Rajerson: Berisha e meriton pensionin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1841_ryerson.png?itok=hg3Pb1IW)
Intervistat me ambasadorët amerikanë në Tiranë priten gjithnjë me interes – siç u prit intervista e mbrëmshme e ambasadorit Arvizu në “Ora News”. Por interesante janë edhe intervistat me ish-ambasadorë. Një të tillë e kam zhvilluar unë me ish-ambasadorin Rajerson me rastin e 15 vjetorit të fitores së parë në zgjedhje nga PD-ja. Kjo intervistë, e zhvilluar në shqip në shtëpinë e ish-ambasadorit, u publikua atëhere në gazetën “Panorama”. Besoj se ia vlen të rilexohet edhe sot. E. Zaloshnja.
Zaloshnja: Mars 22, 1992 – ju duhet ta mbani mend këtë datë. Atë ditë, Partia Demokratike e Shqipërisë shënoi një fitore të madhe në të parat zgjedhje realisht të lira dhe të ndershme në historinë e re shqiptare. Dhe ajo parti ishte pikërisht partia që ju, nga pozicioni i Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, u duk se e përkrahët fuqimisht. Ecim përpara në kohë: 22 mars 2007 – ju jeni tani një diplomat në pension. Duke ditur çfarë ka ndodhur në 15 vjetët që nga dita kur Partia Demokratike erdhi fillimisht në pushtet, a jeni i lumtur që e përkrahët atëhere?
Ambasadori Rajerson: Përgjigjia e shkurtër është: “Po!” Më gjerësisht, mund t’ju them se alternativa tjetër në atë kohë ishte partia e Ramiz Alisë, e cila kishte ndryshuar emrin, por ishte ende partia e vjetër. E mbaj mënd Kongresin e 10-të të PPSH-së, dhe në veçanti reagimin ndaj kritikave që iu bënë Enverit. Ishte një tregues shumë i qartë se mentaliteti e PPSH-së pas zgjedhjeve të ’91-shit nuk kishte ndryshuar. Mbaj mend një episod nga ajo kohë. Në fund të vitit 1991, SHBA i kishte ofruar Shqipërisë një sasi të konsiderushme plehrash kimike – me kusht që të shiteshin me ankand. Një nga ministrat e ish-PPSH-së (që ishte akoma në pushtet) e bllokoi atë ndihmë, me argumentin se ligji nuk e lejonte shitjen me ankand! Për fat të mirë, një tjetër ministër me kurajo e dha viston, dhe ajo ndihmë u realizua. Përndryshe, Shqipëria nuk do ta kishte marrë ndihmën – dhe pasoja do të ishte më shumë uri në vitin 1992.
Zaloshnja: Ata që mbajnë mend kohën kur ju ishit Ambasador i SHBA-së në Tiranë kujtojnë se ju kishit mardhënie shumë të mira me z.Berisha. Lexuesit tanë do të jenë kuriozë të dinë në se këto mardhënie kufizoheshin vetëm në nivelin zyrtar apo shtriheshin edhe në atë personal. Gjithashtu, me vlerë do të ishte për ta nëse do na tregonit se sa shpesh takoheshit me z.Berisha, mbi çfarë çështjesh diskutonit, dhe a i dëgjonte ai këshillat tuaja (nëse i jepnit)?
Ambasadori Rajerson: Po, mardhëniet e mija me z.Berisha ishin shumë të mira. Jam krenar të them se Saliun e kam mik. Në fakt, mardhëniet ishin shumë më tepër zyrtare se sa personale. S’e kam harruar kurrë faktin që ai ishte një shef shteti dhe unë isha në Shqipëri për të përfaqësuar SHBA-në, e jo si turist ose person privat. Sa shpesh takoheshim? Në fakt, nuk e mbaj mend. Ne s’kishim ndonjë rregull për takimet - kur merrja një porosi ose pyetje nga Uashingtoni për z. Berisha, ose kur përgatitej ndonjë vizitë (si p.sh. vizita e z.Igëllberger - zëvendës i Sekretarit Bejker, e ish Presidentit Karter, ose e delegationeve nga Kongresi Amerikan), kam kërkuar takime. Ishin edhe disa raste kur z.Berisha më thërriste sepse kishte pyetje ose kërkonte ndonjë sqarim për qëndrimin e qeverisë amerikane. Në mos gabohem, herë-herë, ai ka kërkuar edhe opinionin tim. Nuk besoj se ju realisht shpresonit që mund t’ju tregoja se çfarë kemi diskutuar!
Zaloshnja: Në marsin e vitit 1995, z.Eduard Selami, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (një politikan që ju dhe të tjerë diplomatë amerikanë dukej se e përkrahnit fuqimisht) u përjashtua nga udhëheqja e lartë e partisë pas një debati të ashpër me z.Berisha, i cili ishte atëhere Presidenti i Shqipërisë. A ju shërbeu rasti “Selami” juve dhe zyrtarëve të tjerë në Uashington si sinjal se z.Berisha po prirej drejt autoritarizmit?
Ambasadori Rajerson: Në atë kohë kam qenë në pension dhe nuk mund të gjykoj sesi ishte reagimi e “zyrtarëve të tjerë”. Unë personalisht, mendoj se përjashtimi i z.Selami nga udhëheqja e lartë e partisë nuk ishte një gjë e mirë.
