Respektimi i “Habeas Corpus Act” në Shqipërinë 2014
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6890_romeoddddddddd_330058092.jpg?itok=xtyrHadi)
Për më shumë se dy dekada gjatë tranzicionit Shqipëria përjetoi një deformim të paimagjinueshëm të ligjit, së drejtës: liria u konceptua si e drejtë e pakufizuar e individit për të bërë gjithçka, pa u druajtur për kufizimin e ligjit dhe të drejtave të të tretëve, dhe ligji nuk u respektua në një linjë piramidale, që vinte e pasqyrohej në një formë progresive në të gjithë administratën e shoqërinë shqiptare. Qeveria aktuale shqiptare, duke filluar sidomos nga tremujori i dytë i vitit 2014, nën presionin e fuqishëm ndërkombëtar, kushteve të vendosura nga EU dhe pjesës së vetëdijshme të opinionit publik, ka treguar një shkallë më të spikatur përgjegjshmërie në imponimin e shtetit ligjor, kufizimin e ilegalitetit masiv në shoqëri dhe në administratë, por gjithsesi pa një metodikë të qartë dhe pa një radhë hierarkike veprimi. Shqyrtimi i deritanishëm i ligjshmërisë është ende larg me vlerësimin e kritereve të barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit dhe veprimit tërësor të sistemit, pa dallime partiake. Impostimi i ligjit, në këndvështrimin tim, do të duhej të ndiqte dy linja paralele:
(a)- atë të mbjelljes së kulturës së sjelljes konform me ligjin të administratës aktuale dhe (b) verifikimin e ligjshmërisë së sjelljes së administratës pararendëse. Duke e pasur të qartë se administrata pararendëse, ishte e mbushur me një tërësi veprimesh dhe mosveprimesh të pandëshkuara nga administratorët pararendës, qeveria aktuale filloi veprimin implementues ligjor nga pika (b), duke e lënë pothuajse në heshtje drejtimin (a), madje, duke e lënë administratën aktuale në një situatë imuniteti të njëanshëm, të paarsyetuem. Mbi të gjitha vërehet qartë se qarkimi nën ligj ka lënë krejtësisht jashtë klientelën socialiste dhe integriste: pjesa kontribuese për ardhjen në pushtet të koalicionit aktual po lejohet të ndërtojë mbi pasurinë e përbashkët komunitare, në plazhet më të rëndësishme të vendit etj. Shoqëria dhe shteti ku filloi të aplikohej një qasje e imponimit drastik të ligjit, është e ngarkuar me një pabarazi të tejskajshme pasurore, me korrupsion galopant, me trafik interesash, përzierje interesash nepotike, krahinore dhe klanore. Gangrena e së keqes është futur anekënd. Verifikimet paraprake në administratë të ndërmarra nga qeveria aktuale, në të gjithë sektorët, treguan një shkallë të lartë ilegaliteti, veprimesh dhe mosveprimesh, të futura në çdo qelizë të shoqërisë. Dhe pikërisht këtu plasi skandali 3 i Bankës së Shqipërisë, në të cilin, përmasat reale të vjedhjes së realizuar nga individi i vetëdenoncuar, mënyra e veprimit të tij, thellësia e bashkëpunimit në krim, ende nuk dihen me saktësi nga organi i akuzës, së paku në pjesën e deklaruar për publikun. Skandali 3 në BSH i gjeti plotësisht të papërgatitura pozitën dhe opozitën. Institucioni drejtohej nga një njëri i të gjitha palëve, i cili, në vend që të ishte garanti i thesarit shqiptar, kishte shërbyer si përfaqësues privat i politikës për një periudhë të gjatë. Ai ishte personi që komandonte çdo gjë në atë institucion, në gjerësi dhe në thellësi, kishte uzurpuar legalisht pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ të BSH dhe përmes atij kalonin të gjitha emërimet, veprimet, mbikëqyrjet dhe paketat kontrolluese dhe transferuese të parave në RSH, caktimi i normave të interesit, kurset e këmbimit etj., ndërkohë që publiku ende nuk din se kush ishte mbi atë(?!). Sapo Prokuroria filloi veprimet për zbulimin e së vërtetës, politika në tërësi filloi pushimet, ndali aktivitetin e shtetit dhe institucioneve, në vend që të bënte të kundërtën, për shkak të rëndesës së ngjarjes dhe reaksionit zinxhir që mund të krijonte. Zërin e publikut filloi ta përfaqësonte një grupim aktivistësh, të cilët me të drejtë vunë para përgjegjësisë politikën. Por ndërkohë ajo lëvizje shërbeu edhe si një katalizator për gjenerimin e një histerie që bënte thirrje për kapërcimin masës dhe maturisë në shqyrtimin profesional të situatës dhe në nxitjen e disa skifterëve të politikës, që duke përdorur mandatin e deputetit, filluan të vepronin pa e ditur mirë kompetencën e tyre dhe rregullat procedurale të kërkesës dhe hetimit të rregulluara nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar.
