Ekskluzive/Zbardhet strategjia dhe deviza e fushatës elektorale të Erjon Veliajt

Postuar në 13 Tetor, 2018 00:32

Mbeten vetëm pak muaj nga zgjedhjet lokale, por kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj ka nisur përgatitjet. Redaksia e “Të Kripura” ka marrë vesh disa hollësi nga mënyra sesi Veliaj mendon të organizojë fushatën. 

Fotoja kryesore e tij do të jetë familjare, duke shfaqur për herë të parë një kandidat në foto të përbashkët. Lali mendon se kjo i vë theksim barazisë gjinore, por edhe fëmijëve për të cilët ai mendon se ka bërë shumë. Sipas burimeve nga stafi i ngushtë i Veliaj, mesazhi një fotoje familjare prek telat e familjeve të Tiranës dhe evokon ndjesinë e së përbashkëtës që Bashkia pretendon se po e ndjek si parim. Për këtë arsye ardhja në jetë e fëmijës së parë në këtë kohë është fat – kështu duket të paktën - për Veliajn pasi familja në plan të parë përbën premisë për një karrierë të re. 

Të njëjtat burime thonë se Veliaj këmbëngul që fushata e tij të bazohet të lëvizja me biçikleta në mes të një grupi adoleshentësh që votojnë për herë të parë. 
Në projekt materialin publicitar thuhet se adoleshentët që lëvizin me biçikeleta në disa zona, në fund thonë: Ne votojmë Erjonin që Tirana të jetë e Jona. 

Z. Veliaj ka menduar të plotësojë edhe defiçencën e vet ndaj intelektualëve, meqenëse përgjatë mandatit të parë projektoi imazhin e vetes si një çirak i miletit që rendte sa për të shërbyer supë, te mushamatë e hedhura krahëve kur kishte përmbytje. Kësaj radhe Veliaj mendohet se do të rregullojë pak pamjen prej heroi të punës së socialistëve, me ftesa për leksione në universitete. Henri Çili ka gati çmimin që Veliaj do dojë, madje edhe krijimin e një Akademie të posaçme e cila kur të vijë momenti do themelohet, mblidhet, shqyrtojë dhe vendosë dhënien e tij Veliajt. Ky i fundit do të shpallë aty për aty se Akademikët në fjalë do jenë Këshilli i të Urtëve në Bashki, një ide e kopjuar kjo nga të Urtët e PS-së, të cilët kanë kohë që gërrhasin. 

Këshilltarët e tij i kanë sugjeruar që të shkurtojë pak barsetat dhe të zgjasë pak flokët meqenëse tashmë Tiranës i duhet strategu. Pra do të kemi edhe kurimin e imazhit në këtë drejtim. 

Po diskutohet ende deviza e fushatës dhe ka disa ide. Njëra është: Voto si tirons i zgjut! 

Tjetra është: Europa ka zgjedhur Tiranën, ne zgjedhim Europën! Por munder edhe të ketë disa moto sipas lagjeve që të reflektojnë specifikat e tyre. P.sh aty ku ka tirons shumë, motoja mund të jetë:

 Lali osht nona, ose ku ka nga p Veriu: PD-ja ka mërdhif

Aty ku ka peshë LSI-ja të përdoret si kolonë zanore kënga e sapo krijuar: Hallet e mia nuk i zgjidh jo LSI-ja, por Lal Erjon Velia. 

Në njësinë nr. 5 deviza është menduar të jetë: Punë e marume!

Po kështu është menduar që mitingu përmbyllës të mbahet në mjediset pranë Teatrit Kombëtar, nisur nga domethënia e betejës së tanishme. 

Sigurisht që çdo gjë është projekt ende, por puna ka nisur. Sa për paratë është menduar që të hapet një llogari bankare për financimin e fushatës, meqenëse Lali siç dihet është kriter i transparencës. Mbetet për t’u parë deri në pranverë, por nëse PD-ja nuk vendos përballë një figurë që neutralizon ligjërimin dhe modelin e z. Veliaj që do të imponojë idenë se e ka qytetin në pëllëmbë të dorës dhe se ai është kampion i modernizmit, vështirë do ta ketë.

Tirana është kryeqyteti botëror i shtirjes, ku njerëzia vishen te Gabi, blejnë celularë me kredi, e kanë për status që kalojnë një herë në ditë në Bllok dhe ku të gjithë thonë për të gjithë: Pabuks. E në këtë kryeqytet Lali osht Nona. Nuk përjashtohet që një ditë të shpallë edhe Javën e Gabit, e të lëshojë punonjësit e Bashkisë të blejnë rroba të përdorura për të dalë në media me arsyetimin brilant: 

Unë këto që kam veshur i kam blerë të reja parvjet. Por tani ato janë rroba të përdorura. Ku qëndron pra ndryshimi mes meje dhe atij që blen te Gabi? Asgjëkundi. 

Shaptilografisti

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

A jeni ca palla ju me gjith ket kryetarin e frontit qe na beri te mesojm turqishten. Njesoj del ne TV sa Lali Erushi, sa Ertugruli e kjo bjondja e re turke. Nuk e cojm dot te lajmet se te ze koka. Erjoni flet me shpejt se Alketa Vejsiu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.