Sali Berisha nën maskën e nacionalistit

Në qoftë se do të vëmë në dukje disa nga të metat karakteristike të shqiptarëve në përgjithësi, mund të themi se ato janë: kujtesa shumë e shkurtër historike, mungesa e respektit për të vërtetën dhe, për pasojë, edhe huqi për të gënjyer dhe për t’u gënjyer, si dhe idhujtaria ndaj njerëzve. Dhe, në qoftë se do të vëmë në dukje të metën kryesore të elitës politike dhe intelektuale shqiptare, mund të themi se ajo është mungesa e moralit. Këto janë nga arsyet kryesoret të cilat kanë bërë që herë pas here ne të kemi pasur dhe të kemi pranuar si drejtues dhe si idhuj lloj-lloje demagogësh, hipokritësh, batakçinjsh, sharlatanësh e mashtruesësh pasionantë.
Kush e ka ndjekur Sali Berishën dhe politikën e tij që nga viti 1992, nuk mund të mos ketë vënë re, përveç të tjerave, edhe se:
1. Asnjë veprim dhe fjalim i tij nuk bëhet kot.
2. Çdo veprim dhe fjalim i tij ka një ose disa qëllime, por qëllimet janë të fshehta dhe përgjithësisht të ndryshme apo të kundërta me qëllimin që pretendon se po paraqet.
3. Çdo veprim apo fjalim i tij lidhet me interesa imediate personale të mbajtjes së pushtetit.
4. Veprimet apo fjalimet e tij nuk janë pasojë parimesh. Berisha nuk ka parime. Parimet e tij ndryshojnë sipas interesave të tij. Megjithatë, duhet pranuar se ai e ka pasur një parim: ai parim, më i palëkunduri, ka qenë antishqiptarizmi.
Shumë nga ne, besoj se e kujtojnë dhe e pranojnë se Berisha i fali një pjesë të detit shqiptar grekëve (ndonëse për arsye të tjera ajo falje nuk u realizua dot) në kuadër të një numri lëshimesh që u ka bërë atyre gjatë gjithë kohës që ka qeverisur, për të mos folur pastaj për një numër të pafund veprimesh në favor të Serbisë, ndërsa tashti, në fjalimet që mbajti për 100 Vjetorin e Pavarësisë, duke mohuar veten, vuri maskën e nacionalistit dhe u paraqit si nacionalist që la me gojë hapur edhe ata pak nacionalistë të vërtetë që mund të kenë mbetur. Dhe, shumë e besuan dhe e lëvduan. Në Shkup foli për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, ndërsa në Vlorë foli për Shqipërinë nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nuk la pa i thurur lavde edhe UÇK-së, nuk la pa i thurur lavde edhe Ahmet Zogut. Mirë bëri që foli kështu, se kështu duhet dhe kështu është e vërteta. Por, ç’qëndrime ka mbajtur ai më parë për këto probleme, qëndrime që shqiptarët për shkak të kujtesës së varfër mund t’i kenë harruar, apo për shkak të adhurimit që mund të kenë për vetë Saliun, nuk duan t’i besojnë?
Në nëntor të vitit 1993, në një takim që organizoi me intelektualët në Tiranë, ai i etiketoi nacionalistët shqiptarë të asaj kohe si tipa zhirinoidë dhe u kërkoi intelektualëve dhe simpatizantëve të PD-së të largoheshin prej tyre. Ai kërkoi nga të dy partitë, PD dhe PS, që të pastroheshin nga “ekstremistët”: PD-ja nga nacionalistët dhe PS nga komunistët. (Gazeta RD 3.12.1993, f3) (Për kujtesë, Vladimir Zhirinovski në vitet nëntëdhjetë ishte një politikan nacionalist rus shumë i rëndësishëm, por pak hallçak).
Pak pas vrasjes së Adem Jasharit dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Berisha deklaroi: “E ashtuquajtura ‘Ushtri Çlirimtare e Kosovës’, tashmë mund të thuhet pa asnjë dyshim se është konstrukt i makinerisë luftënxitëse serbe” (Gazeta RD, 21.1.1997, f4).
Në tetor të vitit 2007, në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Televizionin Klan, Berisha deklaroi për luftëtarët e Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH) në Maqedoni: “Ata janë një grup aventurierësh, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri... Prandaj ata nuk kanë asnjë vlerë, asnjë mundësi dhe asnjë mbështetje”.
Në një intervistë të vitin 1991 në revistën “Ora”, organ i LD të Kosovës, Sali Berisha e quajti Ahmet Zogun vegël të Serbisë në Shqipëri dhe Leka Zogun, si njeriun e përzgjedhur nga Beogradi për të vendosur në Shqipëri diktaturën e djathë për llogari të Serbisë. Berisha deklaroi se rreziku i vendosjes së diktaturës së majtë në Shqipëri kishte marrë fund në vitin 1991 dhe se që nga ajo kohë mbetej vetëm rreziku i vendosjes së diktaturës së djathtë nëpërmjet Leka Zogut.
Çudia që ndodh tek ne nuk është se Sali Berisha ndryshon qëndrimin sa herë që i nevojitet interesave të tij. Këtë gjë e bëjnë dhe shumë të tjerë. Çudia tek ne ndodh, se po ai popull që e përkrah dhe e brohoret me patos kur predikon disa çështje, e përkrah dhe e brohoret po me atë patos edhe kur predikon të kundërtat e tyre. Shqiptarët janë idhujtarë irracionalë të njerëzve dhe jo idhujtarë racionalë të çështjeve, pra të parimeve.
A duhen parë deklarimet e sotme të Sali Berishës si ndryshime të qëndrimeve të tij në bazë të fakteve dhe zhvillimeve të reja, në bazë të rritjes së tij morale e kulturore, gjë që do të ishte e drejtë dhe normale, apo duhen parë si qëndrime në përputhje me interesat e tij personale imediate për pushtet?
Me keqardhje them se qëndrimi i ri është i lidhur vetëm me etjen e pashuar të tij për pushtet. Ai e pa se sot karta e nacionalizmit po luhet me shumë sukses nga AK-ja e Kreshnik Spahisë dhe do që t’i marrë atij një pjesë të elektoratit, me synimin që, më pas, ta marrë edhe vetë atë së bashku me partinë e tij. Dhe mund të ketë sukses, sepse politikanët shqiptarët kanë treguar se, për një copë pushteti që u hedhë Saliu, shesin nderin dhe çdo gjë që kanë.
Saliu është i fortë dhe i rrezikshëm. Ai duhet marrë seriozisht. Dikur Fatos Nano deklaronte me maninë e madhështisë që e karakterizonte: “Saliu është aseti ynë”. Shihni sot ku është Saliu dhe ku është Nano. Po ashtu, deklarime të disa politikanëve, intelektualëve apo gazetarëve të sotëm që herë pas here interpretojnë veprimet e Saliut si lajthitje, si matufjepsje, si çmenduri, si dëshmi që atij i ka ardhur fundi, janë tepër foshnjarake. Veprimet dhe fjalimet e tij janë që të gjitha veprime e fjalime të llogaritura mirë e me qëllime të caktuara. Edhe “marrëzia” e tij është në funksion të politikës së tij, ajo është e llogaritur dhe përdoret prej tij me mjeshtëri kur i duhet.
Le të kujtojmë këtu se ç’tha Poloni për “marrëzinë” e Hamletit: “Edhe pse kjo duket si marrëzi, në të ka metodë, apo jo?”
Add new comment