Një debat i munguar për taksat

Postuar në 27 Gusht, 2011 04:26
Eduard Zaloshnja

Para një viti, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, me një nënqeshje dinake, deklaroi përballë kamerave në Tiranë se zgjedhja mes uljes së shpenzimeve buxhetore dhe shtimit të të ardhurave nëpërmjet rritjes së taksave ishte një zgjedhje që i takonte politikës shqiptare ta bënte. Nëpërmjet kësaj deklarate, ai dukej se donte të nxiste në Shqipëri një debat të ngjashëm me atë që po zhvillohet në shumë vende të botës pas krizës së borxheve shtetërore.
Pavarësisht nga nxitja e shefit të FMN-së, ky debat nuk është zhvilluar deri më sot në Kuvend. Dhe duke u nisur nga deklarata e fortë e Edi Ramës para zgjedhjeve të fundit parlamentare, sipas së cilës nuk do të kishte rritje të taksave me ardhjen e socialistëve në pushtet, mund të hamendësohet se ky debat nuk do të zhvillohet as kur të fillojë “kursi i ri” i PS-së në Kuvend.
Por a është e rëndësishme të bëhet ky debat në Shqipëri?
Sipas një studimi të kryer për FMN-në nga Jiri Jonas (publikuar në mars 2010), niveli aktual i borxhit shtetëror në Shqipëri rrezikon stabilitetin makroekonomik të vendit. Sipas tij, megjithëse borxhi është ulur në 10 vjetët e fundit nga 70% e Produktit të Përgjithshëm Bruto në 60%, mbetet 15 pikë përqindje më lart se mesatarja e 49 vendeve në zhvillim, të ngjashme me Shqipërinë. Duke marrë parasysh këtë fakt, si dhe shumë faktorë e tregues të tjerë makroekonomikë, z. Jonas arrin në përfundimin se një nivel i pranueshëm për borxhin e Shqipërisë është 50% e Produktit të Përgjithshëm Bruto. Ose, thënë ndryshe, borxhi duhet të arrijë një nivel të tillë që të mund të shlyhet me vlerën e produkteve dhe shërbimeve të realizuara në vend brenda 6 muajve dhe jo 7.2 muajve, siç është aktualisht.
Nevoja e uljes së borxhit na sjell te debati politik që sugjeroi vjet z.Bell, gjegjësisht, rreth pyetjes “ulje shpenzimesh buxhetore apo shtim të ardhurash nëpërmjet rritjes së taksave”. Kësaj pyetjeje, kryeministri britanik, z. Kameron, iu përgjigj me një paketë fiskale që parashikon ulje drastike të shpenzimeve buxhetore, por edhe shtim të të ardhurave nëpërmjet rritjes së taksave për sendet dhe shërbimet e luksit. Në këtë mënyrë, ai kënaqi votuesit e tij konservatorë, të cilët duan një shtet sa më të vogël (pra, që shpenzon sa më pak), ndërkohë që u bëri parapritë sulmeve të laburistëve, të cilët synojnë një taksim sa më të lartë të të pasurve.
Një debat i ngjashëm po zhvillohet aktualisht në SHBA, pas krizës së tavanit të borxhit publik. Të djathtët propozojnë ulje të shpenzimeve buxhetore për zvogëlimin e borxhit, ndërsa të majtët propozojnë rritjen e taksave për të ardhurat mbi 250 mijë dollarë në vit. Në thelb të argumenteve të të djathtëve është arsyetimi se sa më pak të shpenzojë shteti, aq më shumë para do të mbeten në duart e privatëve. Dhe sipas tyre, privatët i investojnë dhe i shpenzojnë paratë më me efikasitet se sa shteti. Ndërsa në thelb të argumenteve të të majtëve është arsyetimi se shteti bën ato investime dhe shpenzime që ekonomia private ose nuk i bën fare, ose i bën keq. Për këtë arsye, ata sugjerojnë që të pasurit të shtojnë kontributin e tyre ndaj shtetit nëpërmjet taksave, ndërsa shteti të shpenzojë dhe të investojë për ngritjen e mirëqenies së atyre që janë më pak fatlumë financiarisht.
Në Shqipëri, një debat i tillë nuk u bë kur qeveria Berisha zbatoi taksën e sheshtë mbi të ardhurat. Kjo taksë u vu në nivelin 10% për të gjithë, pavarësisht nga niveli i të ardhurave të tyre. Kështu, si një punëtor që e ka rrogën mujore 100 euro, edhe një biznesmen që fiton 100 mijë euro në muaj, taksohet në të njëjtin nivel - 10% mbi të ardhurat.
Për krahasim, le të shohim si taksohen të ardhurat në SHBA. Atje të ardhurat mujore deri në 670 dollarë taksohen në nivelin 10%, deri në 2800 dollarë taksohen në nivelin 15%, e kështu me radhë, derisa arrihet në nivelin 35%, i cili përdoret për të ardhurat mbi 31000 dollarë në muaj. Me pak fjalë, SHBA-ja ka një taksë me ngritje progresive, e cila, në vendet nordike, ngjitet deri në nivelin 60%. Ndërsa në Shqipëri, taksa mbi të ardhurat është e sheshtë – niveli më i ulët e më i lartë është po ai, 10%.
Në momentin kur u zbatua kjo taksë kaq e ulët, ekonomia shqiptare ishte në fazë bumi dhe administrata fiskale ishte në rinovim. Si rezultat, nuk pati një rënie të të ardhurave buxhetore. Përkundrazi, të ardhurat u rritën me ritme pak më të larta se Produkti i Përgjithshëm Bruto.
Aktualisht, duket se rinovimi i administratës fiskale e ka ezauruar efektin e vet fillestar në përmirsimin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ndërkohë, ekonomia është ngadalësuar. Kështu, në periudhën tetor 2009 - mars 2011, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit vetëm 2.9% si normë vjetore, ndërkohë që sektori i ndërtimit, lokomotiva e ekonomisë shqiptare në dekadën e fundit, u tkurr frikshëm me 22%. Në këto kushte, nuk mund të pritet një rritje e të ardhurave buxhetore pa rritur taksat. Pikërisht për këtë arsye u bë dhe rishikimi i dytë i buxhetit, ku u shkurtuan shpenzimet me 38 miliardë lekë të rinj, ngaqë u parashikua se të ardhurat do të jenë 28.2 miliardë më të ulëta.
Në afate të gjata, shtrëngimi i rripit të shtetit mund të rezultojë më pozitiv për zhvillimin e ekonomisë se sa shtrëngimi i rripit të privatëve. Sepse, në fund të fundit, do të jenë privatët ata që do të investojnë për të hapur biznese të reja apo për të zgjeruar ato ekzistuese. Por në afate të shkurtra, teksa shteti shqiptar është në vështirësi financiare, një debat rreth shkallëzimit progresiv të taksës mbi të ardhurat dhe një akcize për sendet e luksit vlen të bëhet edhe në Shqipëri. Dhe roli i kampiones së këtij debati i takon pa dyshim PS-së, partisë më të madhe të majtë...

