PS: Dekreti i Presidentit për zgjedhjet në Dibër, antiligjor dhe i pavlefshëm. Reagon Presidenti: Jam njoftuar zyrtarisht nga Gj. Kushtetuese më 1 gusht 2016

Postuar në 03 Gusht, 2016 13:15

Partia Socialiste ka reaguar sot përmes deputetes Blerina Gjylameti mbi dekretin e Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Peshkopi, pas largimit prej detyrës të Shukri Xhelilit. PS-ja i është referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi pretendimet e Xhelilit, duke lënë vakant pozicionin e kryetarit të Bashkisë. Ajo e cilëson aktin të paligjshëm dhe i kërkon Presidentit të konstatojë pavlefshmërinë.

Partia Socialiste pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës mbi “Caktimin e datës 11 shtator 2016, për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Peshkopi, Qarku Dibër” gjykon se ky akt individual i Presidentit të Republikës ka dalë në mënyrë krejt të papritur dhe në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor për caktimin e e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore. Publiku është njohur me vendimin nëpërmjet njoftimit për media që Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dje mbi ankimin e Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Peshkopi, z. Shukri Xhelili. Sipas njoftimit për median ku Gjykata Kushtetuese, në seancë ka vendosur “Rrëzimin e kërkesës”. Në dijeninë tonë, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende dhe nuk është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare. Në bazë të nenit 132, pika 2, të Kushtetutës, “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare.” Duke qenë se ky vendim ende nuk është publikuar, ai, megjithëse i është bërë i njohur publikut përmes vetë Gjykatës dhe mediave, konsiderohet formalisht në respekt të Kushtetutës ende i paqenë. Sikundër edhe ligjet apo aktet e tjera normative, edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk sjellin pasoja dhe nuk prodhojnë efekte pa hyrë në fuqi. Ato nuk mund të referohen si bazë për marrjen e një vendimi të ligjshëm, pasi në kuptim të ligjit ato nuk ende ekzistojnë. Në rastet kur drejtuesi i njësisë qeverisëse vendore është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave, siç është edhe rasti i z.Xhelili, neni 115 i Kushtetutës ngarkon Presidentin e Republikës me detyrën të shpallë datën e zgjedhjeve në bashkinë përkatëse vetëm pasi Gjykata Kushtetuese vendos lënien në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 10, pika 3, e “Kodit Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, ... zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga ... data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, .... Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”. Konkretisht vendimi për shkarkimin nga Këshilli i Ministrave për z. Xhelili është lënë në fuqi dje nga Gjykata Kushtetuese por ende ky vendim nuk ka hyrë në fuqi.  Pra, vetëm pasi njoftohet për ekzistencën formale, hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave, vetëm atëherë Presidenti i Republikës bëhet kompetent të shpallë datën e zgjedhjeve dhe jo kur këtë e merr vesh përmes një njoftimi paraprak, i cili ka vetëm vlerë mediatike, por jo juridike. Duke vepruar në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, vlerësojmë se akti administrativ individual Dekreti Nr.9716, datë 02.08.2016, i Presidentit të Republikës në kuptim të nenit 108 të “Kodit të Procedurave Administrative” është haptazi në kundërshtim me ligjin e për pasojë absolutisht i pavlefshëm...Partia Socialiste si palë drejtpërdrejt e interesuar, në bazë të nenit 111 të “Kodit të Procedurave Administrative”, i kërkon Presidentit të Republikës të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ sa më shpejt, në mënyrë që të mos shkaktohen pasoja të padëshiruara nga ligji”, tha Gjylameti.

Zyra e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ka reaguar ndaj këtij qëndrimi me sqarimin e mëposhtëm: 

"Institucioni i Presidentit të Republikës mbetet i çuditur nga deklarata e subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë në kundërshtim të Dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër. Kjo deklaratë nuk është serioze dhe deformon të gjitha përcaktimet ligjore, kushtetuese dhe institucionale. Presidenti i Republikës, bazuar në detyrimet e Tij kushtetuese, si dhe dispozitave të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka vendosur të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore për Kryetar Bashkie të Bashkisë Dibër, të Qarkut Dibër. Fillimisht informojmë dhe sqarojmë opinionin publik që Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Institucionin e Presidentit të Republikës zyrtarisht, me shkresën me Nr. Prot. S-30, datë 1 gusht 2016, se kjo Gjykatë ka rrëzuar kërkesën e zotit Shukri Xhelili duke lënë në fuqi Vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij. Në këtë kuadër, përmes kësaj shkrese jemi informuar se data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është 1 gusht 2016, nga ku dhe fillon përllogaritja e datës së zhvillimit të zgjedhjeve vendore në këtë Bashki, të cilat në çdo rast janë vetëm: data 4 shtator ose 11 shtator 2016. Për pasojë, data e përcaktuar në dekretin e Presidentit të Republikës, korrespondon me afatet ligjore të përcaktuara në nenin 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Rrjedhimisht, është lënë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 361, datë 13.05.2016, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Dibër, zotit Shukri Xhelili”, vendim i cili kujtojmë se është botuar në Fletoren Zyrtare, me nr. 81, të datës 17 maj 2016. Në këto kushte, bazuar edhe në nenin 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit zyrtar mbi datën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dekretoi më datë 2 gusht 2016 datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër. Institucioni i Presidentit të Republikës i shpreh keqardhjen opinionit publik për përhapjen tek ai të informacioneve të pavërteta rreth përcaktimeve ligjore dhe kushtetuese që rregullojnë organizimin e zgjedhjeve në vend si dhe mbi përmbushjen e detyrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në këtë proces. Presidenti uron dhe kërkon zhvillimin e lirë, të drejtë dhe të ndershëm të procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Bashkisë Dibër".

(Përditësuar)

Comments

Submitted by TRAP (not verified) on

KUSHTETUTA
Neni 132 1.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton.
2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër. Mendimi i pakicës botohet bashkë me vendimin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.