Pse dhjetë e jo....? Vetëm ato....?
Unë nuk shoh asgjë të keqe që opozita paraqet propozimet e saja për zgjidhjen e një situate jo normale apo bllokimi të vendit, kur vendi synon të jetë demokratik, evropian e perëndimor; jo normal është përçmimi dhe refuzimi i tyre. Por këto propozime duhet të mos vinë pa pritur e të shqiptohen vetëm tashti. Ato duhet të ishin pjesë e një programi politik të paraqitur që në fushatën elektorale, çka do të tregonte se nuk janë improvizime të një personi, të pa diskutuara dhe përmirësuara nga grupet politikëbërëse të opozitës, e aq më tepër kur ajo kërkon të jetë alternativa e nesërme, e kur kërkon zgjedhje të parakohshme. Po kështu ato nuk duhet të krijojnë përshtypjen se vetëm ato 10 kërkesa (të sjellin në mendje 10 “urdhërat” e Moisiut) paraqesin urgjencë diskutimi e zgjidhin gjithçka.
Vërejmë gjithashtu se Rama vazhdon me kryeneçësi në pretendimin e tij se vetëm Ai dhe Saliu kanë të drejtën për të diskutuar për fatet e Kombit, se vetëm ata i kanë në dorë ato, duke dëshmuar në këtë mënyrë se janë ata kryesisht fajtorë e përgjegjës për gjendjen e mjeruar të vendit, për nëpërkëmbjen e demokracisë dhe të atyre që mendojnë jo si ata. Kjo del sheshazi në të gjithë letrën e tij. Po e ilustrojmë me pikën 3 ku propozimet do t’i bëjë (vetëm) Partia Socialiste, ndërkohë që ka dhe forca të tjera politike pranë dhe jashtë tyre që kanë vërejtje thelbësore për këtë Kod aspak demokratik, pjellë e puçit të fëlliqur Kushtetues të 21 Prillit.
Është jashtë çdo diskutimi se Kuvendi duhet të demokratizohet, dhe sa më parë aq më mirë. Në të opozitës duhet t’i mundësohet një rol real e jo të shërbejë si fasadë demokracie. Por një demokraci funksionale kërkon në jetën politike të vendit edhe praninë e të gjitha forcave politike, sidomos të atyre që nuk janë bishtra të PS-së dhe PD-së.
Rregullorja e Kuvendit do rishikuar jo vetëm sipas modeleve të vendeve me traditë shekullore demokratike, por patjetër dhe sipas atyre të vendeve që kanë dalë nga diktatura e janë në tranzicion drejt demokracisë, ku nuk abuzohet me forcën e pushtetit dhe u mbyllet goja (më e pakta) kundërshtarëve. Sigurisht që duhet rishikuar dhe vendi e të drejtat e spikerit dhe kryeministrave, që të mos e privatizojnë dot foltoren e të ushtrojnë dhunë ndaj kundërshtarëve.
Ka vite që puna e institucioneve kryesore të shtetit shqiptar po bllokohet, ndërmjet tyre ka konflikte të vazhdueshme dhe armiqësi deri në refuzim të turpshëm të kontakteve reciproke, që janë dhe detyrim kushtetues, ka shpjegime të ndryshme të Kushtetutës dhe të ligjeve, me një fjalë pengohet ecuria normale e demokratike e vendit. Zgjidhjet e drejta duhen gjetur tek Kushtetuta që duhet të korregjohet e të plotësohet, e cila për nga mënyra e hartimit vetëm nga njëra palë (këtë nuk duhet ta harrojë PS-ja), për të pasur ajo ekskluzivitetin e pushtetit, duke harruar se mund të përfitojë dhe pala tjetër kur ka rrotacion (do thoni fajin e ka Fatosi që “i shiti” pushtetin Saliut).
Kushtetuta duhet të përmirësohet. Kjo duhet bërë me diskutime e bisedime e jo vetëm dypalëshe, por nga ekspertë e politikanë të të gjitha partive, duke paraqitur fillimisht problemet e pastaj gjetur zgjidhjet. Sot është më se e nevojshme se kurrë që arkitektura e shtetit në tërësi dhe e institucioneve të tij në veçanti (p.sh. drejtësia) të rishikohet dhe të saktësohet për të siguruar funksionimin e rregullt të shtetit demokratik. Pa këtë të mos presim demokraci por një regjim, i cili do rrisë nostalgjinë për të kaluarën.
Mendoj se së pari duhen abroguar ndryshimet e 21 Prillit, dhe për këtë nga ana e Ramës duhet burrëri për ta kërkuar së pari në Kuvend e pastaj me referendum. E rëndësishme është dhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit e sipas saj dhe të drejtat e tij. Për mendimin tonë ai duhet të zgjidhet ose me 84 vota ose nga populli, në se duam që të jetë mbi palët dhe garant jo vetëm i Kushtetutës por edhe i demokracisë (siç e ka betimi i tij), duke rishikuar dhe kompetencat e tij sipas zgjidhjes. Në cilindo rast ai duhet të ketë drejtën të emërojë gjatë mandatit të vet nga dy anëtarë në dy gjykatat supreme. Të tjerët t’i zgjedhë Kuvendi me 84 vota, por asnjëherë ata nuk duhet të vinë nga radhët e politikës. E njëjta duhet dhe për postet e tjera të pavarura (Banka. KLSH, Këshilla e borde e të tjera si ato).
