Përzjerja e punëve publike me dobësitë e interesat private
Po lexoja dje a pardje një lajm në sitet e agjencive italiane të informacionit, që thosh se Antonio di Pietro, ish-heroi i aksionit gjyqësor me emrin Mani Pulite në vitet ’90 dhe kryetari i partisë Italia dei Valori në ditët e sotme, ka vendosur të caktojë të birin si kandidat për në zgjedhjet rajonale të tetorit. Është pak e çuditshme, pasi Di Pietro ka dashur të dallohet në politikën italiane të kohëve të fundit për një qasje të ndryshme etike dhe morale (e tregon dhe emri i partisë: Italia e Vlerave të Mëdha e të Mira). Ai ka ngritur zërin kundër logjikës nepotike dhe klienteliste në emërimet e gradimet që janë verifikuar herë pas here në politikë e në rangjet e larta të administratës publike, por afeksioni atëror, me sa duket, t’i terratis sytë e ta merr mendjen.
Kjo nuk është një praktikë italiane; përkundrazi, është e vjetër sa vetë politika. Por në Italinë e viteve Berlusconi-ane ka rënë më së shumti në sy, së pari për shkak të faktit që Berlusconi është një personazh që ndjell vetvetiu vëmendje me tekat e improvizimet e veta të natyrës amorale, e së dyti – kjo është më e rëndësishmja – për shkak të faktit, se ai i ka dhënë një goditje të fortë logjikës meritokratike në rekrutimin dhe gradimin e veprimtarëve politikë e administratorëve publikë (aq sa ka pas në dorë, pasi në Itali kryeministri nuk ka fuqi të vërë dorw në administratë). Nuk shquhet si njeri që shpik e promovon karriera politike për fëmijët e njerëzit e familjes, por ajo që bën është e njëjta dukuri, që ngrihet mbi dhunimin e logjikës meritokratike. Janë të shumtë italianët që e qortojnë atë për jetën e shkujdesur e të shthurur prej dandy që bën, por njerëzit seriozë e të mençur janë ndalur në mënyrë të posaçme tek përdorimi për qëllime private që ai u bën fuqive e prerogativave që ka si leader i së djathtës e si kryeministër. Me fjalë të tjerë, këmbëngulin këta të fundit, ai mund të ftojë cilën të dojë në shtëpinë e vet, dhe mund të flejë me cilën të dojë, por nuk ka të drejtë t’i zgjedhë anëtare këshillash bashkiakë e deputete femrat me të cilat fle e bën seks (Berlusconi i merr me vete në avionët e makinat shtetërore, ndërhyn në kuesturë për lirimin e ndonjë prostitute, etj, etj, por këto s’kanë të bëjnë me dukurinë, për të cilën po flas).
Të njëjtën gjë ka bërë e bën Umberto Bossi. E mban djalin me vete, e bën protagonist me pahir në jetën publike italiane, e zgjedh në Këshillin rajonal të Lombardisë, dhe nuk e fsheh (të paktën nuk e përgënjeshtron) që synon t’i lërë partinë që ta trashëgojë. Janë njerëz të paskrupullt, të cilët ngatërojnë si pa të keq interesin publik me dobësitë private, e për të cilët të dytat (dobësitë private) janë më të rëndësishme se sa i pari (interesi publik). Duket e pabesueshme, por ja që kështu është. Shtjenë në punë karizmën e tyre, magjinë e tyre tek turmat, dhe kaq u mjafton për të shpërfillur një establishment partiak të tërë, të cilin rëndom e kanë krijuar vetë (ky është rasti i të treve, Berlusconi-t, Bossi-t, Di Pietro-s, të cilët kanë ngritur parti nga asgjëja).
Por shpjegimi nuk mbaron këtu. Duhet të ketë edhe diçka që s’shkon në shoqërinë italiane, që edhe kur nuk i legjitimon e brohoret situata të tilla, nuk i kundërshton aq sa duhet. Janë gjëra që s’mund të përfytyrohet të ndodhin në politikën gjermane, britanike, apo skandinave. Dhe kur them këtë nuk e kam fjalën që në vendet që sapo përmenda nuk mund të ndodhë që djali/vajza e një personaliteti të rëndësishëm politik të merret me politikë, gjithashtu. Jo, askush nuk ka të drejtë t’i mohojë askujt të drejtën për t’u marrë me politikë, por karriera e këtyre ‘figli d’arte” duhet të ecë nëpër po atë itinerar që ecën dhe karriera e të gjithëve, dmth dhe ata duhet të bëjnë gavetën, dhe ata duhen të japin prova, dhe ata duhet të tregojnë se vlejnë, dhe ata duhet t’i fitojnë gjërat, postet, gradat, përgjegjësitë një e nga një. Ndërsa në Itali ndodh ndryshe. Djali i Bossi-t, fjala vjen, nuk shquhet për cilësi të veçanta në lëmin e kulturës e të politikës konkrete; përkundrazi, ai vihet në lojë nga të gjithë për të kundërtën.
Sa më sipër është një diskutim që vlen edhe për në Shqipëri, sidomos për në Shqipëri. Ndoshta nuk kemi mbërritur ende tek përdorimi flagrant i pushtetit për të promovuar idera të afirmimit familjar në politikën e madhe. Por shenja ka pasur sa të duash: Godo çfarë nuk bëri që e bija, pa asnjë kontribut publik, të bëhej ministre, dhe e bëri; Berisha lë të tjerët t’i mëshojnë idesë se e bija mund të trashëgojë postin e tij në krye të PD-së; e mohoi së fundmi një mundësi të tillë, por thjesht duke thënë se “ç’është ky muhabet?”; Monika Kryemadhi është eksponent i rëndësishëm i LSI-së, por kuptohet se atje është, jo për merita personale (ndonëse afirmimin publik të vetes e ka bërë në një rrugë paralele e të pavarur), por për meritën që është gruaja e Metës. Ndërsa në nivele më të ulta, kemi të bëjmë me një nepotizëm të ububushëm. Administrata publike është mbushur me njerëz të familjeve e të klaneve të njerëzve me pushtet. Mund të numërohen me gishta njerëzit që janë punësuar mbi bazë meritash.
Por ka më keq, nëse duam të mbahemi tek argumenti i përdorimit të pushtetit në kurriz të meritokracisë. Udhëheqësit politikë shqiptarë i kanë mbushur ekipet e tyre drejtuese me “njerëz të tyre”. Berisha ka arritur deri atje sa ka marrë nga rruga një këngëtare (nga rruga në kuptimin nga jashtë politikës), Çiljetën, e cila duket që larg se nuk ka as interes, as pasion, as një know how minimal në fushën e politikës. Por ai e mori për t’u dukur vetë si new fashion përballë propagandës së kundërshtarëve që e paraqesin si një të vjetër të vjetëruar. Askush nuk ka ngritur zërin nga brenda për të thënë, se “kjo nuk ka kuptim”. Përkundrazi, e kanë miratuar me zë e me heshtje.
E fillova me Di Pietro-n, që po synon të promovojë të birin në politikë, por do duhej t’ju thoja se në bazën e partisë, në Molise, ka patur reagime. Kanë reaguar drejtues lokalë të partisë, por edhe anëtarë të thjeshtë. Kjo e fundit nuk ndodh asnjëherë këtej nga anët tona.
Comments
Sdo ta konsideroja dobesi

