Zoti Hahn, është detyra Juaj të mbështesni popullin shqiptar dhe jo politikanët!

Postuar në 04 Tetor, 2018 22:30
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka publikuar një letër të hapur për Komisionerin për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, përmes së cilës I bëjnë thirrje që të konsiderojë interesin e popullit shqiptar  përpara atij të politikanëve shqiptarë. Më poshtë letra e plotë:

***

I nderuari Komisioneri Hahn,

Fillimisht do të donim t’ Ju uronim mirëseardhjen në Tiranë. Duam të besojmë se prezenca juaj do të shërbejë për të mbështetur parimet e shtetit ligjor dhe demokratik në Shqipëri, ashtu siç theksohet qartë që në fillim të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit mes BE-së dhe vendit tonë.

I nderuar Komisioner,

Ashtu siç ju kemi informuar vazhdimisht, Qeveria Rama është përfshirë prej muajsh në një aksion krejtësisht antikushtetues dhe të paligjshëm për zbatimin e një skeme korruptive për të zhvilluar në interes të miqve të Kryeministrit një pronë publike në qendër të Tiranës.

Duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese në vend, një gjendje e paprecedent në asnjë shtet demokratik, me një të ashtuquajtur “ligj të veçantë”, Qeveria ka uzurpuar kompetencat e pushtetit lokal, duke shkatërruar procesin e decentralizimit vendor, për të cilën BE ka investuar gjatë; ka shkelur çdo lloj ligji dhe procedure të prokurimeve publike; ka shkelur Konventën e Aarhus-it dhe të gjitha ligjet dhe praktikat për pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrjen mjedisore për të cilat vetë BE ka investuar kohë dhe fonde; ka shkelur ligjet për trashëgiminë kulturore duke refuzuar vlerësimet e specialistëve lokal e të huaj.

Natyrisht, me këtë projekt që përfshin shkatërrimin e një prej pak ndërtimeve me vlerë historike dhe arkitekturore që mbetet në kryeqytet, Kryeministri ka po dëmton dhe kujtesën kulturore dhe historike të vendit.

Të gjitha këto shkelje janë lehtësisht të konstatueshme nga çdokush i interesuar në këtë rast. Ato janë evidentuar në letrat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, shënimet dhe shkrimet e një sërë intelektualësh publik të vendit, dhe u renditën më së miri në Dekretin e Presidentit të Republikës kur ktheu për rishqyrtim në Parlament ligjin e sipërpërmendur. Kjo seri shkeljesh mund të vërtetohen gjithashtu pa asnjë problem nga jo vetëm nga ekspertët ligjorë të Komisionit në Bruksel, por edhe nga ekspertët e shumtë që BE ka në Shqipëri, të cilët kontribuojnë vazhdimisht për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në mënyrë që të përputhet me atë të BE-së.

Për të gjitha këto arsye, ne kemi protestuar prej thuajse tetë muajsh dhe do të vazhdojmë të protestojmë për ta ndalur këtë projekt qartazi korruptiv. Shqetësimin tonë ne ja u kemi bërë të ditur Ju dhe autoriteteve të tjera të Komisionit, në Bruksel dhe në Tiranë, si dhe ambasadorëve të tjerë të vendit. Përgjigja që ne morëm, nga një burokrate me mandat të limituar politik brenda Komisionit, ishte e mjaftueshme për të rikthyer për shqyrtim versionin e parë të “ligjit special”.

Gjithsesi, në tërësinë e saj, ne vlerësojmë se letra ishte zhgënjyese dhe bie ndesh me gjithë propagandën, fondet, kohën, dhe burimet që BE ka shpenzuar për vite me radhë për forcimin e parimeve të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Duke hequr dorë nga çdo detyrim për të komentuar problemet e shkaktuara nga “ligji special”, është e arsyeshme për ne të dyshojmë se Ju sot përdorni standarde të dyfishta në punën dhe praktikën tuaj. Megjithëse publikisht Ju vazhdoni të predikoni integrimin evropian dhe standardet evropiane në Shqipëri, në praktikë Ju keni shfaqur mbështetje pa kushte ndaj Qeverisë në emër të një stabiliteti absurd, i cili bazohet mbi padrejtësitë, korrupsionin, e fatkeqësisht, së fundmi edhe kriminalitetin. Në vend që të kërkoni dhe mbështesni parimet dhe standardet demokratike që kontrollojnë dhe limitojnë individët me pushtet, praktikisht Ju mbështesni në mënyrë të vazhdueshme ekskluzivisht pikërisht individët me pushtet

Në gjykimin tonë, kjo qasje do prodhojë vetëm efekte negative në afatin e gjatë, për Shqipërinë por edhe për vetë pozicionin dhe vlerësimin për BE-në në vend dhe në rajon.

