Në majë të hundës!

Postuar në 22 Dhjetor, 2014 03:07
Dritan Hila

Ka ca ditë që presidenti ka hedhur një gur në ujë dhe pala tjetër shtiret sikur kërkon kryqin e 6 janarit. Ka aq seriozitet, sa ngjan se në tavolinë është zgjedhja ndërmjet Mario Dragit dhe Alan Grinspanit. Në fakt është banalitet tipik shqiptar. Ndërkohë duhet kuptuar se problemi është serioz, pasi Banka Qendrore nuk është punë kalamajsh e as pazaresh. Financa e lartë është diçka më shumë se një edhe një baraz me dy: është e ardhmja jonë, projekti për dekadat e ardhshme. Pasi pas çdo suksesi ekonomik të një politikani, qëndron dora e hekurt dhe mendja e mprehtë e një financieri. Jo më kot Enriko Kuça, gjeniu arbëresh i financave italiane të bumit ekonomik, thoshte se “historia nuk bëhet në skenat e mëdha, por në paradhomat e vogla”.
Financa moderne është shpikje e Mesjetës së vonë, në agimin e revolucionit industrial. Erdhi nëpërmjet luftës nga një fuqi e vogël, e cila ishte bashkim i 7 provincave që njihen sot si Holanda. Kishte vënë përpara një vend dy herë e gjysmë më të madh dhe me tradita luftarake si Anglia. Në tre luftërat e para të zhvilluara në 22 vjet, anglezët u përzunë nga Afrika perëndimore, Surinami dhe për ca kohë humbën Nju Jorkun. Holandezët arritën të ngjiteshin përgjatë Tamizit, të ngulnin flamurin në Meduej dhe shkatërronin flotën angleze në Çat’ham e Roçester. Në luftën e tretë, anglezët patën edhe ndihmën e francezëve, por pa sukses. Më 1671 Çarl II shpalli falimentimin e vendit. Arma e holandezëve nuk ishin topat dhe karavellat, por sistemi financiar që i mundësonte kreditimin e një lufte të gjatë, e përdorur nga Wiselbank e Amsterdamit, pararendësja e Bankës Qendrore. Anglezët do ta kopjonin në 1694-ën me themelimin e Bankës së Anglisë, si instituti që do të administronte nevojat e shtetit përfshirë emetimin e bondeve publike me afat të gjatë. Që atëherë, paraja nuk ishte më copa e arit me fytyrën e mbretit, por letra e shtypur në formë monedhe apo letre me vlerë, që e zinin ethet, tretej apo trashej, sipas veprimeve të pakuptueshme për ata që nuk e njohin këtë zeje. Daniel Defo, autori i “Robinson Kruzo”-së, do ta përshkruante si “kredia që e bën ushtarin të luftojë pa e parë pagën e tij, ushtrinë të marshojë pa pasur karvanin me furnizime, karta që kthehet në para dhe mbush thesarin”. Prej atëherë, Banka Qendrore, krahas aspektit teknik, ka dhe atë politik. Një politikë e saj e gabuar mund të rroposë plane të qeverive të ardhura me vota plebishitare. Pozicionime të pamenduara, komprometojnë të ardhmen e vendit për dekada të tëra. Jo më kot, bankierët e sotëm, përveç qenies financierë, janë edhe njerëz politikë dhe me lidhje të shumëfishta me biznesin prodhues, me qëllim matjen e pulsit.
Sa më sipër është bazike për një historian doktrinash ekonomike, por këtu ngjan se askush nuk ka kënduar gjësend të tillë, e kush ka kënduar, nuk ka zë në kapitull. Duke iu kthyer rastit tonë, kandidatura e hedhur në treg tregon se presidenti nuk ka idenë për se bëhet fjalë. Ndryshe nuk mund të propozonte dikë që nuk ka komanduar as rojën e bankës. Këshilli Mbikëqyrës është një dorë pazarxhinjsh ordinerë. Ndërsa mazhoranca duhet të matet mirë. E vërteta është që pjaca shqiptare nuk ka financierë kalibri. Ca që shtihen të tillë, botojnë libra të kopjuar nga Wikipedia. Rekrutimi i shqiptarëve nga jashtë, përveç dyshimit mbi kapacitetet e tyre, ka dilemën nëse janë të aftë ta bëjnë, pasi ka diferencë të madhe ndërmjet një punonjësi banke dhe një lideri financash. Banka Qendrore është edhe kontrollori i transfertave dhe pastrimit të parave, dhe kjo e bën të vështirë gjetjen e njerëzve me integritet. Sistemi bankar shqiptar është i pakontrolluar në administrimin e tij të brendshëm dhe vrasës në nivelin e përqindjeve të krahasueshme me fajdet. Ka ardhur koha e ndryshimit të rregullave, pasi siç shkruante Paul Krugman, nobeli i ekonomisë: “në Mesjetë, për çfarëdolloj fenomeni thoshim ‘e di Zoti’, sot për çfarëdolloj kërkese bankash, themi që e dinë bankierët, pa iu kërkuar kurrë llogari, dhe ia ku na çuan”. Dhe këtë e bën Banka Qendrore. Ndaj në rastin tonë, do të ishte mirë një kandidaturë e shoqëruar me paketë rregullash dhe kontrolli të fortë; që të mos i harxhojë paratë e shqiptarëve për gorica pikla; të mos ketë më shumë kompetenca se i një qeni roje të financave dhe jo tenderuesi banjash dhe fasadash. Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se as shqiptarët e ardhur nga jashtë të “përvëluar” për të “ndihmuar” mëmëdheun, e as prodhimi vendas i reklamuar si gjetje, nuk ia ka përtuar të ndyhet dhe tregojë se lëkura e “bracëve” ballkanas, duhet vite të ndërrojë. Na ka ardhur në majë të hundës me gjithfarë pabuksish anonimë që vijnë të veshur me lecka në këto poste, dhe largohen milionerë e me biznese, duke përhapur legjenda për burime nga financa e lartë, por janë hiç më pak se vjedhjet e bëra kur janë drejtues të KESH-it, Tatimeve apo Doganave, ku ai që paguan është gjithmonë publiku. Prifti, Harasani etj. janë rastet e freskëta. Të tjerët janë duke u pjekur në furrë. Dhe meqenëse drejtësia blihet, atëherë është mirë që të matemi që nga fillimi. Sa për këtë që kanë lançuar, nuk ka asnjë parametër. Mbase ata që janë në majë, kanë horizont e zgjedhin dikë që t’i qaset cilësimi: “i hajrit”.

