Përgjegjësitë e garantimit të rendit botëror
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5795_5ade1c3414d2a05b17adc8442407636c.jpg?itok=-YpYBaFd)
Rendi botëror, pas përmbysjes së komunizmit, ka evoluar përmes një procesi kontradiktor, që përmban elemente qëndrueshmërie, ekuilibra të stabilizuar, kontradikta të
brendshme komplekse në lëvizje, vështirësi dhe kërcënime serioze ndaj qëndrueshmërisë së tij. Në çdo etapë ka një realitet konkret problematik, i cili përmban në themel një acarim të caktuar të kontradiktës apo kontradiktave, që kërkojnë trajtim të veçantë dhe zgjidhje. Natyra e tij kontradiktore bëhet shtysë e një procesi që përmban kalimet nga ekuilibri në çekuilibër e përsëri në ekuilibër, duke pasuruar cilësinë e përmbajtjes së tij.
Ekuilibri i përgjithshëm ndikohet e formësohet nga ekuilibrat e veçantë rajonalë, të cilët përjetojnë gjithashtu një jetë të brendshme kontradiktore dhe nga raporti mes tyre definohet cilësia konkrete e ekuilibrit në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Qëndrueshmëria e rendit botëror është rezultat i veprimtarisë së përgjegjshme të aktorëve kryesorë të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, por që kontributi i tyre nuk mund të jetë I njëjtë. Faktorët antiqëndrueshmëri janë kurdoherë prezentë, por intensiteti dhe cilësia kundërvënëse e tyre, pra dhe rrezikshmëria nuk është e njëjtë. Edhe pse këta faktorë janë të identifikuar, ata shfaqin shumëllojshmëri formash, taktikash, fuqie dhe rrezikshmërie. Ata edhe pse janë shfaqur disi të shpërndarë e jo në aleanca të gjëra e të qëndrueshme, përbëjnë rrezik serioz për sigurinë, paqen dhe stabilitetin. Kjo natyrë e brendshme kontradiktore ka specifikën e saj në çdo rast dhe kontradikta konkrete të acaruara që kërkojnë zgjidhje. Kjo karakteristikë e brendshme e rendit botëror ka shtruar nevojën e garantimit të stabilitetit të tij, që është siguruar historikisht në forma dhe mjete të larmishme. Kanë ecur paralelisht edhe
veprimtaria konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror, por edhe përpunimi i principeve e rregullave të përgjithshme që mundësojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë së rendit botëror. Ruajtja e ekuilibrave dhe balancave, dialogu dhe mosndërhyrja në punët e brendshme, bashkekzistenca paqësore dhe arritja e marrëveshjeve të rëndësishme në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, si ato për pakësimin e armëve bërthamore etj., janë evidentuar si principe të rëndësishme e të dobishme. Përmbajtja e tyre është pasuruar në procesin e evoluimit të rendit botëror, siç është pasuruar dhe përvoja e aplikimit të tyre në përshtatje me rrethanat e zhvillimeve, që kanë ndryshuar vazhdimisht dhe cilësisht. Rendi botëror dhe cilësia e tij nuk është një koncept i përgjithshëm apo abstrakt. Nuk është as një shumatore sasiore e stabiliteteve të shteteve sovrane apo rajonale. Por, nga ana tjetër, stabiliteti i rendit botëror fillon dhe merr formë me stabilitetin e çdo shteti sovran, rajonal dhe atë botëror. Rendi botëror ndikohet direkt nga stabilitetet e këtyre vendeve sovrane, por ai kërcënohet edhe nga faktorë tepër të rrezikshëm si terrorizmi ndërkombëtar e krimi i organizuar e mafioz, nga format e ndryshme të ekstremizmave e fondamentalizmit, nga varfëria e epidemitë, problemet etnike e ndërfetare, armët bërthamore e bakteriologjike, ndotja e ambientit e pakësimi i burimeve ushqimore, faktorë të panjohur natyrore etj. Rendi botëror me elementët e tij thelbësorë si stabiliteti, siguria e paqja, nuk mund të kryejnë thjesht vetëruajtje dinamike, por nevojitet të sigurohet e mbrohet në mënyrë të organizuar e të përgjegjshme. Rendi botëror as nuk mund të marrë formë spontanisht e as nuk mund të mbrohet e sigurohet në këtë rrugë. Përkundrazi, ruajtja e stabilitetit të rendit botëror është një çështje e kryerëndësishme, pa të cilin as që mund të mendohen zhvillimet ekonomike dhe sociale, përballimi i krizave të llojeve e intensiteteve të ndryshme, i rreziqeve që kërcënojnë seriozisht dhe jo fiktivisht të sotmen e të ardhmen e njerëzimit. Që këtej ka lindur nevoja e garantimit të këtij rendi, e rolit të aktorëve dhe faktorëve kryesorë, e përpunimit të principeve, vizionit dhe metodologjisë së realizimit të këtij misioni të rëndësishëm. Nëse nuk do të kishte aktorë e faktorë të rëndësishëm ndërkombëtare, që kanë vepruar