Për grekët dhe "dobiçin" plazmatik të Edi Ramës
Intervista e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhënë për televizionin "Skai" u ndoq me interes në Greqi për vetë kureshtjen që zgjoi në optikën e tyre kurajoja e një pushtetari shqiptar për të provokuar dhe kërcënuar një shtet europian si Greqia. Fillimisht gravura për Akropolin dhe më pas gjithë deklarimet e Edi Ramës për t'i vendosur Greqisë "kufirin te thana" u amplifikuan nga mediat greke, një pjesë e të cilave nuk fshehu zhgënjimin për artistin shumëngjyrës që befas "ndërroi lëkurë"dhe u bë një egërsirë e vogël në oborrin e lagjes, gati për të kafshuar edhe të zotin, siç ka qenë Greqia në sytë e disave për Shqipërinë e tranzicionit dhe emigracionit.
Për çudinë e gazetarëve, analistëve apo dhe grekëve të kafeneve që merren me politikë perceptimesh, Edi Rama në intervistën për "Skai" u shfaq si një lider i një metri europian, me një anglishte të admirueshme dhe që mbi të gjitha nuk ka të fshehur në kokën e tij gjysmëartistike dhe gjysmëpolitike plane irredentiste për ndryshim kufijsh. Pati konstatime në media se ky njeri duhet marrë seriozisht dhe se udhëheqja politike greke nuk duhet ta injorojë kryeministrin e Shqipërisë siç ka bërë deri më tani. Deri diku mund të themi se Rama fitoi përshtypjet e audiencës me profilin që shfaqi në plazmat e grekëve, një pjesë e tyre të fyer e të indinjuar nga politikani që tentoi t'u përvetësojë historinë.
Gjithsesi mediat deri dje dorëlëshuara për të etiketuar nacionalizmin e Edi Ramës u mjaftuan me një raportim apo zbardhje të plotë të intervistës së kryeministrit shqiptar. Duhet thënë se ky i fundit ka qenë jo pak në ankth për të parë reagimet. Dhe pas gërmimeve në "kazanin" e mediave fqinje duket se gjeti "dobiçin" që synoi të mbarste përmes artit të imazhit dhe politikës popullore. Përkthyesit e kryeministrit u vunë ethshëm në punë për të dedektuar çdo rresht nga mendimet libertine të grekëve largpamës që patën ç'të mësojnë nga 1 orë leksion i kryeministrit shqiptar.
U zbulua Kristos Raptis, një gazetar që kishte pësuar një shok kulturor nga europeisti Edi Rama, deri në pikën sa ballafaqimi me veten dhe manipulimi nga politika greke për të ishte tronditës. Ky shkrim i botuar në gazetën lokale greke "I efimerida" u dërgua i zbardhur nga kryeministra në redaksitë proqeveritare në Shqipëri, të cilat nxituan ta vendosin në ballinën e titujve. Por më mirë vonë se kurrë Kristo, sepse Edi Rama nuk është ai që duket, pasi siç thonë dhe vetë grekët, dardha e ka bishtin mbrapa. Përtej televizorit, stilit sportiv, atleteve dhe anglishtes, apo ngjyruesit të pallateve e librave, kush është Edi Rama që grekët nuk e njohin?
Në 3 vite të mandatit të tij të parë si kryeministër Edi Rama nuk ka vizituar vendin ku jetojnë e punojnë afro 800 mijë bashkëatdhetetarë të tij. Arsyet nuk i ka shpjeguar asnjëherë, edhe nëse ka qenë i refuzuar nga pala greke. Kur ishte në opozitë e linte vrapin sa nga Athina në Selanik për t'u folur emigrantëve për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër, e çuditërisht për këtë nuk u pyet në intervistën e dhënë për "Skai".