 

G.Shqiptare

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

<p>Nje mjeshter i mendimit te larte, politiko-ekonomik sic eshte Dritan Hila, pasi i zgjidhi te gjithe problemet qe ka nen juridiksion si Zv.Minister i Mbrojtjes, tani paska marre persiper ti jape zgjidhje problemeve te politikes monetare dhe mbikqyrjes bankare ne kete vend.&nbsp;</p><p>Di vetem te them qe jemi fatlum si komb qe kemi kaq shume burra te zgjuar qe mendojne per hallet tona. Kur mendon pastaj qe do bjere edhe shi ne 2015 dhe do shperthej rritja ekonomike, nuk di c&#39;mund te kerkoj me shume.&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by nerro24 (not verified) on

<p>Dritan Hila te lumshin duart per shkrimin qe ke bere. Jam mese i bindur qe te ky shkrim gjejne mendimin e tyre 90 % e shqipetarve pervec ndonje si komentuesi Albi_l qe per inat te vjerres flejn dhe me mulluxhiun. Kete analize ata palacot e PD nuk e bejne dot edhe sikur tju rish me pushke ne koke... se jane nga i pari te i fundit nje zero me xhufke..

Submitted by Albi_I (not verified) on

<p>Kjo gjeja ketu siper mund te jete shumecka, po vetem &quot;analize&quot; jo. Te flase dikush qe as nuk e di ca roli ka vertete banka qendrore, nuk mund te jete kurre &quot;analize&quot;.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.