Por më e rëndësishmja ndër ndryshimet e mundshme të Kushtetutës është dhënia e të drejtës popullit për të ndryshuar me referendum atë, një e drejtë themelore në demokraci, që shqiptarëve Kushtetuta e të majtëve ua mohon (paradoksalisht sot shumica e autorëve të saj, për poste, bën të djathtin). Diskutimi mund të nxjerrë dhe propozime të tjera që po ashtu duhen konsideruar
Jo me më pak rëndësi është reforma zgjedhore, me të cilën dy palët kuptojnë sende të ndryshme ndërsa partitë e vogla, pra pakicat, kërkojnë hapësirë e për t’mos u shmangur nga jeta politike vendit. Ajo do diskutuar gjerësisht duke pasur si palë të gjitha partitë dhe mbi bazën e vërejtjeve të tyre dhe të ODHIR-OSBE-së të ketë një bashkëbisedim demokratik për një zgjidhje që të mënjanojë bipartitizmin me ligj, që populli të votojë për emra konkrete dhe jo për lista të Kryetarit, që të mënjanojë lidhjen e përgjegjësisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurit. Kodi duhet që të shmangë manipulimet dhe me komisione jo partiake. Përvoja e zgjedhjeve jo të lira e jo të ndershme nga 1996 e deri më sot duhet të na bindë, për të kthyer faqe, në këtë histori të turpshme e me pasoja tragjike për shqiptarët. Kodi Zgjedhor duhet të marrë parasysh se jemi ende në tranzicion e demokraci të brishtë e shpesh të mohuar. Ai është shkruar nga ata të dy, që të jenë në parlament vetëm me ata që i përzgjedhin sipas shëmbëlltyrës së tyre, si dhe ata “aleatë” të cilëve ju transferojnë vota për karrige. Për ne sistemi zgjedhor i 1992-2001 do të ishte më i përshtatshmi, qoftë dhe me një raund.
Por pjesa më absurde e 10 “urdhërave” të Edvinit është ajo që lidhet me prokurorinë dhe titullarin e saj, “bukuroshen e fjetur” Ina. Për këdo në Shqipëri është tashmë e qartë se ajo, si individ dhe institucion, nuk po kryen detyrën e saj madje, me këtë po i lë rrugë të hapur krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili sa vjen e thellohet. Ajo pra po shpërdoron detyrën, çka sipas Kodit Penal (Neni 284) përbën krim. Partia Socialiste duhet të gjejë kurajën për të kërkuar në Kuvend, e sipas ligjit, largimin e saj nga posti dhe vënien përpara përgjegjësisë për shpërdorim detyre. Justifikimi i tyre, se e merr Saliu atë post, është qesharak sepse ajo nuk është në anën e drejtësisë. Po aq qesharake janë dhe propozimet për temenatë që i duhen bërë asaj për të kryer detyrën. Kini kurajon që pati gazetarja Ani Vasili e cila në një shkrim të paradokohe kërkoi qysh në titull “Ina ik”.
Ne jemi të bindur se kjo gjendje e padurueshme nuk ndryshohet në një ditë çka është një arsye më tepër që duhet filluar sa më parë puna për përmirësimin e saj. Duhet të fillojnë bisedimet dhe diskutimet, pa kushte dhe pa përçmim por, dhe pa thënë se jemi mirë kështu siç jemi. Jo vetëm për këto që ngre Rama, por dhe për çështje të tjera aktuale që ngrenë, si komuniteti ndërkombëtar, ashtu dhe forcat e tjera politike e opinioni publik dhe ekspertët, përfshirë këtu dhe Partinë Demokratike. Shqiptarëve nuk iu duhen “pakte” në letër, por zgjidhje sa më të shpejta për të shkuar në Evropë me drejtësi, mirëqenie dhe përparim.
Zgjidhja sa më parë e gjithë problemeve që pengojnë zhvillimin e vendit dhe integrimin në Evropë dhe botën e qytetëruar është në dobi të të gjithëve, madje dhe atyre që mendojnë se i vetmi problem është dhënia e votave me tre të pestat (84 votat), për të mashtruar Evropën, si dikur Ramizi me Perez de Kueliarin, se pastaj bëjmë,si deri më sot, çfarë duam. Dua t’i tërheq vëmendjen shumicës së sotme, që në se “larg qoftë” do jetë nesër në opozitë, do detyrohet t’i nënshtrohet autoritarizmit të Partisë Socialiste, lideri i së cilës është po aq autoritar, në veprime e kredon politike, sa dhe vetë Sali Berisha. Prandaj përpara se të nxirrni përpara ekranit gjithfarë njerëzish pa personalitet, që përsërisin Berishën me të njëjtat fjalë, se po na pengoni statusin e kandidatit, e po na bllokoni duke mos na dhënë ato të shkreta vota, mendoni dhe për të nesërmen tuaj se për ne shqiptarët e dimë që nuk keni kohë. Kjo vlen dhe për apologjetët e Edvinit që rreken të na bindin për zgjidhjen gjeniale dhe vlerat e 10-tës (harrojnë “10” e votave të 14 Majit). Sidoqoftë një Shqipëri e përçarë dhe e trazuar do ta ketë të vështirë përparimin dhe integrimin.
Vetëm kur të gjithë bashkë të bindemi se këtë çorbë të helmuar e kemi gatuar vetë me dy liderët në krye, për të cilët bëjmë be e rrufe, në vend që të mos u nënshtrohemi e t’i detyrojmë, do të gjejmë zgjidhjen sipas modeleve demokratike dhe evropiane, përndryshe “Selanik e tatëpjetë m... ka qenë e m... do jetë”.
Add new comment