Fundi i politikës moralizuese të SHBA-së
Ramush Haradinaj duket se ka kapërcyer krizën eventuale qeverisëse teksa pas një takimi me partnerët e vet në koalicion, Fatmir Limaj të Nismës, Kadri Veselin e PDK-së dhe Behgjet Pacollit të Aleancës Kosova e Re, qeveria e tij ka shpërndarë një njoftim në të cilin theksohet zotimi për të mbajtur qëndrime të unifikuara.
Pas takimit përfaqësues të ndryshëm kanë dalë të flasin, por duke pështjelluar edhe më shumë situatën. Kështu për sa i përket taksës ndaj Serbisë, Limaj ka lënë të kuptohet se ajo duhet hequr. Të gjithë këta trima që bënë epokë në vitin 1999, po fshihen pas fjalës Amerikë dhe SHBA për të mos pranuar se në fakt po ulin brekët para Serbisë së Aleksandër Vuçiçit. Thirrje për koordinim me Amerikën, kjo është politika e re e Kosovë. E këtij shteti gjoja që po dështon në pikën kritike të sipërmarrjes shtetformuese: legjitimitetin e një narrative.
I vetmi zë më realist ka qenë Xhavit Haliti, që ka deklaruar se i ka sugjeruar Haradinajt ta heqë taksën, edhe pse ky është një vendim i dhimbshëm dhe bie ndesh me mendimin e tij.
Sot situata që ka ardhur, qëndrimet që dalin nga aleatët tanë na detyrojnë të marrim vendime që ndonjëherë edhe janë të dhembshme. Edhe pse këto mendime janë në kundërshtim me atë që kam menduar dje, duhet të veprojmë
ka thënë Haliti.
Ngazëllim të pashoq ka shprehur për këtë zhvillim Klan Kosova e Baton Haxhiut që ka rendur i pari të zbardhë telefonatën e John Bolton me Haradinaj dhe Thaçin, në të cilën është vënë në dukje kërkesa e prerë amerikane që tarifa të hiqet. Që Aleksandri në Beograd të çlirohet nga ky presion në mënyrë që mandej të nisë të lehë për marrëveshjen e re historike mes shqiptarëve dhe serbëve, duke u koordinuar, e ndoshta edhe përqafuar gjatë me Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe Gent Cakajn në Tiranë, gjatë samitit ballkanik.
Nga çdo aspekt që ta shikosh ky zhvillim është një hap prapa për shtetësinë e Kosovës dhe më gjerë për dinjitetin e shqiptarëve, kuptohet nëse një gjë e tillë ekziston me të vërtetë. Është një hap pas sepse situata po hyn, me ndihmën e argatit Hashim dhe skuthit të Tiranës, në një spirale ku njohja e Kosovës nga Serbia po absolutiozhet si çelës për paqen. Po ndërtohet narrativa e rreme se çdo pezullti do të ishte fatale për paqen dhe se këtu do të krijohet një vakuum që mund të plotësohet nga Rusia. Klishetë e zakonshme analitike në fakt nuk konsiderojnë se Kosova i ka të gjitha shanset ta mbajë territorin e saj, duke u shtyrë më shpejt drejt reformave reale. Se në fakt, dështimi që po ndodh është shprehje e degradimit strukturor të saj, ku një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe të huajt.
Klan Kosova e Baton Haxhiut ka njoftuar se nesër Haradinaj do të takohet me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett që pas telefonatës së Bolton përbën një moment delikat për kryeministrin kosovar. Kosnett nuk ka munguar që të kujdeset për popullin e Kosovës kur i ka kujtuar qeverisë së niveli i korrupsionit është shumë i lartë, një zakon ky i vjetër i ambasadorëve amerikanë që duan të tregojnë se në kolonitë e ndryshme ku emërohen janë atë dirigjentët.
Janë momente historike, ku e gjithë bota rri e shikon sesi koka e të gjithë shqiptarëve është vënë në derë nga amerikanët që të paktën kanë hequr dorë nga zakoni i bezdisshëm dhe gënjeshtar i moralit se ata janë aty ku janë, janë me Ne, për kauzën e demokracisë, të shtetit ligjor etj.. Kësaj radhe zoti Bolton, zoti Trump e pas tyre edhe Kosnetti i tuiterit, njoftuan se bëhet fjalë për interesa strategjike të SHBA-së. Dhe se ato nuk mund të sfidohen edhe kur duhet që Kosovës t’i pritet një krah. Në fund të fundit shqiptarë janë, këtë përdorim e kemi bërë tonin prej një shekulli.
Është interesante të shohësh se në sjelljen e politikës kosovare nuk ka asgjë titiste dhe shumëçka enveriste. Por edhe ky i fundit një enverizëm gjysmak. Politika e Beogradit manovron sipas parimeve të Jugosllavisë, as Perëndim e as Lindje, duke mos negociuar fare për disa gjëra. Politika e mushkave të Kosovës i ngjan sahanlëpirjes së Enver Hoxhës, por që së paku në fund e përmbyste kupën dhe shpallte armiq mbarë botën. Këta trima të luftës, që i kanë varur në qafë vetes lloj - lloj dekoratash, gëlltisin çfarë t’u japin. Nuk ka ndonjë të keqe në këtë rast sepse më mirë mut sesa i vogël thotë populli. Vetëm se bashkë me këtë rrumpallhanin e Tiranës, duhet të na i kursejnë pallavrat me bashkim e sovranitet se siç shihet as i vërshëllen njeri gjëkundi.
Sot janë shumicë dhe mundet edhe të ndihen të sigurtë, por koha po ecën shumë shpejt dhe pa koperturën e moralit të një fuqije të huaj, politika shqiptare nuk mbijeton dot. Të huajt kanë ardhur këtu ose me hu në dorë dhe na kanë treguar mirë vendin, ose me një përrallë joshëse. Amerikanët po na thonë se janë këtu për interesat e tyre. Nëse është kështu, atëherë nuk ka kuptim të flasësh për forca malinje apo për ndonjë aleancë me Perëndimin të shqiptarëve. Punë interesash, jo miqsh.
Comments
Re
Xhaviti duhej te ishte akoma me "realist ". Kur cileson aletatet duhet te thote Padronet sepse ky shtet nuk ka as ushtrie as kellqe tekrijoje aleate.
Add new comment