Unë, e shtuna, dhe fatura e ujit
E shtunë. Ditë pushimi. Njeriu zbret poshtë pallatit të vet me familjen për të pirë kafen mëngjesore. E ka dëshiruar gjatë gjithë javës këtë kafe me familjen e tij, pasi ka kaluar ditë të ngarkuara me punë, por ja që para se të dalë nga pallati mendon të ndalet e të marrë faturat e dritave dhe të ujit dhe ta mbaroje edhe këtë punë. Për herë të parë sheh njerëz të grumbulluar tek dollapi i faturave në katin e parë të pallatit të vet, njerëz që diskutojnë me zë të lartë e që duken mjaft të shqetësuar.
Dihet që nuk është ndonjë kënaqësi e madhe për njeriun të shohë faturat në fund të muajit, sepse e di që do të dalin nga portofoli i tij lekë për t’i paguar ato, por nga ana tjetër e di që janë detyrimet e tij ndaj kompanive dhe shtetit që i ofrojnë shërbime jetësore, ja pse është i ndërgjegjshëm që këto detyrime duhen paguar.
Më në fund i vjen radha për të marrë faturat e tij. Çudia e madhe këtë herë është fatura e ujit dhe nuk u beson syve kur sheh 256 m3 ujë të harxhuara gjatë muajit gusht, madje fërkon edhe njëherë sytë se mos nuk e ka parë mirë. Është hera e parë në jetën e tij që nuk po bën dot dallimin mes përdorimit të lekëve të vjetra apo të reja për sa i përket shumës së faturës. Një pjesë e trurit i është bllokuar, por një pjesë tjetër e tij fillon të funksionojë si makinë llogaritëse duke bërë përllogaritje: ka një ballkon jo shumë te madh, ku nuk mund të vendosë një pishinë për fëmijën e vet. Llogaritjet vazhdojnë me atë se sa m3 mund të mbajë shtëpia e tij sikur të taposë me dyer e me dritare, por përsëri llogaritë nuk i dalin. Ku ta ketë harxhuar tërë atë ujë vallë?
Rreth pallatit të tij sheh kafenetë, në të cilat këtë të shtunë ndihet një atmosferë e ndryshme, njerëzit duken të zjarrtë në diskutimet e tyre, por këtë herë nuk diskutohet për politikë e kronikë të zezë, por për faturat e fryra të ujit. Çfarë po ndodh kështu me faturat e ujit? Në mendje i vijnë premtimet e qeverisë për amnistinë e detyrimeve të papaguara, të cilat përfshijnë edhe faturat e ujit, por po ashtu i kujtohet se këto javët e fundit këta të UKT-së janë sjellë vërdallë si çakej të babëzitur përreth pallatit të tij dhe në lagje të tjera të qytetit. Si duket, synimi i tyre paska qenë për të parë gjendjen reale të ujëmatësve dhe me siguri duhet të kenë zbuluar ndonjë mospërputhje mes sasisë reale të ujit të harxhuar dhe sasive të ujit të faturuara deri më tani. Ndryshe nuk ka si shpjegohet se përse në faturën e tij shkruhet e zezë mbi të bardhë se ka harxhuar 256 m3 ujë gjatë muajit.
Në një vend normal, në një vend ku qytetari trajtohet si i tillë dhe jo si raja, atëherë ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe: do të kisha marrë një faturë me vlerën reale të ujit të harxhuar për muajin vijues si dhe një faturë tjetër të jashtëzakonshme për vlerën që duhet paguar, me qëllim që të realizohet përputhja mes sasisë reale të ujit të harxhuar dhe sasive të ujit të faturuara deri më tani. Po ashtu, kur ata çakejtë e UKT-së do të vinin për të evidentuar këto mospërputhje nuk do ta bënin dot këtë gjë pa qenë edhe unë i pranishëm, sepse në fund të fundit jam unë dhe familja ime harxhuesit e këtyre 256 m3 ujë dhe kemi të drejtë të njihemi me gjendjen reale të ujëmatësit tonë. Gjithashtu, po të jetoja në një vend normal, thotë me vete njeriu, do të më njihej e drejta që vlerën e kësaj fature të jashtëzakonshme ta paguaja me këste, sepse në fund të fundit financat familjare janë ato që janë. Për më tepër, i kujton ai vetes, një pjesë e kësaj sasie uji të pafaturuar është harxhuar në periudhën që, sipas ligjit të miratuar me këmbënguljen e kryeministrit tonë, përfshihet në amnistinë fiskale, pra është një vlerë e ujit të harxhuar që konsiderohet e falur. Mirëpo, a e dinë këtë ata çakejtë e UKT-së?
Comments
Faturat e energjise elektrike
<p>Faturat e energjise elektrike dhe ujit nuk mund te jene te faturuara per me shume se 30/31 dite, pra jane fatura mujore. Nje faturim prej 253 m3 eshte i pamundur per nje familje, nje apartament!!!!Le te kete mosperputhje, duhet ta zgjidhi UKT mosperputhje me tekniket, hidrauliket, faturuesit e c'ka. Keto lloj faturash ABUZIVE nuk duhen kurrsesi paguar, sepse i hap oreksin UKT per te leshuar fsatura te tilla, perkundrazi duhet bere denoncim prane Agjensise se Mbrojtjes se Konsumatorit!!</p>
Abuzuesit kryesor jane
<p>Abuzuesit kryesor jane drejtuesit e UKT.jane keta qe udhezojne faturuesit per fatura te fryra. Per sa i perket qytetareve jane krejtesisht te pambrojtur ja vetem nga zyra per mbrojtjen e konsumatorit te cilet jan bedela te pushtetit, por edhe nga vete shteti. Nuk eshte çudi qe ne ndonje rast te kemi dhe vetegjyqesi (ndeshkim) te ndonje faturisti sejmen i ndonje drejtuesi te UTK. Vetem atehere do te shohim ne do t'ia mbaj b....tha ndonjerit te tjetersoj te drejten e qytetarit te thjeshte te Republikes. </p>
Add new comment