Lidershipi de facto i PD

Postuar në 14 Nëntor, 2014 06:28
Roland Lami

Pavarësisht se mbivendosja e ngjarjeve të fundit nuk ka mundësuar dot që zhvillimet brenda PD të marrin vëmendjen e duhur, megjithatë, mbetet për t’u evidentuar fakti se PD po hyn në një fazë të re të lidershipit të saj. Ky fakt është shumë i rëndësishëm pasi siç dihet, marrja e drejtimit të PD pas dorëheqjes së liderit historik Berisha, e vendosi Bashën përballë dy vështirësive, që shumë mirë mund të konsiderohen edhe faktorë që mundësuan ardhjen e tij. Njëra lidhej me aspektin strukturor, tjetra me aspektin funksional. Përsa i përket aspektit strukturor, vlen të thuhet që kohëzgjatja e Berishës në drejtimin e PD bëri të mundur që njerëzit e besuar të tij të ishin në strukturat drejtuese të partisë. Në kushtet e dorëheqjes pas zgjedhjeve të 2013, Basha detyrohej të punonte me strukturat ekzistuese të ngritura nga Berisha. Në një situatë të tillë, qoftë legjitimiteti i Bashës brenda PD por edhe perceptimi i linjës se drejtimit bëhej i vështirë. Në një farë mënyre, lideri de jure Basha detyrohej të ushtronte autoritetin mbi një strukturë që de facto kontrollohej nga Berisha. Mirëpo, në krahun tjetër ishte kjo strukturë që falë ndikimit të Berishës e solli në drejtimin e partisë, i jepte mundësinë atij të drejtonte formalisht këtë forcë politike. Pra, Berisha ishte mekanizmi për Bashën për të ardhur në pushtet dhe njëkohësisht pengesa për të ushtruar pushtetin për sa kohë strukturat ishin nën kontrollin e tij.

Përsa i përket vështirësisë së dytë, mund të thuhet se drejtimi për një kohë të gjatë i PD nga ana e Berishës instaloi një tipologji të caktuar drejtimi, që kërkonte kohë që Basha ta ndryshonte. Të njëjtën vështirësi ka pasur edhe Rama brenda PS në momentin që mori drejtimin e PS në 2005. Mirëpo ky i fundit, ndryshe nga Basha, nuk e kishte brenda ish-liderin Nano, por të dorëhequr nga çdo funksion, ndërsa Berisha vazhdon të jetë shumë aktiv në jetën politike. Kështu që Basha ballafaqohej me dy alternativa: ose të distancohej nga mënyra e drejtimit të ish-liderit Berisha, siç bëri Rama me Nanon, por me koston që të rrezikonte pozitat e tij brenda PD, ose të ndryshonte gradualisht tipologjinë e drejtimit duke manifestuar në disa raste sjellje të ngjashme me ato të Berishës, për shkak të pritshmërisë që ka anëtarësia për sa kohë nuk ishte bërë ristrukturimi i PD.

Mirëpo Basha, duke ditur që një nga komponentët që kontribuon qoftë në zgjerimin e autoritetit brenda strukturave dhe ndryshimin e mentalitetit të drejtimit brenda një periudhe të shkurtër është ripërtëritja e strukturave dhe rekrutimi i njerëzve që mendohet se ndajnë të njëjtën mendësi dhe interes me të, pikërisht këtë bëri. Zhvillimet e fundit në PD tregojnë se Basha me dakordësinë e Berishës, po punon në këtë drejtim.

Më konkretisht, po t’u referohemi zgjedhjeve në Këshillin Kombëtar, vërejmë se shumica e personave të zgjedhur njihen brenda dhe jashtë PD si mbështetës të Bashës. E njëjta gjë ka ndodhur me listën e koordinatorëve, të cilët janë po ashtu njerëz të besuar të Bashës. Po ashtu, lista e kandidatëve për sekretariatin funksional përbëhet nga persona të besuar të Bashës.

Këto zhvillime na shtyjnë të besojmë se Basha me një procedurë të dyshimtë përzgjedhjeje dhe zgjedhjeje brenda PD po ndërton ekipin tij dhe njëkohësisht po zbeh peshën e personave që njihen si kritikë të tij. I gjithë ky proces po monitorohet dhe mbështetet nga Berisha, qoftë për të amortizuar pakënaqësitë e personave apo grupe brenda PD, por edhe për t’i garantuar atij mundësinë që të kontrollojë partinë. Pikërisht ky akt i Berishës na shtyn të besojmë se PD po hyn në një periudhë të re drejtimi dhe ky i fundit po e pozicionon veten drejt një titulli nderi në këtë parti, i ngjashëm ndoshta me atë të të ndjerit Sabri Godo në PR.

 

 

Roland Lami

 

"MAPO"

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.