Opozita ka zbuluar lumturinë politike
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6194_image_3954.jpg?itok=X3KwMPFR)
1-Gianpaolo Ganzer ka qenë një gjeneral italian. Në vitin 2010 është dënuar, veç të tjerash, për përfshirje në trafikim lëndësh narkotike.
2-Sunday Times, më 2010 do botonte lajmin se, në trafikun e drogës në Afganistan janë përfshirë ushtarakë anglezë që kanë shfrytëzuar aeroportin e Brize Norton në Oxfordshire.
3-Sean Maloney, këshilltar i Shefit të Shtabit të ushtrisë kanadeze, do deklaronte më 2011 se ushtarakë perëndimorë janë përfshirë në trafikun e heroinës në Afganistan.
4-Më 2013, në Almeria të Spanjës dy ushtarakë dënohen për trafik droge.
5-Alessandra Gabrielli ka pasur gradën rreshter madhor i aviacionit italian. Tre vjet më parë është dënuar për trafikim lëndësh narkotike.
Sa më sipër janë të gjitha raste të njohura. Mirëpo ka me dhjetëra syresh ku ushtarakë të vendeve të Aleancës Atlantike kanë rezultuar të njollosur në histori kriminale droge. Sidoqoftë, përhapja e fenomenit nuk e bën atë kurrsesi të tolerueshëm. Në këtë kuptim edhe përpjekja në përzgjedhjen e alibisë, quasi perfekte, të varfërisë, për të justifikuar implikimin e majorit të rrëzuar Feka, nuk është se na bën shoqëri më humane. Jo, thjesht na bën një shoqëri demokratikisht të padenjë. Por nuk është kjo çështja që na intereson. Na intereson qëndrimi mbi çështjen. Më saktë, qëndrimi i opozitës mbi çështjen e majorit të rrëzuar.
Sigurisht që opozita nuk ka faj pse një ushtarak i forcave të armatosura është përfshirë në një rrjet trafikimi narkotikësh. Ashtu siç nuk do të kishte faj nëse ngjarja do të ndodhte po të ishte ajo në pushtet. Ushtria nuk është një garnizon hermetik rekrutësh. Disiplina e saj është, në të gjitha rastet, disiplinë për njerëz të lirë brenda një shoqërie të lirë, brenda një shoqërie të hapur e cila, si të gjitha shoqëritë e hapura, gjendet në kërcënimin konstant të vesit dhe antiligjit.
Shteti në tërësinë e tij nuk është një kongregacion i izoluar françeskanësh. Brenda tij mund të infiltrojnë edhe individë me profil kriminal apo individë që, për një rrethanë apo tjetër, transformohen në kriminelë. Rasti i majorit të rrëzuar (duke i prezumuar në çdo rast pafajësinë juridike) është një provë e rëndomtë e imunitetit delikat të ushtrisë dhe shtetit në kompleksitetin e tij. Por, si u soll opozita në këtë rast? Natyrisht ashtu si do të sillej çdo opozitë në Shqipëri, së cilës i vjen zogu në dorë për të masakruar kundërshtarin: në mënyrë të mjerë. Mjerisht të lumtur! Nuk ke ç’bën! Është një çështje e kulturës politike që as sot, as nesër e me sa duket askurrë nuk do të kultivohet këtu.
Gjithë diapazoni i opozitarizmit në Shqipëri vërtitet rreth gustos perverse të gjetjes së fajtorit me çdo çmim, edhe aty ku ai nuk ekziston. Arsyeja politike, mjerisht, është gjithmonë më e rëndësishme se ndershmëria politike. Por, në rastin e majorit të rrëzuar është shkuar më tej se kaq. Mekanizmi i vetëkufizimit, që për çdolloj opozite normale duhet të aktivizohet në çështje që atakojnë institucionet e pjesës natyrore të shtetit, për opozitën tonë nuk funksionoi. Përmes zërave zyrtarisht formalë apo edhe atyre informalisht zyrtarë, u shkarkua gjithë cianuri i imagjinueshëm politik jo vetëm mbi kundërshtarin por, më e rëndësishmja edhe mbi forcat e armatosura.
Në fakt, çështja ishte gati-gati, në kufijtë e një affaire d’etat dhe duhej trajtuar si e tillë. Çdo shtet serioz kështu do vepronte. Kurrsesi për të fshehur ngjarjen dhe aq më pak për të kursyer shumicën, por për të mbrojtur dinjitetin e forcave të armatosura si i vetmi dinjitet që na ka ngelur. Opozitë kanë të gjitha vendet, ushtarakët e të cilave janë përfshirë në ngjarjet që u përmendën në fillim të këtyre radhëve. Por, në asnjë rast, në asnjë vend nuk ka ndodhur që kalkulimi politik i çastit të shndërrohet në një ofensiv marrëzish për të delegjitimuar gjithë sistemin siç ndodhi këtu.
Do të kishte arsye që kjo të ndodhte nëse do të provohej qartë dhe në mënyrë të pakundërshtueshme se përfshirja e majorit të rrëzuar në trafikim narkotikësh do të ishte pasojë e dijenisë, tolerimit dhe implikimit të drejtpërdrejtë të strukturave politiko-ushtarake. Por asgjë e tillë nuk është provuar deri tani. Atëherë, minimalisht, sensi për shtetin kërkonte diskrecion dhe urtësi në ligjërim.
Është e ditur se blablablatë do të vijojnë me sintagmën e publikuar tashmë se “nuk e kemi me ushtrinë, po e kemi me Mrikën e ushtrisë”, por sakaq dëmi është bërë, helmi është zbrazur. Madje edhe “fajtori” është gjetur. Dhe kjo, jo se fajtori ekziston, por sepse opozita nuk shikon asgjë tjetër përveç fajtorit dhe kjo i ndodh sepse ajo nuk kërkon asgjë tjetër. Afërmendsh që është rasti ku ministrja e Mbrojtjes duhet të lërë mënjanë krekosjen militante dhe të reflektojë për rastin e majorit të rrëzuar; është rasti që kryeministri gjithaq të reflektojë dhe të rikonceptojë distancën politike të mazhorancës që përfaqëson ndaj forcave të armatosura.
Dhe në fund, është rasti që edhe forcat e armatosura të tarojnë nga e para busullën e tyre morale. Është e pamohueshme se rasti i majorit të rrëzuar me helikopterin e drogës e ka vënë në siklet gjithë republikën. Bash për këtë arsye, nuk është rasti që opozita të sillet sikur ka zbuluar lumturinë politike. Nuk ka asnjë arsye!
"Mapo"
Add new comment