Reflektim për një ripërtëritje shpirtërore

Postuar në 17 Shtator, 2014 07:21
Gjergj Sinani

Në këtë prag vizite të Papës ka shumë përpjekje zyrtare dhe jozyrtare për të dëshmuar mikpritjen shqiptare. Ka një mobilizim që dëshmon për anën materiale të gjërave, ndaj të cilave vetë Papa nuk ka treguar ndonjë entuziazëm të madh që në fillim të pontifikatit të tij. Shumë diskutojnë se çfarë dhurate mund t’i jepet Papës etj. Në të gjithë këtë angazhim nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, suksesi i vizitës është edhe lartësimi ynë. Në diskursin për dhuratat, mendoj se dhuratën më të mirë e ka bërë studiuesi Ndriçim Kulla me korpusin e veprave të At Xhuzepe Valentinit, i cili i përket të njëjtit urdhër fetar që i përket edhe Papa, urdhrit të jezuitëve. Ky pararendës, që ia kushtoi jetën historisë dhe kulturës shqiptare, duket se është më prezent se kurrë me krizën shpirtërore që po kalon edhe shoqëria jonë. Le të ndalemi në disa prej tyre përmes veprës së Valentinit dhe lexuesi të reflektojë vetë se ku jemi me lartësimin shpirtëror.Problemi i ndërgjegjes. Në një shkrim të vitit 1933, At Zef Valentini ndalet në problemin e ndërgjegjes duke e nisur reflektimin me një thënie shqiptare: “Trupi petkash – shpirti veprash”. Kjo e dyta “shpirti veprash”, nënkupton se për njeriun ka rëndësi lartësimi shpirtëror, se duke parë veprat e njeriut, njihet edhe shpirti i tij. Në këtë periudhë tranzicioni kemi parë se si drejtuesit tanë janë shquar në drejtim “petkave” të trupit, por nuk kemi parë vepra që të dëshmojnë shpirtin që i duhet një shoqërie të lirë. Kështu, detyra e hedhur nga Zef Valentini ishte të lëvrohej shpirti i shqiptarit, sepse po të lëvrohej ky shpirt, “s’kishte me pasë vend korrupcjoni, e të gjith kishin me i përmbushë detyrët e vetë me ndërgjegje”. Kultivimi i ndërgjegjes, pa hyrë në refleksione të stërholluara filozofike, lidhet ngushtë me ndjenjën e detyrës. Ndjenja e detyrës forcohet kur njeriu ia nënshtron gjykimit të arsyes pasojat e veprimeve të veta. Shkurt, ndërgjegjja duhet të edukohet, sepse nga kjo do të varet edhe mbarëvajtja e punëve shtetërore, sepse kështu çdo nëpunës shteti “ka me veprue pa ansisht n’ushtrim të zyrës së vet e s’ka me e ba zyrën si një vend mbledhjesh për të ça kopalla: ka m’u përpjekë qi t’u kryhet puna sa ma shpejt e ma mirë gjith atyne qi paraqiten n’at zyrë; n’u baftë kryetar zyrje e mbarshtrues të hollash (sa aktuale sot me vjedhjen e bankës, Gj.S.) ka me ba çmos qi mos të ndollin shpërdorime as prej anë së tij as prei tjerësh që i ka nën sundim të vet; në hiftë nëpunës bashkije ka me diftue kujdes nane për popull; n’u baft mjek ka me u flijue për të vorfën e për të mjeruem; në kapën degën e drejtësis s’ka me pëlqye kurr qi terezija e paanshme – në dorë të tij – të peshojë ma fort më nji anë se në tjetrën; n’u kapët nder shkallë të nalta të zyrave shtetnore, ka për të