Kush dëmtohet me të vërtetë nga çmimet e ulëta të librave shkollorë?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2430_1_1574.jpg?itok=sR-Zt5MY)
Programet, kronikat dhe artikujt mbi librin shkollor kanë qënë të shumtë, por asnjëherë nuk është thënë kjo e vërtetë: çmimet e mbajtura artificialisht të ulëta nga shteti dëmtojnë nxënësit më shumë se çdo grup tjetër social. Ky pohim thellësisht jo popullor mund të vërtetohet në mënyrë të thjeshtë.
Pika e parë: po të krahasojmë çmimet e librave me ato të produkteve të tjera të konsumit të gjerë, do e shohim menjëherë se sa të ulëta janë këto të parat. Për shembull, një libër historie i shkollës së mesme kushton rreth 250 - 300 Lekë, pra aq sa 3-4 kafe (ose 3 kaushë gështenjash të qëruara!).
Mos të harrojmë se po flasim për një produkt që ka një jetëgjatësi shumëvjeçare dhe mbi të gjitha një produkt që, ndryshe nga kafeja apo cigaret, ngre mirëqënien sociale dhe influencon të ardhmen e vendit tonë. Mos të harrojmë gjithashtu se po të krahasojmë çmimet e librit shkollor me ato të librit artistik, përsëri gjendemi në paradoksin, krejt shqiptar, ku libri shkollor kushton shumëherë më pak se ai artistik.
Pika e dytë: po të krahasojmë çmimet e librave tanë me çmimet e librave në vende të tjera të botës, përsëri arrijmë në përfundimin që librat shqiptarë shiten me çmime qesharake. Për të vazhduar me shembullin e historisë, një libër historie nëpër botë kushton nga 20 Euro (Itali) në 70 Euro (ShBA), në varësi të nivelit, numrit të faqeve, botuesit, etj. Pra një libër i tillë në Shqipëri kushton nga 10 deri në 30 herë më pak se i njëjti libër jashtë shtetit. Do sfidoja këdo tjetwr qw të gjente një tjetër produkt apo shërbim në Shqipëri që ka çmime tregu po kaq të lira.
Pse dëmtohen nxënësit nga çmimet e ulta?
Kjo pyetja ka një përgjigje shumë të thjeshtë: një produkt me çmim të ulët domosdoshmërisht do të ketë cilësi të ulët. Ata që po e përdorin këtë produkt me cilësi të ulët janë të rinjtë e kombit shqiptar, dhe fatkeqësisht ata nuk mund të zgjedhin. Dikush tjetër ka zgjedhur për ta.
Cilësia e ulët do jetë pasojë e çmimeve të ulta, pasi shtëpitë botuese do të kursejnë në shpenzimet e tyre për të pregatitur një libër duke qënë se ato nuk do mund ta rrisin çmimin e një libri të mirë në krahasim me çmimin e një libri më pak të mirë. Kështu, librat do të përpunohen pak, do të shtypen në letër të keqe dhe do të jenë me pak faqe. Do të ketë një sheshim të përgjithshëm të cilësisë së librave pasi nuk do ketë liri në manaxhimin e proçesit botues.
Gjithashtu, autorët e mirë nuk do të jenë të interesuar të shkruajnë. Studiuesit dhe ekspertët shqiptarë nuk janë të interesuar të investojnë kohën e tyre për të shkruar libra shkollorë kur të njëjtën kohë mund ta përdorin në aktivitete më fitimprurëse. Një autor i një libri që ka shitur 7 000 kopje (pra që ka marrë rreth 20% të tregut) do të fitojë 100 000 Lekë nga të drejtat e autorit për një libër. Por për këtë shpërblim i është dashur një punë prej të paktën katër muajsh, gjë që nuk e josh asnjë specialist sot. Prandaj gjetja e autorëve është kthyer në problemin kryesor të shtëpive botuese.
Rezultati i këtij paradoksi është që fëmijët tanë mësojnë me libra që janë kthyer në përmbledhës të njohurive, libra ku konceptet nuk përshtjellohen apo analizohen por thjesht citohen, ku shembujt janë të rrallë e ushtrimet e shkurtra. A është normale që libri i historisë së vitit të fundit të shkollës së mesme të ketë 180 faqe? Po ashtu edhe libri i ekonomisë, fizikës, shkencave të natyrës, etj. Në asnjë vend tjetër të botës nuk ndodh kjo.
Nxënësit shqiptarë, të cilët në shkollë të mesme kanë punuar me libra prej 180 faqesh, po nisen me një dizavantazh të madh. Po u presim krahët me politika dritëshkurtra vetëm e vetëm sepse është shumë e vështirë t'i thuhet popullit një e vërtetë e hidhur por e domosdoshme. Çmimet e librave duhen liberalizuar, dhe vetëm atëherë do të kemi libra cilësorë dhe të rinj të pregatitur.
Si do të përballoheshin çmimet e rritura nga familjet shqiptare me të ardhura të ulta?
Këtu duhet të ndërhyjë qeveria, e cila, falë çmimeve më të larta, do të ketë më shumë hapësirë manovrimi. Mund të taksohen më shumë shtëpitë botuese, autorët dhe konsumatorët finalë. Nga këto taksa më të larta mund të krijohet një fond për ato familje të shoqërisë shqiptare që nuk mund të përballojnë asnjë lloj shpenzimi për librat shkollorë. Skemat e mundshme janë pafund dhe nuk është ky vendi për t'i diskutuar në hollësi. Këtu është vendi për të thënë qartë që, në këtë moment, shtresa më e dizavantazhuar e shoqërisë tonë vuan dyfish: paguan me lekët që ia ka kursyer barkut dhe merr në shkëmbim libra shumë të dobët. Ndërsa shtresat e mesme dhe të larta paguajnë shumë lirë një produkt të keq, pasi në treg nuk ka më të mirë se ai. Me këtë politikë po djegim barin e njomë bashkë me të thatin. Duke dashur të mbrojmë "popullin" po e mbajmë atë në vend numëro. Me libra të dobët, të pastrukturuar e të shkurtër, të pakët do të jenë ata që do të kenë pasurinë mendore të nevojshme për të pasur inisiativë, për të guxuar e për të zhvilluar veten dhe vendin e tyre. Dhe fatkeqësisht, akoma më të pakët do të jenë ata që do të kenë edukimin e nevojshëm për të dalë nga varfëria ku kanë lindur.
Vërtet që do të ishte më mirë sikur librat shkollorë të ishin falas për të gjithë, pasi edhe arsimi publik është falas. Vërtet që do të ishte më mirë sikur shkollat tona të ishin të pastra, të ngrohta dhe me nga 20 nxënës për klasë. Do të ishte vërtet bukur, por duhet të zgjedhim betejat tona. Në këtë kohë krizash politike dhe financiare mbarëkombëtare e jo vetëm shqiptare, nuk është realistike të kërkohet një lëvizje e tillë e qeverisë. Përgjigja e parë do të ishte: nuk ka para në buxhet. E dyta, ndoshta, do ishte: le t'i ulim akoma më shumë çmimet e librave shkollorë se populli është i pakënaqur. Dhe kështu, siç ndodh rëndom në Shqipëri, do të bënim disa hapa pas, kur donim të ecnim përpara.
Politikat sociale në një vend të varfër si Shqipëria duhen propozuar vetëm kur gjendet në të njëjtën kohë edhe buxheti për to. Një liberalizim i çmimeve të librave shkollorë dhe një financim i njëkohshëm i familjeve të varfra do të ishte një zgjidhje e një problemi social të rëndësishëm. Ndoshta nuk do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme, por sidoqoftë më e mira që mund të arrijmë tani për tani.
Comments
Autorja thote: "Politikat

