Në Beograd. Të mundësh një “armik” të lig dhe budalla

Postuar në 15 Tetor, 2014 03:36
Andi Bushati

Pak përpara se të niste zallamahia, atje, në stadiumin « Partizani » të Beogradit, gjeta kohën mes tensionit të asaj ndeshjeje nervëshkatërruese të shkëmbeja batuta me një nga kolegët e mi. Shkak u bë një episod anekdodik, por shumë domethënsës. Në skajin tjetër të fushës, diku aty mbi tunelin nga hynin dhe dilnin lojtarët, një grup ultrasish të skuadrës Serbe, po digjnin një flamur: ishte flamuri i NATO-s. Shiko, shiko, i thashë gazetarit që kisha pranë, edhe sot, 15 vite më pas, këta idiotë duan të na identifikojnë me pahir me NATO-on, duke u vetshpallur njëkohësisht si armiq të saj. Kaq thashë në atë moment. Nuk përmenda Millosheviçin dhe tragjedinë që ai i la pas vendit të tij; as sindromën vetshkatërruese të serbëve që përsëritet në mënyrë ciklike në histori, që nga koha e betejës së Fushë Kosovës e deri tek bisedimet e Rambujesë; madje as patologjinë e një kombi që di të rendë pas vetëflijimit, duke ruajtur në kujtesën kolektive kryesisht vetëm disfatat.

As nuk kisha kohë dhe as nuk ishte vendi ti kujtoja të gjitha këto. Në fund të fundit, unë dhe kolegët e mi, ishim aty për të parë një ndeshje futbolli. Qeshë i bindur për këtë, madje nuk hezitoja të ironizoja (me kozmopolitizmin sipërfaqësor të një pjese të Tiranës kaviar do të thoshte ndonjë miku im kosovar) ata që kërkonin të shihnin tek kjo përballje sportive shumë më tepër sesa kaq. Duhet ta pranoj se isha gabuar. Dhe jo pak.

Sepse përballë u ndesha me një kor gjigand që thërriste pa pushim: "vdekje shqiptarëve". Me një ndeshje që filloi me këndimin e këngëve të çetnikëve dhe vazhdoi me vërshëllimën në kor të himnit tonë. Me policë të çoroditur që bënin çmos të nervozonin tifozët që në aeroport. Me futbollistë milionerë, që më shumë sesa të bënin detyrën e tyre si profesionistë, si lojtarë të mirfilltë të Premier Ligës, u pëlqente të shiteshin si patriotë dhe të përdhosnin flamurin e kuq të “armikut”. Më pas, kur u gjenda nën goditjet me sende të forta që vërshonin drejt ndejtëseve ku qenë ulur tifozët e paktë kuq e zi; me brutalitetin e forcave të rendit që nuk të linin të shihje më atë që po ndodhte në fushë; me thirrjet që vazhdonin për vdekjen e shqiptarëve, e kuptova se nuk po asistoja thjesht në një ndeshje futbolli. Disa orë më vonë, tek qëndronim në avion, për të lënë njëherë e mirë tokën beogradase, të njëjtën gjë do të më pranonin edhe shumë nga futbollistët që kishin qenë në fushë. Lenjani kishte akoma pjesë të trupit që i dhimbnin. Debatik Curri e Taulant Xhaka po ashtu. Lorik Cana, kapiteni që ish ulur në fund të avionit, më shumë ishte krenar për grushtat që kish dhënë sesa për goditjet që kishte marë. Por, të gjithë tregonin se kishin kaluar nëpër një ferr. Jo atë që u pa "live" nëpër ekrane: me karrike që thyheshin në kurriz e me grushta tifozësh që mësynë në fushë. Jo, jo, një tjetër edhe më të rëndë. Kur kishin lënë fushën e lojës, pas agresionit barbar të ultrasve serbë, aty në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes, i kish pritur një barbari edhe më e madhe. Policë dhe civilë, puntorë të stadiumit dhe badigardë pa uniformë, kishin lëshuar shkelma dhe grushta mbi ta. Shenjat e gjithë kësaj batërdie ishin të dukshme edhe në avionin e kthimit, megjithëse lojtarët shqiptarë, të flisnin me bezdi për to. Ata kërkonin të tregonin pjesën e tyre inteligjente dhe fine. “Donin të na e punonin,- më tha një moment Ansi Agolli-, por ne u treguam më të zgjuar. Kur lojtarët tanë ishin në dhomat e zhveshjes, serbët ishin të çmendur me mjetin fluturues që u ngrit mbi stadium, dhe ata do të kenë menduar ndonjë hile. Kanë menduar që për të provokuar të gjithë atë që ndodhi, këtë mjet e kishin ngritur në stadium anëtarët e delegacionit shqiptar. Prandaj, gjë e pa dëgjuar ndonjë herë, ata futën katër pjestarë civilë të shërbimit sekret, për të kontrolluar dhomën tonë. Ndoshta kishin dhe qëllim tjetër- vazhdon Ansi Agolli. Ndoshta donin të na fusnin ndonjë paisje të ngjashme në mjediset tona, për të ngritur pastaj alibinë se i gjithë provokimi ishte projektuar nga ne. Por, -më thotë ai- ne i bllokuam. Si me komandë ndezëm të gjithë smartfonët tanë dhe filluam ti filmonim. Ata u gjendën të përgjuar dhe nëse kanë patur ndonjë qëllim të keq me prapamendim, nuk arritën ta bënin”. Po, po u treguam më të zgjuar, thotë me të qeshur Bulku, që i ulur fare pranë sediljes së Agollit e ka dëgjuar krejt rrëfimin e tij.