Megjithëse gjithkush në këtë vend e ka të qartë se historikisht në sistemin e korruptuar parademokratik shqiptar, ka një linjë vertikale urdhnimi që shmang me “finesë”, përgjegjësitë e shpërndara mes institucioneve dhe individëve, që janë të ngarkuar për check and balance midis edhe të njëjtit institucion, agjitatorët më të dalluem të politikës së majtë filluan të akuzonin gjithkënd, çdo individ dhe institucion brenda Bankës, duke marrë rolin tipik të një njësie bazë partiake të PPSH së viteve 1970, të kohës së “grupeve puçiste”. Dhe kjo ndodhte ndërkohë që të njëjtët njerëz heshtnin plotësisht mbi skandalin e përfitimit nga fondet publike të kolegut të tyre, nuk guxonin të flisnin fare mbi skandalin e vjedhjes nr. 2 të Bankës, të vitit 1999 dhe, mbi të gjitha, harronin të bënin një thirrje përbashkuese për thirrjen në bllok të të gjithë Parlamentit për të ndërmarrë një zgjidhje adekuate të situatës në BSH. Përpjekja e politikës për mbrojtur njeriun e të gjitha palëve pati efektin e parë në shpërndarjen e përgjegjësisë padrejtësisht, drejt institucioneve të tjera brenda Bankës, që kishin qenë nën komandën e plotë të Guvernatorit e kokave, duke krijuar një turbullirë të përgjithshme dhe një presion të panevojshëm ndaj individëve që nuk e meritonin prozhmimin dhe fyerjet publike. Mbi të gjitha, profesorët e nderuar të KM u vendosën nën goditjen e fletërrufeve militante, ndërsa e gjitha kjo nuk mund të mos ndëshkonte edhe moralin e administratës së BSH, në të cilën gjenden disa nga njerëzit më të zotë, më të ndritur dhe më të shkolluar të këtij vendi të çmendur, me batakçinj dhe injorantë. Vetë Parlamenti në këtë periudhë ushtronte një funksion prej muajsh të cunguar dhe Komisioni i Ekonomisë, pa marrë një mandat respektiv nga ana e Byrosë Parlamentare, në përbërje të paplotë e njëngjyrëshe, filloi një proces aspak të matur sqarimi, krejtësisht jo profesional dhe të papërcaktuar ligjërisht. Kam përshtypjen se kemi të bëjmë me një veprim procedural të paautorizuar dhe të pamarrun me vendim kolegjial parlamentar. Fakti që ky komision nuk guxoi të thërriste në shqyrtim Guvernatorin, por nxitoi të thërriste në shpjegim inspektoren e Përgjithshme, më ngjan si një përpjekje për të shpërndarë objektin e kërkesës, për të turbulluar publikun, për të goditur një hallkë të pambrojtur nga politika, për të ndërhyrë politikisht mbi organin e akuzës. Ngurrimi i inspektores së Përgjithshme për t’u përgjigjur para Komisionit të Cunguar Parlamentar të Ekonomisë, shërbeu për riorientimin të militantëve, për të nxitur histerinë dhe për manipulimin e publikut, edhe ashtu mjaft i shqetësuar nga thellësia e skandalit, në njërin nga nëndepartamentet në Departamentin