Turpi i Bashës apo faji i Ramës?
Javën që shkoi Këshilli Bashkiak i Tiranës bëri të mblidhet për të hequr 60 taksat e tarifat që sipas premtimit të z. Basha në fushatë, rëndojnë mbi supet e drobitura të qytetarëve. Bëri të mblidhet, por s’u mblodh, pasi doli që nuk ishin numrat në rregull. Pas kësaj, Mustafa Nano bëri një shkrim, jo për punë të numrave se s’merret Muçi me procedura numrash, por një analizë se çfarë janë në fakt këto të famshme 60 tarifa e taksa nga të cilat do shpëtuakemi. Në fakt, shkrimi i Muçit ishte e para analizë serioze për këtë çështje, që do ish dashur të bëhej që kur e dëgjuam si premtim këtë punën e të gjashtëdhjetave, po ky s’është faj i Muçit.
Thelbi i shkrimit të Muçit ishte se e gjithë kjo puna e heqjes së të gjashtëdhjetave është një vërë në ujë, se shumica e tyre ekzistojnë më kot, se të gjitha bashkë nuk kanë asnjë peshë në buxhetin e Bashkisë dhe se ato i interesojnë jo të gjithë komunitetit, por vetëm një pjese të vogël të tij. Nga pikëpamja financiare s’ke ç’i thua, Muçi ka të drejtë kur i thotë Bashës se po na hedh hi syve duke i hequr, ndërsa unë shtoj se Basha do prishë edhe më shumë punë kur t’i heqë vërtet.
Mirëpo mes radhëve të Muçit, ngeca në një frazë që duket e bukur si radhitje, por që nuk më shkoi dot poshtë: “ekzistenca (e këtyre tarifave) nuk është faji i administratës së Bashës; është turpi i administratës së Ramës”. Nuk besoj të më akuzojë njeri se kërceva përpjetë meqë u sha Rama, pasi e kam kritikuar atë administratë sa herë që më është dukur se e meritonte, por kësaj radhe do mbrojtur se mbrohet sistemi.
Shteti në përgjithësi dhe bashkia në rastin konkret, në fund të fundit s’është gjë tjetër veçse marrëveshje midis qytetarëve që, gjërat që nuk i bëjnë dot veç e veç, t’i kryejë një organizëm i përbashkët i cili mbahet duke i dhënë të gjithë ne një pjesë të të ardhurave tona nëpërmjet taksave, tatimeve e tarifave. Që kurse është zënë shoqëria njerëzore, shteti është mbajtur me taksa të cilat i ka mbledhur ku me hir e ku me pahir, gjë që ka prodhuar thënien mbarëeuropiane (por jo shqiptare): “Dy janë gjërat e sigurta në botë vdekja dhe taksat”. Ne shqiptarët kemi një traditë goxha të vjetër të mospagimit dhe mosnjohjes së taksave, që vjen që nga koha e kryengritjeve kundër reformave të Tanzimatit. Studiuesit thonë se një pjesë e prapambetjes së vendit në shekullin e fundit të sundimit turk, lidhet pikërisht me mospagesën e taksave. Gjë e natyrshme kjo, po të shohim se ç’ndodhte me disa pjesë të tjera të Perandorisë, apo me zona të tjera të Ballkanit ndën Perandorinë Austro-Hungareze që dinte t’i mblidhte dhe administronte taksat me një administratë efiçente. Pasi dolëm nga Turqia dhe pas intermexos 20-vjeçare të Zogut dhe italianëve, ne nga pikëpamja fiskale u kthyem dhe u mbërthyem për gjysmëshekulli në epokën e gurit, kur sistemi i taksave nuk ekzistonte. E humbëm edhe atë pak sens detyrimi ndaj shtetit, që mund të na kish mbetur dhe tani kemi 20 vjet që përpiqemi ta rikrijojmë me vështirësi të mëdha.
Taksat janë edhe edukatë. Partitë politike kanë (ose të paktën duhet të kenë) edhe një rol qytetërues dhe edukues në çfarëdolloj shoqërie dhe ca më shumë në shoqëri si kjo e jona. Nëse njerëzia i bie shkurt dhe thotë se s’do të paguajë taksa, është detyrë e politikës dhe e qeverisjes, të përpiqet të argumentojë të kundërtën dhe jo thjesht të shkojë pas berihait. Krishti vetë teksa i përgatiste njerëzit për botën tjetër, kujdesej që ndërkaq ata të zbatonin rregullat e kësaj bote. Për këtë i porosit besimtarët “Jepini Cezarit atë që i takon Cezarit”. Pra binduni ligjeve dhe paguani taksat. Eh, ç’i kanë punuar atij komunistët dhe marksistët për këtë sentencë, duke e akuzuar se kështu Krishti u shërbente shtypësve dhe kapitalit. Në fakt, Krishti kish kuptuar 2000 vjet më parë, një gjë shumë të thjeshtë. Dakord të merremi me fe, filozofi e politikë, por edhe shtetin duhet ta respektojmë, se pa të kthehemi e bëhemi prapë kafshë të egra.
Shumica e tarifave që kërkon të heqë Basha, janë shërbime që bashkia ua ofron qytetarëve. E pra, duhet të mësohemi që në kapitalizëm çdo gjë ka një vlerë të caktuar, të cilën po e përdore duhet ta paguash. Nëse kërkon një dokument nga bashkia, atë dikush duhet ta kërkojë nëpër rafte, duhet ta shtypë, duhet të harxhojë kohë, letër e bojë, ndaj ti qytetari duhet ta paguash. Madje, duke e paguar, ke edhe të drejtën morale t’i kërcasësh dhëmbët Bashkisë që të ta japë dhe që ajo të jetë e saktë, sepse e ke paguar de!
Nëse tani unë dëgjoj se do hiqet tarifa e shërbimit arkivor, këtu nuk ka asgjë për t’u gëzuar, por përkundër. Arkivi urban i bashkisë është një thesar i paçmuar i qytetit, ku fle jo thjesht kujtesa historike, por edhe çdo dokument që ka të bëjë me urbanistikën, planifikimin, lejet e ndërtimit, hallet, konfliktet etj. Për çdo hall që kemi, atij arkivi i drejtohemi, ndaj do mirëmbajtur e madje ka ardhur koha të ndërtohet një godinë apostafat për të, që të dalë nga bodrumet ku është. Në vend të kësaj, na thuhet se edhe ato dy lekë që paguanim kur na duhej ndonjë dokument prej tij, nuk do t’i paguajmë më. Dhe ky u quajtka premtim i mbajtur!
Na thuhet se do të hiqet bileta e kopshtit zoologjik. Jam i bindur se kushdo qytetar që e ka kaluar qoftë edhe një herë të vetme pragun e atij Kopshti, është i gatshëm që jo aq, por të paguajë edhe dyfishin veç të shohë të përmirësuar jetën e atyre kafshëve të gjora që janë mbyllur aty. Lajmi se edhe ato pesë lekë të biletave nuk do mblidhen më, thjesht paralajmëron tortura të reja urie dhe sëmundjeje mbi ato kafshë mjerane. I bukur premtim ky! Kështu mund të vazhdoj me shumicën e tarifave e pagesave që na thuhet se do të hiqen.
Kam ndjesinë se prapa kësaj turrjeje për të anuluar këto tarifa, fle një tjetër matufepsje administrative, paaftësia për t’i mbledhur ato, paaftësi prej së cilës tashmë vuan hapur qeveria e sotme shqiptare që, e paaftë të shtojë numrin e njerëzve që paguajnë taksat, i bie shkurt dhe shton taksat mbi ata të paktë që i binden ligjit dhe paguajnë. Ndërsa në rastin e Tiranës, me ç’shihet, po i bien edhe më shkurt, po i heqin fare ato. Mirëpo paaftësia e një administrate për të mbledhur taksat, nuk mund të fshihet duke i anuluar fare ato, se po të qe kaq e lehtë as që i vinim fare dhe do qemë në rregull. As ju kërkojmë gjë, e as na jepni gjë, dalim jek e jek dhe rrimë e flemë mbi plehra pastaj.
Në fakt, njerëzit nuk mërziten nga pagimi i taksave, por nga pabarazia e taksave. Nuk mërziten që paguajnë, por që shohin të treten pa rezultat paratë e mbledhura. Unë kam marrë pjesë personalisht në disa fushata elektorale, jo në atë pjesën e mitingjeve, por të takimeve me njerëzit. Gjithmonë kur flitet për taksat, problemi i qytetarëve nuk ka qenë të hiqen taksat, por ç’bëhet me taksat tona. E pra ky problem nuk zgjidhet duke ju thënë se do t’jua heqim dhe do jeni rehat. Kështu na tha 50 vjet Komandanti, që “jemi vend pa taksa e tatime” dhe e pamë se si na shkuan punët në fund.
Edhe një argument i fundit, bash i këtyre ditëve, se sa nuk influencojnë në xhepat e njerëzve këto tarifa, por sa të rëndësishme janë sidoqoftë. Ndër tarifat që premtohen të hiqen, bën pjesë edhe tarifa për marrjen e dokumenteve zyrtare. Pardje, ministri i Punëve të Brendshme denoncoi publikisht disa kryetarë komunash që, kundrejt një ryshfeti prej 100 eurosh, lëshonin deklarata për persona që kanë probleme gjakmarrjeje, të cilat pastaj përdoreshin nga hallexhinjtë për të kërkuar azil nëpër Europë. E pra për këto dokumente, qytetari në fakt paguan 100 euro + 1 euro, ku 100 është ryshfeti dhe 1 është pagesa zyrtare. Tani Basha thotë që, duke anuluar tarifën, po heq pagesën prej 1 euro. Po pse kjo është zgjidhja? Vullneti qeverisës, kur ekziston, duhet të bëjë të mundur që të zhdukë korrupsionin e qindëshes dhe atëherë njerëzit do gëzohen dhe do ta paguajnë me qejf e dëshirë njëshkën që i takon shtetit.
Muçi, mos m’u mërzit, me njëri-tjetrin do diskutojmë e do bëjmë debat, se me Saliun s’bëjmë dot, se ta mbyll gojën me një “ta bëj ftyrën si kpuca”!
Marrë nga Shqip
Comments
Nese ai qe e meriton,i duhet

