Nuk është luftë mes qytetërimeve

Postuar në 08 Janar, 2015 04:00
Genc Burimi

As Samuel Huntigton-i, autori i parashikimit ogurzi, se bota postkomuniste do të përfshihej nga barbaria midis civilizimesh që urrehen, nuk do ta kishte parashikuar një çmenduri të tillë në zemër të civilizimit europian e botëror. Bota njohu 11 shtatorin e kobshëm, që u tha se ishte një kthesë në histori. Por atentati terrorist kundër kullave binjakeve në Nju Jork u paraqit nga fanatikët e allahut si atentat i “të voglit” kundër të “madhit”, u paraqit si një ndëshkim ndaj një superfuqie që gjoja kishte poshtëruar popujt arabë e myslimanë. Ajo që ndodhi në Paris, dje më 7 janar 2015, është një gradë më lartë në barbarinë dhe çmendurinë e një grushti njerëzish në këtë planet. Ata masakruan dy hapa nga sheshi i Bastijës, simbol i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, një grup gazetarësh pse kishin guxuar të ofendonin me karikaturat e tyre para shumë vitesh profetin e myslimanëve. Nuk e bënë me bombë. Nuk e bënë me kamikazë. Nuk e bënë me pengmarrje. Nuk e bënë me asnjë kërkesë apo kusht që t’u plotësohej. E bënë me armë në dorë në zemrën e një kryeqyteti botëror. E bënë në selinë e një gazete - “Charlie Hebdo”. E bënë me qetësi dhe vendosmëri absolute, duke kërkuar t’u tregonin me emër fytyrat e gazetarëve karikaturistë që kishin piketuar për t’i vrare.

E bënë me një mesazh të qartë, që ndoshta nuk e kishin dhënë aq fortë më 11 shtator 2001: “Jo vetëm që nuk ju tolerojmë më të vini e të na bezdisni në vendet tona, jo vetëm që nuk e tolerojmë mendimin dhe fjalën e lirë në vendet tona, ku DASH-i po instalon një “Allahistan”, por tash e tutje duam t’jua mbyllim gojën në vendet tuaja. Nuk kemi të bëjmë me atentate, por me luftë. Luftë që i është shpallur mënyrës sonë të të jetuarit dhe të të konceptuarit. Nga ky moment, nuk kemi të bëjmë vetëm me terroristë të thjeshtë, që duan të mbjellin terror, barbari e anarki dhe t’ia mbathin nga sytë këmbët siç bënë meë11 shtator. Kemi të bëjmë me rikthimin e një forme të fashizmit, nga më të neveritshmet. Kemi të bëjmë me një përpjekje të mirëfilltë politike, ku një grup njerëzish kërkon të na imponojë me forcë, këtu në Europë, në mbarë Perëndimin, një sistem vlerash në emër të Allahut, si një tjetër nazist, që dje desh e çoi planetin në greminë në emër të një race të supozuar po aq hyjnore sa profeti. Perëndimi, dhe vetë njerëzimi, do ta fitojë këtë betejë. Se në fund të fundit, racionaliteti, dashuria për jetën biologjike dhe jetën e lirë, solidariteti përballë një të keqeje të madhe të përbashkët që bashkon të gjitha qeniet njerëzore, janë ndenja dhe instinkte që do të triumfojnë. Por Perëndimi rrezikon të harxhoje shumë energji në një tjetër betejë, në atë të brendshmen. Atë që nxori rrugëve të Gjermanisë, si rrallëherë, mijëra njerëz anti dhe pro myslimane.

