Pse SHBA-të dhe BE-ja i “duan” shqiptarët?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4358_kosova_flag_1_1.jpg?itok=T_UvXM-T)
Pyetja e mësipërme është ngritur ditët e fundit nga një politolog serb, Miroljub Jevtiç, në të përditshmen beogradase, Politika. Në fakt, autori e zgjeron atë më tej duke vendosur edhe thonjëzat në foljet përkatëse; pse, pyet ai, SHBA-të dhe BE-ja i “duan” shqiptarët, por “urrejnë” serbët, maqedonasit dhe grekët? Arsyen për këtë konstatim, zoti Jevtiç e gjen në poltikat amerikane dhe europiane, të cilat, sipas tij, në dhjetë vjeçarin e fundit kanë qënë jo vetëm pro-shqiptare, por edhe të dëmshme ndaj interesave të kombeve fqinje. Për herë të parë në Ballkan tashmë ka dy shtete shqiptare të cilat mbështeten fuqimisht nga perëndimi. Dhe kjo çështje duket se është një dilemë mjaft e koklavitur për politologun serb. Duke pasur parasysh se ai përshkruhet si dijetar i shkencave shoqërore dhe anëtar i bordit drejtues të Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave Politike, mund të hamëndsohet se kjo çështje nuk përbën thjesht vetëm një shqetësim individual.
Në Kosovë, thotë zoti Jevtiç, është cënuar sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë. Në Maqedoni është inkurajuar krijimi i një shteti federal për të plotësuar kërkesat shqiptare duke cënuar sovranitetin e vendit. Po ashtu, interesat greke janë cënuar, sërish sipas dijetarit serb, sepse SHBA-të i vunë kusht qeverisë së Shkupit plotësimin e kërkesave shqiptare në këmbim të njohjes së emrit të Maqedonisë, duke i mbyllur kështu rrugën plotësimit të kërkesave greke për atë pjesë të Ballkanit. Në asnjë rast nuk flitet nëse kërkesat shqipare ishin të drejta, apo jo.
Sipas këtij këndvështrimi, Washingtoni dhe Brukseli ndjekin politika pro-shqiptare për shkak të botës islame. Kjo ndodh për shkak se armiku kryesor i amerikanëve dhe i gjithë perëndimit është terrorizmi islamik, kundër të cilit SHBA-të po përdorin gjithë potencialin e tyre ushtarak dhe diplomatik. Por, shton politologu serb, amerikanët duan të tregojnë se nuk janë kundër gjithë botës islame, por vetëm ndaj shfaqjeve ekstreme të saj. Dhe kështu Kosova përbën shëmbullin më të mirë për të vërtetuar këtë argument, sepse atje ekziston një islamizën i moderuar dhe shekullar i cili është i pranueshëm për amerikanët. Duke krijuar dhe forcuar shtetin e Kosovës, Amerika i tregon botës islame se si mund të ndërtohet një shtet demokratik shumë-etnik në një shoqëri islame shekullare. Por duke ndjekur një politike të tillë amerikanët, sipas zotit Jevtiç, po bëjnë një gabim tragjik, sepse busulla e botës islame nuk tregon drejt Ballkanit, por nga Jeruzalemi, qyteti i tretë i shenjtë i islamizmit, pas Mekës dhe Medinës. Përsa kohë perëndimi të përkrahë Izraelin në konfliktin e tij me botën arabe, çdo përpjekje tjetër për të bindur muslimanët rreth dashamirësisë amerikane dhe europiane ndaj tyre është e kotë, konkludohet në artikullin e Politikës.
Pa mohuar rolin e Kosovës si shtet shumë etnik dhe shekullar, nga pikëpamja shqiptare, këndvështrimi i mësipërm ngre një numër çështjesh. Së pari, shumë shqiptarë do të habiteshin me pohimin se perëndimi i dashka (qofte kjo edhe në thonjëza). Përvoja e dy dekadave të fundit, për të mos thënë dhe e gjithë shekullit të kaluar, sjell shembuj të hidhur të diskriminimit, nënvlerësimit, injorimit apo dhe harrimit të interesave shqiptare nga fuqitë e mëdha. Së dyti, politikat pro-shqiptare perëndimore të kohëve të fundit janë parë si kompromise që cungojnë kërkesat nacionaliste panshqiptare. Por elitat politike shqiptare e kanë kuptuar se çdo përkrahje e idesë së ‘Shqipërisë së Madhe’, për shembull, do të ishte vetëvrasje politike e ngjashme me kërkesën për rikthimin e komunizmit. Së treti, pse u dashka që vënia në jetë e politikave pro-shqiptare të jetë në dëm të interesave të fqinjëve tanë? Po ashtu, është absurde të fajësohen shqiptarët për ngecjen e negociatave mes grekëve dhe maqedonëve për emrin e Maqedonisë. Në njëzet vitet e këtij konflikti të ftohtë, shqiptarët nuk kanë pasur hise në sherr dhe kanë qënë vetëm spektatorë.