Nese ai qe e meriton,i duhet bere kepuca si "kundra",kjo s'ka asgje te keqe.Bile e keqja eshte pse nuk ja bejne fytyren si kundra atij qe e meriton.Une nuk besoj se ti Shoku Lame je nje nga ata,ashtu sic nuk mendoj se ai te cilit ja tha Z.Berisha nuk e meriton bile ,eshte me vonese.Je tip qe pretendon se nuk flet kot,pa bere pak analize.Beji nje te tille psikologjike deputetit tend, a nuk e meriton nje vleresim te tille.Une qe vetem me televizion e njoh shokun Tahiri, ne analizen time ,them se jeta e tij nga femije e deri sot ,eshte e nje rrugaqi ordiner,per te mos thene kriminel,dhe nga nje femije maskara eshte sot nje maskara burre (NESE MUND TE QUHET I TILLE).Ate nuk e ndalon edukata,formimi,pergjegjesia, atdhetarizmi per te mos bere gjera te mbrapshta. Ate e ndalon frika ose pamundesia.Ja per shembull kete opinion nuk e kam per ty ,edhe pse njohje eshte njesoj si me shokun Tahiri dhe partia eshte po ajo e shokut Tahiri.(Ndiko te Edi dhe hiqeni titullin "SHOK" nga PARTIA.)

Nje mentalitet tipik komunist

Nje mentalitet tipik komunist ky i Endrit - ne qofte se dikush na duket maskara burre, duhet t'ia bejme fytyren me te zeze se kepuca. Pikerisht sic ua beri Enver Hoxha mijra burrave qe i dukeshin maskarej. Fale zotit qe Artan Lamja nuk i duket maskara burre Endrit...

Pra qe dij t'i dalloj burrat

Pra qe dij t'i dalloj burrat dhe qe i duhet dhene gjithesejcilit ate qe meriton.Domethene Artan Lames vleresim dhe respekt. (Kjo jo per diversion.) Dhe ka ndryshim te madh puna e Enverit me keta te socmit.Enveri thjeshte i pushkatonte,nuk kish kohe t'u nxinte fytyren.E shumta ua skuqte ate.

endri mbase pa dashje po po

endri mbase pa dashje po po bie ne kundershtim me ato qe thua, se ne fillim nuk don te gjykosh njeri ashtu kot, pastaj thua qe nuk e njef Tahirin, ose me sakte e njef me ato qe ke pare ne Tv, pastaj na flet qe paska qene "femije rrugac ordiner". tani ti kore zoteri, e njef qe femije apo tani qe u rit e del ne TV se spo te kuptoj une. dhe mos u beni njeres hipokrite. beni sikur ju digjet fort per realizem e pastaj merni flake sa ju shajn Saliun apo ndonje te qeverise. Saliu eshte nje plere, dhe te tille jane ata qe i shkojne mbas. PIKE

Ne thelb Saliu nuk ndryshon

Ne thelb Saliu nuk ndryshon nga Enveri. Ndryshimi qendron tek sistemi. Sistemi i sotem nuk e lejon Saliun te na "skuqe", por kjo nuk do te thote se Saliu eshte me i mire...

Per aq sa e lejon sistemi, Saliu eshte tejet i keq....Por le ta leme Saliun, se ate e njohin te gjithe. Me pelqeu shkrimi i Nanos, ishte mjaft i mprehte dhe demaskues. Por Lame me pelqeu akoma me shume. Eshte akoma me i thelle dhe me i ekuilibruar! Na duhet sidomos ekuilibri, perballe politikash populiste dhe te bujshme, qe nuk na sjellin asnje perfitim, perkundrazi minojne shtetin ne dobi te disa perfitimeve elektorale dhe demagogjike, me te cilat jemi lodhur tashme....

Add new comment