e Thesarit. Duhet të kemi parasysh se aktiviteti i Komisionit të Cunguar Parlamentar të Ekonomisë, i përbërë edhe nga individë krejtësisht jo ekspertë, nuk kishte marrë një aprovim nga shefi i maxhorancës, i cili, me mbarimin e pushimeve, filloi ta vlerësonte me masë të caktuar seriozitetin e ngjarjes, duke ia lënë organit të akuzës dhe atij të drejtësisë procesin hetimor. Gjithsesi, shefi i maxhorancës nuk mori dot vendimin e shpejtë të shkarkimit të Guvernatorit dhe përforcimin e masave mbrojtëse të sigurisë së dokumentacionit dhe vlerave monetare. Përndryshe, heshtja e Speaker-it të Parlamentit dhe mosveprimi gati absolut i tij ndaj Komisionit të Cunguar, shprehte qartë se brenda shumicës qeverisëse nuk kishte një unitet për masat që do duheshin marrë për zgjidhjen e shpejtë të situatës, që siç duket ndikuan edhe në sjelljet ngurruese të Kryeministrit të vendit. Ndërkohë që pritej mbledhja urgjente e Parlamentit për vlerësimin e mënyrës së qeverisjes së Guvernatorit, për shkak të përgjegjësisë së tij të drejtpërdrejtë, në këndvështrimin tim (nisur nga sistemi i urdhnimit vertikal e përqendrimi i pushteteve në një dorë të vetme që ekziston në atë institucion), për moskontrollimin e situatës në Bankë, së paku, Prokuroria shqiptare, kreu ndalimin demonstrativ si masë sigurie të Guvernatorit dhe për habinë e të gjithëve, edhe të inspektores së Përgjithshme, të dy me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Më datë 10 shtator kemi mësuar arsyet e vërteta që e kanë shtyrë Prokurorinë e Përgjithshme për kapërcimin përjashtimor të masës së sigurisë për një vepër penale shpërdorim detyre, arsye që lidhen me rëndesën e ngjarjes, përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Guvernatorit në sistem dhe nevojën për ruajtjen e paprekur të provave. Pavarësisht këtyre arsyeve, mënyra e arrestimit të Guvernatorit është absolutisht e padenjë për një vend demokratik, jashtë të gjitha normave etike të veprimit procedural, gjë që përbën një rast për vlerësim të menduar shumë mirë.
Nga ana tjetër, publiku mbetet i pasqaruar për arsyet që e kanë shtyrë Prokurorinë dhe më pas Gjykatën, të aprovojë masën e sigurisë, në mënyrë të përsëritur, për inspektoren e Përgjithshme, ndërkohë që akuza e deklaruar “shpërdorim detyre”, në rastin e saj, nuk përmban asnjë nga sqarimet përjashtimore të përcaktuar nga ligja për ndërmarrjen e kësaj mase. Situata u rëndua nga dy vendime të ndryshme që mori e njëjta gjykatë dhe i njëjti trup gjykues në datën 15 shtator. Drejtësia është sovrane, por është nën ligj, nën arsyetim ligjor bazuar në kodifikacione gjegjëse, dhe sot jemi para zhbalancimit total të të gjitha elementeve përbërëse e vepruese të asaj njësie.
