NATO, nga Kosova tek Libia
Qysh prej fillimit të veprimeve luftarake të NATO-s në Libi, u soll si referencë “ndërhyrja humanitare” në Kosovë për të ndalur pastrimin etnik kundra shqiptarëve. Konfliktit në Libi duket se po i vjen fundi, por kohëzgjtja e këtij konflikti, gati gjashtë muaj në krahasim me vetëm 78 ditët e ndërhyrjes në Kosovë, nuk është i vetmi dallim midis të dy rasteve. Ndërhyrja e sukseshme në Kosovë solli entuziazëm mbi potencialet ushtarake të Aleancës transatlantike të udhëhequr nga ShBA-të. Ndërhyrja në Libi po sjell gjasat e një riformulimi më modest të mënyrës se si ShBA-të shohin rolin e vet në botë si dhe po ngrenë pikëpyetje mbi kapacitetin dhe mbijetesën e vetë NATO-s.
ShBA-të luajtën një rol të rëndësishëm në aritjen e një rezolute nga Këshilli i Sigurimit, që i jepte legjitimitet një ndërhyrjeje në Libi dhe në shkatërrimin e sistemit mbrojtës kundër-ajror të Libisë në fazën e parë të ndërhyrjes. Por më pas ShBA-të morën një rol që u përshkrua si “leading from behind,” apo udhëheqje nga prapavijat. Një funksionar i Shtëpisë së Bardhë, cituar në një artikull të revistës The New Yorker (2 Maj, 2011) nga Ryan Lizza, e përshkruan këtë “udhëheqje nga prapavijat” në këtë mënyrë:
“Është një përcaktim ndryshe i udhëheqjes nga ai për të cilin njihet Amerika dhe vjen si rezultat i dy bindjeve të pathëna: se fuqia relative e Amerikës po bie teksa rivalë si Kina po ngrihen dhe se ShBA-të urrehen në shumë pjesë të botës. Arritja e interesave dhe përhapja e idealeve tona atëherë kërkon përveç forcës ushtarake edhe operim nga prapa skenave dhe modesti.”
Menjëherë pas botimit të këtij artikulli, oponentët republikanë e sulmuan Obamën për mungesë patriotizmi dhe sens të gabuar faji prej liberali. Liberalët, në të kundërt, triumfatorë vënë në dukje se Obama arriti vrasjen e Osama bin Ladenit, gjë që Presidenti Bush nuk e arriti dot dhe se gjatë adiministratës së tij u rrëzua nga pushteti Kadafi, gjë që Regani nuk e bëri dot. Ata kritikojnë konservatorët republikanë se shqetësohen më shumë për lavdinë dhe afirmimin e fuqisë amerikane se sa për rezultatet. Kjo (ndoshta) “doktrinë e re” e Obamës, siç e cilëson Ryan Lizza, kërkon të formulojë një politikë të jashtme të ndërgjegjshme për kushtëzimet e rrethanave. Por ky qëndrim në rastin e ndërhyrjes ushtarake në një luftë civile kundra Kadafit, solli në pah dhe dobësinë relative të NATOs.
Me marjen e këtij pozicioni të ri të ShBA-ve, Franca dhe Britania morën rolin primar dhe siç vë në dukje Steven Erlanger në një analizë në The New York Times (4 Shtator, 2011) iu desh atyre gjashtë muaj përpjekje për të mposhtur një prej ushtrive më të dobëta në botë. Shumë nga anëtarët më të fuqishëm të NATO-s nuk morën pjesë në operacionet ajrore, si Turqia dhe Spanja, ndërsa Gjermania refuzoi të kishte të bënte me këtë ndërhyrje ndërkohë që Polonia e quajti “ndërhyrje për naftë.” Një pjesë e madhe e peshës u ra ushtrive relativisht të vogla si asaj daneze dhe norvegjeze, të cilat nuk arrinin të kryenin operacionet ajrore sidomos pasi francezët tërhoqën aeroplan-mbajtësen e tyre për t’i bërë riparime, ndërsa italinët e tërhoqën të tyren për të bërë kursime. Njëmbëdhjetë javë pas nisjes së operacioneve, shumica e vendeve pjesëmarrëse mbetën pa municione dhe u desh të kërkojnë ndihmën e ShBA-ve.