ndie thellsisht përgjegjsin qi ka faqe mbarë kombit e prandej ka m’u përpjekë me pertri vepra të dobishme, me lanë mbas vedi nji emën të ndershëm, ka për të mprojtë e për të shumue institutet bamirëse e s’ka për t’lanë kurr qi dhuna e padrejtsija të përhapen në dam të popullit; e kështu të thona për qinda e mija rasash qi ndollin pada giatë jetës së nierit. Po s’u msue nieri qyshë prei moshë së re me përmbushë detyrët me kujdes e me ndergjegjë, mbrapa o s’ka me ba gja, o shkado qi të bajë, ka për ta ba pa farë kujdesi. Ndërgjegja ka me i folë me za të mekun, e aj, po s’pat përbri eprorin e mbas shpine dajakun s’ka me ba farë gjaje”. Shkurt, ndërgjegjja lidhet me shpirtin, ndërsa veset janë “zani i mishit”. A do shkëputemi nga zëri i mishit? Zëri i mishit i thotë njeriut “Argëtohuni, ban qejf!” dhe kjo të shpie te kulti i parave. Pse? “Qejfet kushtojnë e kushtojnë shtrenjt. Pra lypen të holla, shum të holla për t’u argtue sa ma shum. Këtej varg e vastër ngatrresat, hajninat, marrëveshtjet e mshehta, rrenat, mashtrimet. E për me i mëlue këto, prap tjera të holla: të holla për të mbyllë gojën për t’u dhanë “bakshishe” ndihmsavet, për të këputë hetimet, për të thye gjykatsit e madje edhe për të zhdukë këso jete bashvepruesit e mbrapshtivet”. Pasojë e këtyre dy kulteve është edhe një i tretë: kulti i vetvetes. Konkluzion: “Në vend të kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at zemërgursi, qi na shtyem të pasurohemi me mjete të palejshme, e përkundra të rranjosim në zemër të secillit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të ndershëm. Në vend të egoizmit duhet të njallim kujdesin e mishërirën për t’afërmit e për puntorin; most e mbajmë t’afërmin t’onë si vegël qefi e fitese; në nji fjalë të njallim dashtnin, pa të cillën s’kemi pse presim dit të mira”. At Zef Valentini ndalet edhe në ndërgjegjen kombëtare, por kjo do të kërkonte një trajtim më të gjerë. Por, edhe në këtë rast, sipas tij, po nuk pati populli ndërgjegje kombëtare të vërtetë, atëherë “kurrnji mjet s’mjafton me ndalë shpërdorimet”. Për këtë lartësim shpirtëror, është i nevojshëm edukimi i shpirtit kritik, sidomos te të rinjtë. Por si duhet të jetë kritika? “Kritika duhet të jetë “1 e saktë, due të tham e zhdeshun nga çdo paragjikim e interesë, kështuqi most ë ndrrohen, as most ë shtohen faktet, most ë shtrembnohen vështrimet me qëllim, qi me nxjerrë përfundime t’idenave të veta, e plotsueme, qi të përmbledhë nji numër sa më të madh faktesh, për të shinue imtisht gjithçka e me hi thell në natyrë të çashtjes. e dallueme, ase e shkoklueme në të gjitha rrethanat, tue dallue shka asht thelbi e shka asht duka…Kush do me u shpërvjelë për të hi me kritikue nji gja, do t’hiedhi nji shikim vetvedit, a i ka ato cilsit qi u rreshtuen, e në t’endun e punim të kritikës do të përpiqet, qi të spikasë në të gjitha pikpamjet paanshmënia. Kush i dron kritikat?

