Një hap para si nacionalist, dy hapa prapa si profesionist
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1792_prec-zogaj_1.jpg?itok=8dv6JZ8R)
Në fragmentin Kosovë- Serbi, epoka e re e marrëdhënieve shqiptaro-serbe ka filluar me dialogun në Bruksel midis dy qeverive respektive, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtina dhe Beogradi kanë negociuar e po negociojnë si palë me status të barabartë. Nuk ka dyshim se një dialog i këtij lloji dhe formati, që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës së pavarur, i është imponuar qeverisë serbe në rrethana specifike. Uashingtoni dhe Brukseli duan të shohin të materializuar dhe të rrënjosur produktin e investimit të tyre të madh politik, diplomatik dhe ushtarak për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe më konkretisht në segmentin nevralgjik Beograd-Prishtinë. Qeveria serbe ka parë e sheh interesat e veta në këtë zhvillim. Dialogu, partneriteti, shkëmbimet, relaksimi dhe avancimi në tërësi i marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën kanë qenë dhe janë karota dhe bonusi i Brukselit për Serbinë. Serbia është përpara Shqipërisë në procesin e integrimit europian pikësëpari sepse përmes “lëshimeve” graduale për çështjen e Kosovës ka mundësi të marrë bonuse të tilla nga kushtëzimet europiane. Por integrimi europian ngjan të jetë një objektiv strategjik i Serbisë edhe brenda dyzimit të saj midis Brukselit dhe Moskës. Nacionalistët e mençur prorusë janë po aq të interesuar e të vendosur për një Serbi në BE. Për ta, në kontekstin e ravijëzimeve të reja të hartës së interesave gjeopolitike, një avanpost i influencës ruse në BE është më i leverdishëm brenda sesa jashtë BE-së. Nga ana tjetër Kosova, objektivi strategjik numër një i së cilës mbetet konsolidimi i pavarësisë në rrjedhat euroatlantiste dhe anëtarësimi në OKB, në NATO dhe në BE, është vendi përfitues i dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë fqinje. Vullneti i lidershipit politik kosovar për t’u ulur me përfaqësuesit e zgjedhur politikë të Serbisë, disa prej të cilëve kanë qëlluar të jenë jo vetëm pasuesit e Milosheviçit dhe Sheshelit, por edhe bashkëpunëtorë të tyre në realizimin e programeve antishqiptare, përfaqëson një moment iluminimi të një elite politike që pasi ka dalë fitimtare në betejën e një shekulli për liri dhe pavarësi, kërkon të shohë përpara me sytë e brezave që po rriten. Kjo elitë, elita politike e Prishtinës, e ngatërruar për fat të keq këta muajt e fundit në një ngërç politik të brendshëm, ka tagrat të udhëheqë kapitullin e ri të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Jo Tirana. Tirana mbështet e duhet të mbështesë. Në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaroserbe, që është një koncept më i gjerë se marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri-Serbi, nuk ka pasur e nuk ka sens shpallja paraprake prej Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama se po shkonte në Beograd për të hapur një kapitull të ri. Ajo ka qenë propagandë. Sepse ky kapitull është hapur ndërkohë me dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, pra po të flasim me gjuhën popullore, kjo sofër ishte e shtruar. Pas Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit, Tirana zyrtare ishte një palë e katërt në këtë zhvillim të madh dhe prej saj, më saktë prej Kryeministrit të Shqipërisë, nuk kërkohej më shumë se sa të jepte mbështetjen e fuqishme për përparimin e dialogut si dhe të bënte kujdes të mos përmbyste kot së koti ndonjë kupë në sofrën e të tjerëve. Por, mjerisht, sindroma e vitit zero