Së pari, ajo mundëson dhe justifikon abuzimet e vazhdueshme të Qeverisë, sado të rënda dhe me pasoja ato qofshin.

Së dyti, ajo ul besueshmërinë e institucioneve të BE-së dhe veçanërisht Komisionit në sytë e popullit shqiptar, të cilët deri më sot kanë parë drejt jush si pika e referimit për zhvillimin e vendit. Do ishte me pasoja të rënda në ditët e sotme, që Ju të ishit përgjegjësit direkt për lindjen dhe rritjen e një fryme euro-skeptike edhe në Ballkanin që aq shumë ka nevojë për integrimin evropian.

Së treti, kjo qasje çon në shpërdorimin e parave të taksapaguesve evropianë duke justifikuar gjithmonë e më shumë zërat e ashtuquajtur “populist” apo “euro-skeptik” brenda vetë Bashkimit Evropian. Duke mos justifikuar fondet e shpenzuara pas kaq shumë vitesh, ju do të legjitimonit të gjithë ato zëra që në mënyrë të vazhdueshme e kritikojnë BE-në për “defiçitin demokratik” të saj.

Indiferenca ndaj shkeljeve të vazhdueshme që ndodhin në Shqipëri, edhe në rastet kur jeni të justifikuar dhe keni mundësinë të ndërhyni kundra tyre, ju kthen në mundësues të korrupsionit, keq-qeverisjes dhe kriminalizimit të qeverisjes dhe vendit, të cilat ju jeni zotuar publikisht ti luftoni.

Zoti Hahn,

Është detyra juaj të mbështesni popullin shqiptar dhe jo politikanët, të mbështesni aspiratat dhe dëshirat e tij evropiane dhe jo kapriçot e etjen për pushtet të politikanëve që ngrihen mbi ligjet dhe mbi vullnetin e njerëzve. Nën këto synime, ju kërkuat, promovuat, dhe mbështetët edhe një Reformë në Drejtësi që zhbënte në mënyrë të paprecedentë gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sot, Ju ju kërkohet që të qëndroni pro parimeve mbi të cilat e kërkuat dhe mbështetët këtë reformë. Sjellja aktuale e Qeverisë fatkeqësisht tregon së asnjë prej atyre parimeve nuk respektohet sot.

Ju me të drejtë kërkoni nga ne që të sillemi si evropianë, të ngremë zërin ndaj padrejtësive dhe të kërkojmë llogari nga politikanët tanë. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është rasti më i mirë për të treguar se shqiptarët janë në gjendje të sillen në këtë mënyrë.

Tani jeni Ju që duhet të filloni të na konsideroni si evropianë. Asnjë qeveri e një vendi anëtar në BE nuk do të mund të ndërmerrte veprimet që ngjasojnë sadopak me ato të qeverisë shqiptare gjatë muajve të fundit. Akoma më tej, asnjë politikan apo burokrat i Komisionit nuk do të ishte indiferent nëse kjo do të ndodhte në një vend anëtar.

Është koha që këto standarde ti aplikoni edhe në Shqipëri i nderuar Komisioner.

Me respekt,

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit  

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

Ky popull nuk ka struktura organizative me peshe reale qe ti perfaqesoje! Kete popull e perfaqesojne politikanet bashke me kapriciot e tyre! Pervec kesaj element kryesor qe gjerat shkojne keshtu eshte edhe fanatizmi qe ka shumica e shqiptareve per partine Socialiste! Qe ne kohen e PPSH kjo parti ka krijuar nje lidhje shpirterore me kete popull, ka zevendesuar lidhjet shpirterore qe ka patur feja me njerezit dhe kjo gje vazhdon edhe sot, trashegohet me sukses nga brezi i vjeter tek brezi i ri! PS tashme komandon rrenjesisht dhe menaxhon me emocionet e shumices se popullit tone! Kete gje e kane kuptuar mire edhe politikanet e BE, prandaj i pershtaten ketij realiteti! Eshte investim kot per perfaqesuesit e BE apo kedo tjeter, te trondisesh emocionet e nje populli te tere, nqs u prek ne fanatizmin e tyre! Ashtu sic mund te ndjehen shumica e myslimaneve neper zonat e lindjes se mesme nqs u sulmohet profeti Muhamed! Sa te kemi kete kualitet zhvillimi mendor dhe emancipimi, ta gezojme realitetin te cilin e kemi ndertuar vete me fanatizmin dhe dobesite e shumices derrmuese tone!

Submitted by Genti (not verified) on

Popullin qe eshte gjall dhe aktiv ne protesta si ajo e Teatrit Kombetar, Valbones, Vjoses, Zharres, Peze Helmesit, Ballshit, ceshtjes Came etj etj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.