Veç kësaj, argumentet e politologut serb për përkrahjen perëndimore ndaj shqiptarëve janë sa të mangëta aq edhe dinake. Janë të mangëta sepse ato anashkalojnë një faktor esencial të konfliktit shqipatro-serb, atë etnik. Serbisë nuk iu hoq e drejta e sundimit në Kosovë për t’i dhënë mësime demokracie botës islame, por për të ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve. Zhvillimet e pranveres arabe të këtij viti, ku valë protestash përmbysën rregjime diktatoriale dhe autokratike, treguan se këto vende nuk kishin nevojë për eksperiencën kosovare.
Pavarësisht fakteve të shumta të bëra publike gjatë seancave gjykimore në Hagë ndaj Sllobodan Miloshevicit dhe gjashtë gjeneralëve të ushtrisë dhe policisë serbe që u shpallën fajtorë për krime lufte në Kosovë, vitet e fundit janë bërë përpjekje për të barazpeshuar krimet serbe me akuza për krime të shqiptarëve ndaj tyre. Dymbëdhjetë vjet pas luftes në Kosovë, asnjë zyrtar serb nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve. Hendeku perceptimor i qëndrimeve shqiptare dhe serbe rreth asaj se çfarë ndodhi në Kosovë në vitet 1990, është aq i madh sa kryenegociatori serb Borisllav Stojanoviç i përshkroi negociatat e fundit ne Bruksel si biseda me alienë ku palët nuk merreshin vesh për gjërat më elementare.
Mesa duket në Serbi, shpallja e pavarësisë së Kosovës shkatoi një traumë kombëtare e cila, veç tronditjes që shkaktoi, u përjetua edhe si një borxh që kishte larë me tepricë mëkatet e kryera nga ushtria dhe paraushtaraket serb në Kosovë. Në mediat serbe akuzat për trafikim organesh nga ish anetarët e UÇK-së trajtohen si provë e krimeve ndaj serbëve që e shtyn në kahun e tyre lisharësin e të drejtës morale. Një qasje e tillë tenton të bëjë rishqyrtim të historisë dhe të kryejë një përmbysje pozitash mes kriminelit dhe viktimës. Ajo krijon një amulli perceptimesh për shkaqet e vërteta të konfliktit, ç’ka relativizon rëndësine e faktorëve ndikues të kësaj çështje. Edhe argumentet e zotit Jevtiç duhen parë në këtë prizëm. Për këtë arsye, argumenti i tij për “dashurinë” amerikane ndaj shqiptarëve është dinak sepse duke e parashtruar krijimin e shtetit të Kosovës si një ndërmarrje makiaveliste gjeopolitike amerikane ai mohon shkaqet e vërteta të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Së fundi, sipas perceptimit të mësipërm, meqënëse Kosova është një krijesë e interesave kohore gjeopolitike dhe jo shprehje e vullnetit të popullit të vet, atëhere edhe ekzistenca e saj është e përkohshme. Në këtë këndvështrim, Serbisë i intereson ta mbajë Kosovën në limbo dhe të presë krijimin e faktorëve të favorshëm gjeopolitikë. Nuk është vështirë të shihet se Beogradi po ndjek pikërisht këtë strategji që duket se është ndërtuar mbi një analizë me të njëjtat premisa si dhe ajo e zotit Jevtiç.
Comments
Ne shqiptaret kemi aftesi qe
Ne shqiptaret kemi aftesi qe te zeme dashnore politike kollaj,sepse na pelqejne qe per nje puthje te tyren ne jemi gati te vrasim edhe nene e babe,qe tek te tjeret pak e gjejne.Pale po na dhane dhe ca para ,cfare nuk bejme ne,e shesim Shqiperine zero euro...
Nuk e marr vesh perse duhet
Nuk e marr vesh perse duhet ti japim jehone nje shkrimi qe flet keq per ne apo si gjithmone ne shqipetaret na pelqejne qe te na shajne...
Ajo qe ndodhi me KOSOVEN,
Ajo qe ndodhi me KOSOVEN, ndarja e saj nga Serbia eshte nje ngjarje e jashtezakonshme. Kosovareve u ra llotaria. Kjo ngjarje i kishte shancet 1 : 1.000.000... ndoshta edhe me pak... por ndodhi ajo qe enderronte NOLI :
i vogli shtrin viganin dhe i shtypuri tiranin...
Ndodhi.
Per mendimin tim kjo ngjarje do te mjaftoje per nje miqesi vellazerore te perjetshme mes shqiptareve dhe amerikaneve. Ata ( amerikanet ) nuk shpetuan vetem Kosovaret por gjeneratat e shqiptareve per jetet qe do te vijne. Eshte sikur nje milioner te adoptoje nje femije te gjetur ne rruge e ti trashegoje gjithshka tijen. Sot shqiptaret jane milionere me te ardhmen e tyre.
Add new comment