Comments

Submitted by Reformer (not verified) on

Publiku yne nuk ka asnje lloj ndjeshmerie per kete lloj debati. Demagogjia e Berishes e ka deformuar problemin ne nje forme tjeter: shpenzimet identifikohen vetem me rrogat dhe pensionet, dhe ketu Berisha ka shpallur rritjen e tyre te panderprere! ndersa taksat rriten ne menyre te aq te kamufluar sa qe askush nuk e merr vesht!

Ne fushen ekonomike askush nuk mund te provoje asgje ne Shqiperi, sepse ketu nuk ka statistika zyrtare! E verteta nuk i pelqen qeverise, keshtu qe ajo ka gjetur menyren me te thjeshte per ta fshehur ate duke mos dhene asnje shifer te vlefshme!

Submitted by sinan hibro (not verified) on

I nderuar z. Zaloshnja , nuk ndjehem mire te polemizoj me shkrimet e tua ....por do te pelqente qe kur shkruan per borxhin publik, barren e taksave etj,  behu me konkret duke iu referuar situates ne Shqiper... referencat ndaj  Bellit apo Obames ... nuk ngjisin. P.sh. me qe je ne SHBA do te pelqente te beje nje analize te situates se fundit ne Shqiperi, me tregun e makinave, heqjen e doganes , taksen shtese prej 6 lek te reja ne cmimin e l.djegese , taksen per vjetersi te automjetit etj. A e di ti qe une qe mbaj nje makine M.BENZ te vitit 1990 do te me duhet qe te paguaj nje takse kater here me te larte  . Jam kurioz  si paraqiten ky problem ne SHBA !

Pershendetje !

Submitted by respublica (not verified) on

Në komentin rreth artikullit tim “Një debat i munguar për taksat”, Sinan Hibro ngre çështjen e rritjes së taksave për automjetet në përjestim me vjetërsinë e tyre. Kjo taksë përbën një shembull të taksave regresive, të cilat, ndryshe nga ato progresive, taksojnë më shumë të varfërit se sa të pasurit. Një i pasur e ka mundësinë të blejë një automjet të ri, i cili, sipas paketës së re fiskale të qeverisë shqiptare, nuk do të taksohet fare. Ndërsa z. Hibro ka një automjet të vitit 1990 dhe tani do t’i duhet të paguajë një taksë shumë më të lartë se pasanikët që shëtisin me automjete të rinj. Në shtetin e Virxhinias, ku unë kam jetuar në SHBA, taksa e automjetit është progressive, jo regresive – sa më e lartë vlera e automjetit, aq më e lartë taksa mbi të. Çështja e pastërisë së gazrave që lëshojnë automjet e vjetra zgjidhet me inspektimin vjetor – n.q.s. nuk e plotëson standardin, automjeti nuk lejohet të qarkullojë.

Eduard Zaloshnja

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.