Është një urrejtje në rritje ndaj çdo gjëje islame, që me atentatin e Parisit rrezikon ta shndërrojë kokën e çdo myslimani në një “kokë turku” dhe t’i hapë një bulevard gijotine shpatës së Marina Le Pen-it. Në emër të luftës midis qytetërimesh, në emër të pretekstit të papajtueshmërisë së vlerave të Kuranit me vlerat e demokracisë dhe të krishterimit, virusi antimysliman po infekton dhe pjesën më të paqtë e tolerante të Europës, atë nordike. Si ilustrimi më radikal i asaj “lufte civile” në embrion, që rrezikon të mbjellë te Perëndimi debati pro apo antimysliman, ishte gjesti i neonazistit norvegjez, Anders Breivik. Ai vrau 77 rinj të “racës së pastër” norvegjeze në shenjë proteste kundër politikave të dyerve të hapura norvegjeze e europiane, ndaj emigrantëve myslimanë. Kjo perspektive e nxehjes së gjakrave brenda vetë shoqërive tona mbi fatin që u duhet rezervuar besimtarëve myslimanë në momentin kur duhet solidariteti absolut midis të gjitha feve, midis të gjitha popujve dhe të gjitha vendeve kundër një minoriteti fashist e fundamental, është sfida jonë e vërtetë e përditshme. Jo, fajin nuk e kanë myslimanët. Kjo duhet thënë e stërthënë me forcë nga përgjegjësit politikë dhe mediet, pasi çdo fjalim tjetër do të na kthente në një “Titanik” me rrezikun e garantuar të mbytjes kolektive. Jo, Marina Le Pen-i dhe shëmbëlltyrat e saj që po lulëzojnë në Europë nuk do të jenë zgjidhja, pasi fashizmi nuk mund të luftohet kurrsesi me fashizëm. Ajo forcë politike që do t’ua heqë nesër liritë e të drejtat myslimanëve, me pretekstin e paaftësisë së tyre për t’u integruar kulturalisht në shoqëritë demokratike perëndimore, nuk do ta ketë për gajle t’ua heqë këto të drejta edhe hebrenjve, pastaj vetë francezëve, gjermanëve apo europianëve të tjerë që nuk binden apo që guxojnë të bëjnë opozitë.

Një vend si Rusia është shembulli më i mire, që tregon se diktatorët e vegjël apo të mëdhenj, nuk kanë nevojë për pretekstin e rrezikut islamik për të zvogëluar liritë dhe të drejtat themelore. Sot nuk kemi të bëjmë me një rrezik islamit, por me një bandë të çmendurish që marrin fenë islame si pretekst për të na marrë liritë, ashtu siç bëri Enver Hoxha, i cili gjeti te marksizmi pretekstin më të mirë për të na rrëmbyer e mohuar të drejtat tona njerëzore më elementare. Myslimanët, ashtu si edhe hebrenjtë janë vëllezërit tanë; janë pjesë përbërëse e historisë së Europës dhe e popujve aktualë të saj. Ata nuk mund të zhbëhen kurrë nga ne, siç premtojnë ekstremistët, si zgjidhja e vetme për t’u shpëtuar atentateve. Është një çmenduri totale t’u besosh demagogjive të Le Pen-it, se nën “udhëheqjen” e saj, Franca nuk do të njohë më probleme, pasi ajo, jo vetëm që nuk do të lejojë më që emigrante myslimanë të hyjnë në Europë, por do të përpiqet ta pastrojë në maksimum Francën nga myslimanët aktualë. Edhe sikur ta bënte një gjë të tillë - gjë që s’mund të arrihej kurrë pa luftë civile -gjithmonë do të mund të shfaqet një fanatik fundamentalist për të bërë një atentat. Australia, me atë që ndodhi para pak javësh, është po ashtu shembulli më i qartë, se atentatet fundamentaliste, nuk lidhen fare me numrin e popullsisë myslimane në një vend, por janë fryt i vendosmërisë së marrë të individëve të caktuar për t’u shkuar deri në fund planeve të tyre ogurzeza. Ne nuk jemi në luftë qytetërimesh.
Jemi në lufte me këtë minoritet të pafe e të pashtet që kërkon të na shantazhojë e të na gjunjëzojë duke përdorur armën e frikësimit në masë. Ne do ta luftojmë këtë minoritet efikasisht vetëm me parimin: “Bashkimi bën fuqinë”. Dhe bashkim pa myslimanët nuk mund të ketë. Ky ishte thelbi i thirrjes që beri Merkel këtë javë në përgjigje ndaj manifestimeve kundër islamizimit të Gjermanisë. Ajo grua dhe të tjerë liderë të matur europianë, duhen dëgjuar e konsoliduar në zgjedhje. Atentati i Parisit, që vrau qe i dhimbshëm. Ai na ndau mizorisht nga Kaby, pena më e fuqishme e karikaturës franceze, nga i cili personalisht do të ruaj një portret që ma ka ofruar, si dhuratën më të shtrenjtë që mund të më kenë bërë. Por dhimbjes dhe padrejtësisë nuk duhet mos t’u shtojmë vuajtje dhe fatkeqësi të tjera. Më shumë se kurrë duhet lexuar dhe medituar Renan-i, filozofi francez i shekullit XIX, që s’reshti të thoshte se kombi nuk është një gjuhë, një racë, një kulturë, por një komunitet njerëzish, që duan të jetojnë bashkë. Dhe europianët e të gjitha feve duhet ta ruajnë këtë thesar të paçmueshëm - kapacitetin që kemi treguar deri më sot për të jetuar bashke në paqe e harmoni.
"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.