Mos e merrni seriozisht!

Postuar në 07 Janar, 2013 06:59
Imer Mushkolaj

T’i marrësh seriozisht deklaratat folklorike të Sali Berishës nuk bën gjë tjetër veç i kryen një shërbim prej injoranti atij që i kujtohemi në kohë krizash e trishtimi.

 

Sali Berisha zgjodhi t’i deh shqiptarët sërish me deklarata, ndërkohë që ata jashtë kufirit ende përkunden në ëndrrën e quajtur “pasaportë shqiptare për të gjithë”. I vendosur të zbraz gjithë arsenalin folkloriko-patriotik gjashtë muaj para zgjedhjeve që nuk pritet t’i shkruhen mirë, atij iu kujtua të flasë për ligë mbarëkombëtare futbolli dhe për valë televizive mbarëkombëtare.

Ideja e përtypur nga futbollistë e futbolldashës, biznesmenë e aventurierë, patriotë e romantikë këndej e andej kufirit, më në fund mbërriti edhe në tavolinën e Berishës.

Si dikur rastin e Portit të Shëngjinit dhe më pas atë të pasaportave, ai “zbuloi” ligën e futbollit dhe valët televizive që t’i shfrytëzojë sa të mundet për konsum politik, në kohën kur vendi që udhëhiqet nga ai po kalon nëpër krizë ekonomike e sociale, politike e morale.

Berisha, që ia ka ënda të quhet kryeministër i gjithë shqiptarëve, përdor kartën e fundit që i ka mbetur – atë të patriotizmit të vonuar, në përpjekjet për t’ua mbushur mendjen qytetarëve që ta votojnë edhe për një mandat, në kohën kur me qeverisjen e tij ka bërë që vendi të ngelet peng në rrugën drejt progresit.

* * *

Trishtohesh kur dëgjon Sali Berishën të flasë për të tilla gjëra që, sipas tij, simbolizojnë bashkimin. Të krijohet përshtypja se ai njeri nuk ka udhëhequr Shqipërinë për gati një dekadë e gjysmë dhe nuk ka pasur asgjë në dorë për të ndërmarrë iniciativa të tilla deri më tash.

E vërteta është se ai ka qenë aty gjatë gjithë këtyre viteve. Vetëm se më parë ishte i zënë me të tjera gjëra dhe Kosovën nuk e kishte në agjendë. Ndërkaq tash iniciativat që bëjnë bashkimin “sipas Berishës” i vë në krye të agjendës, sepse ka nevojë për to. Ka nevojë t’i mbulojë dështimet e qeverisejs së tij, dështimet e pushtetit të tij.

Në vend që me mirëqeverisje të krijojë mundësi për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët – gjë që nuk e arriti dot – ai propozon lojë e spektakël për qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Propozon që ata të kënaqen në mjerimin që i ka kapluar.

Berisha e di se gjëra të tilla mund të ngrenë adrenalinën e shqiptarëve, por nuk janë farë kontributi i denjë drejt bashkimit. Sepse, për Kosovën dhe Shqipërinë integrimi i sportit dhe tregut medial nuk janë problemet kryesore. As pasaportat e kuqe me shqiponjën ngjyrë ari. Problemet thelbësore të këtyre dy vendeve janë ekonomia dhe mirëqenia, janë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë shteti ligjor dhe ndërtimi i shtetit. Problemet kryesore të këtyre dy vendeve janë elitat politike në Tiranë dhe Prishtinë.

E fatkeqësia më e madhe do të ishte bashkimi i këtyre dy shteteve të dobëta, me të varfrat dhe me më së shumti probleme në Europë. Dy shtete të dobëta që do ta formonin një super të dobët.

Berisha e di këtë, por ai shfrytëzon, keqpërdor dobësinë që kanë kosovarët ndaj tij dhe deklaratave të tij të zjarrta. Shfrytëzon dhe keqpërdor joracionalitetin e kosovarëve, të cilët tek ai shohin shqiptarin, demokratin, patriotin e vërtetë. E ai vetëm demokrat e patriot nuk është.

Sepse, të jesh demokrat e patriot don të thotë të punosh për vendin tënd, e jo për familjen tënde. Të jesh demokrat e patriot don të thotë ta duash e ndërtosh, e jo ta zhvatësh e shkatërrosh vendin. Të jesh demokrat e patriot don të thotë të mos e keqpërdorësh besimin e atyre që të votojnë, e jo të kalosh kohën duke bërë plane si të vjedhësh vota.

Shqipëria e Berishës ende vuan nga sindromi i zgjedheve të vjedhura.

Trishtohesh kur dëgjon Sali Berishën të flasë për integrim futbolli e mediash, ndërkohë që jo vetëm nuk ka krijuar mundësi, por edhe është bërë pengesë për integrimin ekonomik të shqiptarëve.

Le të më thotë dikush se cilat biznese kosovare afarojnë në Shqipëri, përderisa në Kosovë funksionojnë disa të tilla nga atje, si banka, kompani sigurimesh, kompani ndërtimi e media.

A mos duhet ta zgjidhim njëherë çështjen e eksportimit të patates kosovare në Shqipëri, e pastaj të flasim për bashkimin?

A mos duhet t’i bëjmë njëherë llogaritë se cilat mund të jenë pëparësitë e cilat mangësitë e këtij procesi?

A mos duhet të punojmë e ta forcojmë njëherë shtetin tonë, e pastaj të shohim përtej kufirit?

A mos duhet të tregohemi racionalë e të mos iu besojmë përrallave kuq e zi?

* * *

Sali Berisha duket se e ka marrë seriozisht këtë punën e bashkimit, por është vetëm mashtrim. Nuk ka ndërruar. Është po ai i vjetri, që tash po shëron komplekse me doza patriotizmi. Është ai që po ikën.

 

Botuar ne EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.