Një film për "ambicien e madhe të Berlinguer"
Në festivalin e filmit në Romë prezantohet një film biografik për Enrico Berlinguer, lideri i Partisë Komuniste Italiane, ideatori i atij që hyri në historinë e ideve si Eurokomunizmi. Berlinguer, një sard me origjinë të ngritur ishte një politikan me profil të rrallë publik: i qetë, i komunikueshëm por luftarak për pikëpamjet e veta, i perceptuar si shumë human dhe serioz.
Ai hodhi, ose pranoi idenë e Kompromisit historik me Aldo Moron, çka përfundoi në mënyrë tragjike në vitin 1978 me likujdimin fizik të këtij të fundit nga Brigadat e Kuqe. Filmi – Berlinguer – Ambicia e Madhe - ka për regjizor një 48 vjeçar, Andrea Segre dhe prek të gjitha etapat përcaktuese të karrierës së Berlinguer. Një njeri larg populizmit agresiv, për të cilin edhe antikomunisti Montanelli do të thoshte se “hante pak dhe fliste edhe më pak akoma”, me një introversion dhe mbyllje gati enigmatike. Ajo që ka bërë përshtypje sipas gazetës “The Guardian” është pjesëmarrja e lartë e të rinjve në premierë, aq sa një ish-zyrtar i Partisë Komuniste Italiane, Ugo Sposetti, është shprehur se nuk e kanë pritur një gjë të tillë.
Një vlerësim për figurën e Berlinguer ka bërë edhe neofashistja që qeveris sot Italinë, Giorgia Meloni, që ka marrë pjesë në ceremoninë përkatëse. Nga rrjedh kjo përshfaqje afeksioni i përgjithshëm dhe vlerësim që përçon të gjithë spektrin politik: integriteti moral i Berlinguer dhe prej këtej edhe garancia e fjalës në Publik.
Berlinguer ishte një garantues, jo vetëm i interesit partiak, por edhe i interesit të përgjithshëm. Ka po ashtu një nostalgji sot për partitë e vjetra dhe se kur ato funksiononin mirë dhe kur Italia funksiononte mirë
citohet Mario Ajello, një gazetar italian.
Përtej kësaj, duhet thënë se është shumë kurioze dhe me rëndësi që ende sot heronjtë kërkohen Majtas, ndonëse e djathta ka kontribute të mëdha në ruajtjen e Demokracisë të cilës kaq shumë i janë gëzuar dhe që tani po synojnë ta shqyejnë. Paolo Calabresi që në film luan rolin e Ugo Pecchiolit, bashkëpunëtor i ngushtë i Berlinguer, thekson se Pecchioli ishte një figurë shumë e rëndësishëm me një integritet të madh moral që sipas tij “vetëm ata që kanë qenë partizanë të rezistencës mund ta kenë”.
Ndoshta është kjo: Morali i një politike që sot është uzurpuar nga piacistë ordinerë të rrjeteve sociale. Pa përmbajtje, pa busull dhe me sensin e improvizimit të atypëratyshëm dhe për të cilët fjala PËRGJEGJËSI është diçka që i takon arkeologjisë.
Comments
Berlinguer ishte shumë
Berlinguer ishte shumë karizmatik e i besueshëm pikërisht për cilësitë e renditura në artikull. Sot mbizotëron një populizëm agresiv i ngjyer me një propagandë banale. E keni të freskët komentin e Von Der Leyen se kampet e refugjatëve në Shqipëri duhen marrë si shembull. A ka dalje më të papërgjegjshme nga figura më e lartë e BE së. Pikërisht se kemi këtë loj politikanësh gjen hapësirë dhe gagareli ynë që shfren gjithë megalomaninë e tij të pafre.
Nuk është filmi i parë mbi Berlinguer. Besoj e kujtoni Benignin në "Berlinguer ti voglio bene".
Add new comment