Pse vërtet - mendoj,- kaq me budallallëk dhe symbylltësi kanë hyrë në këtë betejë “armiqtë” tanë? Ç’u duhej ta fillonin këtë histori me këngë cetnikësh? Ç’u duhej i gjithë ai presion policor? Ç’kishin me himnin? Ç’u duhej përdhosja e simboleve shqiptare, kur mund të na mundin kollaj në fushën e lojës? Pse i duhej një futbollisti si Mitroviq, të rendte për të kapur në ajër pëlhurën me portretin e Ismail Qemalit, ndërkohë që mund t’i mposhtte profesionalisht, pasardhësit e tij?

Këta serbë, ekipi i të cilëve kushton mbi 120 milionë euro, pra së paku dhjetë fish më tepër sesa i yni, që luanin në fushën e tyre, që vinin nga një shkollë futbolli me emër, i kishin të gjitha kartat në dorë për të na mundur. Por, ata nuk zgjodhën këtë. Ata zgjodhën të sillen si bij të denjë të Arkanit. Ata donin medalien e nacionalistit dhe jo nderimin e profesionistit. U sollën si budallej dhe nuk na mundën dot. Dolën nga fusha me turp dhe të përqeshur nga mbarë bota.

“Kishe të drejtë me historinë e flamurit të Natos- më thotë kolegu im. Edhe atëherë në vitin e largët 1999 ata u sollën po njësoj. Kishin në dorë ta gjenin fjalën me shqiptarët. Të uleshim me ta. Madje dhe ti dominonin. Nëse kjo do të kish ndodhur, Kosova edhe sot nuk do të që kurrë e pavarur. Por, ata edhe atëherë zgjodhën rrugën e disfatës heroike. I shkuan pas çmendurisë së Milloshevi çit dhe u ndëshkuan me bombat e NATO-s. Ata më mirë preferojnë të humbasin si heroj, sesa të fitojnë si njerëz normalë”.

Në përmasa të tjera e njëjta fabul u përsërit të martën e 14 tetorit në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Ne kishim përballë një ekip që ndofta edhe mund të na mundte. Madje kish shumë gjasa ti’a arrinte kësaj. Por si lojtarët dhe aq më shumë tifozët e tyre zgjodhën të sillen si budallej. Budallej dhe të ligj. Sindroma e humbësit të përhershëm u rishfaq tek ata. Ishte e lehtë t’i bëje këto komente teksa pas orës 1 të mëngjesit, ne qëndronim ende pa arsye, të ngujuar në autobus, përpara godinës së aeroportit. Askush nuk na thoshte asgjë. Autobuzi as nuk lëvizte, as nuk i hapte dyert.  Kjo qe “hakmarrja” e fundit e policisë sebe ndaj nesh. Një prej derejtuesve të tyre na tha një moment se do na kërkohej të mbushnim një formular. Përse? Për çfarë? Që të dëshmonim se po largoheshim shëndosh e mirë? Që të dëshmonin se ata nuk ishin treguar harbutë? A mos vallë serbët po e kuptonin se kishin rënë në kurthin e ngritur prej vetë atyre? Se edhe njëherë ishin treguar të këqijtë e vetvetes? Këtë, në një farë mënyre, e pohonin edhe drejtuesit e kombëtares shqiptare. Homologët serbë i ishin lututur tanëve disa herë të riktheheshinn në fushë. Ta vazhdonin lojën. Me sa duket edhe ata e kishin kuptuar figurën që kishin bërë dhe kërkonin të rikuperonin më të mirën e mundshme. Por tashmë ishte vonë. Tejet vonë.

Avioni çarter me kombëtaren e Shqipërisë dhe ata pak tifozë e gazetarë, u ngrit nga aeroporti i Beogradit aty rreth orës 2 30 të mëngjesit. Pas një ore udhëtim ata u gjendën në festën madhështore të organizuar në Rinas. Mijra vetë këndonin “O sa mir me qenë shqiptar o eeeee…” Në sytë e tyre nuk kishte ligësi. Kishte gëzim. Gëzimin e përligjur jo se qemë treguar më të fortë, por thjeshtë se ishim treguar më të zgjuar.

"Lapsi.al"

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Shume mllef dhe urrejtje tek ky artikull...! Deri diku edhe kuptohet gjendja e ketij gazetari por duhet te ishte me i thelle dhe pak me lart sepse nuk eshte ordiner per nga pozicioni qe ka! Mesazhet nuk duhet te mbartin urrejtje ne nivel popujsh, por individesh apo ne nivel organizatash dashakeqese! Vetja nuk vleresohet duke sulmuar me kopili dhe eufori por gjerat duhen trajtuar me intelektualitet dhe nivel!

