Kushtetuesja: Sekuestroja mbi bazën e Sarandës, në përputhje me interesin publik
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin me të cilin hedh poshtë kërkesën e shoqërisë “Marina Bay Saranda” për të hequr sekuestron mbi bazën detare të portit të Limionit në Sarandë. Vendimi i marrë në nëtor të vitit të kaluar dhe është shpallur një muaj më pas. Gjykata ka vendosur që porti i Limionit të vijojë të mbetet nën sekuestro deri në përfundimin e hetimeve nga SPAK.
Baza detare e portit të Limionit në Sarandë u sekuestrua me vendim të GJKKO në shkurt të vitit 2023, pas kërkesës së SPAK me arsyetimin se privatizimi i bazës ka cenuar operacionalitetin e forcave detare. Vendimi mbeti i pandryshuar edhe pasi shkoi në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. Çështja më pas i kaloi Gjykatës Kushtetuese, e cila sërish la në fuqi të njëjtin vendim. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se “marrja e sekuestros i përgjigjet interesit publik edhe në drejtim të mbrojtjes së sigurisë kombëtare të lidhur me gatishmërinë dhe operacionalitetin e FD-së, në kushtet kur prona në fjalë është pjesë e PVP-së së pronave të KFD-së”.
Në lidhje me pretendimin e palës kërkuese për disproporcionalitet të ndërhyrjes, pra që marrëdhënia midis sekuestros dhe qëllimit të ndjekur të jetë e arsyeshme, “gjykata merr në analizë, në linjë me praktikën e saj, disa elemente që lidhen drejtpërdrejt me natyrën e pasojave që prodhon vendimi për vendosjen e masës së sekuestros, në kuptim të balancimit të të drejtave ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të individit, në këtë rast shoqëri tregtare. Për këtë qëllim ajo ndalet në vlerësimin e nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së masës së sekuestros, duke mbajtur në konsideratë shpejtësinë e procedurave, pra që ndërhyrja në njërin prej tagrave të së drejtës së pronës (në rastin konkret gëzimi dhe disponimi i saj) të zgjasë për një kohë të kufizuar, si dhe dëmin që vjen nga cenimi, i cili nuk duhet të jetë përtej asaj që është e pashmangshme”.
Lidhur me ashpërsinë e masës së sekuestros, dhe rrjedhimisht parandalimin e mëtejshëm të veprës penale, trupa gjykuese është ndarë më dysh.
Sipas gjykatës, “njëri qëndrim vlerësoi se masa e sekuestros nuk tejkalon kriterin e ashpërsisë, duke mbajtur në konsideratë llojin e veprës penale dhe pasojat e saj në drejtim të interesit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, e cila, siç ka theksuar edhe Gjykata e Lartë, ka epërsi ndaj interesave privatë të individëve, shoqërive tregtare, madje edhe atyre shtetërore. Në këtë pikë duhet evidentuar se objekti i procedimit penal lidhet me faktin e shpërdorimit të detyrës së funksionarëve të lartë shtetërorë për veprime që lidhen me administrimin e pronave të forcave ushtarake, që nuk përjashton mundësinë që pretendimi për pritshmëritë e kërkueses të mos merret në mbrojtje nga parimi i sigurisë juridike. Për më tepër, kohëzgjatja prej rreth 1 viti e 9 muaj e sekuestros nuk është në atë shkallë që ta shndërrojë atë në një masë tepër të ashpër, duke ritheksuar se gjithsesi hetimet duhet të jenë të shpejta, në mënyrë që dëmi eventual i së drejtës së pronës së kërkueses të jetë përtej asaj që është e pashmangshme. Nën dritën e këtyre argumenteve, konsiderohet se midis vendimit të sekuestros dhe qëllimit të ndjekur duket se ka një marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti, prandaj kufizimi i së drejtës së kërkueses është në raport të drejtë me gjendjen që e ka diktuar atë.
Ndërkohë, pjesa tjetër gjykon se, “referuar përmbajtjes së vendimeve gjyqësore objekt kërkese, duket se masa e sekuestros e tejkalon kriterin e ashpërsisë, pasi kërkueses i është vendosur një barrë e tepruar, për sa kohë që veprimtaria e saj rezulton të jetë bazuar në procedura ligjore dhe akte nënligjore të miratuara nga autoritetet publike, çka ka bërë që për kërkuesen të lindin pritshmëri të ligjshme në drejtim të gëzimit të të drejtave dhe interesave që burojnë nga kjo marrëdhënie kontraktore dhe që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në fjalë.
