A po e dëmton Gjykata e Hagës drejtësinë?

Postuar në 13 Gusht, 2011 07:03
Roland Gjoni

Rasti i Ramush Haradinajt në Gjykatën Penale për Krimet e Luftës në Hagë vazhdon prej rreth 7 vjetësh.  Me 17 gusht 2011, Haradinaj pritet të rigjykohet pjesërisht për krimet që dyshohet se i ka kryer gjatë kohës kur ishte komandant i lartë i UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe gjatë viteteve 1998-1999. Rigjykimi i pjesshëm i Haradinajt është unik, pasi është i vetmi rast në historinë 18 vjeçare të Gjykatës që një vendim pafajësie hidhet poshtë nga Dhoma e Apelit. Vendimet e fundit të Dhomës së Apelit në rastin Haradinaj kanë ngritur shqetësimin se Gjykata e Hagës po shkel disa parime themelore të së drejtës ndërkombëtare duke favorizuar prokurorinë.

Një nga parimet kryesore të së drejtës penale si në sistemin romano-gjermanik ashtu edhe në sistemet anglo-saksone është *ne bis in idem*(“jo dy herë për të njëjtën vepër”), që nënkupton se askush nuk mund të ndiqet penalisht dy herë për të njëjtën gjë. Kjo ndalesë kategorike prej “ndjekjes penale për së dyti” ka për qëllim t’ua pamundësojë prokurorëve abuzimin me autoritetin duke rinisur ndjekje penale për një krim që është gjykuar një herë më parë. Po kështu, parimi tjetër i drejtësisë *res judicata* nuk lejon rigjykimin e një çështjeje, e cila është gjykuar më parë me një vendim të formës së prerë, çka do të thotë se përfundimet dhe vendimet e gjykatës duhet të pranohen si të plotfuqishme në rast se nuk janë shfuqizuar në apel.  Në rastin Haradinaj, të dy këto parime rrezikojnë të shkelen. 

Për ta kuptuar rëndësinë e çeshtjes duhet të shjegohet shkurtimisht historia e akuzave ndaj tij. Me 5 mars 2005, gjatë kohës që Haradinaj ishte Kryeministër i Kosovës, ai u akuzua nga Haga sëbashku me  Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj për 37 vepra penale ku përfshihen vrasje, tortura si dhe trajtimi çnjerëzor i serbëve, shqiptarevë dhe romëve me anë të veprimtarisë së përbashkët kriminale. Pas shpalljes së aktakuzës, Haradinaj dha dorëheqjen, u dorëzua vullnetarisht dhe u transferua në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Hagës në pritje të gjykimit. Veprimtaria e përbashkët kriminale është një nga llojet e përgjegjësisë penale që përdoret shpesh nga prokuroria në gjykatat penale ndërkombëtare për veprat penale që lidhen me krimet e luftës ose krimeve ndaj njerëzimit. Kur prokurorët pretendojnë se ka ekzistuar  veprimtaria e përbashkët kriminale, duhet provuar se bashkëpjesëmarrësit në një vepër penale kanë vepruar si grup individësh me një qëllim konkret të përbashkët dhe secili individ ka kryer veprime konkrete me qëlllim që të zbatohet plani dhe të arrihet qëllimi i përbashkët. Në rastin Haradinaj, prokuroria pretendonte se qëllimi i veprimtarisë së përbashkët kriminale ka qënë vendosja e kontrollit mbi Zonën Operative të Dukagjinit nëpërmjet kryerjes së veprave penale ndaj popullsisë civile dhe oponentëve politikë. Kjo nënkupton që prokuroria duhet të provonte përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj kanë patur për qëllim që të kryejnë krime mbi popullsinë civile për ta shtrirë kontrollin mbi Zonën Operative të Dukagjinit dhe se secili prej tyre kishte vepruar sipas planit për të përmbushur qëllimin.

Gjatë gjykimit, prokuroria paraqiti rreth 100 dëshmitarë dhe parashtroi rreth 1000 prova për të provuar përgjegjësinë penale të të akuzuarve për të 37 veprat penale.  Në prill 2008, Dhoma e Shkallës së Parë të Gjykatës së Hagës e shpalli Haradinajn dhe Balajn të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës ndërsa shpalli fajtor Lahi Brahimaj invidualisht për trajtimin çnjerëzor të civilëve në një qendër paraburgimi të kontrolluar nga UÇK-ja në fshatin Jabllanicë dhe e dënoi atë me 6 vjet burg. Haradinaj dhe Balaj u kthyen në Kosovë të pafajshëm. Prokororia i apeloi të dy vendimet e pafajësisë me pretendimin se nuk i ishte dhënë mundësia që të dëgjonin dy dëshmitarë kyç, për shkak se nuk i ishte mundësuar kohë shtesë nga gjykata për të thirrur këta dëshmitarë, gjë që kishte penguar gjetjen e së vërtetës mbi rastin.

Me 21 korrik 2010, Dhoma e Apelit vendosi pranimin e disa prej argumentave të Prokurorisë dhe urdhëroi rigjykimin e pjesshëm për 6 nga 37 pikat e akuzës me argumentin se gjykata e shkallës së parë “nuk kishte ndëmarrë hapat e duhuar për t’i lehtësuar prokurorisë dëgjimin e dy dëshmitarëve”. Edhe pse Dhoma e Apelit i la në fuqi konkluzionet e shkallës së parë për 31 pikat e tjera të aktakuzës, rigjykimi i pjesshëm u urdhërua për 6 pikat e lidhura me vrasje, trajnim çnjerëzor dhe tortura. Për shkak të rëndësisë të dy dëshmitarëve kyç për ti mundësuar prokurorisë vërtetimin e akuzave, Dhoma e Apelit gjykoi se ishte dëmtuar drejtësia dhe urdhëroi dëgjimin e dy dëshmitarëve në fjalë.