e kontribuar për garantimin e rendit botëror, atëherë faktorët antirend e forcat ekstremiste, terroriste, genocidiste, autokratike e diktatoriale do të kishin shumë terren veprimi e rrezikimi të këtij rendi, do të kishin më shumë liri veprimi e trimërimi në aventurat e tyre. Natyrisht, që nënkuptohet roli dhe përgjegjshmëria e shteteve sovrane, individualisht e të grupuar rajonalisht, në ruajtjen dhe mbrojtjen e rendit botëror, stabilitetit, sigurisë dhe paqes. Kjo është shumë e rëndësishme, por jo e mjaftueshme. Kjo, për faktin se dimensionet dhe përmbajtjet e rrezikshmërisë e kërcënimit të rendit botëror dhe përballimi i tyre kërkon fuqi të mëdha ekonomike, financiare e ushtarake, teknologji, mundësi e forca organizuese të mëdha. Është fakt se, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, rendi botëror, edhe pse i rrezikuar seriozisht, është mbrojtur falë edhe kontributit të rëndësishëm të organizmave ndërkombëtarë, sidomos të OKB-së, por edhe të organizimeve të tjera si Aleanca Euroatlantike, BE, apo mekanizma të formës G.... nga 5 deri 20, si dhe të shteteve më të mëdha dhe të zhvilluara të kohës. Natyrisht, që kjo përgjegjësi nuk mund të funksionojë pa një organizim, drejtim e udhëheqje, që siguron bashkëpunimin konstruktiv me të gjithë aktorët e faktorët kryesorë të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, është evidentuar qartë roli konstruktiv dhe i pazëvendësueshëm i SHBA-ve, të cilat kanë treguar aftësi për ta mbajtur të bashkuar Perëndimin, në zhvillimin e përgjegjësisë për garantimin e rendit botëror, duke i mundësuar qëndrueshmëri dhe paqe, cilësi këto esenciale për të. SHBA-të në fakt kanë udhëhequr në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme në shërbim të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe prosperitetit të njerëzimit.
Në realizimin e këtij roli dhe kësaj udhëheqje të mbrojtjes së rendit botëror, SHBA kanë insistuar te dialogu dhe konstruktiviteti, bashkëpunimi efektiv, që mundëson
ruajtjen e sigurisë dhe paqes e mundëson kushte prosperiteti ekonomikosocialë të rajoneve e shteteve të ndryshme të pavarura. SHBA-të kanë vënë në dispozicion potenciale të mëdha ekonomike, financiare e ushtarake, teknologjike dhe organizative. Karakteristikë e politikës së jashtme të SHBA-ve ka qenë marrja e shpejtë e përgjegjësive dhe iniciativës në zgjidhjen e konflikteve e krizave të rëndësishme, duke insistuar te pjesëmarrja dhe jo përjashtimi. SHBA-të as nuk ia kanë rrëmbyer ndokujt këtë rol në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, as e kanë uzurpuar padrejtësisht, as e kanë si dhuratë. Jo! SHBA-të e kanë fituar këtë rol në sajë të angazhimit, përgjegjshmërisë tepër të lartë dhe kontributit të jashtëzakonshëm në rrjedhën e historisë. Natyrisht, kjo është arritur në sajë të mundësive reale e fuqisë së madhe ekonomike e ushtarake që disponon, duke i kontribuar suksesshëm stabilitetit, paqes, sigurisë dhe prosperitetit. Përmbajtja e rolit të SHBA-ve në garantimin e rendit botëror dhe roli udhëheqës i saj në këtë angazhim e proces është kompleks, por gjithsesi zgjidhës i konfliktit apo i krizës. Ajo ka siguruar në çdo rast njohjen më të saktë e më të shpejtë të ngjarjes, të nxjerrjes së konkluzioneve, rreziqeve e pasojave afatshkurtra e afatgjata, ka ndërmarrë e para iniciativën për zgjidhje të situatës, ka mundësuar metodologjinë më efektive për sigurimin e zgjidhjes e kapërcimin e situatës dhe ka ofruar ndihmën më të madhe ekonomike, financiare, ushtarake e njerëzore. SHBA-të kanë treguar maturi në përdorimin e të gjitha rrugëve të mundshme, sidomos dialogun me faktorët konstruktivë e institucionalë vendës, rrugën politike e kanalet diplomatike dhe kur ka lindur nevoja dhe atë ushtarake. Element thelbësor i rolit të SHBA-ve ka qenë vazhdimisht ai humanitar. Objektiv kryesor ka qenë gjetja e një zgjidhjeje sa më të qëndrueshme të krizës apo konfliktit. Në çdo rast SHBA nuk kanë qenë as thjesht zjarrfikës e sidomos në asnjë rast pushtues e dhunues të sovranitetit të ndonjë shteti sovran. SHBA-të kanë qenë transparente në komunikimet e bashkëpunimet në përballimin e ngjarjeve të tilla. Pas rrëzimit të komunizmit, SHBA-të e panë të arsyeshme të bëjnë të qartë statusin udhëheqës në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si superfuqia e vetme botërore, duke definuar qartë dhe përgjegjësitë përkatëse.