dhe e orës zero, të cilën e manifeston prej më shumë se një viti në politikën e brendshme, nuk i ndahet zotit Rama as në politikën e jashtme. Flateria e tij me emrin “Rilindje” në politikën e brendshme ka kohë që përkthehet si zhdukje e diplomacisë në politikën e jashtme me alibinë apo arsyetimin e njerëzve që ka rreth vetes sikur është piktor, artist, origjinal, befasues, përçmues dhe shkatërrues i zakoneve të ngulitura politike-diplomatike e tjerë. Mirëpo të eliminosh diplomacinë nga marrëdhëniet ndërkombëtare është njëlloj si, fjala vjen, të heqësh personazhin Hamlet nga vepra shekspiriane me të njëjtin titull. Nuk ka më vepër. “Sekreti” i dialogut delikat Prishtinë-Beograd në Bruksel, një nga ngjarjet politike më të rëndësishme e Europës së sotme, ka qenë dhe është sipas meje marrëveshja prej xhentëlmenësh “të bëjmë, por të mos themi, s’ka nevojë të japim tellallin”. Ka pasur e ka plot çështje madhore në historinë e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërshtetërore që janë avancuar e çuar deri në fund me parimin e faktit të kryer, duke i bërë, pa i thënë, sepse kështu ka qenë interesi apo pozicioni i njërës palë, pa e përmendur litarin në shtëpinë e të varurit, siç thotë një shprehje e thellë e urtësisë shqiptare. Edi Rama shkoi në Beograd dhe e tha siç e tha. Kaq është historia e vizitës së tij atje. Në bilancin e saj përfundimtar kjo vizitë prodhoi incidentin e “përplasjes për Kosovën”, që eklipsoi çdo gjë tjetër, një përplasje e kërkuar apo pas pilafit, po të mbajmë parasysh se Kosova është çliruar para pesëmbëdhjetë vjetësh nga aneksimi dhe okupimi i gjatë serb, është pavarësuar para shtatë-tetë vjetësh, është njohur nga njëqind e tetë shtete, negocion me Serbinë me statusin e pavarësisë de fakto, po avancon me objektivat e integrimit. Pra janë një seri arritjesh historike qe e kanë tejkaluar retorikën e vjetër. Debati që po zhvillohet në Shqipëri rrotullohet rreth pyetjeve a duhej të fliste Rama për Kosovën në Serbi, ç’të keqe ka që ua tha serbëve troç, mu në shtëpinë e tyre “njihni pavarësinë e Kosovës”? Përgjigjja është: as që mund të imagjinohet një vizitë e këtij niveli apo çdo niveli tjetër pa folur për Kosovën dhe për minoritetin shqiptar në Serbi. Po të jetë puna për të folur e për t’i thënë të vërtetat hapur, ka gjëra të tjera po aq të rëndësishme sa njohja e pavarësisë, madje edhe më sensitive tani që pavarësia ka marrë udhë, siç është çështja e viktimave të zhdukura apo e zhdëmtimit të dëmeve me pasoja të pallogaritshme që ka lënë pas sundimi serb në Kosovë. E folura hapur është krejt gjysmake, madje mund të bëhet e padobishme nëse nuk shoqërohet me të folurën si profesionist, si diplomat. Në momentin kur palët bien dakord të zhvillojnë një takim zyrtar, ca më shumë pas shtatë dekadash dhe ca më shumë akoma kur është Kryeministri ynë që ngulmon për takimin, atëherë përdoret një gjuhë që e lejon zhvillimin dhe vazhdimin e bisedimeve. Ne nuk e dimë se çfarë temash janë trajtuar në bisedimet zyrtare. Nuk e dimë si është folur dhe çfarë është thënë për Kosovën. Besojmë se Kryeministri ynë nuk e ka befasuar përnjëmend homologun serb me deklaratën e tij në konferencën e shtypit. Pra, ka thënë në publik ato që janë folur në takimin e mbyllur. Po të jetë ndryshe, Rama ka bërë një veprim aspak korrekt, që nuk përkon as me etikën e diplomacisë, as më traditën tonë. Po të jetë ndryshe, ai do t’i lërë të zhgënjyer sponsorët perëndimorë të takimit, që mund ta kenë nxitur të shkojë në Beograd për të avancuar një proces në rrugë të mbarë dhe jo për të luajtur me qarin për veten e tij. Sido që të