Zaloshnja: Pas zgjedhjeve shqiptare të Majit 1996, Departamenti i Shtetit Amerikan e këshilloi z.Berisha të përsëriste zgjedhjet në 40 zona zgjedhore, por ai nuk e pranoi këshillën. A e ndjetë veten të zhgënjyer nga fakti që udhëheqësi i partisë që ju aq fuqimisht e kishit përkrahur u kthye në një njeri që nuk i mirëpriste këshillat e vendit tuaj? A e kontaktuat z.Berisha në atë kohë?
Ambasadori Rajerson: Unë mendoj se ishte një gabim politik që zgjedhjet nuk u përsëritën në shumë zona – jo sepse ishte këshilla SHBA-së, por thjesht se duhej bërë ajo gjë. Gjatë vizitës së mikut tim Ali Spahia tek ne në gusht të ’96-ës, diskutova me të për problemin e përsërsitjes së zgjedhjeve në zonat me pikëpyetje.
Zaloshnja: Para ca kohësh, z.Berisha pranoi publikisht se kishte gabuar kur lejoi skemat piramidale të lulëzonin në Shqipëri. Besoj se ju e keni kuptuar atë gabim të tij që në atë kohë. A kontaktuat atëhere me z.Berisha në lidhje me atë problem? A mendoni se duhej të ishte tërhequr nga politika pas falimentimit të skemave piramidale në mars 1997, kur më shumë se 1 miliard dollarë të fituara me djersë nga shqiptarët e thjeshtë humbën pa gjurmë?
Ambasadori Rajerson: Mund të ketë qenë një gabim i im që nuk u informova për ato skema gjatë kohës që isha akoma në Tiranë, por ja që s’u informova. Në Uashington u ktheva në tetor të 1994-ës. Kur mora vesh më vonë për skemat – atëhere isha thjesht një qytetar privat, një “ish burokrat amerikan” – kërkova takim me ambasadorin shqiptar në Uashington. Atij i thashë se skemat ishin një rrezik shumë i madh si për Shqipërinë ashtu dhe për democracinë shqiptare - në veçanti për PD-në. Mendova se, si mik i Shqipërisë, e kisha për detyrë ta thoja mendimin tim. Besoj se z.Berisha bëri mirë kur dha doreheqjen në vitin 1997.
Zaloshnja: Tani jemi në marsin e vitit 2007 (shumë nga pyetjet tona kanë të bëjnë me ngjarje që kanë ndodhur në mars!), skena politike shqiptare duket e polarizuar në ekstrem. Në zonën e Shijakut, në datën 11 mars (ditën e votimit për zëvendësimin e deputetit të asaj zone), ndodhi një gjë e ngjashme me atë që ndodhi në zgjedhjet e Majit 1996 – Partia Socialiste tërhoqi komisionerët pa përfunduar votimi dhe komisionerët e Partisë Demokratike deklaruan fitoren e kandidatit demokrat me 91%!!! Duket sikur z.Berisha “e ndjek” situata e tensionuar politike gjithnjë nga pas. A mendoni se ai duhet të bëjë atë që bëri z.Nano, i cili u tërhoq nga posti i Kryetarit të Partisë, duke hapur kështu rrugën për politikanë më të rinj të ngjiten në krye të saj? A mendoni se kjo gjë mund të ishte në të mirë të demokracisë së re shqiptare?
Ambasadori Rajerson: Edhe mua më duket se marsi ka patur një rëndësi të vecantë në historinë e Shqipërisë së viteve të fundit! Nuk i di detajet e asaj që ndodhi në Shijak, por di të them se tërheqjen nga komisionet elektorale nuk e bëjnë njerëz të matur. Në të njëten kohë, fitorja me 91% të votave më duket qesharake - askush nuk mund të ketë besim tek një rezultat i tillë! Në lidhje me z.Nano, unë nuk mund të këshilloj imitimin e tij - opinioni im për të nuk ka qenë pozitiv dhe nuk ka ndryshuar deri më sot. Tjetër është pyetja, konkretisht: “A duhet z.Berisha të dalë në pension?” Siç e dini, unë jam amerikan dhe duke kërkuar në historinë e vendit tim për shembuj, më bën pershtypje ai i Xhorxh Uashingtonit. Pasi kishte shërbyer si gjeneral në Luftën e Pavarsisë, ai u zgjodh dy herë si President i SHBA-së. Dhe pas herës së dytë, Xhorxh Uashingtoni nuk kandidoi për herë të tretë. Ai kishte bërë shumë për vendin dhe ishte krenar për arritjet e tij, por sidoqoftë, zgjodhi pensionin. Mendoj se z.Berisha është në fakt në një situatë paralele - ai ka bërë shumë për vendin e tij, dhe e meriton të dalë në pension. Ky do të ishte një hap i mirë për demokracinë si brënda PD-së ashtu dhe më gjerë në Shqipëri. Kjo, sepse kështu do hapej rruga për të tjerë që të marrin përsipër përgjegjësitë. Unë personalisht mund të konstatoj se jeta në pension s’është fare e keqe!
Zaloshnja: Falemnderit edhe një herë për intervistën, Ambasador Rajerson. Ishte një kënaqësi e veçantë që përgjigjet na i dhatë në shqip. Kjo për dy arësye: së pari dhe kryesisht, sepse na tregon se i keni ruajtur të forta lidhjet me vendin tonë, dhe së dyti, sepse na kursen kohën për përkëthimin e tyre.
Ambasadori Rajerson: Kënaqësia ishte e imija. Përgjiget që ju dhashë në shqip e duan sidoqoftë një korrektim, sepse përndryshe, gabimet gramatikore në to mund të shkaktojnë buzëqeshje!
Comments
Rajersoni ka thene qe Berisha