Autorja thote: "Politikat sociale ne nje vend te varfer si Shqiperia duhen propozuar vetem kur gjendet ne te njejten kohe edhe buxheti per to". Deri ketu mire. Nuk pajtohem fare me te, por ama eshte mendimi i saj. Me pak fjale, autorja po thote se Shqiperia eshte e varfer, dhe per aq kohe sa do jete e varfer, njerezit as qe duhet te goxojne te kerkojne ndihme. Me mire te mbyllin gojen e kaq. Protesta apo kembengulja per te ndryshuar gjerat nuk eshte ne konceptin e autores.

Ne fjaline qe vijon, autorja shton: Nje liberalizim i cmimeve te librave shkollore dhe nje financim i njekohshem i familjeve te varfra do te ishte nje zgjidhje e nje problemi social te rendesishem". Me sa kuptoj une, autorja propozon dy alternativa per zgjidhjen e nje problemi te rendesishem social. Keta jane: financimi i shtresave te varfra per te blere librat dhe liberalizimi i cmimit te tyre.

Por, mqs. ne fjaline e pare autorja e shpreh qarte qe qeveria nuk ka buxhet pr te ndihmuar te varfrit, i bie qe liberalizimi i cmimit te librave te jete zgjidhja e problemit social...mmm...Kur liberalizimi po shihet gjithnje e me shume si nje sistem i falimentuar, ne e paraqesim si zgjidhje te problemeve sociale. Pune neoliberalistash!

