Një pakt për integrimin? Po si? Po kur? Po nga kush?
Ambasadori amerikan ka përsëritur disa herë nevojën e një pakti kombëtar për integrimin e vendit në BE, fill pasi Kryetari i LSI-së doli me këtë ide “madhështore” për zgjidhjen e problemeve të mëdha që po kalon sot vendi. Nëse dy mbështetësit e kësaj iniciative, Ilir Meta dhe Aleksandër Arvizu, e kanë diskutuar më parë këtë ide apo ky i fundit u njoh me të në takimin që pati me Ministrin e Jashtëm dhe nënkryetarin e LSI-së Haxhinasto, kjo nuk dihet dhe ndoshta nuk do të merret vesh kurrë. Megjithatë, këmbëngulja e zotit Arvizu në këtë pikë, sidomos në krah të kryetarit të pazgjedhur të Tiranës, i cili e sfidoi atë hapur në marrjen me “dhunë” të postit të kryetarit të bashkisë, duke i dhënë një goditje të rëndë imazhit të tij personal si ambasador, Departamentit të Shtetit dhe të gjithë qeverisë amerikane në sytë e shqiptarëve dhe mbase edhe më gjerë, duket se fsheh pas vetes disa pika të errëta, të cilat duhet të qartësohen mirë. Mosreagimi ndaj vrasjes së demonstruesve në 21 Janar dhe akuzave të Berishës për përfshirjen e opozitës në këto vrasje si edhe qëndrimi asnjanës në manipulimin e zgjedhjeve në Tiranë i dhanë një goditje shkatërruese ndjenjës pro-amerikane të popullit shqiptar dhe besimit se vlerat amerikane të lirisë e demokracisë gjejnë zbatim në çdo vend e për çdo popull. Rezultat i saj i pashmangshëm është tashmë humbja e besimit tek ambasada amerikane dhe nismat e ndërmarra nga ajo.
Nuk jam aspak kundër një pakti kombëtar, por jo për shprehjen e dalë boje të integrimit. Kjo fjalë është shndërruar në një term të urryer për shumicën e shqiptarëve, sepse ka shërbyer e shërben për mbulimin e paudhësive të kësaj qeverie. Jam dakort si një qytetar i këtij vendi për një pakt mbarëkombëtar për ndërtimin e një shteti modern evropian, për ngritjen e strukturave të zbatimit të ligjit sipas modelit perëndimor, për ta pastruar vendin nga krimi, korrupsioni dhe trafiqet dhe garantimi i pacënueshmërisë së lirive civile të qytetarëve shqiptarë. Kur kjo të ndodhë, integrimi bëhet një proces i pashmangshëm dhe i vetvetishëm.
Por supozojmë se bihet dakort për këtë pakt. Çfarë do të përmbajë ai dhe mbi të gjitha kush do ta garantojë mbarëvajtjen dhe funksionimi e duhur të tij? Ambasadori Arvizu këshillon nje pakt si Kroacia dhe Sllovenia. Krahasimi më pëlqen shumë, sidomos po të merret parasysh që ish-kryeministri kroat u arrestua për korrupsion dhe po ndiqet penalisht për akuza lidhur me të. A do të përmbajë pakti kombëtar shqiptar pika ku të kërkohet arrestimi i zyrtarëve të korruptuar në çfarëdo pozicioni qofshin dhe ndëshkimi i tyre sipas ligjit? Nëse jo, atëherë çfarë do të përmbajë ky pakt? Sigurisht, për këtë përgjigja do të ishte e shpejtë: Marrëveshje politike dhe miratim ligjesh me shumicë të cilësuar! Ja pra ku kalojmë përsëri tek muzika e vjetër se problemet në Shqipëri qenkan ligjet dhe jo zbatimi i tyre. Ne mund të ndërtojmë një mijë gjykata dhe njëmijë herë do të rritet pushteti i kryeministrit, sepse ato do të vihen menjëherë nën kontrollin e tij. Atëherë ç’vlerë ka një gjykatë administrative në gjendjen e krijuar, veç të shtojë korrupsionin dhe problemet me pronat, tashmë shumë të rënduara? Po ja, kështu e dashka Evropa dhe integrimi. Shumë mirë, nëse duhet vetëm kjo atëherë le ta bëjmë! Por askush nuk i beson këto përralla. Shqipëria ka shumë probleme dhe integrimi kërkon zgjidhjen e tyre nëpërmjet zbatimit të ligjit. Por, nëse Evropa do të pranojë në gjirin e saj një qeveri me listën e tipareve dhe veprimtarive të saj si ato të renditura më poshtë atëherë le të thërrasim të gjithë haleluja:
-E korruptuar në përmasa të frikshme.
