Takim me një demokrat

Postuar në 10 Gusht, 2011 04:03
Andi Kananaj

Gushti në Tiranë është më i bukur se sa mund të pandehet nisur nga parashkimi i motit në TV. Fakti që mund të gjesh parkim me të parën, passjell takime më simpatike në rrugët e qytetit, falë relaksit bilateral. Megjithatë, unë nuk e pata zgjedhjen që të jetoja gjatë kohë-qetësinë time.

Isha nisur për krejt tjetër punë në bllok, ku fati deshi të ndeshesha në rrugë me një demokrat; që si i tillë m’u prezantua në pizg të vapës duke më zënë pa takt rrugën me trupin e bëshëm. Do të doja të shkruaja që biseda jonë, në ato pak minuta, pati trajektoren e bisedave normale dhe se vramendja ime më pas ishte gjetja e një përgjigjeje serioze për dilemat e bashkëqytetarit tim. Por jo.

Do të doja të mendoja se kohët kanë ndryshuar aq shumë sa mund të flisja normalisht me të dhe jo të vrisja mendjen se si t’i ikja Mujit të padenjë për lavdi. Njerëz, nëse këtyre personazheve do t’u jepet edhe një herë mundësia, do të na mekin me trimëri, si element të pamohueshëm të mesjetës në të përditshmen tonë. Ndërkohë që personazhe të tillë dalin në skenë pa përplasur asnjë derë historie, vetëm e vetëm se dikush në mënyrë krejt naive e djeg shpirtin e tij epik duke i transformuar në drejtorë drejtorie në një ministri x.

Historia në fjalë, takimi me demokratin e zakonshëm drejtor drejtorie, edhe pse pa ndonjë interes të dukshëm publik, më la aq mbresë sa më duhet medoemos ta fus tek rrëfenjat për ditët e zeza.

U pamë në sy vetëm për një fragment aspak të hajrit. Koha megjithatë nuk ishte aq e shkurtër sa të mos kuptohej se ky njeri kishte shkruar mbi lëkurën e tij “Burri është burrë”. Ndoshta për këtë arsye e nisi me fjalët simpatike “Jua Q… shefin Tuj!!!!”. U çorodita, se unë punoj në një zyrë me dy kolegë, ku me sa di unë është jo produktive të shpallet shef gjysma e zyrës në ditët e zakonshme të punës. Megjithatë isha gati që për marrëdhënie të kësaj natyre t’i kaloja kolegut çdo atribut urdhërues nëse do e donte puna.

Në furinë e tregimit të tij, demokrati kolos, buçko dhe me flokë model militanti, tregonte edhe nëpërmjet ilustrimit, momente nga ky çast tragjik. Mblodha mendjen dhe e pyeta se ku kishte ndodhur seksi në fjalë dhe nëse kishte ndjerë tërheqje për shefin tim anonim në momentin e ndarjes. Demokratit iu bë zemra mal dhe më tha që shefin tim e kishte parë duke u palluar tek kulla Eifel në Paris, e ndërsa tregonte dukej sikur mbahej tek dy shtylla të stërgjata hekuri. Do të kisha vazhduar me ëndje ta dëgjoja bisedën me elementë të pamjaftueshëm provash, por demokrati vendosi të bëjë emra. Ed Rama mbahej tek Kulla…

A je i sigurtë i them, me rrekjen që biseda të mos humbte në detaje.

Po – tha, me kapardisjen e dikujt që fjala nuk mund t’i vihet në dyshim.

Pa marrë asnjë përgjigjie, por duke marrë si bashkëpunuese heshtjen time, me tregoi plot metafora edhe për katër ose pesë deputetë të majtë. Dukej se fati a rastësia e kishte çuar këtë burrë të urtë për të demaskuar veprat turpe nëpër botë.