Në rastin konkret, kërkuesja ka hyrë në marrëdhënie me autoritet publike, bazuar në kompetencat dhe autoritetin e tyre, ndërkohë që nuk ka rezultuar që ajo të jetë vënë në dijeni apo të ketë pasur ndonjë informacion për mundësinë e prekjes së interesave shtetërorë apo për cenimin e sigurisë kombëtare. Gjykatat kanë vlerësuar vetëm faktin e përfshirjes së pasurisë nr. 696 në PVP, çka lidhet, sipas tyre, me operacionalitetin e bazës dhe sigurinë kombëtare dhe nuk kanë verifikuar situatën reale dhe faktike, nëse kanë ardhur pasoja në këtë drejtim, masën e tyre apo mundësinë e parikuperueshme të këtyre pasojave, as nëse pretendimet e kërkueses për investimin e saj edhe në të mirë të interesit publik në këtë zonë janë të bazuara e gjejnë mbështetje te planet e investimit dhe aktet e lidhura me autoritetet shtetërore.
Në këtë kuptim, pa vënë në dyshim rëndësinë e mbrojtjes së interesave shtetërorë, autoriteteve publike u lindte detyrimi për të realizuar një hetim të drejtë dhe të thelluar në mënyrë që të evitohej cenimi i të drejtave substanciale të personave të tretë në procesin penal (në rastin konkret kërkuesja) të cilët jo vetëm që nuk janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, por është provuar se kanë vepruar në bona fide. Për rrjedhojë, konsiderohet se masa e kundërshtuar është joproporcionale në drejtim të ashpërsisë së saj, ndaj kërkesa duhej pranuar
Për shkak se nuk është formuar shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa e shoqërisë Marina Bay Saranda është rrëzuar.
Baza e Limionit
Në 1 korrik të vitit 2020, Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë Marina Bay Saranda një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Bredna kësaj sipërfaqeje gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, në pronësi të Flotës Detare. Projekti parashikonte ndërtimin e një porti jahtesh dhe një resorti turistik me vila, hotele dhe apartamente.
Projekti u kallëzua në SPAK nga ish-Zv.Komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, me argumentin se dhënia me qira është bërë në shkelje të ligjit, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë dhe çdo vendim që lidhet me të duhet të ketë edhe miratimin e Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Meçollari argumentoi se privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cënon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Në lidhje me këtë çështje është thirrur disa herë në SPAK ministrja Olta Xhaçka, por edhe funksionarë të lartë të FA, përfshirë ish-shefin e Shtabit, Bardhyl Kollçaku.
Qëndrimi i Ramës
Kryeministri Edi Rama, në deklaratat e tij, e ka kundërshtuar drejtësinë për sekuestron e vendosur ndaj portit të Limionit. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së më 17 Mars 2024, Rama tha se vendimi i drejtësisë për këtë çështje është absurd. Sipas tij, të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, më 30 dhjetor 2024, i pyetur nga MCN në lidhje me projektin, kryeministri e mbrojti projektin atë, duke e quajtur skandaloze dhe absurde ndërhyrjen e drejtësisë në kompetencat e ekzekutivit. Rama tha se investimi nuk cenon sigurinë kombëtare apo të mbrojtjes, por zhvillon turizmin dhe i shërben vendit.
Është një skandal i përmasave të paperceptueshme. Është ndërhyrja më bruitale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Kushtetuta thotë se ka 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Kjo do të thotë se Drejtësia është e pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe ka një sërë detyrash të vetat, që s’mund ti bëjë ekzekutivi dhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia, në çfarë? Në të drejtën për të vendosur, që është detyrim për të marrë vendime dhe buron nga mandati i popullit, i cili zgjedh qeverinë dhe parlamentin. Dhe këtu vimë te pavarësia e Parlamentit nga ai gjyqësor. Nuk i thotë dot pushteti gjyqësor Parlamentit se si ta ngrejë dorën, sesi të votojë.
Nëse siguria jonë kombëtare cenohet apo varet nga ajo bazë e Limionit aty, atëherë unë i pari bashkë me ju, hajde kapim avionin e parë dhe ikim, se jemi të pushtuar. Realisht është një skandal. Por forca e verbër e ka bllokuar, një investim që sot do fuste në ekonomi 300 mln euro, do rriste numrin e turistëve të nivelit të lartë dhe do bënte që ato varka dhe jahte që tani parkohen në Malin e Zi, Greqi, Kroaci dhe nga të cilat bashkitë dhe shtetet marrin gjithë ato të ardhura gjatë periudhës që janë të parkuara, se janë biznes shumë i madh, të vinin edhe në Shqipëri. Këtë ka bërë kjo përçartje dhe përfutje hundësh dhe duarsh në të drejtën e pushtetit ekzekutiv për të marrë vendimin
Burimi: MCN Tv
Comments
Cudi dhe bravo i qofte Gj. K.
Cudi dhe bravo i qofte Gj. K. qe i ve Kastratit kufirin tek thana, njekohesisht nuk i trembet as te gjatit! U be Shq. prone e tre-kater vetave!
Add new comment