Që prej korrikut 2010, Haradinaj është kthyer në paraburgim. Mbrojtja e Haradinajt pretendon se rigjykimi i pjesshëm duhet të kufizohet në dëgjimin e dy dëshmitarëve që kanë shërbyer si shkak për hedhjen poshtë të vendimeve të pafajësisë. Prokuroria pretendon se rigjykimi është gjykim i ri dhe i plotë dhe se prokuroria mund të thërrasë dëshmitar të rinj dhe prova shtesë për të vërtetuar përgjegjësinë penale të të tre të akuzuarve për veprat e kryera në qendrën e paraburgimit në Jabllanicë. Me 31 maj 2011, Dhoma e Apelit hodhi poshtë të gjitha pretendimet e mbrojtjes duke u pajtuar me prokurorinë.

Ky vendim i fundit lidhur me objektin e rigjykimit paraqet shmangje nga parimet themelore të drejtësisë penale, prandaj rikthimi në burg dhe rigjykimi meritojnë vlerësim të posaçëm.  Vendimi i fundit mbi mënyrën se si do të zhvillohet rigjykimi shkel parimet e gjësë së gjykuar dhe *ne bis in idem* dhe nuk merr parasysh faktin se për një pjesë të aktakuzave vendimi i pafajësisë është fuqiplotë. Parimi “jo dy herë për të njëjtën gjë”, është interpretuar nga e njëjta gjykatë në rastin kundër  Dusko Tadic-it (1993) dhe në rastin kundër Naser Oric (2009) si pengesë ndaj prokurorisë për të mundësuar që një i akuzuar të rigjykohet për një krim që është shpallur i pafajshëm dhe vendimi i pafajësisë është lënë në fuqi në apel.

Me vendimin e fundit, Dhoma e Apelit duke i mundësuar prokurorisë që të provojë edhe akuzat që nuk lidhen me 6 pikat e mbetura të akatakuzës, i ka dhënë Prokurorisë një shans të dytë për të provuar se Haradinaj dhe të akuzuarit e tjerë janë fajtorë jo vetëm për zonën e Jabllanicës për të cilën është dhënë rigjykimi, por për të gjithë Zonën Operative të Dukagjinit. Ndërkohë që si në rastin Limaj (2007) edhe në rastin Haradinaj, Gykata ka arritur në përfundimin se UÇK-ja nuk ishte forcë e mirorganizuar ushtarake me hierarki të qartë komanduese dhe me kontroll mbi të gjitha grupet e armatosura, prandaj nuk ka vërtetuar veprimtarinë e përbashkët kriminale si formë përgjegjësie penale për krimet e kryera.  Edhe në rastin Haradinaj, gjykata nuk e pranoi argumentin se ka ekzistuar veprimtaria e përbashkët kriminale në Zonën Operative të Dukagjinit.

Vendimi i apelit lejon pyetjen e dëshmitarve të rinjë për të cilët mbrojtja nuk ka dijeni, të rihapë çeshjen e përgjegjësisë për 31 veprat penale për të cilat ata janë shpallur të pafajshëm si dhe të thërrasë një dëshmitar ekspert i cili nuk është thirrur gjatë gjykimit në shkallë të parë edhe pse prokuroria kishte dijeni se ku ndodhej dhe e dinte se ai është i disponueshëm për dëshmi.  Me këtë mundësi të dytë që i është dhënë prokurorisë, rezultati final i rigjykimit mund të jetë vendimi absur që edhe pse nuk ka ekzistuar veprimtari e përbashkët në të gjithë Zonën e Dukagjinit, të akuzuarit kanë patur bashkëpunim në kampin e Jabllanicës.

Ndëshkimi i udhëheqësve politik dhe ushtarak për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë konflikteve të viteve 90 në Ballkan është një nga arritjet më të mëdha të së drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Mbi të gjitha, Gjykata e Hagës është krijuar për t’i dhënë fund epokës së pandëshkueshmërisë të udhëheqësve politik duket i përgjigjur thirrjeve të njerëzimit për drejtësi.  Sidoqoftë, vënia në vend e drejtësisë nuk duhet të cënojë të drejtat e të akuzuarve në gjykimin penal. Në përpjekje për të dhënë drejtësi për viktimat, Gjykata e Hagës nuk duhet t’i kishte dhënë prokurorisë mundësinë e pakufizuar për ta përmirësuar dosjen kundër Haradinajt dhe për ta rigjykuar të akuzuarin që është shpallur një herë i pafajshëm.  Duke i lejuar prokurorisë, që të sjellë prova të reja dhe dëshmitar  shtesë për krimet për të cilat është shpallur i pafajshëm, gjykata po hedh hije dyshimi mbi mundësinë  e Gjykatës së Hagës për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme.

*Roland Gjoni është ekspert i së drejtës ndërkombëtare dhe ka shërbyer si këshilltar juridik për OKB-në, Bankën Botërore dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.