Onufrit me sqepar!

Kur të ngresh duart e tua drejt Perëndisë o meshtar i Perëndisë, më përmend edhe mua, mëkatarin e të paditurin piktor Onufrin…, prift, piktor dhe potopapë të Neokastrës 1554”. Këto janë fjalët e Onufrit, të zbuluara më 1951-shin në Kishën e Shën e Premtes në katundin Valesh (Shpat i Elbasanit). Fjalë që sot nuk gjenden më. Ato simbole, fjalë dhe ikona që nuk u shqyen, nuk u grabitën nga pushtuesit turq edhe pse të një feje tjetër, nuk u shkatërruan as nga komunistët ateistë, u shkatërruan nga barbarët e kohës sonë, nga ne. Onufri është ikonografi gjenial shqiptar më i madh i të gjitha kohërave. Ai është simboli jo vetëm i ikonografisë shqiptare, por dhe i gjenezës së artit shqiptar në tërësi. Kush është ai shqiptar që do me shpirt Shqipërinë dhe nuk njeh Onufrin, që nuk di që ai është simboli dhe i krenarisë sonë të artit kombëtar, i vetmi që kemi në ato përmasa! Në rast se mburremi me Skënderbeun si simbolin e diplomacisë luftarake dhe rezistencës europiane ndaj pushtimit osman, ish pikërisht Onufri që në barkun e Perandorisë Osmane (rreth 50 vjet pas vdekjes së Skënderbeut) guxoi dhe penelin e ngjeu në shpirtin më të ndjerë kristian duke na lënë ne kësi kryeveprash, të cilat kanë vlera kolosale për ne shqiptarët, dhe jo vetëm historike dhe kulturore, por edhe për t’i mbushur mendjen dynjasë se s’kemi ardhur direkt nga majmuni, por kemi bërë dhe ne rrugëtimin tonë plot vlera, si gjithë Ballkani. E kush nuk e njeh të Kuqen me famë të Onufrit, kush nuk njeh ikonat e tij, të cilat e përsëris, nuk bën vaki që një shqiptar që do me shpirt Shqipërinë mos t’i njohë si simbole të saj.
Në vitin 1996, talebanët u sulën si barbarë mbi veprat arkeologjike 1500-vjeçare të Afganistanit, me pretekstin se ishin jo myslimane, kam mbetur e shokuar atëherë, jam e përlotur sot. S’kuptoj pse rrojmë, si një tufë e madhe Zombi, pa të shkuar ndaj dhe pa të ardhme. Kujt i shtiremi për atdhedashuri ndërkohë që simbolet e origjinës tonë i nuk i ruajmë dhe mbivlerësojmë, por i shqepim me sqepar natën si çakej. Tmerr! I kishin shqyer dhe dëmtuar më 30 dhjetor 2012, askush nuk reagoi dhe pse morën dijeni, më pas, më 5 janar 2013, mallit pa zot, pa shtet e pa komb i dhanë dhe sqeparët e fundit, oh Perëndi ç’tmerr! Tmerr kur dëgjoja dhe atë bashkëpunëtorin në krim të Ministrisë së Kulturës kur justifikohej se nuk i ruajnë dot objektet. O ju rëntë një vetëtimë, o vdekatarë pa atdhe mu në shpirtin tuaj të kalbur nga paraja dhe injoranca, por ONUFËR kemi veç një o Perëndi, një vetëm një, askënd tjetër. Ju si Ministri, si shtet, pa dallim ngjyre dhe babëzie, po i bëni këtij vendi atë që nuk ia ka bërë askush, asnjë hasëm dhe hordhi barbare. Ju po i vrisni dhe poshtëroni çdo vlerë kombëtare, arkeologjike, historike, fetare. Ku i keni sitet arkeologjike, shtëpitë muzeale, kalatë, objektet, mozaikët, ku e keni të kaluarën tonë historike? Po si nuk ju vjen turp që e quani veten shqiptarë! Përse e quani?! A i keni parë fqinjët, grekun, maqedonasit, italianët, serbët, se si pikërisht mbi këto objekte, qofshin dhe rrënoja historike, kanë ngritur dinjitetin dhe flamujt e tyre kombëtarë ndër shekuj. Prej shekujsh ne si shqiptarë kemi problem të rënda me veten dhe identitetin tonë, ndaj Onufri ish i vetëm në llojin e tij në mbijetesën e rastësisë, por dhe të idealistëve të dikurshëm, prej shekujsh rrimë me sqepar në dorë. Quhem Brizida, jam 43 vjeçe, jetoj në një tokë që s’ka histori, s’do ketë të ardhme, ka vetëm vdekatarë llafazanë pa zot.
Burimi: Panorama
Comments
Jam shume i kenaqur qe ka

Jam shume i kenaqur qe ka njerez si ju quk lane qe te mbuloje pluhni i harreses se kohes se pameshirshme keta figura te pamatshme te kombit tone siç eshte Onufri,

faleminderit dhe urime per punen tuj

Nuk kam fjale te pershkruaj

Nuk kam fjale te pershkruaj kete shkrim te ndjere dhe atdhedashes, me kenaq fakti qe kemi gra kaq te mencura.

Add new comment