Rajersoni ka thene qe Berisha te dale ne pension para kater vjetesh e jo sot.

Ambasadori Rajerson thote

Ambasadori Rajerson thote :

": Po, mardhëniet e mija me z.Berisha ishin shumë të mira. Jam krenar të them se Saliun e kam mik. "

..dhe une Agimi i them Rajersonit se populli shqiptar nga eksperienca e tij mijera-vjecare ka fjalen e urte qe thote:

" Me thuaj cfare miku ke , te te them se cili je ! "

Ketu ti je gabim, sepse Sala

Ketu ti je gabim, sepse Sala ka pro tij gjysmen e elektoratit shqiptar --Ndaj nqs Sala eshte i lig per ty, eshte i mire per pjesen tjeter te shqiptareve --Keshtu qe nuk gjykohet ambasadori duke perdorur ate thenien tende , por ai gjykohet ne baze te performances se punes se tij kundrejt demokracise se brishte shqiptare

Dhe une mendoj se puna e tij ne fillim te demokracise shqiptare i dha demokracise sone nje orientim te tipit " dog eat dog society' " ..........

Gabim ke bere qe e ke fshire

Gabim ke bere qe e ke fshire komentin tim, Shume gabim je bere njelloj si Mero Baze , se ai i fshin komentet qe nuk i pershtaten politikes se Edit

--Ne komentin tim une nuk shava popullin amerikan , por Kritikova nje nepunes te tij .

Add new comment