Policimi i Policisë

Postuar në 12 Gusht, 2024 16:28

Nuk kaloi java që e ashtuquajtura Polici e Shtetit të dalë sërish në qendër të vëmendjes mediatike. Pas incidentit mes Altin Qatos dhe një qytetari, që u dhunua në mënyrë fyese nga oficeri i Policisë, vjen ngjarja në Pogradec. Një 42 vjeçar duket se është rrahur për vdekje nga një 29 vjeçar. Egli Proga ka humbur jetën pas dhunës së ushtruar nga i akuzuari Denis Meçe, një 29 vjeçar që sipas PD-së ka lidhje me drejtues të Partisë Socialiste në Pogradec. 

Ngjarja fillimisht u raportua si vdekje aksidentale, mandej vrasje. Nga ana tjetër e motra e viktimës ka reaguar duke akuzuar policinë për mosveprim dhe madje e ka cilësuar ngjarjen si “vrasje në bashkëpunim”. Kështu e motra e viktimës ka kërkuar drejtësi me një akuzë që rëndon shumë pozitën e agresorit për të na vënë në dukje një distancë shumë të madhe mes raportimit fillestar të policisë për ngjarje aksidentale dhe akuzës së familjarëve për vrasje në bashkëpunim.

Sigurisht që drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar inspektim në Pogradec për të deklaruar se nuk është fshehur ngjarja. 

Çfarë ka ndodhur? Asgjë e jashtëzakonshme për një trupë si kjo që quhet Policia e Shtetit që bashkon në gjirin e vet edhe kriminelë, hajdutë dhe gjytyrymë të pagdhendur. Asgjë e jashtëzakonshme që nuk e dimë; në fund të fundit që policia është e lidhur me krimin dhe është pjesë e krimit na e thanë edhe deklarimet e ish-drejtorit të saj, Gledis Nano, nga materialet e hakeruara nga HomeLand Justice.

Është një polici që bën sikur nuk shikon, që disa qytetarë i ka të nënës, e disa të njerkës, që ka efektivitet maksimal vetëm në vendosjen e gjobave të parkimit dhe që e ka dhunën vulgare tipar organik të mënyrës së saj si funksionon dhe e mendon punën. Dhuna dhe injoranca janë bioma e kësaj policie që dominohet nga një frymë antiqytetarie dhe anti-sociale që patjetër do prodhojë këto ngjarje.

Ka gjë që nuk dihet në qytezat shqiptare? Ka gjë që nuk parandalohet në këto mjedise kaq të vogla? Nuk dihen konfliktet, fërkimet, tensionet, nxitjet? Kaq e vështirë është saqë të ndodhë vrasja me dhunë në mes të qytetit e të paralizohet reagim deri sa të marrim vesh se çfarë duhet të bëjmë? 

Në vitin 1997 u bë një gabim i madh: komisariatet vetëm u dogjën. Kapelet dhe uniformat e policisë i shihje në jug të veshur qenve apo gomerëve. E njëjta kulturë, e njëjta klimë dhe e njëjta armiqësi dhe pabesi dominon këtë trupë të ndyrë që kutërbon, ndaj njeriut që ecën në punë të vet.

A janë hetuar ndonjëherë qartë vrasjet e policëve në Shqipëri? Përpara sesa ata të shpallen dëshmor siç ndodh rëndom në këtë vend? Që të kuptojnë të gjithë sesi qëndron e vërteta dhe në fund të fundit për t’I dhënë dinjitetin e vet trupës që do të duhet të bënte një punë të domosdoshme për vendin. Jo. Po pse? Enigmë e madhe në fakt!

s.zaimi

Comments

Submitted by Flora keci (not verified) on

Zoti Zaimi te pershendes por po te them qe shqiptarët po marrin rruhet e botues jemi shperndare si zogjtë e Kievit krimi i organizuar nuk ka frikë nga shteti dhe ligji sepse jame bere mbushe me qeverinë shqiptare dhe krimi po merr jeten te pafajshme urgjente ministri i rendit dhe kupola e policia te hape dorëheqjen cohuni shqiptare o sot o kurre vendi eshte duke marre te tatpjeten

Submitted by Karmina&Sudja&V... (not verified) on

Keci te pershendes, si gjithmone harron te pish barnat!
Si guri, edhe po ti pish, nuk te bejne derman!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.