Kushtetuta frankenstein-iane dhe shqetësimi për votën e lirë

Postuar në 18 Gusht, 2011 05:53
Mustafa Nano

Në numrin e djeshëm të “Shqip”-it, Andrea Stefani (në shkrimin e tij me titull Me këtë kushtetutë nuk ka as votë të lirë) polemizonte me shkrimin tim të një dite më parë me titull “Përparësia nr.1 e opozitës: të mbrohet vota”, në të cilin unë i sugjeroja opozitës të fokusohej më fort te një objektiv i vetëm, te mbrojtja e votës së lirë të shqiptarëve, e të mos hapërdahej shumë në çështje të tjera të rëndësishme, pasi kështu edhe do të binte forca e goditjes opozitare, edhe vetë opozita rrezikon të mos fusë gjë në qese. Dhe te çështjet e tjera “të parëndësishme” fusja dhe diskutimin mbi ndryshimet kushtetuese. A. Stefani thotë, se nuk mund të mbrohet vota pa u bërë ndryshime kushtetuese. Dhe ka të drejtë. Të njëjtën gjë mendoj dhe unë, dhe kam përshtypjen se kjo ide duhej të ish e nënkuptuar në shkrimin tim. Nëse jo, është faji im, që s’e kam bërë të qartë idenë. Po e bëj tani.

Kur kam folur për diskutimin bjerradit mbi ndryshimet kushtetuese, kam pasur parasysh atë lloj diskutimi, që synon ndryshimin e ndryshimeve të bëra me amin-in e Ramës, e me diatribën e njohur të Stefanit atëmot. E prandaj kam nënvizuar që Berisha nuk mund të kandiset për t’iu futur historisë së ndryshimit të asaj që është ndryshuar para tre vjetësh. Ai e ka të gatshme përligjjen e refuzimit: “nuk mund të fusim duart në Kushtetutë sa herë të na teket”. E thosh sot dhe Nishani në shtypin e sotëm: “edhe një ligj nuk mund të ndryshohet tre vjet pas miratimit; e jo më një amendament kushtetues”. Unë e di që Berisha, tok me Nishanët e vet, mund ta ndryshonin Kushtetutën sa herë t’u duhej (nëse do të mundnin); ata bëjnë dhe një gjë më të rëndë sesa kjo; ata e shkelin dhe e dhunojnë Kushtetutën. Por puna është se kjo që thonë është logjike, e nuk ka gjë më ironike sesa rasti kur njerëzit e prapë kanë për aleat logjikën. Në këtë kuptim, fajin s’na e ka Berisha. Fajin na e ka Rama. Atëherë? Atëherë, rikthimi te ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, dhe me procedurën e votëbesimit të qeverisë në Kuvend, është një gjë praktikisht e pamundur për t’u arritur në negociata me Berishën. Nuk ka për të rënë dakord Berisha dhe pikë. Dhe mirë na e bën të gjithëve, me në krye karafilin Rama.

Saktësoj në mënyrë të përmbledhur: diskutimin mbi ndryshimet kushtetuese e quaj të kotë, nëse me ndryshime kushtetuese nënkuptojmë ndryshimet e ndryshimeve. Mirëpo, kur flas për përparësinë e votës së lirë, apo kur flas për përpjekjet e opozitës për ta blinduar votën e shqiptarëve, afërmendsh nuk mund të përjashtoj asgjë që është në këtë funksion, rrjedhimisht as ndryshimin e Kushtetutës. Fjala vjen, nëse gjatë diskutimeve mazhorancë-opozitë mbi reformën zgjedhore (kjo është përparësia nr.1, për të cilën flas në shkrim) do të lindë nevoja që të ndërhyhet në Kushtetutë, atëherë do duhet të këmbëngulet nga opozita që të kryhen këto ndryshime që bëjnë të mundur reformën zgjedhore. Dhe Berisha në këtë pikë nuk mund të bëjë naze, pasi po bëhet fjalë për rregullat e lojës. Përveç kësaj, opozita do të ketë me vete edhe komunitetin ndërkombëtar në këtë betejë. Nëse Berisha hedh vickla, atij do t’i thuhet nga shumë drejtime, që opozita ka të drejtë ta thotë fjalën e vet, kur bëhet fjalë për hartimin e rregullave të lojës. Jam i sigurt që ambasadorët, edhe pse i kemi qortuar e denoncuar (edhe unë, edhe Stefani) si mbështetës të këtij regjimi, do të mbështesin opozitën në këtë pikë. Ata me siguri do t’i thonë Berishës “të bjerë dakord me opozitën në krijimin e një set-i ligjesh e rregullash elektorale”. Përsëris: nëse në këtë mes do të lindë nevoja për ndryshime kushtetuese (dhe do të lindë se s’bën), ato duhen kërkuar në mënyrë ultimative.