Sa per kuriozitet, kam punuar si mesuese ne shtetet qe autorja sjell si shembull ku librat kushtojne shume. Ua them nga pervoja e punes se shume nga nxenesit e mi e blinin librin ne mes te semestrit ose fare, disa nga ata qe i perkisnin nje shtrese te mesme-te ulet, nuk e blinin fare. Kopja e librit tim ishte gjithmone ne duart e tyre. Pervec kesaj, fale liberalizimit te cmimeve qe ketu mbeshtet me gjithe forcen, cmimet rriteshin cdo vit. Dhe e gjithe kjo, ne dem te studenteve e si rrjedhoje te xhepave te familjeve. Ne kushte liberalizimi te cmimeve te librave shkollore, nje kurs zakonisht mund te kushtoje deri ne 150-200$. Sa familje do te ishin ne gjendje t'i benin balle nje cmimi te tille?

E pergezoj autoren kur shpreh nje shqetesim te madh lidhur me cilesine e librave ne perdorim nga nxenesit. Me beri pershtypje ajo pjesa ku tregohet numri i faqeve te nje libri te shkolles se mesme. Kur e krahasoj me nje text kimie ne anglisht qe e kam ne dore ne kete moment (ka rreth 1300 faqe) me nje liber prej 180 faqesh ne shkollat e mesme ne Shqiperi, me vjen per te vene duart ne koke. Por perseri pyetja eshte? A eshte liberalizimi i cmimeve te librave zgjidhja per te garantuar shkollim bashkekohor te studenteve tane apo mos ndoshta ka nevoje per ndryshime thelbesore ne sistem? Pastaj, kush garanton se me liberalizimin e cmimeve, shtepite botuese nuk do te vazhdojne te ofrojne te njejtat libra, me te njejten cilesi, por me nje cmim me te larte? Me duket se 50 vjet liberalizim tregu kane qene te mjaftueshem per te vertetuar se liberalizimi i tregjeve nuk mund t'u jape zgjidhje problemeve sociale, perkundrazi. Qofsha e gabuar!!!

E dashur Vjosa, Para se

E dashur Vjosa,

Para se gjithash ju falenderoj per komentin. Po ju pergjigjem me poshte.

Per te komentuar mbi mendimin tim se duhet gjetur buxheti per politikat sociale. Pozicioni im eshte nje pozicion realist. Mund te protestojme sa te duam, por nese nuk japim zgjidhje, protesta ne Shqiperi, te pakten deri tani, ka rene ne vesh te shurdher. Ne rradhe te pare per faktin qe buxheti i shtetit eshte ai qe eshte. Ne rradhe te dyte per arsye te tjera, politike dhe jo, qe as ia vlen t'i permend ketu.

Liberalizimin e çmimeve une e shoh si zgjidhjen e problemit te cilesise. Mos te harrojme se çdo lloj liberalizimi s'ka pse te jete total, pra mund te vihen kufinj perseri, per te evituar absurditete si ato qe permendi ju, nje liber 150-200$. Ne Shqiperi ne kete moment jemi ne ekstremin tjeter, nje liber nuk mund te kushtoje me shume se 2 - 3$... edhe kjo nuk mund te jete normale.

Mendoj se po t'u jepet liria autoreve dhe botuesve te perdorin krijimtarine dhe njohurite e tyre per te paketuar ne menyra te ndryshme dijet qe duhet te transmetohen ne baze te programit arsimor, kjo gje mund te sjelle vetem nje permiresim te cilesise. Fakti qe konkurrenca çon ne nje rritje te cilesise se produktit eshte nje e vertete pothuajse e padiskutueshme. Por kjo liri, dhe si rrjedhim kjo konkurrence, nuk mund te garantohet kur çmimet jane aq te ulta sa nuk ka liri manovrimi dhe librat behen me 180 faqe.

Sigurisht nuk ka garanci se librat do behen me mire, por une mendoj qe kur aktoret e nje tregu lihen te lire te konkurrojne, do perdorin çdo lloj vegle per te fituar tregun. Cilesia eshte nje nga keto vegla, dhe nje nga me te rendesishmet ne diferencimin e produkteve.

Une nuk jam per liberalizimin pa diskriminim te çdo tregu, por mendoj qe ne kete treg specifik, kjo politike do funksiononte shume me mire se politika qe kemi tani. Tani te gjithe marrim nje produkt te dobet dhe te lire. Po ata qe duan nje produkt me te mire, qe mendojne se nje liber ka vlera dhe qe jane te gatshem te blejne 10 kafe me pak ne vit per nje liber qe kushton 10$? Une personalisht nuk dua qe femijet e mi te mesojne historine e Shqiperise ne libra prej 180 faqesh dhe mendoj qe vlera e sotme e nje libri te tille eshte me e larte se sa 2.5$. Por nuk kam ku te gjej nje liber me te mire per femijet e mi...

Add new comment