Troç, duke i rënë nga Kina
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4655_kin.jpg?itok=tY1-aLOL)
Para pesë vitesh, me rastin e 60 vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet e Europës Lindore e Juglindore, ministria e Jashtme kineze kishte ftuar një grup gazetarësh nga këto vende për të vizituar vendin e madh. Edhe autori i këtyre radhëve ishte mes tyre. Axhenda ishte e ngjeshur dhe serioze, duke përfshirë edhe takime e biseda me zyrtarë të nivelit të lartë. Megjithë njëfarë lezeti e nostalgjie të veçantë që ndihej në reagimin e tyre kur u thosha se vija nga Shqipëria, në përgjithësi zyrtarët kinezë, kur binte fjala për marrëdhëniet dypalëshe, flisnin për “rajonin” e Europës Lindore në bllok. “Ne dëshirojmë që marrëdhëniet e Kinës me rajonin tuaj...”, etj etj. Ishte e kuptueshme, thamë me njëri-tjetrin, që kur vjen puna për interesa ekonomike, Kina e madhe të konsiderojë si partnere jo Shqipërinë, as Serbinë, as Bullgarinë, e madje as Poloninë, por gjithë bllokun e shteteve të dalë nga regjimet komuniste, e që kanë nevojë për forcim të marrëdhënieve ekonomike dhe investime me interes të përbashkët. Mesa duket, njëfarë “reforme territoriale” e pashmangshme e gjeopolitikës së vendeve si Kina.
Faktikisht, kjo po ndodh me samitin e Beogradit që fillon nesër, ku kryeministri kinez Li Keqiang do të zhvillojë një konferencë me 16 homologë nga Europa Lindore e Juglindore, që presin investime të mëdha nga Pekini. Do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Rama. Siç njofton Dojçe Vele, para takimit Serbia do të inaugurojë urën mbi Danub, ndërtimi i së cilës është financuar nga Kina, një simbolikë kjo e një spektri më të gjerë të strategjisë së re të Kinës, e cila për t’u angazhuar më shumë jashtë vendit dhe për të hapur tregje të reja, ka bërë gati një kredi prej 10 miliardë dollarësh për rajonin.
Nuk do mend se kjo ngjarje ka shqetësuar seriozisht Bashkimin Europian. Plani kinez për të derdhur para të madhe në vendet e “shpejtësisë së dytë dhe të tretë” të Europës që kanë nevojë urgjente për investime e modernizim, është së pari një sfidë në domenin politiko-kulturor të BE-së, një hyrje e padëshiruar në “bahçen prapa shtëpisë”, aq më tepër që shumica e këtyre vendeve, vetëm dy dekada më para u shkëputën nga ndikimi rus. Por përtej “namuzit”, ekziston shqetësimi se me praninë e madhe ekonomike, Kina do fillojë të ndikojë edhe politikisht mbi vendet që janë ose anëtare të BE-së, ose aspirante për anëtarësim.
Fakti është që udhëheqja kineze, prej shumë kohësh tashmë në një fazë “post-ideologjike”, me shartimin e suksesshëm të sistemit politik njëpartiak me ekonominë kapitaliste, synon ekspansionin ekonomik, zgjerimin, gjetjen e tregjeve të reja. Ideologjia, cilado qoftë ajo, nuk duket se hyn shumë në këtë mes. Dhe nuk duhet patur frikë se mos gabojmë, nëse themi se Shqipëria është e vonuar në këtë drejtim. Le ta theksojmë troç dhe shkurt, duke i rënë nga Kina, se në përfitimin e financimeve dhe investimeve me interes dypalësh, ashtu siç tek e fundit kanë bërë vetë BE-ja dhe vendet më të zhvilluara të saj, jemi në bisht. Nëse busulla e qëndrueshme e strategjisë kombëtare dhe ka qenë dhe mbetet rruga drejt BE-së dhe zbatimi i parimeve të saj demokratike, shtetit ligjor dhe të së drejtës, në marrëdhëniet ekonomike duhet të ishim shumë më pragmatistë e më të “shkathët”.
Në rastin tonë, ka një ironi të vogël prania e kryeministrit Rama në këtë samit; është i njëjti që në konferencën e Berlinit me vendet e Ballkanit, ishte personazhi qendror pranë kancelares Merkel. Por vetëm kaq. Sepse Rama nuk ka reshtur së kërkuari më shumë asistencë dhe inkurajim konkret nga BE-së për Shqipërinë; ndërkohë që siç vërehet nga disa detaje e shifra, Serbia është një përfituese e madhe e investimeve kineze, madje edhe Mali i Zi fqinjë, paçka se janë firmat kineze ato që zbatojnë projektet, dhe kompanitë vendase janë thjesht nënkontraktore. Është fjala për miliarda dollarë deri tani, plus 10 miliardë të tjera që Pekini ka në projekt.
Ndërkaq, nuk mund të fshihet se sa i takon Shqipërisë, ne kemi patur edhe një problem tjetër: Edhe kur BE apo institucione e vende të veçanta perëndimore kanë ofruar financime, ne nuk kemi ditur të ofrojmë projektin përkatës?! Edhe kur paratë janë lëvruar, nuk kemi ditur t’i harxhojmë siç duhet dhe janë djegur. Edhe atëherë kur i kemi marrë, i kemi harxhuar “siç dimë ne”. Ose kemi tentuar, si me projektin gjerman të interkonjeksionit.
Por nuk zhbëhet më ajo që kemi bërë, dhe tani jemi në këtë fazë. Besoj se është e udhës që ky rast kinez të merret seriozisht, nëse duam pastaj të mos qahemi e të shkruajmë dosjerë e kujtime mallëngjyese si me “shansin gjerman”. Gjithmonë pa e humbur orientimin drejt BE-së, sado qoftë në krizë, sado i lodhur nga zgjerimi, dhe sado qofshim ne të lodhur nga durimi.
Por edhe Brukseli duhet të kuptojë se kushtet dhe kushtëzimet, presionet dhe afatet duhet të vijnë paralelisht me ndihmën dhe investimet. Me investime serioze dhe jo me rroga këshilltarësh që na mësonin në vitet 90-të si mbillet domatja. Nëse dikur na urdhëronin që edhe bar të hamë, por parimet të mos i shkelim, sot duhet ta kemi nxjerrë mësimin: As parimet bazë që na çojnë drejt BE-së të mos i hamë rrugës, dhe as barin e interesit ekonomik të mos e shkelim.
DITA
Add new comment