Mund të thuhet se ndërkombëtarët mund t’ia bëjnë rrup-sup Berishës, e mund ta detyrojnë t’u rikthehet ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008. Nuk më rezulton që ndërkombëtarët të jenë të gatshëm për të ushtruar presion lidhur me këtë çështje. Nuk kanë gojë për të hapur, pasi është fjala për ndryshime të bëra gjithë qejf nga Rama. Por edhe sikur t’i bëjnë presion Berishës, ky i fundit do ta ketë të lehtë t’u thotë atë që na thotë dhe neve: ju kam xhan, ju kam miq, por unë do të zbatoj ligjet e Kushtetutën e Republikës. Dhe në fakt, Kushtetuta e lejon të zgjedhë President e kryeprokuror kë t’i dojë qejfi.

Si mund të futesh në zgjedhje me një Berishë që ka në dorë Presidentin, kryeprokurorin e të gjitha institucionet e tjera?, pyet Stefani. Sigurisht, që ka të drejtë me këtë shqetësim, por prandaj opozita duhet të bëjë çmos të blindojë (aq sa mundet) votën e lirë të qytetarëve të këtij vendi në rrethanat, kur Berisha kontrollon institucionet. Duhet bërë çmos që Berisha të mos ketë në dorë asnjë prej hallkave të procesit e të procedurave elektorale. Nuk them se duhet t’i ketë opozita. Jo, them se të gjitha këto hallka, struktura, institucione zgjedhore duhen ndërtuar me një logjikë non-partisan-e. Logjika bi-partisan-e ka provuar se nuk e mbron votën, e prandaj duhet tentuar me logjikën non-partisan-e.

Kjo është një ide e imja, sidoqoftë. Mund të ketë ide të tjera më të mira. Por nuk është kjo e rëndësishme. Idetë vijnë më pas. Problemi është të caktohet si përparësi absolute reforma elektorale, dhe synimi i kësaj reforme: procesi zgjedhor të mbetet jashtë kontrollit të partive e palëve. Dhe të nisë menjëherë kjo reformë. Të mos lihet me mendimin “hë, se ka kohë”, se pastaj vjen një kohë, kur veç kohë s’ka. Kështu ka ndodhur.

Po pse të mos bëjnë çmos që ta pengojnë Berishën të zgjedhë të vetët në postin e Presidentit e të prokurorit? S’e tha askush këtë. Përkundrazi, duhet bërë çmos që ç’ke me të. Duhen bërë debate e beteja këtu në Tiranë, duhen sensibilizuar ndërkombëtarët në nivelet më të larta të tyre, u duhet thënë të gjithëve se me marrjen e këtyre institucioneve në Tiranë do të kemi një Llukashenko më të ndyrë sesa Llukashenkoja i vërtetë. Të gjitha këto duhen bërë, e ndoshta mund të arrihet sukses. Por deri atëherë, hesapet duhen bërë me këtë Kushtetutë Frankenstein-iane. Dhe me monstrën që Frankenstein-i ka prodhuar.

Comments

Submitted by Eduard (not verified) on

Pershendetje Z. Nano!

Me lejo te hamendesoj pak si vijon:

Mendo nje moment qe ne vitin 2009 te ishte bere Rama Kryeminister dhe jo Berisha. Si mendon, a do dilte Rama (nga pozicioni i kryeministrit) dhe te thoshte "Gabuam me ndryshimet kushtetuese o njerez, na falni"?

Po ne rast se kreu u opozites Berisha do thoshte "Gabuam ne 2008, hajt ta ndryshojme kushtetuten", si mendon se do i pergjigjej Rama?

Z. Nano, ne 2008 Rama i beri ndryshimet kushtetuese personalisht vete, duke u keshilluar me mjaftistat dhe G 99 istat, duke menduar se do behej vete Kryeminister dhe do ti "shkrinte" te gjithe kundershtaret, sidomos ata te partise se tij. Pare ne kete kendveshtrim, nuk ka as moral, as fytyre qe Rama te kerkoje serish ndryshime kushtetuese, jo vetem qe nuk do i'a jape Berisha, por nuk besoj qe edhe nderkombetaret t'a mbeshtesin, sado qe te japer pershtypjen se po behet "djale i mire" ne syte e tyre....

Une mendoj qe, ai nuk duhet t'i zere me goje ndryshimet kushtetuese, qofte edhe per bllof politik (e dyshoj fort kete), sepse nuk perfiton kapital politik, perkundrazi....

