Ruaje zërin zoti Kryeministër

Para se këtë shkrim të ma pranonin, në DITA, më thanë: E ke botuar një herë dikur në prag zgjedhjesh. – Po edhe tani prag zgjedhje është! – i thashë. – Shkrimi që këshillonte është i njëjti! – ia bënë ata. – Po edhe ai që këshillohet i njëjti është. Më mirë edhe një herë shkrimi, se edhe një herë Sali Berisha!- ia bëra unë
Zoti Kryeministër! Tashmë u bënë shumë fushata zgjedhore dhe ju, edhe i ngjirur, asnjëherë nuk keni mbetur pa u folur turmave që ju dëgjojnë. Ngjirja nuk është e bukur. Me lejën tuaj do të thosha – e shëmtuar! Ajo i bën të pakëndshme fjalët, edhe sikur ato t’ju a kishte shkruar Lasgushi. Por pas kaqë vitesh, i keni të gjitha arsyet ta ruani zërin. Ish kolegët tuaj, laringologët, kanë një listë me zanoret që godasin më shumë dhe dëmtojnë pejzat e fytit. Nga ato zanore, o-ja është në krye të listës. Ju e përdorni shumë: “ju sigurooooj, ju garantoooooj” – thoni sa herë merrni fjalën. Eliminoini gjithë ato o-ra, tok me fjalët që garantooojnë dhe sigurooojnë! Aq më tepër që këto dekada treguan, se ju as siguroni dhe as garantoni gjë! Të paktën, garantoni zërin tuaj!
Ju, këtë here, nuk keni përse të ngjireni edhe për një arsye tjetër: nuk keni asgjë të re për të thënë! Të gjitha i keni thënë. Jehonën e fjalimeve tuaja të ngjirura e kanë të regjistruar tërë sheshet, sallat dhe faqet e maleve. Mendoj se sot nuk ka shqiptar të mos dijë përmendësh çfarë do të thoni ju. Për më tepër sheshet dhe sallat tani jua mbush e njëjta turmë ambulante që ju ndjek pas që nga Tirana. Militantët shoqërues janë gati t’ju a suflojnë po të harroni ndonjë fjalë nga ato që sapo ju a kanë dëgjuar në mitingjet e po asaj dite.
Ju duhet të kujdeseni për laringun edhe sikur të keni ndonjë gjë të pathënë kurrë më parë. Mos e harxhoni zërin, se, jo unë, por ju vetë, u keni thënë publikisht militantëve dhe kundërshtarëve tuaj, se nëpër fushata elektorale nuk thoni asgjë të vërtetë dhe se ato i thoni vetëm nga nevoja për fitore. Kështu që gënjeshtrat e kësaj radhe nuk e vlejnë t’u bësh fli zërin. Katër vjet më parë, si edhe tetë vjet të shkuara, ju patët kërkuar votën dhe patët paralajmëruar ndëshkime për hajdutët. Shpallët me shifra vjedhjet, kontrabandat e trafiqet dhe pastaj njoftuat votantët të mos prisnin asgjë nga ato që premtuat, pasi i keni pasur që të gjitha gënjeshtra. Gënjeshtra më të ngjirura, nuk besoj të jenë dëgjuar ndonjëherë nëpër altoparlantët e rruzullit!
Për të kursyer zërin… Kur përuroni rrugë nga tri herë – nga të dy anët dhe në mes! - kur përuroni çezma, lyerje shkollash, trotuare dhe gurë kilometrazhi, mos flisni vetëm ju. Lerini të presin shiritat edhe bashkëpunëtorët tuaj. Është më mirë kur qesharak nuk bëhet vetëm një njeri.
Këtë here, zotëria juaj, e sheh se keni më pak njerëz përpara vetes. Me dhimbje, ju them se askush nuk vrapon më t’ju dëgjojë. Këtë radhë, logjikisht, ju kanë kthyer kurrizin masat e të përndjekurve. Ju e keni ditur me kohë që do të vinte kjo ditë, që të shihej qartë se ju vetëm i shfrytëzuat ata.
Gjithçka ndodhi si në atë përrallën e famshme, ku për të bindur kecat që t’i hapnin portën, ujku u shtir sikur ishte dhi dhe leu këmbën me miell që kecat ta besonin. Të përndjekurit e regjimit komunist, zoti Berisha, ishin mielli juaj, me të cilin ju lyet dhe zgjatët këmbën në prakun e Shtëpisë së Bardhë, në Uashington. Ai miell ju bëri goxha punë atëherë, porta ju hap e tani vjen zgjimi.
Në fakt ju i urreni ata që vuajtën regjimin e Enverit. Cinizmi juaj ndaj tyre është i papërmbajtshëm. Një vit të tërë parazgjedhor, u krijuat një iluzion dëmshpërblimi dhe i vutë të rendin për dokumentet e plagëve. I vutë në rreshta para Ministrisë së Drejtësisë, para Gjykatave, para Drejtorisë së Burgjeve dhe para Gjëndjes Civile që të merrnin vërtetime persekutimi e t’ua paraqisnin prapë po atyre: Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve, Gjykatave! Përgëzime, Kryeministër! Nuk ish veçse një rrotullame burokratike, që u shndërrua në paradë të këtyre njerzve të vuajtur, plot paraliza e brazda të thella në fytyrë, flokë e dhëmbë të rënë. Krijuat me ta tablo piktoreske para zyrave, tablo mjerimi, që u shijuan mjaft nga zyrtarë që i prisnin. Zyrtarët s’ishin kush tjetër veç hetuesit e tyre të dikurshëm, të transformuar tani në noterë, avoketër dhe nëpunës të administratës suaj. Paradën ua bëtë, paratë nuk ju a dhatë!
Me këtë hile, u treguat hallemëdhenjve se ju paskëshin dhënë besën kot. Ligji juaj i fundit, në dënim të komunizmit të këpuste nga brinjët, me të qeshurat që të shkaktonte.
Ruajeni zërin, zoti Kryeministër, se me të tillë “ashpërsi” që po dënoni komunizmin, të përndjekurit nuk do të vijnë t’ju dëgjojnë. Do vijë vetëm ndonjëri prej tyre që ka interesa t’ju ketë akoma në fuqi. Atyre u a miratoj votën. Nuk kanë faj. Nuk mund të jenë të gjithë idealist, de!
Keni rast të kurseni zërin, se as pronarët nuk vijnë më t’ju dëgjojnë, zoti Kryeministër! Urrejtja reciproke me ta tashmë është e hapur. Me legalizimet keni mbjellë një bimë sociale, që kokrrat e hidhura do t’i japë më vonë. Shoqëria shqiptare rrezikon të jetë më qesharakja mbi faqe të globit. Jemi i vetmi vend, ku të ndërtosh pa leje, shteti të dënon duke ta legalizuar ndërtimin e duke të dhënë tapinë! Të të zenë aty duke ngarë dhe përplasur një veturë pa leje, në vënd të burgosjes, të pajisin me patentë!
Edhe fjala NATO ka një o, që ju e zgjatni shumë dhe otorinolaringologët, nuk jua rekomandojnë. Vlerat e futjes në NATO i shpjegoni, por dëgjuesit nuk ju kuptojnë, po qe se ju nuk e forconi mirë arsimin fillor. Ata brohorasin kur brohorisni ju, por kthehen nëpër shtëpira pa e marrë vesh ç’u ka sjellë NATO. Ju tundni e shkundni lirinë! Cilën liri?! Për gjysmë shekulli ne kemi qenë në armiqësi me dy superfuqi dhe nuk na pushtoi asnjëra. Kush e kërcënon lirinë e Shqipërisë, që më së fundi futja në NATO na e garantoi? Askush. E ju, këtë nuk e thoni! Edhe nën peshën e dhunës enveriane, atëherë nuk mendonim kurrë se dikush do ta pushtonte Shqipërinë. Mund të tingëllojë antipatriotike, etiketojeni qysh të doni, por ishin qindramijëra që e ëndërronin një pushtim atëherë. Dhe ju nuk e kuptoni dot këtë, pasi atë të atëhershmen, ju vazhdoni ta quani liri dhe pushtimin enverian e kaloni lehtë! Keni të drejtë, ju ishit me pushtuesin ato kohëra!
Marr leje të zbuloj se për ju, zoti Kryeministër, njerëzit kanë krijuar bindjen se po të ishit sportist, do të ishit i vetmi në historinë botërore të sporteve, që sa herë të zinit vëndin e fundit, do na shtrëngonit të brohorisnim! Dhe vëndin tuaj të fundit në finish, ju do ta shpallnit festë kombëtare! Kështu po ndodh edhe në jetën tuaj politike: i fundit në përmbysjen e komunizmit; i fundit në reforma; i fundit në NATO; i fundit në lëvizjen pa viza; i fundit në anëtarësim në Europë… Por në ekrane nuk na ndahet fytyra juaj e lumturuar! Për vendin e fundit!
Në mbyllje do them se kam qenë për bojkotin e plotë të votimeve, por ende ai pak patriotizëm më ka shtytur të mos e humb besimin se gjendja e këtyre dy dekadave, prapëseprapë me votime duhet të marrë fund. E duke iu kthyer temës patriotike, pa vrer e urrejtje, shpreh bindjen se të flakësh tej Sali Berishën nga menaxhimi i halleve të Shqipërisë, do të jetë patriotizmi më i lartë i shqiptarëve. Dhe jo se punët, pa të, do të rregullohen sa hap e mbyll sytë. Por dëbimi i yt është hap i madh drejt mbarësisë. / DITA
Comments
Ironi dhe satire perfekte! E

