur H5N1 ("gripi i shpendëve") u bë një shqetësim i madh në të gjithë botën në vitin 2008, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë në Indonezi, Siti Supari, akuzoi Shtetet e Bashkuara për përdorimin e mostrave të virusit për të zhvilluar armë biologjike dhe pezulloi funksionimin e një njësie të kërkimit mjekësor të marinës amerikane në Xhakartë.
Në kohën kur marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë pëkeqësuar, hamendësimet për origjinën armiqësore të COVID-19 kanë minuar përpjekjet globale për të trajtuar përhapjen e patogjenit. Për javë të tëra, Kina injoroi ofertat e ndihmës nga Qendra e ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Sipas një postimi të publikuar në një faqe interneti të lidhur me “Jiefang Daily” (gazeta zyrtare e Komitetit të Shangait të Partisë Komuniste të Kinës), "disa ekspertë të CDC-së amerikane "mund të jenë në një mision ushtarak për të "spiunuar aftësinë e kërkimit virologjik të Kinës". Dy ekspertë amerikanë më në fund u bashkuan me delegacionin e Organizatës Botërore të Shëndetit në Kinë në shkurt, por vizita në terren e delegacionit nuk përfshinte Institutin e Virologjisë Vuhan - në të vërtetë, Vuhan, epiqendra e shpërthimit, fillimisht nuk ishte as në itinerarin e grupit.
Pretendimi se koronavirusi është një armë biologjike nuk është vetëm i dëmshëm, por edhe i pambështetur shkencërisht. Shkencëtarët kanë theksuar se mutacionet në virus janë "plotësisht në përputhje me evolucionin natyror". Sipas “The Lancet”, shkencëtarët nga shumë vende kanë konkluduar në mënyrë të qartë se koronavirusi e ka origjinën nga kafshët.
Foreignaffairs.com
Përgatiti: Gazmira Sokoli/ TvT
Comments
Por fakti se ky virus eshte
Por fakti se ky virus eshte mjaft rezistent dhe sillet gati si nje bacil, te ben te mendosh se mund te jete perpunuar ne ndonje labor. Dhe fakti se kasat e pensioneve ne shume shtete, aq me shume ne Itali, po perballen me probleme pagesash, gjithashtu te shtyn te mendosh se ky virus ka dale nga laboratoret. Dhe infektimi i nje numri te madh njerzish ne Teheran nga ky virus, serish te ben te mendosh se ky virus ka dale nga laboratoret. E te gjitha keto mbeten hamendesime, perderisa nuk ka prova pak me te besueshme.
Add new comment