Ai do beje mire te unifikoje partine duke i shtrire doren e bashkepunimit, Blushit, Malajt, Harasanit, Braces, pse jo dhe Islamit dhe te tjereve qe nuk mendojne si ai. Kur ta beje kete gje, te shikoje mundesine e nje koalicioni pas zgjedhor me LSI. kjo eshte e vetmja rruge qe e ben Kryemnister, dhe fatkeqesisht e vetmje menyre per te larguar Berishen (jo vetem si individ por si fryme).

Nese nuk e ben kete, nuk ka asnje shans qe ta sjelle Partine Socialiste ne pushtet....

Te pershendes,

Submitted by zhozef fushe (not verified) on

Edi rama edi shume mire qe edhe zgjedhjet e 2013 i ka te humbura por do mundohet te humbas me minimumin e mundeshem pasi do perpiqet me lidhjet e shkurta brenda ne parlament per venien ne kontroll te berishes , njekohesisht edhe kreun e PS do e humbas por do kete njerezit e vet brenda PS ashtu si Nano edhe sot e kesaj dite.....

Do apo s'do Rama do bej pazare me po keta njerez, po mjere njerezit e shkrete qe iken ne 21 janar.......
Rama-Nano-Meta jane ne te njejtin Kazan per dallavere dhe korrupsion dhe sa per Mujin-Sali ai ka ka kaluar ne vallen e shpatave.....

Submitted by Reformer (not verified) on

S'jam dakord kur thua: "fajin s’na e ka Berisha. Fajin na e ka Rama."
Te merresh me fajtorin ne kete rast do te thote te heqesh dore nga ceshtja.Por vazhdimi i artikullit fatmirsisht nuk merrem me "fajtorin", i cili sipas mendimit tim kokeforte eshte gjithmone Berisha. Por nuk dua ta argumentoj kete mendim ketu.Kush ka kohe te merret me filozofi?

Ne duhet te arijme nje qartesi te tipit Kromuell. Ne duhet ta percaktojme qarte sic thote edhe Baze, se me Berishen nuk ka dhe nuk do te kete zgjedhje te lira, se nuk ka kod ne bote qe ai te mos e rrenoje, perdhosi dhe me ne fund percudnoi.

Nese Rama ka nje faj ky ishte pranimi qe beri per te hyre ne zgjedhje. Dhe e vetmja taktike e drejte perballe gjithe ketyre arsyetimeve pa fund taktikash dhe strategjish sipas meje eshte vetem nje: opozita te paralajmeroje qe tani se nuk ka per te hyre ne zgjedhje pa pasur ne dore te gjitha garancite se zgjedhjet do te jene te standarteve europiane.

Submitted by raimondi (not verified) on

Fatkeqsia nuk eshte kushtetuta dhe Nano ka te drejte kur flet per mbrojtjen e votes

--Problemi eshte se Sala i vjedh votat -- Vjedhjen e votes duhet qe PS-ja ta mbroje me Inteligjence dhe me kurajo

-----Mirpo PS-ja nuk e mbron dot voten.... Ketu eshte gjithe puna

--Tani si zgjidhet kjo ?--Une mendoj qe PS-ja duhet te gjeje ndopnje shkak dhe te filloje protestat masive kunder Sales , protesta te cilat do cojne ne qeveri teknike dhe zgjedhje te parakoheshme

----Dhe nqs shkon ne zgjedhje me qeveri teknike, Sala do e kete me te veshtire te manipuloje votat ....dhe PS do kete te gjitha shancet te fitje zgjedhjet

--Pra ruga e vetme e opozites eshte te filloj Protestat masive kunder Sales,
ndryshe ne zgjedhjet e ardheshme do te ndodhi perseri e njejta gje .

--- Edhe ate luften per Presidentin dhe prokuroren PS-ja eshte mire ta beje tamam ashtu sic thote Nano , duke sensibilizuar nderkombetaret per kaqpjen e te gjitha pushteteve qe kerkon te beje Sala
--Do ishte nje gje shume e mire poer demokracine qe Presidenti te ishte nga opozita ,
dhe Krye-prokurori te mos ishte i zgjedhuri i Sales...