Një pjesë e madhe e arsyeve të kësaj tablloje ka të bëjë me shkurtimet në buxhetin ushtarak të vendeve të NATO-s si rrjedhim i krizës ekonomike. Në Shkurt të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u ankua se në dy vitet e fundit buxheti evropian i mbrotjes është pakësuar me 45 bilionë dollarë, shumë kjo ekuivalente me buxhetin ushtarak të Gjermanisë. Nga gjithë anëtarët e NATO-s, vetëm tre vende, Britania, Franca dhe Greqia, shpenzojnë 2%-ëshin e rënë dakort për buxhet ushtarak. Greqia nuk mundet më ta përballojë një gjë të tillë ndërsa pritet që Britania të bëjë tkurrje të mëtejshme të këtij buxheti. Ish Sekretari i Mbrotjes së ShBA-ve, Robert Gates, pak përpara largimit nga posti i tij, vuri në dukje se nëse vendet evropiane nuk vendosin të luajnë një rol më të madh në operacione ushtarake, të shtojnë shpenzimet për armatime dhe angazhimin në konfliktet ku është përfshirë NATO, si në Afganistan, atëherë Amerikës mund t’i duhet të kërkojë aleternativa ndaj kësaj aleance që po bëhet “irelevante.”
Rasmussen, gjithashtu, ka vënë në dukje se nëse këto trende vazhdojnë, “ne rrezikojmë të kemi një Evropë të përçarë” dhe se nëse “Evropa nuk ka mundësi të kontribuojë në sigurinë globale, atëherë Amerika mund të hapë sytë gjetiu për partnerë të besueshëm në mbrojtje.” Në arsyet e këtij ngurimi evropian, sipas revistës prestigjoze The Economist, ndikon dhe fakti se tashmë NATO nuk ka një armik të mirë-përcaktuar, si gjatë Luftës së Ftohtë, dhe ka vite që ndihet të tërhiqet zvarrë në konfliktet e Amerikës, në një kohë që po kërkohet një dalje e pranueshme nga Afganistani.
Një numër analistësh i kanë kushtuar vëmendje anëve pozitive të ndërhyrjes së NATO-s në Libi, në dallim nga ndërhyrje të mëpërparshme. Fakti që nuk pati një bombardim të ngjashëm me bombardimin “shock and awe” amerikan në Irak, bëri të mundur që mos ketë shkatërrime të mëdha në infrastrukturën e Libisë; pati dëme të pakta në humbjen e jetës së civilëve në krahasim dhe me bombardimet kundra Serbisë dhe NATO tregoi që mund të ketë bashkëpunim të sukseshëm me vende arabe si Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat bënë pjesën më të madhe të furnizimit me armë të opozitës kundra Kadafit dhe trajnimin e tyre.
Por gjithsesi, nëse në fund të ndërhyrjes në Kosovë, aleanca u duk e fuqishme dhe e sigurtë nën udhëheqjen amerikane, rasti i Libisë shënon një moment pasigurie për të ardhmen e NATO-s dhe të potencialit evropian si aktor në politikën botërore.
Comments
Ajo qe autori nuk ve ne pah,

Ajo qe autori nuk ve ne pah, eshte se ashtu si ne Kosove, NATO i vjen ne ndihme nje populli mysliman qe po terrorizohet nga nje diktator i pameshirshem. Sigurisht qe ne Kosove NATO kishte parasysh reputacionin e saj si aleance, pas bllofit qe i pati bere Milloshevici ne Bosnje, ndersa ne Libi vendet anetare te NATO's presin te kene perfitime ekonomike si shperblim te nderhyrjes se tyre. Por gjithsesi, nderhyrja e suksesshme ne Libi ne ndihme te popullit mysliman Libian, e afron me teper NATOn me zemrat e myslimaneve dhe ben te lahet pak "faji" i NATO's me vrasjet e civileve ne Afganistan, edhe pse edhe misjoni i Afganistanit eshte nje misjon ne ndihme te popullit Afgan dhe qe mbeshtetet nga shumica derrmuese e popujve myslimane.

taktika e re e Obames eshte shume here me e ndjeshme dhe me e efektshme se e Bushit.

Meqe dhe Shqiperia si anetare e NATO's mori pjese ne misjonin e Libise??? ndoshta shperblehemi me njohjen e Kosoves nga qeveria e re Libiane

Add new comment