Shtet bejlerësh dhe një kryeprokuror i dyshimtë

Është shumë e vështirë ta përcaktosh sistemin e qeverisjes në të cilin ne jetojmë, por më e vështirë, gati e pamundur, është që të gjesh se çfarë marrëdhëniesh kemi ndërtuar me njëri-tjetrin. Një model politik, para së gjithash, shfaqet edhe te lloji i marrëdhënieve shoqërore që ai sistem imponon. Ndërkaq, nëse i sheh me këtë sy marrëdhëniet që kanë ndërtuar shqiptarët me njëri-tjetrin në rrymë të viteve në këta 100 vjet shtet më vete, do të vëresh se bërthama që morëm nga Perandoria Otomane vijon të ndihet edhe sot. Shqiptarët e kanë parë gjithmonë veten si zotëri, si aga, si bej, si pasha. Në imazherinë kolektive të shqiptarit, njeriu më i realizuar është ai që arrin të mirat materiale, duke mos punuar, por duke shfaqur trimëri, zgjuarsi dhe forcë. Hierarkia e parë shoqërore në shoqërinë shqiptare, gjithmonë nën suazën e Perandorisë Otomane, ishte shpërblimi sipas trimërisë dhe shërbimit që i kishe bërë Portës së Lartë. Me Portë të Lartë, në vetëdijen shqiptare, për shekuj me radhë, ishte ngulitur shteti që të shpërblen. Siç dihet Rilindja Shqiptare dhe Pavarësia e saj u përgatitën nga emigrantët shqiptarë të cilët ishin të organizuar në shoqata patriotike sa në Bukuresht e në Stamboll, në Sofje apo në Amerikë. Po të shohësh listën e personaliteteve patriotike që shpallën Pavarësinë, që të gjithë kanë edhe ofiqin “Bej”. Këtu nuk është rasti për të bërë një analizë të zgjeruar psikosociale për të përcaktuar tipin e shtetarit shqiptar, por ajo që bie në sy është se mentaliteti perëndimor që bartej kryesisht nga Noli apo Konica, Luigj Gurakuqi e të tjerë dështoi në mënyrë spektakolare dhe mentalitetit oksidental i qeverisjes nuk u bë pjesë e vetëdijes politike në këtë vend thuajse asnjëherë. Komunistët e shfrytëzuan këtë prapambetje dhe rrënim të mentalitetit feudal dhe në fillim u duk sikur vendi do të çlirohej nga pesha e rëndë e projektimit të shqiptarit si një bej apo pasha. Për fat të keq, e gjitha kjo ishte një iluzion, sepse sapo e morën pushtetin, komunistët u shfaqën më bejlerë e më pashallarë se paraardhësit e tyre. Më tej akoma, ata e shndërruan pashallëkun e tyre në një oaz kriminal dhe përdorën dhunën e vrasjen për të shenjtëruar pushtetin e tyre. Mentaliteti i beut apo pashait zotërohet nga primati i sundimit. Një bej nuk qeveris, ai sundon. Një bej, sipas imazherisë albaneze është i gjithëfuqishëm dhe nuk mund të zëvendësohet. Gjithë kjo maskaradë që shohim sot në këto vite tranzicioni është shfaqja më e shëmtuar e vetëdijes së beut e të agait dallkauk që e konsideron veten jo një nga të shumtët që i shërbejnë këtij vendi, por si një zot që e ka marrë këtë ofiq për shkak të një shërbimi që ka kryer dikur. Sali Berisha është i bindur se ai i ka sjellë demokracinë shqiptarëve dhe për këtë shërbim që ka bërë, ai i jep të drejtë vetes që të sillet si një bej apo si një pasha dhe ta përfillë vendin e tij si një çiflig. Vajza e tij ka deklaruar këto ditë pasurinë e saj dhe, pa iu dridhur qerpiku, thotë se fiton në një vit 210 milionë lekë dhe se vetëm nga puna si pedagoge në universitete fiton rreth 10 mijë dollarë në muaj. Mentaliteti i beut dhe i pashait ka dhe opozicionin e vet në anën tjetër. Përballë këtij imazhi qëndron shqiptari raja, i urtë dhe i bindur që nuk shqetësohet fare se udhëheqësi i tij sillet si një be apo si një pasha. Më keq akoma, rri e përtyp në netët pa dritë të Tiranës edhe emisione televizive që kanë formën e ahengjeve me llafe ku gaztorët që mbajnë me muhabet beun e madh tregojnë barsoleta për padishahun dhe padishanjtë e tjerë dhe ndajnë në këmbim të këtij ahengu të madh jo vetëm ofiqet, por edhe paratë. Kulmi i këtij gazi të madh është kur në krye të Prokurorisë emërohet një zyrtar i përgjumur që megjithëse ishte në krye të institucionit më të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por nuk na tregoi kurrë se cilët janë pushtetarët në Shqipëri që fshehin pasurinë apo që pasurohen në rrugë të paligjshme. Adriatik Llalla është zhgënjimi më tragjik i këtij vendi. Ky person që erdhi në krye të administratës publike shqiptare nuk dihet se si, qëndroi në krye të Institucionit për Kontrollin e Deklarimin e Pasurisë së shtetarëve të lartë dhe nuk na tregoi kurrë nëse akuzat publike për pasurim të paligjshëm të njerëzve të kësaj qeverie dhe të familjes Berisha ishin të vërteta apo jo. Nëse i kishte duart e lidhura për shkak se ligji është i mangët ky zotëri duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe t’u kishte treguar shqiptarëve se shtetarët nuk i kontrollojmë dot. Jo. Njeriu i zgjedhur nga Bamir Topi, është aq djalë i mirë sa e pëlqen edhe Berisha dhe e zgjedh edhe Bujar Nishani. Unë nuk jam optimist me këtë kryeprokuror. Një shtetar i tillë është zgjedhur që të ruajë çifligjet e bejlerëve dhe të agallarëve të këtij vendi. Ndaj gjërat do të shkojnë keq e më keq…
Shqip
Add new comment