Paradoksi i dy mesazheve negative të fushatës elektorale të Berishës

Mesazhet që jepen gjatë një fushate elektorale mund të jenë disa pozitive e disa negative. Mesazhet pozitive përcjellin vizionin/propozimet e kandidatit për të ardhmen dhe synojnë t’u mbushin mendjen votuesve të prirur drejt tij që t’ia japin votën ditën e zgjedhjeve. Ndërsa mesazhet negative japin arsyet përse votuesit e prirur drejt kundërshtarit nuk duhet të votojnë për të.
Për shembull, në fushatën e Obamës në vitin 2008, mbizotëronin dukshëm mesazhet pozitive (të shpërndara nëpërmjet mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale), të cilat synonin rritjen e pjesmarrjes në zgjedhje të votuesve të prirur drejt tij. Dhe Obama mori atëherë 10 milionë vota më shumë se ç’kishte marrë katër vjet më parë kandidati i majtë paraardhës, ndërkohë që kundërshtari i tij i djathtë McCain mbeti pothuaj në nivelin e votave që kishte marrë Bushi (pavarsisht fiaskos ekonomike që la pas ky i fundit).
Ndërsa në vitin 2012, fushata e Obamës u përqëndrua më shumë në mesazhe negative, që jepnin arsyet përse votuesit që mund të prireshin drejt Romney-t të mos votonin për të. Në përfundim të zgjedhjeve, Romney nuk arriti të merrte më shumë vota se ç’kishte marrë paraardhësi i tij i djathtë, pavarsisht se Obama ishte në pozitë të vështirë (ngaqë nuk kishte realizuar shumë nga premtimet e bëra në 2008-ën). Ndërsa vetë Obama mori 4 milionë vota më pak se ç’kishte marrë katër vjet më parë.
Le të vijmë tani në Shqipëri. Në fushtën tonë elektorale, e cila ka kohë që ka filluar jozyrtarisht, vërehen dy mesazhe negative të Berishës, të cilat, paradoksalisht, nuk shënjestrojnë votuesit e prirur drejt Edi Ramës. Ka muaj që ai sulmon pa pushim tatimin progresiv të propozuar nga PS-ja, duke e quajtur atë “tatimin e Spiro Kolekës, dajës së Edi Ramës”. Votuesit e prirur drejt Ramës nuk ndikohen nga ky mesazh, sepse, së pari, Rama dhe bashkëpuntorët e tij e kanë sqaruar me dhjetra herë se tatimi progresiv nuk ka lidhje me Kolekën, por me Obamën, Merkelin, Cameron-in, etj, etj, dhe se Koleka nuk ka qenë daja i Ramës. Së dyti, votuesit e prirur drejt Ramës janë tradicionalisht të majtë dhe e pëlqejnë parimin “kush fiton më pak, të paguaj më pak”, i cili është në themel të tatimit progresiv.
Po përse atëherë Berisha nuk e ndërpret avazin e “tatimit të Kolekës”?
Duke ditur se një pjesë e votuesve të PD-së janë tradicionalisht të djathtë dhe duke ndjerë se disa prej tyre mund të jenë zhgënjyer nga premtimet e pambajtura dhe nga korrupsioni në kupolën e PD-së, Berisha synon t’u trazojë emocionet e tyre të vjetra antikomuniste. Ai e di se ka pak gjasa që ata të votojnë për PS-në, por tërthorazi u thotë se, po nuk votuan për PD-në (prej zhgënjimit nga ajo), në pushtet do të vijnë pasardhësit e “Kolekëve të urryer”.
Kuptohet që edhe eksponentë të PS-së i janë kundërpërgjigjur Berishës me të njëjtën monedhë, duke i kujtuar atij se ka qenë mjek personal i Hysni Kapos dhe mik personal i birit të Enver Hoxhës. Por sidoqoftë, këto kundërpërgjigje kanë qenë shumë më të rralla se sulmet pothuaj të përditshme të Berishës në këtë drejtim.
Një sulm tjetër pothuaj i përditshëm i Berishës ndaj Ramës dhe PS-së është ai rreth mosmarrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. “Ashtu siç e izoluan Shqipërinë nga Europa baballarët e Bllokut, neobllokmenët e rinj duan të bllokojnë integrimin e saj në BE, duke mos votuar ligjet me 3/5,” thotë pa pushim Berisha dhe lejtnantët e tij. Votuesit e prirur drejt PS-së nuk ndikohen nga ky mesazh, sepse, së pari, Rama dhe bashkëpuntorët e tij e kanë sqaruar me dhjetra herë se integrimi në BE nuk është thjesht një proces teknik hartimi ligjesh, por proces zbatimi të tyre. Së dyti, votuesit e prirur drejt PS-së e dinë që Berisha mund të jetë njeriu më i painteresuar për integrimin europian, sepse kanë dëgjuar për disa kryeministra ballkanas që kanë përfundur në burg pas ose në prag të antarësimit në BE.
Si në rastin e “tatimit të Kolekës”, Berisha, edhe me këtë sulm, synon të trazojë emocionet e votuesve të djathtë tradicionalë. Ai e di se ka pak gjasa që ata të votojnë për PS-në, por tërthorazi u thotë se, po nuk votuan për PD-në (prej zhgënjimit nga ajo), në pushtet do të vijnë pasardhësit e “Bllokut të urryer”.
Edhe ndaj këtij sulmi, eksponentë të PS-së i janë kundërpërgjigjur Berishës me të njëjtën monedhë, duke i kujtuar atij se ka qenë komunist që në kohën e Traktatit të Varshavës, apo që ka qenë mjek i Bllokut. Por sidoqoftë, këto kundërpërgjigje kanë qenë shumë më të rralla se sulmet pothuaj të përditshme të Berishës në këtë drejtim.
Me afrimin e zgjedhjeve, në qoftë se Berisha nuk pushon së përsërituri si papagall dy sulmet e mësipërme, mendja ta do se do të shtohen edhe kundërpërgjigjet nga kampi kundërshtar – dy duar për një kokë janë, thotë populli. Si rrjedhim, populli mund të dëgjojë më shumë për të shkuarën e largët se sa për të ardhmen e afërt. Sepse kronikat telvizive dhe titujt e gazetave shqiptare kanë prirjen të fokusohen më shumë tek sulmet dhe kundërsulmet personale se sa tek duelet programore...
Comments
Parimisht dakord me analizen

Parimisht dakord me analizen e z. Zaloshnja. Por ai e mbivlereson kapacitetin e politikberesve shqiptare, duke krijuar paralelizma mbase joreale midis tyre dhe njerezve ne pozicione analoge ne vende te tjera, me normale, te botes.

Per mendimin tim modest, zhurmat mbi tatimin progresiv, mbi "dajen" e z. Rama etj. nuk ka shume te beje me emocionet qe ai mundohet te krijoje per te motivuar elektoratin qe anon drejt z. Berisha.

Per mendimin tim zallahi te tilla ne Shqiperi perdoren per te mbytur argumentat. Nuk ka rendesi fare tema e zhurmes; rendesi ka qe zeri me i larte te mbyse zerat e papelqyer te kundershtarit, sidomos kur ai mund te kete te drejte.

Se dyti keto britma emocionale, motivojne elektoratin ne nje menyre pak te ndryshme nga cfare sugjeron (ne menyre te aresyeshme) z. Zaloshnja. Eshte me e lehte qe nje njeri apo shume njerez te fillojne te perdorin trurin po ju dhe shume kohe te mendohen. Z. Berisha ju jep atyre nje skenar absurd por te gatshem. U jep nje te vertete qe mund ta perserisin edhe vete duke bertitur fort per ti mbushur mendjen vetes, mbase edhe te tjereve, por mbi te gjitha nuk krijon ate lloj vakumi ne mendjet e njerezve qe i ben keta te fundit kurioz te eksplorojne mendimin alternativ. Z. Berisha do te donte te kishte dicka me te zgjuar per te thene. Por nuk ka. Dhe e keqja me e vogel eshte te thote dicka qe po ta mendosh nuk ka asnje kuptim apo rendesi. Por zhurma me te cilin mbytet argumenti logjik eshte elementi i panegociueshem ne diskursin politik dhe qe PD i nevojitet shume ne kete kohe. Njelloj si zhurma per besnikerine ndaj Enverit apo "sakrificave te luftes" i nevojitetj PPSH dikur per te mbajtur popullin larg nga idete demokratike.

Z. Berisha nuk eshte duke luajtur ne kete menyre me demokracine; ai po kerkon te asgjesoje esencen e demokracise. Te vertetat e thjeshta por te paverteta, ato te perseritura me ulerima jane perdorur nga cdo diktature e sidomos sistemet totalitare. Ato jane skema me e mire per te vrare pluralitetin e mendimeve qe eshte gjeneza e cdo demokracie.

Zoti Zaloshnja ! Keni

Zoti Zaloshnja ! Keni harruar mesazhin kryesor negativ te Berishes. Qelbesira te te gjitha llojeve, bashkohuni ! Deklarate e bere dy dite me pare ose lexo numrin e sotem te Fahriut.

Kush jane keto qelbesira ose funderrina te te gjitha llojeve? Eshte me shume se gjysma e popullit shqiptar. Po a ka akuze me te rende ndaj Berishes se kjo qe ai i ben popullit . A i kap opozita dhe ju analistat keto gafa te Berishes. Cfare tha Romney me shume kur permendi 47 % te votuesve amerikane, qe nuk jua kerkon voten? Dhe per kete e vuri perpara e gjithe media amerikane dhe ai i mori kostot.

Mos harroni se ne keto funderrina, ju ka futur dhe ju gazetareve qe mbani qendrim kritik ndaj menyres se tij te qeverisjes...!!!

Pershendetje, me duket nje

Pershendetje,

me duket nje analize e pasakte e z. Zaloshnja, sidomos ajo e lidhur me mezashin e pare negativ. Pa dashur te perseris cfare shkruan autoti, ai gabon kur thote qe zgjedhesit e majte jane me te varfer se ata te djathte. Kujtoj ketu qe sidomos ne qytete e medhaja shqiptare, PS-se mbeshtete fuqishem nga nja klase e biznesmeneve, fakt ky qe konfirmohet edhe nga prezenca a rreth 10 miliardereve ne rradhet e deputeteve te PS-se. Nderkohe qe ish-pronaret e tokave, ata qe konsiderohen si zgjedhes potencial te PD-se, ne shumicen e rasteve mbeten ne varfer sepse nuk i kane marre ne zoterim ish-pasurite e tyre. Nga ana tjeter, zgjedhjet e kaluara kane vene ne pah nje mbeshtete te PD-se ne zonat rurale dhe rrethinat e qyteteve, zona gjeografike me te varfera se sa qytetet. Ne gjykimin tim, thithja e votave nga keto dy shtresa te lartpermendura eshte edhe motivi kryesor i kesaj strategjie politike te Rames.

Per sa i perket analizes se mesazhit te dyte negativ, me duket teper e veshtire ndarja e elektoratit ne te djathte dhe te majte ne lidhje me procesin e aderimit te Shqiperise ne BE. Kam degjuar shume zgjedhes te PS-se qe shprehen haptas qe shqiptaret nuk kishin nevoje per haqjen e vizave. Keshtu qe nuk besoj se kjo ceshtje do ndikoje ne voten e shqiptareve.

Add new comment