Njësoj si këngëtari që sapo ka përmbyllur me sukses arien e largohet pak metra për t’u kthyer edhe një herë me lavdi, demokrati mori një pauzë. Pastaj nuk rreshti së treguari se si kishin vjedhur e do t’i vidhnin votat gjithmonë. Burrat-gra nuk e meritojnë të fitojnë – tha dhe qeshi vetëm me veten. Mirë e ka një miku im. Zoti i ka bërë të tillë demokratët që të dallohen nga gjallesat e tjera.<

* * * * *

Unë e di pse i vjedhin votat demokratët. Ka diçka më shumë se paraja e lehtë e fituar duke privatizuar Shqipërinë e shkretë. Ka diçka më tepër se deliri i pushtetit. Ka dhe më tepër se sa siguria në shumë breza. Demokrati i mirë edhe kur ka fituar i vjedh votat si në vitin ‘96. Diferenca ishte e tillë që votat e vjedhura nuk nevojiteshin. Nuk është as fakti që PD ka më pak vota se e majta në këtë vend dhe se votat nuk ndërrojnë kah kollaj. Ka një arsye që është ngulitur thellë në pandërgjegjen demokrate. Sado që të fitojnë, demokratët ndihen më idiotë se socialistët. Pas 8 vitesh në pushtet, ata përsëri dëgjojnë murmurimat: kta s’janë njerëz. Që nga fillimi i viteve ‘90 kompleksoheshin nga fakti që lideri i të majtës ishte i pakuptueshëm për ta. Filluan të duan liderin e tyre që thërriste si ta. Meqë nuk mund të kenë demokratin e kulluar, të paktën të marrin mbrapsht demokratin kallp, të cilit ia kuptojnë fjalët.

Demokratët vjedhin votat me zell që të largojnë nga mendja faktin se janë partia e injorantëve. Sikur të mbaronte këtu terapia dhe suksesi të na kthente mbrapsht një pjesë të popullsisë, do të jepnim të gjithë një dorë tek kutitë. Realiteti tregon që dora s’duhet por sidoqoftë le të jetë si lëvizje, për të dhënë gjithmonë shembullin e qytetarit altruist deri në mazokizëm. Megjithëse opsioni i mbylljes së historisë me kurse intensive vetëbesimi duket se është në vështirësi aplikimi. Mundësia tjetër që të tillë invalidë mendimi të na qeverisin është kthyer në një klishe monotone. Karnevali është kthyer, por me tone tragjike.

* * * * *

Fjalët “mos u bëra i mërzitshëm”, nuk i dëgjova asnjëherë nga demokrati, njohja ime e para disa ditëve. As shprehje si  ”ndoshta jeni vonë” apo “ të më ndjeni për kohën e humbur”. Puna shkoi deri aty sa për një cast, ndoshta u tregova i pavendshëm ose më keq akoma, i painteresuar për temën. Kjo, apo të tjera arsye me solide, bënë që të gjehej e arsyeshme tërheqja me pasion nga bluza duke rrëzuar kësisoj dhe kultin e fundit, atë të mos kapjes me dorë në qytet, brenda apo jashtë përkatësisë seksuale. Mund të merret me mend që ky djalë do të bëjë gjëra të mëdha për demokratët.

Se si u largova prej tij nuk më kujtohet, por akoma më oshëtijnë në mendje britmat e tij për sukseset dhe vazhdimësinë.  Nuk prisja sigurisht që të ndërgjegjësohej për spitalet në pikë të hallit, për shkollat, për banesat për të pastrehët, shërbimet, rrugët, kanalizimet. Për këto çështje, demokratët e mitingjeve nuk kanë folur kurrë. Demokratët dinë vetëm të ankohen për Hoxhën.

Ndërkohë që largohesha, mendova se ai kishte të drejtë për diçka: Hë për hë, ata kanë fituar.

Comments

Submitted by Arra Gunge (not verified) on

Po te ishte gjalle Majakovski do te thoshte "re ne pantallona",kurse une po shtoj qe po qe se "rete" shtohen shume pantallonat do na behen ballona e pritna ne fluturim per ne te ...gropes ose te gopes...

Submitted by Reformer (not verified) on

Pasi padrejtesia dhe vjedhja kane triumfuar njehere, ose dy here ose disa here, atehere ato nuk perben me nje perjashtim, por nje rregull.

Submitted by delenxh (not verified) on

Si ka degjeneruar Partia Demokratike, gati gati eshte per te ardhur keq...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.