jetë e vërteta në lidhje me këtë aspekt kyç të incidentit, kultura dhe diplomacia kanë përsosur një gjuhë që lejon komunikimin e çdo mesazhi apo të vërtete pa e vënë në vështirësi para të vetëve homologun, sidomos kur ky homolog ka marrë një kosto në mjedisin politik ku vepron duke të pritur ty. Rama kishte një çelës gratis, një çelës magjik, për të thënë me korrektësi të paqortueshme çdo gjë për Kosovën, duke e përfshirë palën mikpritëse dhe jo duke e befasuar: kishte dialogun Prishtinë-Beograd si një realitet konkret përtej retorikave. Rama duhet ta niste deklaratën e tij me përshëndjen me zë të lartë të këtij dialogu, duke vazhduar me shprehjen e dëshirës së zjarrtë që ky dialog i paqes së dy vendeve, i paqes së dy kombeve, i paqes së rajonit dhe Europës të vazhdojë dhe të përfshijë në axhendën e vet çështje gjithnjë e më substanciale të marrëdhënieve mes dy vendeve, për të përfunduar me urimin dhe thirrjen që në këtë rrugë të shtruar të dialogut Serbia t’u bashkohet njëqind e tetë shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pse zgjodhi të bënte një deklaratë populiste joprofesionale që injoronte zhvillimin dhe produktin e dialogut Prishtinë- Beograd? Sepse ashtu e mendoi? Sepse nuk di të komunikojë ndryshe as në arenën ndërkombëtare, veçse ashtu siç flet me opozitën në vendin e tij? Sepse nuk sheh nga sytë dhe nga zemra atje ku protagonistë janë të tjerët, në rastin konkret qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë dhe jo vetë ai? Sepse ishte fiksuar pas “dronit” numër dy dhe nuk kishte asgjë tjetër në mendje? Sepse kishte nevojë të kuronte ndonjë kompleks prej kozmopoliti me një shfaqje prej nacionalisti? Sepse kishte menduar se një mënyrë e mirë për të zhurmuar krizën e thellë në Shqipëri është pikërisht një saturnale kuqezi? Ajo që pamë me sy e dëgjuam me veshë është se Rama ndoqi fiksimin e tij. Në një plan tjetër, është i njëjti fiksim si ai që vuri në skenë me dorëheqjen e Luiza Xhuvanit, fiksim i një fushëpamjeje të kufizuar që injoron apo lë në hije atë që është publike dhe përqendrohet tek ajo që është interes vetjak, duke harruar në rastin konkret t’u shprehte ngushëllimet familjeve të katër të vrarëve nga djali i ish-deputetes. Vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd pas 67 vjetësh ishte një dështim dhe një kthim prapa pikësëpari sepse Rama vuri qysh prej fillimit në qendër të saj egoizmin e tij të kuptuar si interes i tij për t’u brohoritur si një yll i nacionalizmit mbarëshqiptar. E papërgatitur, e personalizuar dhe pa objektiva, vizita nuk mund të mos kalonte si një potpuri e retorikës dhe amatorizmit. Unë kam besuar dhe besoj gjithnjë se Edi Rama është një atdhetar i mirë. Për të gjithë ata që nuk e kanë besuar ketë duke u nisur nga koncepte libreske dhe arkaike për atdhetarizmin, Edi Rama ka bërë një hap të madh përpara si nacionalist me deklaratën në Beograd. Por duke qenë se Kryeministrin duhet ta kemi pikësëpari profesionit, diplomat, vizionar, të matur, unë, qofsha i gabuar, kam bindjen se ai ka bërë dy hapa prapa si profesionist. Në mënyrë simbolike ka fituar Menduh Thaçin, që e pashë shumë të entuziazmuar në “Opinion”, por ka humbur kreditë pranë partnerëve perëndimorë që nuk e kanë dashur në Beograd për të bërë zhurmë, por për të forcuar më tej paqen dhe bashkëpunimin. Me aferën e armëve kimike u shkreditua dhe nuk është rikredituar akoma si partner i besueshëm nga SHBA. Rreziku është që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Berlinin e Brukselin. Kjo do të jetë e dëmshme për të gjithë.
"Panorama"
Comments
Edini zoti Preç një drejtus