Në mandatin e parë si president i SHBA-ve, Obama saktësoi qartë këtë rol të SHBA-ve si superfuqi e vetme, që do të realizojë angazhimet e detyrimet përkatëse në mbrojtje të rendit botëror, duke nënvizuar qartë se SHBA-të nuk mund të përballojnë të vetme problemet globale, luftën kundër terrorizmit ndërkombëtare, etj. Ky qëndrim u rikonfirmua edhe në mandatin e dytë presidencial. Me sa duket, të ndodhur përballë ambicieve konkrete për rivalitet e ndarje të fuqisë me të nga aktorë të tjerë, apo sjelljeve të rrezikshme për rendin botëror e stabilitetin e tij, siç u vlerësua dhe aneksimi i Krimesë dhe kriza ukrainase, Presidenti amerikan, Obama, bëri kohët e fundit disa theksime të rëndësishme. Më së pari nënvizoi tezën që çdokush duhet të njohë rolin e SHBA-ve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të mbajnë parasysh në çdo rast faktin që SHBA-të kanë marrë rolin e liderit në krizat ndërkombëtare, siç dëshmoi dhe fakti më i fundit, që asnjë shtet tjetër nuk ndërmori asnjë hap ndaj fondamentalizmit të ISIS, kur SHBA-të bënë hapin e parë si lider, duke kërkuar dhe bashkëpunim me të tjerët.
Kjo është çështja, që SHBA-të janë lider, që udhëheqin dhe që i kanë të gjitha kapacitetet për plotësimin e këtij roli dhe përsa i përket bashkëpunimit, element thelbësor është që partnerët të zbatojnë marrëveshjet e arritura. Tërheq vëmendjen veçanërisht konstruktiviteti i SHBA-ve ndaj vlerësimeve kritike në zgjidhjen e krizave të vështira, por edhe mënyra profesionale e respektimi i legjitimitetit të veprimeve e qëndrimeve konkrete, në dialog permanent me aleatët dhe aktorët kryesorë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, mbështetja e vendosur në të drejtën ndërkombëtare dhe vendimet e organizmave të rëndësishëm si Këshilli i Sigurimit të OKB-së, etj. Lidhur me këtë rol të SHBA-ve ka pasur dhe ka aktualisht vlerësime pozitive, por edhe kritika apo analiza kritike për mënyrën e sjelljes në përballimin e problemeve që kërcënojnë stabilitetin e paqen në botë, të cilat realisht i kanë shërbyer përsosjes së përmbajtjes së qëndrimit ndaj zhvillimeve konkrete dhe rolit të saj në garantimin e rendit botëror. Disa, sidomos pas shpërthimit të krizës ekonomike botërore, filluan të flasin për një dobësim të rolit të SHBA-ve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke folur për tërheqje të saj në përballimin e disa ngjarjeve të ndodhura. Është e kuptueshme që në realizimin e rolit të tyre, SHBA-të të ndikohen nga zhvillimet e brendshme ekonomike e sociale, mbi të cilat nuk mund të mos linte gjurmë dhe kriza e fundit botërore ekonomike, por kjo nuk ka cenuar thelbin e këtij roli.
Tërheq vëmendjen një vlerësim kritik i diplomatit të shquar amerikan Kizinger, ndaj realpolitikës amerikane, duke iu referuar “pranverës arabe”, që sipas tij, SHBA-të u mbështetën në principin e idealizmit. Ai, duke i qëndruar ndoshta statik principit të mosndërhyrjes në punët e brendshme, kritikon ndërhyrjen ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak. Të tjerë mbajnë qëndrime kritike për mënyrën se si SHBA-të menaxhuan qëndrimin ndaj regjimit të Asadit në Siri, siç kritikojnë dhe qëndrimin amerikan, që deri më sot, kanë vendosur vetëm goditjen nga ajri ndaj veprimeve të fundamentalistëve të ISIS. Qëndrime kritike vijnë dhe nga Rusia. Gorbaçovi, së fundi thyen heshtjen e tij, duke bërë akuza ndaj SHBA-ve, duke pohuar se ka sot një epidemi të madhe dhe këto janë SHBA-të dhe pretendimi i saj për rol udhëheqës në botë. Sipas tij, SHBA-të po e përdorin Ukrainën dhe vendet e tjera si paramburojë, për të testuar dhe për të shtrirë më tej hegjemoninë e tyre. Në rastin e SHBA-ve nuk jemi në terrenin e një ambicieje për të fituar këtë rol e status, por jemi në terrenin faktik të ushtrimit me përgjegjësi e legjitimitet të rolit të saj si superfuqi e vetme. Nëse mund të flitet për pretendime për rol, janë të tjera shtete që po avancojnë ambicien e superfuqisë botërore, duke kërkuar rivalitet e ndarje të fuqisë me të. I referohem këtij komenti, që është në rolin e zëdhënësit të qëndrimit rus për të pasur më të qartë qëndrimin zyrtar të Rusisë sot, shprehur përmes ministrit të Jashtëm, Lavrov.