Në Shqipëri janë eshtrat e mijëra ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke dhe kryeministri Edi Rama në 3 vjet nuk ka treguar asnjë vullnet për përmbushur një detyrë humane të rivarrosjes së të rënëve të luftës, por mori buldozerin dhe gërrmoi kishën e Dhërmiut për të na thënë se aty ishin eshtrat e priftit katolik Catalano që mbolli në ato anë abc-në e shqiptarizmës, kundrejt pretendimeve të helenistëve të Bregut. Rivarrosja e të rënëve të luftës është një kërkesë e hershme e palës greke dhe çështja çame si kundërpeshë e zgjidhjes së këtij problemi nuk qëndron për vetë specifikat që ajo ka në lidhje me të drejtat historike, politike, njerëzore, apo pronësore të shqiptarëve që u shpërngulën nga rajoni i Thesprotisë, çështje të cilat kërkojnë vullnet, seriozitet, sinqeritet, kohë, nerva dhe impenjim dypalësh për tu zgjidhur.
Refuzimi për të varrosur të rënët e luftës nuk nderon as shqiptarët e as atë si kryeministër meqënëse na rrëfen se në 1940 grekët u mbajtën në frontin e luftës me bukën e bujarisë së vendallinjve. Të jetë kaq i pandjeshëm një udhëheqës vizionar, i cili na rrëfeu se u prek nga fjalët e një plake 80 vjeçare, që më kokën në sup i tha se grekët nuk po e lejonin të shihte shtëpinë e të parëve? Paradoksale po ta mendosh se kryeministri shumëngjyrësh drejton një parti që ka hipotekuar politikisht "lavdinë e Luftës", në nderim të së cilës ministrat e qeverisë mbajnë shallin e kuq dhe përkulen para lapidarëve ndonjëherë të rrjepur të sistemit hoxhist, ndërsa vetë ai vizaton yllin me pesë cepa mbi gjoksin e shqiponjës dykrenore. Por tjetër gjë të rënët e luftës dhe tjetër gjë protektorët politikë të historisë. Ashtu siç nuk nderon palën tjetër paqartësia për të dalluar axhendat politike nga historitë dhe të drejtat njerëzore. Çuditërisht edhe për këtë kryeministri shqiptar nuk u pyet si duhej në intervistën për "Skai".
Edi Rama nuk u pyet se si i ka marrëdhëniet me komunitetet fetare në Shqipëri. Ai është një kryeministër që vendos raporte preferenciale me religjonet dhe krerët e tyre. Në 3 vjet ka shfaqur afilacionin e tij prej të krishteri katolik, aq sa vrapoi me bashkëshorten e tij në aeroport për të marrë bekimin e Papës për djalin e tyre. Bekuar qoftë Zaho, por jo pse ka babain kryeministër! Edi në fakt nuk përfaqësonte aty oxhakun "Rama", por kryeministrin e Shqipërisë dhe kësisoj duhej të zgjidhte një fëmijë të sapolindur në ditët e ardhjes së Papa Françeskut, qoftë edhe nga komuniteti rom. Për nevoja personale mund të kishte udhëtuar drejt Vatikanit dhe t'ia kërkonte këtë nder kreut të Kishës Katolike.
Bekuar qoftë edhe Rama si katolik për shpëtimin e tij në jetën e amëshuar, por jo si fatsjellës për të ardhmen tonë!
Marrëdhëniet e tij me Kishën Ortodokse Autoqefale kanë patur kërcitje të forta që kanë infektuar edhe strukturat shtetërore. Kryepeshkopit Janullatos prej 25 vitesh nuk i jepet shtetësia shqiptare, ndonëse atë e kanë fituar komedianë e këngëtarë, apo edhe pehlivanë të Italisë fqinje, flamurin e të cilës kryeministri ka filluar ta veshë kur bën shpërndarësin e legalizimeve apo kur inspekton punët botore.
Kryeministri shqiptar ka vendosur distancë me kreun e Kishës Ortodokse dhe për këtë duhet të japë një shpjegim. Nëse kjo ka të bëjë me faktin se Janullatos është me kombësi greke kryeministri duhet ta thotë, megjithëse nuk e kemi parë të ketë probleme me kombësi të tjera kur bëhet fjalë për drejtimin e Institucioneve fetare nga klerikë me pasaportë jo shqiptare. Çuditërisht edhe për këtë nuk u pyet kryeministri Rama që u mundua të bindë grekët pë vizionin e tij europian. Me të drejtë ai thotë se minoriteti grek është pjesë e shoqërisë shqiptare, por nuk e kemi parë të vizitojë popullsitë e këtyre zonave përveçse në fushata elektorale. Dhe për më tepër tregon me gisht se ku është kufiri i grekëve, duke thënë se janë të privilegjuar në Shqipërinë e qeverisur prej tij dhe parardhësve të tij.