Për mendimin tim kemi rastin tipik kur shkelet liria e qytetares Elivar Golemi, një funksionareje shtetërore që vazhdon të jetë e tillë, liria nga arrestimi dhe nga gjykimet arbitrare të pashpjeguara nga gjykatësi bazuar në legjislacion. Gjyqtarët e çështjes e kanë pas detyrimin ta bëjë shpjegimin përjashtimor, në bazë të legjislacionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, dhe nuk e kanë bërë. Duket qartë se presioni shpërndarës i fajësisë nga ana e politikës mbi sistemin e drejtësisë dha efektet e veta, por me një pasojë të rëndë: barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit të dhunuar, prishje e balancës në mes nevojës së respektimit të ligjit dhe zbulimit të së vërtetës së rëndë nga njëra anë, dhe nevojës për respektimin e të drejtave të individit që dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, nga ana tjetër. Saktësisht, në rastin e inspektores së Përgjithshme, për shkak të mungesës së tri konditave të parashikuara nga ligja për raste të figurave të tilla penale, do të duhej të gjykohej në gjendje të lirë, mbase me marrëveshjen e pezullimit të përkohshëm nga detyra, të dorëheqjes etj.
Rëndesa e ngjarjes dhe ndjeshmëria e publikut nuk mund të na errësojë sa të mos shohim shkeljen drastike të së drejtës së një gjykimi të drejtë dhe fyerjen e rëndë që ka shkaktuar ndaj një intelektualeje, një femre, e prezumuar e pafajshme, ky vendim i paarsyetuar dhe i pabazuar qartësisht në legjislacion, me akuzën e formuluar ashtu sikurse është bërë e njohur për ne, publikun. Një shoqëri e emancipuar dhe e drejtë duhet ta drejtojë gishtin te gallofët e vërtetë të abuzimit me paranë publike, dhe jo të habitet mbas zhurmës që kërkon ta shpërndajë fajin te njerëzit që janë ndodhur, pa e kuptuar, në një fushë ku shkëmbehet zjarri i interesave të parasë së madhe, gjë të cilën gjithkush në këtë vend e di mirë. Mbi të gjitha, organi i akuzës dhe gjykata e ka për detyrë të vlerësojë me një maturi dhe ftohtësi të plotë, në një rast të tillë, kur bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme, edhe për fatin edhe të një intelektualeje, profesoreshe universitare, qytetareje, të një familjareje të rregullt. Në një vend demokratik, të emancipuar, jetët njerëzore nuk mund të shkatërrohen me propagandistë sankylotë. Institucionet e hetimit dhe gjykimit do të duhet të shqyrtojnë me kujdes të gjithë CV e zonjushës Golemi, punën e saj sistematike, në universitet dhe si nëpunëse e sistemit bankar shqiptar, të verifikojë si ka funksionuar Banka e Shqipërisë në vite, cila ka qenë time table revizionues i 19 departamenteve dhe 117 sektorëve të Bankës që kryeinspektorja kishte përcaktuar për kontroll, cila ka qenë përvoja dhe rekordet që zonja Golemi ka lënë, duke mbajtur parasysh gjithmonë se ligji, liria dhe mbrojtja e individit janë të pazgjidhuna njëra me tjetrën dhe në një balancë mjaft të brishtë, të cilën janë të thirrur pikërisht ata, njerëzit e Drejtësisë që ta gjejnë, duke mos shkelur dhe rënduar asnjërën dhe duke i vlerësuar njëlloj të gjitha, dhe interesat më të rëndësishme të publikut. Me vendimin e datës 15 shtator, drejtësia në këtë vend mund të konsiderohet qartësisht e zhbalancuar, në mënyrën më të pangjashme.