Pas sjelljes së saj të sintetizuar në aneksimin e Krimesë dhe rolin e Rusisë në krizën ukrainase, sidomos pas qëndrimit të vendosur e konstruktiv të SHBA ve dhe vendeve të BE-së, tërheq vëmendjen deklarimi i tij në një takim me Sekretarin amerikan Kerri në Paris, ku pohoi se Uashingtoni dhe Moska mund të risin bashkëpunimin në luftën kundër militantizmit islamik. Ai nënvizoi se Rusia mund të bashkëpunojë me SHBA-të për një sërë çështjesh, e para së gjithash në luftën kundër terrorizmit, si kërcënim jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën. Gjithsesi, pavarësisht nga motivet e interesi imediat, ky mendim duhet të vlerësohet pozitivisht. Rusia, që tashmë ka avancuar qartë ambicien e superfuqisë dhe ëndrrën e rikrijimit të ish-BS dhe destabilizim të Evropës Lindore, me sa duket e ka kuptuar disi se nuk mund të bëjë super-arrogantin në realitetin e sotëm ndërkombëtar. E ka kuptuar disi se nuk mund të realizojë rivalitetin dhe ndarjen e fuqisë me SHBA-të në rrugën e arrogancës e të dhunës. Kjo e shtyn të kërkojë bashkëpunim të kufizuar me SHBA-të. Madje, këtu duhet mbajtur parasysh edhe fakti se ekstremizmi islamik nuk mund të mos prekë e godasë edhe Rusinë një ditë, aq më tepër, që në ëndrrën putiniane të rindërtimit të BS, ka dhe vende me shumicë apo përbërje të popullsisë së besimit mysliman.
Pra, ka pikëpyetje në këtë fillim-qëndrimi të Rusisë, që ka nevojë të provohet vërtetësia dhe serioziteti i saj, duke iu referuar deklaratës së djeshme të Putinit, ku pasi akuzoi Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama për qëndrim armiqësor ndaj Rusisë, duke pohuar se nuk do të shantazhohej nga Perëndimi lidhur me Ukrainën, nënvizoi në mënyrë pyetëse: “Çfarë do t’i shkaktonte stabilitetit strategjik mosmarrëveshja midis fuqive të mëdha bërthamore”. Këto pikëpyetje nuk janë pabaza dhe pa arsye. Tërheq vëmendjen një vizitë, e sajuar së fundi e Putinit në Beograd, ku i është rezervuar një paradë ushtarake, me tanke, avionë e armë të ndryshme, dmth. në një vend, të cilit i ka rezervuar statusin e vëzhguesit, në një organizëm ushtarak euroaziatik. Se çfarë e lidh klasën politike të Serbisë me këtë organizëm ushtarak, vetëm ata mund dhe duhet t’ia thonë hapur popullit të vet.
E rrallë në histori, por e vërtetë për Serbinë, që edhe pse në vështirësi serioze ekonomike dhe deklarimeve për neutralitet dhe shfaqje dashurie për integrim në BE, shpenzon kaq shumë për këtë paradë. Ndonjë flet për pragmatizëm serb, se po i vonohet anëtarësimi në BE, por në fakt ka një avancim të strategjisë ruse në Ballkan, që tashmë ka lënë pas të kaluarën konfliktuale, por që të tjerëve u nevojitet t’ia rikthejnë. Natyrisht, Serbia është një vend sovran dhe i bën vetë zgjedhjet. Megjithatë, Serbia nuk është një ishull i izoluar diku, por një vend në zëmër të Europës e Ballkanit. Për këtë arsye, popujt e Ballkanit nuk mund të mos jenë të shqetësuar nga “dashuritë” serbe të hidhura. Ata kanë të drejtë ta kenë drejt me këtë sjellje, siç kanë të drejtë ta kenë dhe gabim, por nuk kanë të fare drejtë të dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen e popujve të Ballkanit.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment