Perëndimi – pasqyrë apo dritare?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3009_1_191.jpg?itok=EC3_xfFb)
Arbër Zaimi, te “Faqet e mesit” të ResPublica-s, polemizon me shkrimin tim “Mall për komisarët”, duke iu dukur e dyshimtë, ndër të tjera, teza ime se ndërkombëtarëve, njëfarësoj, u ka mbetur në dorë pushteti soft në punët e Shqipërisë; si dhe teza tjetër, të cilën unë vetëm sa e cek, për shoqërinë shqiptare si të papërgatitur, dhe deri-diku të papajtueshme (incompatible) me modelet sociale që ka adoptuar, edhe nën trysninë e faktorit ndërkombëtar.
Shkruan Zaimi:
Po sikur, përshembull, institucionet publike e legjitime të jenë rrënuar e të jenë lënë në degjenerim, pikërisht që pushteti të kalojë prej sferës publike – tek ajo private (duke saktësuar këtu se sferë private po quaj cilëndo nyje pushteti që nuk kontrollohet në mënyrë të drejtërdrejtë a përmes përfaqësimit, prej publikut, pra përfshij aty dhe ambasadat)?
Mund të jetë edhe kështu; hipoteza ia vlen të diskutohet pa tjetër. Por mua më duket se, përtej marrëdhënieve me klasën që ka pushtetin sot në Tiranë dhe analizës së këtyre marrëdhënieve në prizmin e modelit politik kolonial ose neokolonial, ndërkombëtarët si faktor i bashkërenduar dhe veç e veç, ose si fuqi të mëdha, nuk kanë ndonjë interes të veçantë në Shqipëri. Interesat e tyre, nëse mund të shprehem kështu, janë para së gjithash “negative”; ose kanë lidhje me parandalimin ose moslejimin që Shqipëria të marrë këtë ose atë rrugë të padëshiruar.
Për shembull, Italia nuk do të dëshironte një përsëritje të krizave të viteve 1991 dhe 1997, as që trualli shqiptar të shërbente si bazë për trafikun e drogës; Greqia nuk do të donte që Shqipëria të afrohej me Turqinë; ShBA që Shqipëria të afrohej me Iranin ose ndonjë vend tjetër të Lindjes së Mesme me të cilin është në konflikt të hapur; Rusia që Shqipëria t’i ofronte një bazë raketash anti-balistike amerikanëve ose NATO-s, etj.
Në thelb, këto njëzet vjetët e fundit, Shqipëria u ka nxjerrë shumë telashe sidomos europianëve; të cilët nuk vendosin dot nëse duhet t’i japin dorën dhe ta integrojnë pa e merituar, apo t’i tregojnë derën dhe të rrezikojnë prishje të baraspeshave strategjike në Ballkan dhe në Mesdhé. Prandaj synimi kryesor i ndërkombëtarëve në Tiranë, më duket mua, ka qenë dhe mbetet që të kufizojnë ose të reduktojnë tensionet, turbullirat dhe krizat humanitare që ende mund të vijnë nga Shqipëria.
Megjithatë, duke përfituar edhe nga nënshtrimi pa kushte i elitave politike në Tiranë ndaj faktorit ndërkombëtar, ambasadorët dhe në përgjithësi “të huajt”, në marrëdhënie me Shqipërinë, riprodhojnë edhe virtytet e tyre liberale dhe demokratike; nëpërmjet leksioneve, udhëzimeve, direktivave dhe këshillave, të cilat u shërbejnë atyre për të ndërtuar një alibi morale të përsosur. Asnjë realitet tjetër, përtej Tiranës, nuk e ka luajtur dot këtë rol kaq mirë, gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit. Për pasojë, legjitimimi ka ndodhur në mënyrë të dyanshme: klasa shqiptare në pushtet i ka përdorur të huajt për të legjitimuar pushtetin e vet, ndërsa të huajt e kanë përdorur pushtetin që u ka dhënë Tirana, për të legjitimuar statusin e tyre moral superior. Që këtej, edhe krahasimi im me atë kohortë priftërinjsh politikë, që ishin komisarët gjatë regjimit totalitar komunist.
Më tej, duke iu referuar një pasazhit tim, jo shumë qendror, për distancën tonë sociale nga ato institucione të cilat i kemi përqafuar ligjërisht, ose kushtetueshmërisht, Zaimi vëren se
[...] ky diskurs është depolitizues, e nuk merr parasysh interesat ekonomike të shtresave e të grupeve në Shqipëri [...] e ne, për sa kohë që organizimi politik është një luks i elitës të ngushtë krijuar përmes trashëgimit a përmes pasurimit (pse jo edhe mes lidhjeve me vetë ndërkombëtarët), as që ka për të patur institucionalizim të shtetit, apo zhvillime drejt demokratizimit.
Shpjegimin tim Zaimi e quan kulturor, me nota orientaliste; në një kohë që ai anon ndaj një argumentimi mirëfilli politik të problemit. Meqë tema ka interes në vetvete dhe përtej kornizave të shkrimit tim fillestar për ambasadorët dhe komisarët, po lejohem ta përmbledh edhe një herë pikëpamjen time se pse përqafimi i modelit demokratik-liberal në Shqipëri ka dështuar.
Pikësëpari, ky dështim ka të bëjë me çka unë do ta quaja efekt të dekompresionit, ose të depresurizimit të shoqërisë shqiptare, në fillim të viteve 1990; kur njerëz që për breza të tërë ishin mbajtur forcërisht nën ujë, të privuar nga të drejtat dhe liritë individuale më elementare dhe në një regjim varfërie materiale dhe kulturore të imponuar artificialisht, u lanë të lirë të ngjiten me të shpejtë në sipërfaqe të ujit. Efektet e dekompresionit ose të depresurizimit i provojnë zhytësit ose pilotët e avionëve të papresurizuar; ato ndonjëherë mund të jenë vdekjeprurëse, meqë organizmi nuk përshtatet dot menjëherë me trysninë atmosferike normale, pasi ka ndenjur për shumë orë në trysni të modifikuar. Në Shqipëri, dekompresioni u shfaq, sidomos, me lëvizje dramatike të popullsisë, zhvendosje të brendshme dhe sidomos emigrim të jashtëm, çka i dëmtoi rëndë sidomos qytetet, ose atë pjesë të shoqërisë shqiptare e cila ishte edhe më e predispozuar për të adoptuar modelet e sugjeruara nga Perëndimi: ekonominë e tregut, pluralizmin politik, të drejtat e njeriut, ndarjen e pushteteve, etj.
Në radhë të dytë, ecurinë e punëve në Shqipërinë e këtyre njëzet vjetëve të fundit e dëmtoi rëndë një kombinim faktorësh që unë do t’i quaja jatrogjenikë. Me përkufizim, jatrogjenik(e) është çdo sëmundje ose efekt i padëshiruar, i shkaktuar prej mjekimit të një sëmundjeje, këshillave dhe rekomandimeve të mjekut, ose procedurave diagnostikuese. Kështu, nëse ty të dhemb koka dhe mjeku të këshillon të marrësh aspirinë në sasi të madhe, çka të shkakton papritur hemorragji të stomakut, atëherë kjo sëmundje e dytë është jatrogjenike, meqë e shkaktoi aspirina. Për t’u kthyer në temën që diskutojmë, unë do t’i quaja jatrogjenike pasojat e frikshme të disa zhvillimeve kaotike në fillim të viteve 1990, përfshi këtu edhe terapinë e shock-ut, shkatërrimet në infrastrukturë dhe shpërbërjen e pronës publike; sikurse do të ishin të tilla edhe efektet e politikave ekonomike të sugjeruara me forcë nga organizmat ndërkombëtarë si FMN-ja, Banka Botërore; ose shtete të caktuara, me ndikim në politikën shqiptare. Sot e kësaj dite, faktori ndërkombëtar eksperimenton në Shqipëri politika dhe skema të cilat nuk do të guxonte t’ia sugjeronte vendeve perëndimore më të zhvilluara se yni; eksperimente të cilat, në thelb, vetëm sa e largojnë qytetarin nga politika.
Në radhë të tretë, problemet politike, ekonomike dhe social-kulturore të Shqipërisë së sotme unë do t’i shihja edhe si rezultat të të ashtuquajturit kult të kargove, ose të idesë së pabazë se Perëndimin do të mund ta sillnim në Shqipëri duke kopjuar mekanikisht që andej ligje dhe institucione dhe duke pritur pastaj që këto struktura të vdekura në vetvete të fillonin e të bënin mrekullira. Për shembull, shumë prej nesh kujtuan se, duke e sanksionuar ndarjen e pushteteve me kushtetutë, gjyqësori do të funksiononte në mënyrë të pavarur nga ekzekutivi dhe nga politika në përgjithësi. Në përgjithësi, demokracinë dhe liberalizmin europian ne filluam t’i trajtojmë si teknologji, të cilat mund të importoheshin njëlloj si kompjuterët ose veturat luksoze; mirëpo efekt i këtij iluzioni ishte një konceptim mekanik i institucioneve politike dhe i shoqërisë civile, në një kohë që institucionet perëndimore, aq të admiruara prej nesh, janë zhvilluar në mënyrë organike, brenda shoqërive dhe kulturave përkatëse.
Së katërti, prapambetjen e sotme të Shqipërisë unë do ta shihja edhe si pasojë të drejtpërdrejtë të një dukurie të cilën e kam quajtur iluzion të perandorisë zero ose deluzion të mëkëmbësit; e cila ka të bëjë me faktin që klasa politike, në Tiranë, funksionon vetëm e vetëm në atë masë që e sheh veten si përfaqësuese dhe mëkëmbëse jo e qytetarëve të vet (në kuptimin politik), por e një fuqie të madhe, qendrore, arbitrare, e cila qëndron jashtë sistemit dhe e legjitimon atë. Kjo perandori zero ka tradita të vjetra në politikën shqiptare; që në kohët kur politikat lokale i referoheshin Portës së Lartë dhe Sulltanit, si autoritete sa absolute, aq edhe të përtejme, ose të paarritshme; por ajo mbijetoi për bukuri në vitet pas pavarësisë, duke u shfaqur, sipas rastit si Italia e Mussolini-t, Jugosllavia e Tito-s, Bashkimi Sovjetik i Stalinit, Kina e Mao-s dhe më pas Europa e Bashkuar, ShBA-të dhe NATO-ja. Siç mund të merret vesh, klasës politike sot në Tiranë i intereson më tepër ta marrë legjitimimin nga kjo perandori imagjinare, sesa prej qytetarëve të vet; që këtej, edhe fuqizimi, ose gradimi i rolit të ambasadorëve në komisarë ose përfaqësues të Sulltanit në provincat tona (dhe këtë nuk e them në mënyrë orientaliste). Kështu do të shpjegoheshin, bie fjala, edhe akuzat për anti-amerikanizmin sot në Tiranë, të cilat gjejnë paralele në akuzat e djeshme për anti-sovjetizëm, sipas rastit edhe për anti-jugosllavizëm; të shoqëruara me hyrje-dalje, ankime, denoncime dhe informime të zyrtarëve tanë të lartë, në selitë e ambasadave të mëdha; sikurse e pamë tani së fundi me kabllogramet e bëra publike nga Wikileaks; sikurse do të shpjegoheshin vështirësitë e mëdha të klasës politike të tanishme për ta ushtruar sovranitetin e Shqipërisë normalisht dhe për ta gjetur veten në këtë sovranitet.
Comments
kompleksin e ''mekembesit''
<p>kompleksin e ''mekembesit'' me sa duket e ka dhe artikullshkruesi i cili nuk ushtron dot sovranitetin gjuhesor(jo se s'di) dhe kerkon te legjitimohet me ane te ''ambasadoreve'' gjuhesore greko-latin .Per ngjashmeri edhe politikanet .Eshte per te ardhur keq qe shtysa e tyre per perdorimin e nje gjuhe te tille eshte mendimi se ne syte e ''popullit'' do te duken te ''ditur''.Elitat kulturore shqiptare me perjashtime te rralla vuajne nga mungesa e shtylles kurrizore.Le te shpresojme se do te kete PASKETAJ</p>
Add new comment