P.r.sh a ja vlen trajtojme se cili popull ka me vlere?

Te krahasojme superordinerin Azem Hajdarin tone me Nikola Teslen? Apo kriminelin - Arkanin e tyre  me Fan Nolin! Idiotesira ! Spekulime dhe injorance!

Edhe kjo eufori (e mbjellur ne menyre spekulative) duhet  te frenohej pak nga politika duke dhene mesazhe me te zbutura sepse te kujton euforine e nxitur nga politika per 100-vjetorin te pavaresise dhe simbolin e saj tortes gjigande apo euforine e alences Kuq e Zi dhe tradhetine e servilizmin e shume themeluesve te kesaj aleance ne favor te "Rilindjes"!

Me patriote do te tregoheshim n.q se do ishin arrestuar vrasesit e Santos, do ishin arrestuar disa dekane apo rektore apo politikane per politikat korruptive te tyre , sesa flasim e flasim dhe nuk bejme asgje ne kete drejtim pervec se nje propagande ordinere  te neveritshme qe gjithkush e kupton!

Duhet  rregulluar vetja me pare pastaj te tjeret nuk ke as pse i sulmon sepse ata do te sulmohen vete nga inferioriteti i tyre n.q se vertete jane te tille!

Submitted by Astrit (not verified) on

Mua me duket i pavend gezimi shqptar per ate qe ndodhi ne Beograd. Disa qindra hooligans serbe sigurisht qe perbejne nje turrme te marresh nga te cilet nuk pritej shume. Nuk eshte e para here qe ata jane problem dhe kesaj rradhe do denohen fort.

Por mua me habit se sa shume mediat mundohen te na portretizojne ne shqiptareve si shenjtore te martirizuar.

Sipas rregullave, Federata Shqiptare e Futbollit eshte pergjegjese per sjelljen e tifozeve te saj "brenda dhe jashte fushes". Nga pikpamja e neutrale dhe UEFA-s, objekti fluturues perben nje nderhyrje (invazion) ne fushen e lojes qe perben kercenim per lojtaret dhe spektatoret ne stadium. Sikur nje drone i tille te na kishte kaluar ne mbi koka e Tirane, ne do te kishim nje standard tjeter per patriotizmin... Sipas meje me shume te drejte Federata Shqiptare do te haje nje denim ekzemplar per 1) nderhyrje te tifozeve te saj ne rrjedhen e lojes 2) Ngritje e ceshtjeve politike ne nje stadium futbolli (kujtojme se Bayern i Mynihut u denua me gjobe nga UEFA vetem se nje tifoz kosovar ngriti nje banner per Kosoven ne stadiumin e tyre) 3) inkurajim dhune nga tifozet shqiptare (harta e Shqiperise se Madhe nenkupton ndryshime te dhuneshme te kufijve).

Sigurisht Serbia do denohet per sjelljen e keqe dhe organizimin e dobet te ndeshjes. Por te mos kemi asnje iluzion dhe te mos perpiqemi tja fshehim vetes te verteten: nuk duhet te na biere si rrufe nga qielli kur te marrim vesh se per rrugacerite e budallenjve tane patriotike UEFA nuk do te kete qejf te na perkedhele koken. Duhet te presim nje gjobe shembullore dhe nje denim te gjate te fushes. Elbasan Arena jone e famshme nuk do te shohe ndeshje nderkombetare per nja nje vit apo dy. Dhe te themi te verteten, nje denim i tille do te ishte absolutisht i merituar.

Cfare "armiku te lig" mundem or miq? Vec i vume shkrepsen nje fucie me barut qe ca te marre te tjere kishin bere gati. Vec prishem nje ndeshje sporti qe na ben te dukemi te tere (si ne dhe serbet) si njerez me bisht perpara tere botes qe na sheh ne lajme...

Submitted by Bard (not verified) on

Me keto mesazhe euforie qe percillni do ta shendrroni futbollin ne tragjedi politike. Imagjinoni sikur neser te luhet neshja e keta tanet te humbasin ndeshjen(çka mund t'i ndodhe çdo ekipi, derisa Brazili humbi ne shtepi te vet me nje rezultat te turpshem). Larg qofte! Sepse po te ndodhte(largo zot) e gjithe kjo flluske patriotizmi instrumental do te shperthente ne ajer, bashke me kete eufori te nderkryer, e pastaj per te kompensuar poshterimin do te jemi te detyruar te sillemi ne stadium pikerisht si serbet. Larg qofte edhe kjo.

Mos u beni serbe! Mos e kondiciononi egon e shqiptareve ne ate mase sa kur te perballemi me realitetin, te ndjehemi te poshteruar. Nuk eshte asgje tjeter perveçse futboll. Ata qe deshen ta benin futbollin nacionalizem u poshteruan ne shtepi te tyre. Ne nuk mund t'ia lejojme vetes luksin e nacionalizmit serb. Eshte teper i kushtueshem e nuk e mbajme dot.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.