Edini zoti Preç një drejtus automjeti shkonë ku djathtas dhe ku majtas si përfundim të humbë komandën e mjetit dhe përfundonë në greminë ose kanal kështu e ke pësu dhe ti mor Preç

Z. Prec, keni mangesi te

Z. Prec, keni mangesi te forta llogjike ne ate qe shkruani ne fillim te artikullit. Mos shkruani sa per te mbushur rreshtat.

"Prishtina dhe Beogradi kanë negociuar e po negociojnë si palë me status të barabartë." - Kue shihni ju barazine kur tjetri nuk te njeh ekzistencen, nuk te njeh dokumentat, nuk te njeh fjelen "Republike", mban struktura qeverisese paralele, dhe pengon anetarisimin kudo, sic ishte rasti i fundit ne OSBE.

"Nuk ka dyshim se një dialog i këtij lloji dhe formati, që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës së pavarur,..." - na lodhet me kete njohjen de fakto. Nje fraze e perseritur per te fshehur thelbin e padrejte te marreveshjeve, E pohon gjithnje Edita Tahiri, sa here qe ka takim ne Bruksel del thote "na njohi Serbia". Sipas jush dhe Tahirit, Serbia e ka njohur nja 20 here Kosoven.

"...i është imponuar qeverisë serbe në rrethana specifike." - i eshte imponuar atyre ne Prishtine, qe i kane dosjet e korrupsionit me materiale audio e video pale pale ne zyrat e EULEX. Serbia vec ka marre qe nga 1999, shqiptaret vec kane dhene. Njehere u be deti kos dhe opozita perkrahu VV!, me vendim parlamenti u ndaluan mallrat e Serbise perderisa nuk e njeh Kosoven. U turren "miqte nderkombetare" ta kthenin seancen e kuvendit mbrapsht, u be nami e kerciti druri derisa u siguruan qe negociatat vazhdojne.

Sa per nivelin diplomatik apo "nacionalist" te Rames ke plotesisht te drejte. Edhe per Xhuvanin ke plotesisht te drejte.

Me falni por ju te ResPublica

Me falni por ju te ResPublica i merni shkrimet nga shtypi sipas emrave tye autoreve. Po te jene shkruar sidomoas nga ndoca qe e kane kthyer faqen sa here ju eshte dashur per interesa te tyre, e si pasoj e kesaj jane bere pak si te njohur, si psh Zogaj, le te kete shkruar edhe gjerat me pa logjike, ato do te serviren nga ju per lexuesit e kesaj faqe. Mendoj se kjo nuk eshte ajo qe duhet. Shkrimi qe vjen ketu duhet te jete i mbashtetur ne argumenet, pavaresisht autorit, jo i shkruar nga ky apo ai. Bie fjala po te shkruaj une me keto shtejllim te kesaj teme me siguri ju nuk do ta sillnit ne kete faqe. Nje opinion dhash.

E ku di ti te shkruash mor

E ku di ti te shkruash mor zoteri? Pastaj ti mos sfido keshtu, provoje nje here bej ndonje analize dhe pastaj ke goje te flasesh. Le qe komentet mund t'i shkruah te gjata sa te duash. Jepi Licovun, jepi....

i vetmi njeri qe zduhet te

i vetmi njeri qe zduhet te flasi je ti p. zogaj.

Add new comment