Ironi dhe satire perfekte! E megjithate ne shqiptareve na eshte bere lekura sholle, kemi humbur cdo ndjeshmeri ndaj thirrjeve te tilla me kaq moral... :(

"Mund të tingëllojë

"Mund të tingëllojë antipatriotike, etiketojeni qysh të doni, por ishin qindramijëra që e ëndërronin një pushtim atëherë."

A është kjo një satirë, një sarkazëm apo nje fëlliqësire e nxjerrë nga goja e fushnjisë së vathës se dhive për një thërrime pushtet? [deleted]

"Oh, c'mjerim te jesh

"Oh, c'mjerim te jesh bashkatdhetar me ty, o Dardan ziu!

Ndersa une jame i sigurte se

Ndersa une jame i sigurte se nuk jam bashkatdhetari yt dhe per kete jam krejt indiferent o Bato Kordha!

Vertet nuk je. Dukesh nga

Vertet nuk je. Dukesh nga gjuha. Se gjuha jone, shqipja, eshte ca e veshtire ne te folur e ne te shkruar.

Me kenaqe, them ta publikoni
Me kenaqe, them ta publikoni cdo muaj deri ne 23 qershor, biles edhe me pas, pas kontestimeve. Deri sa te ZHDUKET me soj e sorrollop!
Add new comment