Submitted by Marvixhan (not verified) on

-Pse nuk bien kembanat e qytetit per viziten time?-pyeti princi a mbreti
-Ka shume arsye per kete, hiresi a madheri- u pertyp i pari i qytetit.
-Me thuaj te pakten nje!- u hakerrye princi a mbreti.
-Qe nga stuhia e fundit, hiresi/madheri, qyteti nuk ka kembana!
-Mjafton-tha hiresia e tij-nuk dua ti degjoje te tjerat!
Ja keshtu eshte historia, Z.Nano! Qe nga kohet qe s'mbahen mend ne Shqiperi nuk egzistojne me "non-partisan-e" et! Edhe kur jane te promovuar nga e majta, me Saliun ne fron dhe gijotinen mbi koke a kariere, burrat apo intelektualet, profesoret e profesionistet, militantet apo emisaret nga shoqeria civile, bjerrin menjehere cilesite e tyre dhe e pshurrin non partizanllekun.
Shqiperine e ka zene e keqja atje ku s'deftehet me kete te bekuarin Sali Berisha dhe kur te ze e keqja atje ku nuk deftehet, meqe nuk ja kemi ngene dhe takatin keshillave te Namik Hotit, ka mbetur vetem nje rruge per te sjelle ne mode perseri non partisan-et: Rruga Partizane! Per kete, se pari, duhet gjetur Komandanti Partizan, pasi duket qarte se Z.Rama nuk ja thote asaj pune.
Dhe se dyti, duhet te shkoje thika ne kocke, pasi ne te vertet akoma nuk ka shkuar. Dhe kjo thika po vjen! Eshte ekonomia. Greqia, qe po mban peng dhe po e blen politiken shqiptare, do tu tregoje rruget e kthimit me shume se gjysmes se emigranteve tane ( sa behet gjysma? 500 mije?) Dhe te kthyer ne atdhe, s'ka Sali qe u ben derman me shtepi, me punera, me ushqim dhe pensione apo asistenca. Qe tani arka e qeverise eshte bosh dhe borxhi po rritet frikshem, lere kur te kthehen emigrantet tane.
Athere do ta shohin shqiptaret dhe bota se perse i duhen ne te vertete helikopteret e blere ne France Familjes Berisha dhe Oborrtareve te tij. Por deri athere, dmth pa vajtur thika ne kocke dhe pa filluar partizance, Berisha mund te shijoje i qete cifligun shqiptar, sikur t'ja kete lene vete Baba Dovleti. Dhe kur eshte i qete dhe i sigurte Berisha, mos t'ja hame hakun, ben ndere e favore jo vetem per oborrtaret e tij, por vertit sa andej kendej, kocka e mish edhe per opoziten, qe te majmet ca de, se pastaj cdo te shijosh kur ta kafshosh apo lepish.
Keshtu jane punet ne keto anet tona i dshur Z.Nano dhe keto pune nuk kryhen vetem me inat, por duan dhe goxha takat. Kete po e kupton se fundmi edhe Rama. Ja, a e pe shkrimin e tij per minatoret e Bulqizes? I eshte kthyer mallit te pare, publicistikes qytetare e rebele. Dmth, po i jep duart rolit te lidershipit. Se nuk mund te behet kushdo lider, de! Ja, me qe e kemi zene shtruar muhabetin, Berisha po, ka stof lideri. Edhe ne kohe te komunizmit do kishte bere goxha karriere dhe po te mos qe qorrollepsur teposhte atje tej, ne stepat ruse ai i bekuar komunizem, nuk eshte fare cudi te kishte mbritur ne Byro dhe ne Sekretariat. Kjo ka qene endrra e fshehte e tij! Dhe duke pare se si eshte sot, mund te perfytyrohet lehte se cfuqi do kishte ne ate sistem dhe cfare ynyresh do na binin per rrisk. Por , per ta mbyllur more Z.Nano, ne populli i thjeshte, nuk behemi fort merak. E marrim shtruar dhe se tundim bythen sa kohe, de, qe demokracia na ka krijuar ca konida, sic thoshte Luftar Paja. Se ne e kemi ditur prej kohesh qe torta e madhe, ka qene denbabaden e do te jete per zoterinjte. Ne mjafton te mos na lene pa therrime dhe jemi ne rregull. Ama, po na hoqen dhe therrimet, ku te mbytemi pastaj? Do lutemi e do lutemi, do falemi e do falemi, e pastaj do plasim e do bejme bam, per inat te zoterinjve, qe tu shkoje kamja harram. Ja keshtu, de!
Dhe mos mu zemero, more Z.Nano, qe tu drejtova ty gjithe kohen. Nuk e pata me te keq sepse kam shume respekt e konsiderate per ty dhe e quajta njelloj sikur te kisha perpara e po llafosesha, prandaj. Pa po edhe merakosem per ty, sepse i ke dale perpara, mu ne shteg, demit te terbuar, pervecse ju skrapallinjeve, se di pse, nje takem ju sheh te veshur vetem me te kuqe dhe kjo nuk i ben mire humorit te demit. Ne pacim rastin ndonje dite te takohemi, te kam borxh nje kafe me bisht dhe nje falenderim te sinqerte per fjalen e mire qe sjell per popullin fukara. Miqesisht, Marvixhan.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.