Presioni i skifterëve të politikës, që janë edhe jashtë kontrollit të vetë Kryeministrit, nuk do të duhej ta çonte sistemin tonë të drejtësisë për të prishur balancën mes tri instituteve të lartpërmendura në rastin “Golemi” dhe në çdo rast analog. Personalisht, në momentin e parë edhe unë kam menduar se mosparaqitja e Golemit në Komision ka përbërë një gabim të pajustifikuar. Mirëpo ishte zonja tjetër e nderuar Meksi dhe vetë zoti Kryeministër që na shkundën të gjithëve me qartësinë e tyre: Komisioni ishte mbledhur extra ordinem dhe po rrezikonte të gjithë konfidencën e hetimeve të ndërmarra nga organi i akuzës, dhe për rrjedhojë, çdo vijim i mëtejshëm i punës së tij, kështu i ndërtuar dhe pa funksione të përcaktuara dhe me ekspertizë qesharake, e bante të pavlefshëm çdo ndëshkim për shkak të mosparaqitjes. Qytetarja Elivar Golemi nuk e meriton atë trajtim vendesh pa kode etike sjelljesh në procedurat gjyqësore. Jam i bindur se faji i vetëm i saj është se asht ndodhun rastësisht në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Respektimi i dinjitetit human të kujtdo dhe në çdo hallkë është një e drejtë që nuk duhet t’i mohohet askujt. Sa më sipër, nuk do të thotë që ajo të shmanget nga përgjegjësitë e saj në administrim, madje as vetë ajo besoj nuk e kërkon një gjë të tillë. Po kjo nuk do të thotë që qytetari të vendoset në kushte të papërshtatshme garancie dhe jashtë parashikimit të Kodit të Procedurës Penale. Aq më pak mund të përdoret rasti i saj si një Dreyfus Case i Shqipërisë së vitit 2014, për të shpëtuar Esterhazy e skandalit shqiptar. Askush nuk mund të heshtë para shkeljes së të drejtave të një qytetareje të këtij vendi që në mënyrë të padyshimtë, deri në këtë moment, prezumohet e pafajshme dhe gjendet e mbrojtur nga ligja dhe Kushtetuta. Sot ajo do të duhej të ishte e lirë dhe të përgatitej për mbrojtjen e së vërtetës dhe dëshmimin e së vërtetës, që publiku e kërkon. Jemi në një moment kur ky vend ka nevojë të gjejë balancën mes ligjit, lirisë dhe mbrojtjes së individit, edhe kur ai individ është i dyshuar. Kapërcimi nga kaosi në rend e ligj nuk mund të shkojë përkundër lirive. Ndërkohë prioriteti i interesave publike mbetet zbulimi i të gjithë skemës së vjedhjes nr. 3 dhe asaj nr. 2 të BSH, të sendërtojë një ekspertizë të kualitetit të lartë në shqyrtimin e çdo transaksioni të kryer në banka, rritjen e ekspertizës informatike në verifikimin e serverëve, gjëra për të cilat anëtarët e Komisionit të Cunguar Parlamentar të Ekonomisë as nuk kujtohen ta kërkojnë. Është koha që sistemi ynë juridik dhe ekzekutiv të gjejë balancat me të drejtat dhe më të sakta në mes instituteve të së drejtës, të ndalë dhunën psikologjike sankylote, veprimet ekzekutuese që shkelin Kartën e Lirive. Deri më tani po orvatemi të vendosim ligjin, duke shkelur një pjesë të lirive, në një formë të denjë për vendet e paqytetëruara. Një prej veprimeve të para që do të duhet të bëjë Kryeministri, në nderim të frymës europiane e liberale, do të duhet të jetë largimi i menjëhershëm nga ekipet këshillimore të dikastereve të të gjithë pensionistëve, që në vitet 1970 1980 kanë shërbyer në organizatat bazë revolucionare, të cilët me frymën aktuale sankylote, duke dhunuar Habeas Corpus Act, me pretekstin e vendosjes së ligjit të rendit, po priren drejt shndërrimit të Shqipërisë në një kamp përqendrimi e burgjesh, njëlloj sikurse bënë baballarët e tyre dje. Rendi demokratik ka mjete më të fuqishme dhe me efikase për të vendosur ligjin, pa shkelur liritë, duke rritur ekspertizën, kulturën hetimore, policinë shkencore dhe hetimin informatik.
“Panorama”
Add new comment