Aj qi e ka mizën nën kësulë.

Aj qi jeton për së mbrapshti.

Aj qi nuk kryen detyrën e vet.

Aj qi mundohet t’i a bajë vorrin shoqit.

Aj qi don të punojë në terr.

Aj qi dron, mos t’i dalin për fushë hajnit.

Kritika asht nji kandil; e sikur kandili vyen për të dallue sendet qi nuk shifen, ashtu kritika do të përdoret për të shndritë ato qi janë në terr. Kritika duhet të jet nji nxitje, e jo kurr nji kamzhik. Nga kritikat e drejta përfito; të padrejtat e ato qi dalin nga pasionet përbuzi”. Me pak fjalë, kushti thelbësor i një kritike të vërtetë është që të kuptosh larminë e kohëve. Ky i huaj që i donte sinqerisht shqiptarët, me sa duket i kishte vënë re fare mirë të metat e së ashtuquajturës kritikë. Për fat të keq, këtë gjoja kritikë e shohim edhe sot. Ne sot shohim dilentantë që flasin për gjithçka, që e përdorin kritikën si kamxhik në favor të egoizmit individual ose të dikujt tjetër, shikojmë klithma sipërfaqësore dhe diskutime që nuk prekin thelbin e gjërave. Përmes kritikës ngrihet shpirti i njeriut. Ky është mësimi kryesor i artit të zhvillimit të mendimit që na vjen që nga filozofia antike. Tani pyetja është kjo: si mund të zhvillohet mendimi kritik, kur filozofia në shkollat e mesme është bërë lëndë me zgjedhje, kur në çdo vend europian është lëndë e detyrueshme në trungun bazë të shollës?<br />Problemi i lirisë është më i vështiri për t’u kuptuar dhe për t’u zgjidhur. Rusoi e kishte kuptuar shumë mirë këtë gjë kur shkruante: “Liria është një ushqim me shumë lëng, por me një tretje të fortë; duhen stomakë shumë të shëndetshëm për ta përballuar… Liri e shenjtë dhe krenare! Në qoftë se këta njerëz të shkretë do të mund të të njihnin, në qoftë se ata do e dinin se me çfarë çmimi të fitojnë dhe të ruajnë; në qoftë se ata do e ndienin se sa ligjet e tua janë shumë më të forta nga ç’është dhuna e egër e tiranëve, shpirtrat e tyre të dobët, skllevër të pasioneve që duhen ndrydhur, do të ta kenë frikën njëqind herë më shumë se skllavërisë; ata do t’i largohen me tmerr asaj si një barrë gati për ta flakur”. Me pak fjalë, për Rusoin janë qytetarët e mirë dhe të lirë që e duan lirinë dhe luftojnë për lirinë, që bëjnë forcën dhe prosperitetin e një shteti dhe kombi.Gati të njëjtën gjë u thotë shqiptarëve ky prift jezuit kur do t’u shpjegojë, që më 1935, se ka disa lloj lirish, liri psikologjike të natyrës së arsyeshme, liri shoqërore dhe një liri kombëtare. Në qoftë se historia jonë është e mbushur me akte të mrekullueshme të përpjekjeve për liri kombëtare që ka tërhequr vëmendjen e mendjeve më të shquara të Europës, kemi ende shumë për të bërë për lirinë shoqërore. Për Valentinin, liria shoqërore, edhe pse mund të shpërdorohet, në vetvete është shumë e mirë. Në liritë shoqërore ajo që vlerëson është liria e fjalës dhe e shtypit, ose siç e quan ai “ajo e propagandës së mendimeve”. Liri e fjalës dhe e shtypit, “por që të respektohet morali e rregullimi publik në çdo kuptim”. Përveç kësaj duhet edhe një “liri votimi e vërtetë”, duhen ndërtuar raporte administrative dhe ligjore që privati të punojë i lirë në mënyrë që të kontribuojë në prosperitetin e shoqërisë. Qëllimi nuk duhet të jetë vetëm pasurimi financiar, por edhe jeta kulturore në çdo shfaqje dhe përdorim të saj, në “letërsi, art, teknikë bujqësore, idustriare e tregtare; e së bashku gjith funkcjonet e organet përkatse, statale, parastatale e private”. Ai e kishte kuptuar se shqiptarët, për të pasur lirinë kombëtare, rrethanat e kishin detyruar që të flijonte përkohësisht lirinë shoqërore. Mirëpo “një popull që gëzon e di të gëzojë një të këtillë liri shoqnore, natyrisht dëshiron, dhe të shumtë ka të drejtë dhe fuqi, për të pasë liri kombëtare, do me thanë për të qenë njësi e pa-mëvarun mes shteteve të botës”. A e kemi organizuar lirinë shoqërore? Kjo është sfida që shtrohet para nesh. Dhe kjo nuk është detyrë vetëm e politikës, por e të gjithë aktorëve dhe individëve që duan të jetojnë në liri ku dinjiteti i personit njerëzor të jetë mbi gjithçka. Duhet shumë punë dhe përpjekje, shumë programe që kanë për qëllim riorganizimin e një shoqërie të shpartalluar. Edhe në këtë rast At Zef Valentini është më prezent se kurrë kur thekson se në qoftë se nuk synojmë shërimin e njeriut brenda të cilit banon “virus morale”, nuk mund të kemi shoqëri të lirë. “Këtu pra asht nyja e problemit të cillin logjika, do ta kishte këputë që ka herë!”.<br />Atëherë do t’i kthehemi logjikës, apo do të dëgjojmë ende instinktet e mishit? Prandaj, ai, që më 1935 na paralajmëron: “Sëmundja e krizës shpirtërore asht e keqe. Përball këtij të pami, sejcili shqiptar qi ndin në vedi nji ndërgjegjë kombtare do të përpiqet të veprojë dishka, për t’a ndalë kët rrymë o smundje.

Prind, hapni syt mbi fëmi t’uej!

Arsimtarë, njifnje përgjegjsin qi keni faqe kombit!

Shtyp shqiptar, në daç me kenë syni i kombit, mos e tradhto kët zyrë!

E ju të gjith, qi për detyrë keni kujdesin e këtij kombi të pajisun me virtyte aq të bukura, përmbushnje detyrën t’uej, tue e ruejtë kët popull prej kullosë së keqe!”.

Mos më keqkuptoni për këto citime të gjata, por desha t’i sillja siç na vijnë nga koha për të reflektuar të tashmen dhe për të matur veten se ku ndodhemi dhe të kuptojmë se pa një ripërtëritje shpirtërore nuk mund të shkojmë dot drejt një shoqërie të lirë dhe të mirë.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.