Talebanët e web-it
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8421_2_137.jpg?itok=0JYWLWD1)
Këtu e njëzet vjet më parë, kur nisa të përdor kompjuterin dhe e futa në universitet duke organizuar kurse trajnimi për gjuhët e programimit, mbaja lidhje me njërin prej studjuesve të parë të problemeve informatike dhe, së bashku, shestuam disa nisma në nivel akademik. Një ditë, gjatë një debati, m’u desh të thoja diçka që cilido studjues serioz do ta kishte thënë edhe për “Të fejuarit”, kultivimin intensiv të patates apo për metodën Montessori: vura në dukje disa pika kritike për këtë objekt të interesit të përbashkët, ashtu sikundër do të isha i gatshëm të tregoja të gjitha rastet kur automjeti përbën rrezik, edhe pse jam përdorues i tij, madje edhe lexues i apasionuar i revistës “Quattroruote” (lëshimi i gazrave ndotëse, shpejtësia e tepërt, bllokimi i rrugëve, plogështimi i trupit). Unë s’kisha për ta bërë kurrë: ky njeri, të cilin e mbaja për studjues të matur, m’u hodh në grykë duke më akuzuar për pandjeshmëri të verbër ndaj progresit dhe urrejtje të mjeteve elektronike.
Çdo risi krijon besnikët e vet të ekuilibruar (unë jam përdorues i matur i kompjuterit e i Internetit, ku vozit përditë dhe kompjutera kam nja tetë copë në vende të ndryshme), por krijon edhe “talebanët” e saj, ata që i qasen të resë sikur të ishte e shenjtë dhe e paprekshme e pa të cilën do të na duhej të riktheheshin në kohën e Noes.
Në shkrimin pararendës tregova se si, brenda tri ditëve, në Internet u shfaqën katër lajme të rreme që kishin të bënin me mua. Prandaj tërhoqa vëmendjen për të bërë kujdes lidhur me këtë mjet sepse, duke qenë në duar të gjithsecilit, ai mbushet me pasaktësi, madje edhe me gjepura, të hedhura në qarkullim enkas për të minuar besimin e njerëzve tek Interneti.
Unë s’kisha për ta bërë kurrë. Në vend që ta vlerësonin këtë këshillë kritike për të mos e marrë asnjëherë sapunin për djathë, më qortuan paq si apokaliptik, ludist, mizoneist, kundërshtar i dëshpëruar i mundësive fatlume dhe progresive që ofron zhvillimi. Më kundërshtuan duke thënë se të gjitha lajmet e rreme që përmenda unë, fillimisht patën dalë nëpër gazeta dhe agjensi shtypi dhe, vetëm më pas u përhapën edhe në Internet. Kjo është njëlloj sikur të thuash se nëse një e përditshme boton lajmin që Bin Ladeni është ende gjallë dhe po i ngrys ditët në Guatemalë, sepse e kishte parë një malësor bolivian teksa po mbillte koka, përgjegjësia për përhapjen e këtij lajmi të rremë nuk bie mbi gazetën, por mbi malësorin.
Unë lajmin për ato katër gënjeshtra e mora nga Interneti, ngaqë nuk më ranë në dorë burimet gazetareske në fjalë. Ca nga këto dokrra u përhapën ndër mijëra njerëz, por me t’u përhapur në Internet arritën gjer tek unë. Fakti që shtypi përhap shpeshherë lajme të rreme është histori e vjetër, aq sa dikur Oscar Wilde, në njërin prej paradokseve të tij, qahej për rënien e moralitetit publik duke thënë se tashmë edhe gazetat po japin lajme të vërteta. Mirëpo, me Internetin kemi një ndryshim sasior mbresëlënës dhe ka raste kur sasia shndërrohet në cilësi.
Gjithsesi, ka diçka ngushëlluese të cilën ia vlen ta diskutojmë dhe që përbën arsyen pse unë vazhdoj ta përdor Internetin si burim informacioni: ndërsa lajmi i rremë nëpër gazeta llapëtin në faqen e parë, përgënjeshtrimi bëhet me gërma të vockëla në faqet e brendshme; përkundër kësaj, kur një dokërr shfaqet në Internet, ka mundësi të mira që kundërshtimi i saj të dalë në pah njësoj, madje të feksë edhe më shumë. Kritikat e bëra on line shërbyen më tepër se sa vetë shkrimi im për të informuar shumë vetje se ato katër të dhëna ishin të rreme.
E pikërisht nga kjo na lind nevoja e ndershme për ta kritikuar web-in, ashtu siç kritikohet politika apo siç rrëzohen hipotezat e gabuara në kërkimin shkencor dhe, sidomos, këtë duhet t’ua mësojmë më të rinjve. Nuk arrij ta kuptoj dot pse disa njerëz janë gati të skandalizohen nga ushtrimi i lirë i kësaj kritike të domosdoshme.
Përktheu: Henrik Ligori
Comments
Shume interesant artikulli
<p>Shume interesant artikulli dhe edhe me interesant perkthimi i cili e ka sjelle aq bukur ne nje shqipe kaq te pasur. Falemnderit perkthyesit!</p>
Add new comment