Nuk e di a pret falenderime për këto bamirësi dhe a duhen parë si borxhe këto të mira që Edi dhe të tjerët u kanë falur minoriteteve.
Për të mos folur më tej për politikianin Edi Rama dhe standardet demokratike të qeverisë së tij si në partinë që drejton ashtu dhe trupën e dyshimtë parlamentare që ka rrjeshtuar pas vetes apo shtetin klientelist e të korruptuar që ka ngritur. Ndoshta pas stilit kozmopolit të Edi Ramës nuk fshihet ndonjë plan i madh për pushtimin e Greqisë, por e sigurtë është se pas plazmës së televizorit qëndron një mendje antidemokratike që nuk është e vështirë të yshtet për interesa të imazhit dhe pushtetit të tij për të bërë zullume në dëm të fqinjëve dhe bashkëjetesës së njerëzve. Ndaj "dobiçi" që Edi Rama lëshoi pas intervistës në "Skai" nuk është as embrioni i një ere të re në Ballkan dhe as pranvera që po vjen në marrëdhëniet shqiptaro - greke. Grekët duhet të mos e njohin Shqipërinë vetëm nga televizori sepse në këtë pikë dobiçi është i zoti të shitet ai që në të vërtetë nuk është.
Comments
Sa të kanë paguar?!
Sa të kanë paguar?!
Besoj më shumë se 30 aspra!
Petroprifti@yahoo.com
Leonard, se kush eshte Rama e dime, dime edhe per energjine kolosale qe shpenzon per imazhin, ndersa qeverisjen e ka cuar per lesh. Por nese ti bere gjithe kete carcaf per te na thene se shqiptaret e pandjeshem po i zvarrisin greket e shkrete per varrezat e luftes, atehere je lodhur kot. Varrezat e luftes nuk behen ku dhe sa t'u doje qejfi te huajve, se po qe keshtu italianet dhe gjermanet duhej ta kishin mbushur Shqiperine me varreza. Ti mund te jesh edhe grekofil apo pjesetar i pakices greke, dhe qofsh me nder. Por kete manual sjelljeje qe duhet te kene parasysh greket perballe Rames, duhej ta kishe shkruar grekce dhe ne ndonje portal grek, qe ta kuptojne, se per audiencen shqiptare ke bere nje vere ne uje. Po ndoshta dhe greqisht e ke bere nderkaq...
mirekuptim
te gjithe e dime nje popull si greket nuk jane luftetar e i ngjajne me shume nje italiani sesa nje shqiptari. e per kete arsye arvanitet jane zbutur si ata. shiko edhe arbereshet, cfare tradita lufte ke me te gjetur ne kalabri? aty ku tregohet shqiptari i vertete eshte me camet e kosovaret, ata qe kane kerkuar liri e kane rezistuar armiqte. kur greket as nuk e pranojne qe camet ekzistojne e ja kane dhuruar katundet tane atyre te cilet na urrejne per vete faktin qe pranojme fe e zbatojme lirin e popullit ne vend te adhurimit te verber ndaj nje kishe shteti, ke guxim te kerkojsh per ndonje kritikim te perbashket te edi rames? kur te drejtat maksimale te pakicave popullore i jane dhuruar (pa referendum nga te dyja palet) nga qeveria e ata ala na peshtyjne sikur malet tona i takojne... c'pret nga ne? a kerkon te dorezohemi e te behemi si arvanitet? ani ju shani politikanet sa te doni e mos harroni nje gje: memedheu eshte i meshirshem ndaj te gjithe popujve por kur plas pushka zoti eshte ne anen e djemte te Skenderbeut.
Add new comment