-E lidhur me krimin e organizuar.
-Ka vënë nën kontroll drejtësinë dhe policinë.
-Zotëron 80% të medias dhe e ka kthyer televizionin publik në mjet propagandistik.
-E papërgjegjshme në ekonomi dhe e ka çuar popullsinë në varfëri ekstreme.
-Administratë në nivel qëndror dhe lokal militantiste dhe të paarsimuar.
-Ka vënë në pronësi sektorët më të rëndësishëm dhe arsimin.
-Nuk respekton pronën dhe liritë themelore të njeriut.
-Shkatërron sindikatat që mbrohen me ligj.
Dhe dy më të famshmet:
-Manipulon zgjedhjet.
-Vret protestues me armë dhe akuzon opozitën.
* * * * *
Personalisht gjithmonë kam menduar se ndërkombëtarët kanë qënë të painformuar mbi atë çka ndodhte në Shqipëri dhe mendoja se mua dhe gjithë të tjerëve, që kishin mundësinë dhe mjetet, na lindte detyra të informonim sa të mundnim ata për realitetin shqiptar. Por botimet e fundit në WikiLeaks provuan se qeveritë evropiane dhe ajo amerikane janë shumë më të mirë-informuara nga sa do të mund të jenë vetë shqiptarët mbi atë që ndodh në këtë vend. Atëherë çfarë duhet të presim të bëhet me Shqipërinë? Çudia më e madhe është se ambasadorët e huaj që nuk lënë vend pa shkuar, kamera pa dalë dhe evenimente pa marrë pjesë, që nga përurimi i një rrugice, dhurimi i dhjetë kompjuterave të përdorur nje shkolle deri tek birra falas, nuk kanë thënë asnjë fjalë për ata minatorë të varfër në Bulqizë që po nëpërkëmben pa të drejtë në dinjitet dhe bukën familjare dhe po përballen si heronj të vërtetë më këtë qeveri që ata e njohin kaq mirë? A nuk janë edhe ata minatorë pjesë e paktit kombëtar dhe integrimit? Aah, kjo është çështje e brendshme, ndërsa të tjerat, si të ndërhysh në punët e prokurorisë apo si t’i thuash liderit të opozitës të ulë kokën, këto nuk qenkan çështje të brendshme!
Por edhe nëse një pakt i tillë realizohet dhe palët bien dakort për ta nënshkruar, kush do ta garantojë respektimin e tij? Kush do ta sigurojë popullin shqiptar dhe opozitën se mjeshtri i shkeljes së marrëveshjeve nuk do ta kthejë edhe këtë pakt kombëtar në një paçavure pa vlerë? Askush nuk mund ta bëjë këtë, as vetë ndërkombëtarët. Fundi i 2010-s dhe viti 2011 provuan qartë se Berisha nuk i pyet shumë ndërkombëtarët kur vendos për diçka, që nga Parlamenti Evropian (kur shkeli rezolutën e miratuar unanimisht nga dy krahët e tij), deri tek Lajçak e Countryman që dolën garant për zgjedhjet lokale dhe zgjidhjen e krizës nëpërmjet mbajtjes së tyre. Por duket se pikërisht tek ky dështim i ndërkombëtarëve qëndron qëllimi i vërtetë i paktit kombëtar për integrimin.