Sdo ta konsideroja dobesi sesa nje "Trashgimetar" te "pasurise" Politike qe keta njerez kane Krijuar nga Hici. Ne vetvete , Politika sot Konsiderohet si Biznes FitimPrures ne shume drejtime pra sdo pare thjesht per "Interesin Publik" . Qe do te thote qe " Ne ofrojme Sherbime ,prandaj na Votoni Ne " Pra familjen....si vazhdimesi e kesaj rruge.....Rast konkret Familja Bush, Papandreu,Karamanlis....apo edhe shume...te tjere....pra duna te krijojne "Dinastite Politike".

pershendetje z.Mustafa! per

pershendetje z.Mustafa!

per te shprehur me mire kete fenomen ne italisht perdoret thenia napoletane:" i figli sò piezz'e core"

Megjithate te njejtat fenomene si ato shqiptaret verehen edhe ne Itali, packa se baza mund te reagoje. Psh. ketu ne Milano ku votoj per PD (Partito Democratico) nje anetar i rendesishem i saj Filippo Penati po hetohet per korrupsion dhe reagimi i fuqishem i bazes ka bere te mundur qe PD ta perjashtoje ate perkohesisht nga partia. Per fat te keq kjo nuk mund te ndryshoje ate sistem klientelar e nepotik te fuqishem qe lidh politiken me biznesin e me korporatat e medha financiare.

Add new comment