Iliri që bëri të qajnë e të qeshin

Postuar në 15 Nëntor, 2024 11:18
Skerdilajd Zaimi

 

Gazeta “Tema” që është në pararojë të luftës kundër çdo aksioni antikorrupsion që prek shumicën parlamentare, sjell sot në vëmendje një episod nga diskutimi në TPZ mes Ylli Rakipit dhe Albana Vokshit.

Më shumë se të zbërthejmë problemin, ne përpiqemi të bëjmë propagandë. Më tha njëri nga aty brenda jush, aman më mirë të vidhte dhe dy koncesione Beqja, sesa ky tmerr që pamë. E tepruar ishte. Ju nuk e latë të dëshmojë, pse Beqja të mos përdorte Power Point? U bë luftë dhe nuk u kuptua asgjë

citohet Rakipi.

E fortë apo jo? Do qeshim? Hajde qeshim se Ylli ka të forta. Dhe i thotë spontanisht, nuk i ka fare te paramenduara. Kjo është e bukura. Ja sa të kemi mbaruar së dhjeri nga të qeshurat, të mendojmë për padrejtësinë njerëzore që iu bë Ilir Beqajt. Është padyshim një sjellje e qëllimshme, por sa vjen ajo në shkelje të të drejtave të personit në fjalë?

Ai ka të drejtë të ndjekë rrugën ligjore për atë që i bënë, sidomos që lotët dhe qurret e solidaritetit e kanë mbuluar të ziun ngado. Çfarë na mëson ky episod që e kemi parë me dhjetëra herë? (E mbani mend arrestimin e Sajmir Tahirit, të atij mjekut Prifti?) Na tregon se korrupsioi është fillimisht shpirtëror, është një raport me veten, me jetën, me të shkuarën dhe të ardhmen.

Është një raport që e përjashton pjekurinë e një shoqërie, pjekuri e cila ndan “dua” me “duhet” dhe që e lexon të shkuarën për të interpretuar kodet e veta morale, jo për të aderuar në olimpiada imagjinare apo quizz show për kuriozitete. Vjen këtu ndërmend fakti se pse Ne nuk e mësuam kurrë mirë historinë e atij që quhet Komunizmi shqiptar, nuk e mësuan asnjëherë aspektin e tij kriminal. Dhe aspekti i tij kriminal afatgjatë nuk janë vrasjet dhe burgosjet, ato janë fatura imediate e instalimit të pushtetit. Fatura afatgjatë është korruptimi i shoqërisë, përmes instrumentalizimit të fajësisë, indiferencës, depolitizimit të saj ndaj të drejtave të veta dhe hapësirës publike, zëvendësimi i debatit me thashethemin dhe zhurmën.

Pranimi pra si normë i perspektivës së pushtetit si e vetmja që mobilizon.

Kadareja tha dikur se për komunizmin është përgjegjës i gjithë populli shqiptar që dëshmoi një anë të errët të vetën. Dhe sesa e vërtetë është kjo u pa sesi shoqëria erdhi e në një moment e pa si padrejtësi gjykimin e ish-byroistëve, e pa si gjueti shtrigash. Kaq poshtë na çoi keqkuptimi historik dhe kompromentimi moral, sikurse edhe shtazëria politke e injorantëve që morën timonin më 1992.

Ne nuk jemi shoqëri e zgjuar politikisht, sepse ende nuk dimë ta kuptojmë interesin tonë jashtë një pakti me pushtetin. Dhe vjen puna që kjo diskrediton çdo moral opozitarizmi edhe brenda vetë pushtetit. Nëse ne do ta kishim kuptuar historinë siç duhej dhe siç është, nuk do vinte puna që pas viteve ’90 të talljes me “shoqen Lenka dhe shokun Pali” të përfundojmë te Lenka e radhës në Kuvend apo te Pali tjetër në Komision Ekonomie.

Pa u zgjatur më se është humbje kohe: të qeshim me Yllin se ja bëri mirë Albanës. Se edhe do shumë punë në fakt të vësh në lojë Albanën. Pastaj kush të dojë ta qajë Ilirin e shkretë!

Comments

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

Aman mos na ngacmo Yllin se ate ka mbetur qe ndjekim.
Sa per te tjerat, ne jemi si mafie muti , e kemi ngjjyer te gjithe si popull dhe na pelqen aroma, e gjejme veten ne te.
Po si s'doli ndonje trim me veze e qumesht per ish-ministrin, kete nuk mora vesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.