Fakti është se pas vjedhjes në mënyrë demonstrative të mandatit të Tiranës me Ristanin dhe Kolegjin Zgjedhor, Kryeministri Berisha ndodhet në një pozitë të vështirë izolimi ndërkombëtar. Këta të fundit po i tregojnë Berishës se, edhe pse nuk e duan opozitën shqiptare dhe liderin e saj, përkrahja për të ka një kufi dhe nuk mund të shkojë deri tek manipulimi i hapur i zgjedhjeve dhe shtrembërimi i vullnetit të popullit pasi procesi ka mbaruar. Por komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu i ndërgjegjshëm se mbarëvajtia e zgjedhjeve ishte garanci që i ishte dhënë popullit dhe opozitës shqiptare nga ata vetë dhe rëndimi i krizës ishte dështim i plotë i strategjisë se tyre për zgjidhjen e saj. Ata e dinë fort mirë se në rast të acarimit të situatës, gjë që është më e mundshmja të ndodhë, ata do të përfshiheshin në një konflikt të padëshirueshëm dhe do të ndodheshin nën shigjetat e mediave më të mëdha ndërkombëtare për paftësinë që po tregojnë në Shqipëri dhe favorizimet e mëdha që i bëjnë Berishës, megjithëse shumë media kanë filluar ta etiketojnë atë si një Gadaf të Ballkanit. Përballë kësaj situate ata do të detyrohen ta dënojnë Berishën hapur si një kryeministër i një regjimi totalitar dhe hapi i parë do të ishte përjashtimi i Shqipërisë nga NATO. Për ta është mëse e qartë se Berisha nuk do të bënte as një hap prapa edhe me këto masa, por populli do të gjente një shtysë dhe nxitje për t’u ngritur në këmbë për rrëzimin e kësaj qeverie, dhe rezultati do të ishte revolucioni dhe gjakderdhja. Por me një pakt të ashtuquajtur kombëtar për integrimin, ndërkombëtarët e Tiranës synojnë zgjidhjen e këtyre dy problemeve kyçe shumë lehtë: së pari lajnë baltën që iu është hedhur në fytyrë gjatë zgjedhjeve të 8 majit dhe së dyti rehabilitojnë Berishën me shpresë se do të munden ta kufizojnë sadopak në ambicjet e tij për moskufizim pushteti. I angazhuar në një pakt për integrimin, barrierat e izolimit ndërkombëtar për kryeministrin do të binin ngadalë dhe ai do të fillonte të rehabilitohej edhe në organizmat ndërkombëtarë. Ambasadorëve të huaj në Tiranë nuk u intereson integrimi dhe aspirata e popullit shqiptar. Rëndësi për ta ka ta heqin përgjegjësinë nga vetja.
Por ky pakt ka edhe një prapavijë tjetër politike: ai do të shërbente për ta goditur fort opozitën në rast se ajo refuzon të angazhohet në të. Por nga ana e saj opozita mund ta kthejë këtë iniciativë në favorin e saj duke dalë me një propozim për një pakt edhe më të gjërë kombëtar gjithpërfshirës, me qëllim vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri duke filluar me zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit dhe akuzat e menjëhershme të kryeministrit për përfshirjen e opozitës në këto vrasje si edhe bërja publike e kontratave koncesionare për burimet minerale dhe naftën në Shqipëri. Vetëm pasi të zbardhen këto pika mund të vazhdohet me pikat e tjera të këtij pakti dhe realizimin e qëllimit të tij përfundimtar. Si do të reagojë opozita në lidhje me këtë iniciativë dhe sa do të jetë ajo e gatshme t’i japë edhe një herë dorën kryeministrit ta hedhë lumin edhe këtë herë, varet vetëm nga vetë përfaqësuesit e opozitës. Por nga kjo do të varet edhe përkrahja që populli do t’i japë Partisë Socialiste në të ardhmen.
Sidoqoftë, duket qartë se qëllimi i vërtetë i paktit nuk është integrimi i Shqipërisë, por dalja nga izolimi i Berishës dhe ndreqja e imazhit të trojkës që u shndërrua në një show të mërzitshëm televiziv pa pike rëndësie. Megjithë nevojën e madhe të një pakti mbarëkombëtar jo vetëm të politikës po të gjithë jetës institucionale të vendit, fakti i mosgarantimit të funksionimit të tij e bën atë të paarritshëm dhe fare të pavlerë.
Add new comment